Nga udhëtimi nëpër Shqipëri - 3

Shyqyr Zotit që nuk e mbajta fjalën për të mbetur jomusliman …



Quhem Dri..... Jam rritur në Shqipëri sikur edhe shumë të tjerë. As familja ime nuk ndryshon shumë nga familjet me edukim nga koha e xhaxhit Enver. Komunizmin e kemi hequr qafe, por qpndrimi negativ ndaj fesë islame ka vazhduar.

Ardhja ime në shkollë të mesme ka qenë pak më ndryshe krahasuar me shokët e tjerë, sepse unë nuk aplikova në provimin e hyrjes që bëhej nga shkolla në muajin maj. Por, me pak mundim e këmbëngulje të babait fillova mësimin një javë pas fillimit të shkollës.

Ora e parë e mësimit ishte arabisht. O Zot, hera e parë në jetën time që u përballa me gjuhën arabe. Jam habitur shumë se nuk e dija që shkruhej mbrapsht. Thashë në vete që unë kurrë nuk kam për ta mësuar këtë gjuhë. Më pas kaluam në konvikt dhe shkova në dhomën time. U prezantova me shokët e dhomës. Fýllova të bëjë disa pyetje në lidhje me shkollën. Kaluan disa javë. Kujdestari i dhomës, që ishte në vit të tretë, një ditë më pyeti nëse besoja apo jo në Zot. Unë, disi i nxehur, i thashë: Jo!, i thashë të mos bëj më pyetje të tilla, se dihet që nuk ka Zot, edhe pikë.

Edhe ezanin për herë të parë e dëgjova në këtë shkollë. Madje, jo vetem që nuk e kisha dëgjuar asnjëherë ezanin por edhe fjalën ezan nuk e dija ç’do të thoshte.

Në semestrin e dytë të vitit të parë fillova të kuptoj se disa gjera që i thonin këta njerëz, si kujdestari i dhomës, ishin të vërteta, Fillova edhe unë të bëjë si ata. Fillimisht i kryeja ato pa ndjerë ndonje gjë por me kalimin e kohës dhe me ndihmën e kujdestarëve, fillova t’i kuptoj vlerat e vërteta.

Në shkollë i bëjmë ibadatet pa problem por kur shkojmë në shtëpi nuk ndodh e njëjta gjë. Prindërit nuk duan në asnjë mënyrë që unë të merrem me fe sepse kur më dërguan në shkollë porosia e parë që më kanë dhënë ishte të rrija larg nga ritet fetare. Edhe unë iu pata dhënë fjalën për këtë gjë. Por, shyqyr Zotit që nuk e mbajta fjalën, sepse po ta kisha bërë këtë nuk i dihet ku do të kisha përfunduar unë.

Në shtëpi mundohem t’i fal namazet fshehurazi, si edhe disa nga shokët e mi. P.sh të tregoj një ngjarje që më ndodhi me nënën time. Isha jashtë për një punë dhe nuk kisha falur namazin e akshamit akoma. Kishte edhe dhjetë minuta që të dilte akshami dhe për këtë nxitova, mora abdest shpejt dhe hyra të një dhomë për të falur namazin. E mbylla derën nga brenda me çelës, fika edhe dritën e dhomës sepse kisha frikë se mos dukeshin lëvizjet e mija nga xhami i derës. Sapo mbarova namazin trokiti dera. U shtanga menjëherë. U hutova ngaqë nuk dija çfarë t’i thosha mamit në atë moment sepse as këtë nuk e kisha menduar. Hapa derën dhe mamaja më pyeti se çfarë po bëja me dritën fikur. I emocionuar i thashë që po mësoja, por a kishte mundësi qe ajo ta pranonte këtë gjë. E kuptoi çfarë kisha bërë dhe më pyeti nëse isha falur? Unë i mbetur pa përgjigje thashë po! Ajo u nxeh shumë dhe më tha që nuk të kemi çuar ne shkollë për budallallëqe. Gjithashtu më tha që do t’i tregonte babait për këtë. Këtu më përshkoi frika më shumë sepse nuk dija si të përgjigjesha. Por, siç e dini edhe vete, nënat nga krijimi janë të mëshirshme, në çdo rast mundohen t’i mbrojnë femijët. Ashtu bëri edhe mamaja ime, nuk i tregoi babait.

Një ditë tjetër në muajin e verës doja të shkoja në qytet për të falur xhumanë sepse afër fshatit tim nuk ka as xhami as kishë. Prandaj, të enjten në darke doja t’i thoja babait që të nesërmën kisha punë ne qytet, ne Elbasan dhe kështu do të falja namazin e xhumasë. I thashë në mbrëmje por ai nuk më dha leje. Duhet të rrija në shtëpi për arsye se do të vinte një mekanik për të riparuar kamionin dhe unë duhet të rrija patjeter. Babai nuk mund të rrinte vetë sepse edhe ai kishte një punë tjetër në Durrës. U mërzita shumë kur nuk mora leje dhe mbeta i pashpresë. Pas afro një ose dy minutash cingërroi zilja e telefonit të babait. Kur babai mbaroi telefonatën më tha që puna në Durrës ishte anuluar dhe më tha që të nesërmën mund të shkoja në Elbasan. Aty u gëzova shumë dhe nuk mbetej gjë tjetër veçse të falënderoja Allahun për këtë ndihmë.

Edhe pse jam në vitin e katërt akoma nuk i kam thënë prindërve që jam musliman dhe nuk kam guxim për një gjë të tillë. Nga një anë, edhe prindërve nuk mund t’u vëmë shumë faj, sepse nga këta njerëz që e kanë jetuar komunizmin për 50 vjet mund të priten këto gjera.

Prandaj, i lutem Allahut që besimtarët mos t’i ndajë nga rruga e drejtë kurse mosbesimtarët t’i udhëzojë në rrugën e drejtë. Amin!

(Teksti është rrëfim autentik, me disa ndërhyrje të parëndësihme të natyrës redaktuese. N. Ibrahimi).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme