Nga udhëtimi nëpër Shqipëri

"Filan Filani"


Si e njoha fenë time, Islamin



Jam nga qyteti i vogël i Cerrikut, nga rrethi i Elbasanit në Shqiperi. Jam nxënës i vitit të katërt në Shkollën e Mesme Medreseja “Liria” në Cerrik. Ndonëse është subjektive, dëshiroj t’ju tregoj si e njoha fenë time, Islamin, sepse Shqipëria është përplotë me raste të këtilla.

Familja ime është muslimane, por vetem me emër, sepse nuk e jeton fare fenë islame. Nuk ndryshojnë shumë nga njerëzit e feve të tjera. Prandaj, unë nuk kisha asnjë dije nga feja ime. Nuk e njihja as emrin Allah (xh.sh.) dhe as emrin e profetit Muhammed (a.s.).

Ishte ditë e diel. Për herë të parë erdha në shkollë. Meqë shkolla jonë ishte me konvikt u vendosëm atje. Dita e parë kaloi normalisht. Ditën tjetër shkuam në mësim. Atë ditë kishim dy orë gjuhë arabe dhe dy orë Kur’ani Kerim. Ishte hera e parë në jetën time që u ballafaqova me një gjë të tillë. E kisha dëgjuar emrin Kur’an, por nuk kisha ide se ç`ishte ai.

U mërzita shumë që në fillim, sepse mu duken si gjera të pakuptim. Nuk arrija t’i kuptoja dot. Dita e parë e mësimit kaloi dhe pasdite kaluam në konvikt bashkë me shokët. Shkova në dhomë dhe mendoja në vete; i thosha vetes: ç’doja unë në këtë shkollë? Dola nga dhoma dhe po ecja nëpër korridorin e konviktit. Dëgjova një zë që nuk arrita ta kuptoj. U shtanga në vend, duke i thënë vetes: Po ky, çfarë ka që bërtet kot me zë kaq të lartë! Atëherë nuk e dija se në shkollën tonë ezani thirret drejtpërdrejt nga një nxënës i shkolles: Allahu Ekber, Allahu Ekber, ….

Unë isha 14 vjeç dhe nuk e dija se ai nuk bërtiste kot por po thërriste ezanin për namazin e ikindisë. Menjëherë dola nga konvikti pa leje dhe shkova pranë babait tim. Babait i kisha dhënë fjalën se nuk do të mësoja asnjë nga këta lëndët fetare por kisha ardhur në shkollë për nivelin e lartë arsimor që kishte shkolla. I thashë babait se nuk kthehem më kurrë tek ajo shkollë; atje njerëzit bërtasin kotë, unë nuk i kuptoj ata. Fola me babanë. Ai më këshilloi të vija përsëri në shkollë dhe unë ashtu bëra. U ktheva përsëri. Takoja shokët që kisha më parë në shkollën 8 vjeçare. Ata më thoshin: “He, do bëhesh hoxhë tek ajo shkolla” ose “O, po na vjen hoxha” etj. Për mua këto fjalë shpotitëse për atë kohë ishin shumë të rënda. Nejse, kaluan ditët e para kështu.

Një ditë pashë që po shkonin disa nxënës në mesxhid për të falur namaz. Në dhomat e konviktit jemi nga pesë nxënës nga viti i parë dhe një nga viti i tretë ose nga viti i katërt. Nese kemi diçka të paqartë i drejtohemi nxënësit kujdestar. Unë, i hutuar nga ajo që shikova në mesxhid, i thashë kujdestarit të dhomës:
Çfarë bëjnë ata atje?
Ai më tha se ata atje falin namaz.
Po pse? - i thashë unë.
Për Zotin, mu përgjigj.
O, pse, ka Zot? I thashë unë!
Po, sigurisht!, mu përgjigj ai.
Po, ku është Zoti?- i thashë unë.
Ai filloi të më fliste me durim dhe më shpjegoi disa gjera. Shpjegimet e tij mu duken interesante, por kur më kujtoheshin shokët dhe familja, thoja: këto janë pa kuptim, megjithëse i pranoja.
Kaloi një kohë. Një ditë vendosa të falë edhe unë një namaz. Ishte ditë e premte, namazi i xhumasë. Te gjithë shkuan të merrnin abdest. Unë i thashë vetes: ç‘e dua unë abdestin, nuk ka nevojë. Shkova edhe unë dhe më kujtohet në gojë kisha edhe çamçakëz. Ishte namazi i xhumasë dhe ishte vetem dy rekate. Mu dukë i shkurtër. Po , kjo qenka punë e lehtë, thashë në vete. Më pas fillova të lexoja disa libra rreth ekzistencës së Allahut, për namazin etj. Aty e kuptova se kisha një boshllëk të madh në zemrën time. Mësova disa gjera dhe me pas fillova të falja ndonjë namaz vetë. Por, kur shkoja në shtëpi shihja gjera të tjera dhe ato më turbullonin shumë. Por, kur vija në shkollë pyesja shumë dhe për çdo gjë shokët më të vjetër. Kur e gjeja përgjigjen gëzohesha shumë. Kështu kaloi viti i parë.
Viti i dytë ishte më intenziv. Isha akomoduar pak a shumë. Filluam të bënim programe të përbashkëta me mësuesit. Lexonim libra bashkë dhe kështu e mësuam edhe pak më shumë fenë tonë. Shtytës i mirë ishte edhe vizita që i bëmë Turqisë me mësuesit tanë në fund të vitit të dytë. Aty pamë shumë gjera të bukura. Arkitekturë të jashtëzakonshme, xhami të bukura, falje të namazit me xhemat të madh në xhamitë e Stambollit etj.
Mësimi nga një anë dhe bisedat me njerëzit e ndryshëm ndikuan që t’i kuptonim vlerat e mëdha që kishte Islami.
U kthyem nga Turqia. Erdhëm përsëri në Shqipëri. Shkova të takojë shokët e mi të vjetër që i kisha më parë. Kur i shihja këta shokë i thoja vetes nga dhembsuria: O Zot!, edhe unë ashtu isha më parë. Vetëm tash e kuptoja vlerën që Islami i jepte jetës së njeriut.
Në vitin e tretë edhe mua më kishin bërë kujdestar dhome. Tashmë kisha pesë nxënës në përgjegjësi. Një ditë vjen një nxënës duke vrapuar dhe më thotë: a mu prish abdesti mua sepse vrapova. Edhe pse është pak komike, megjithatë, në ato çaste mu kujtua vetja ime se si isha para se të vija në shkollë.
Pakufishëm e falenderoj Zotin që nuk u largova nga ajo shkollë. Tahmë jam në vitin e katërt dhe familja ime ende nuk e di se unë falem pesë herë në ditë. Ata mendojnë se unë fali vetëm namazin e bajramit dhe të xhumasë. … Por, edhe babai im, kur unë isha në fund të vitit të tretë, ka pranuar të falë një namaz xhumaje. Përpiqem që ta përfaqësoj sa më mirë fenë time sepse si unë ka ende shumë të tjerë të cilët nuk dinë asgjë. Si musliman e ndjej obligim t’u tregoj atyre diçka nga ato pak gjera që unë di dhe me lejen e Zotit edhe ata ta gjejnë rrugën e drejtë.

(Teksti është rrëfim autentik, me disa ndërhyrje të natyrës redaktuese: N. Ibrahimi).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme