Muhammedi alejhisselam – arketip i krijimit të ummetit

Interesimi i shtuar i muslimanëve për traditën e Muhammedit alejhisselam, sa është i rritur me qëndrimin ekspansionist të qytetërimit perëndimor dhe me ekscentricitetin e shpirtit të tyre, aq është edhe produkt i dëshirës dhe vullnetit të muslimanëve që të zbulohet e kaluara autentike, të arriturat kulturore, qytetëruese dhe diturore autoktone, që ndikuan qenësisht në konstituimin e njëmendësisë bashkëkohore në demistifikimin dhe demitologjizimin e personalitetit të Muhammedit alejhisselam, përkatësisht të Sunnetit, si përvojë e gjallë e Fjalës së All-llahut të Madhërishëm, në të cilën e ka shpënë, pjesërisht, ideja egocentrike orientaliste dhe pjesërisht, fryma dekadente dhe konfuzioni i diturive të mendimtarëve muslimanë. Kërkimi i identitetit autentik është shtytës dhe frymëzim shpirtëror në konstituimin e bashkëkohësisë autentike sipas arketipit të ofruar nga All-llahu xhel-le shanuhu Muhammedit alejhisselam.

Gjatë kësaj përpjekjeje e angazhimi, ku pjesëmarrës janë kryesisht të gjitha profilet, kemi edhe lajthitje të natyrës teorike dhe praktike. Mirëpo, në rastin konkret, ne nuk do të preokupohemi me rastet ekstreme, por do të përqëndrohemi në atë se ç’duhet bërë dhe si duhet bërë.

Viteve të fundit jemi dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha të ulemasë dhe inteligjencies tjetër muslimane, që të penetrojnë thellë dhe të zbulojnë dëshmi kaherë të harruara, apo të reja, deri tash të panjohura, nga 23 vitet e pejgamberisë së Muhammedit alejhisselam, të zbulojnë në jetën dhe veprën e tij elemente që do të ndikojnë në zgjimin e vetëdijes dhe do të ndihmojnë në rimëkëmbjen fetare, morale, sociale, ekonomike e politike. Angazhimet e tilla obligojnë, në frymën e Mesazhit Hyjnor: “Nënshtrojuni All-llahut dhe nënshtrojuni të Dërguarit” [2], që jo vetëm të lexojmë apo dëgjojmë diç nga shkrimet e këtilla, por në jetën tonë vetjake dhe në jetën e bashkësisë sonë muslimane ta inkuadrojmë praktikën e Pejgamberit alejhisselam, si dëshmi të gjallë të Fjalës së All-llahut. Arsimimi dhe edukimi individual i njeriut, arsimimi dhe forcimi fetar e moral i familjes dhe, si kurorëzim i këtyre, konstituimi i Bashkësisë muslimane janë mësimet fundamentale dhe permanente për muslimanët e sotshëm dhe të ardhshëm, të nxjerra nga Kur’ani dhe Sunneti, në nismën e çdo rilindjeje. Këtë e mësojmë qartë nga dy etapat e shpalljes së Kur’anit: fazën mekkase, ku qëllimi ishte që individi të përvetësohet, të përudhet në fe, të kultivohet, të rafinohet, të kalitet nëpërmjet sprovave dhe fazën medinase, ku njeriut fillohet t’i besohen detyra dhe obligime shoqërore. Pra, funksioni i Muhammedit alejhisselam nuk ishte vetëm në sferën e udhëheqjes shpirtërore, por edhe në organizimin dhe rregullimin e ri shoqëror, politik e ekonomik, me gjithë atë që funksioni i këtillë implikon. Nga burimet e ndryshme të shkruara lexojmë se i Dërguari alejhisselam mori pjesë në jetën shoqërore-politike në të gjitha format manifestuese. Është martuar, është bërë prind, udhëheqës i familjes, ishte gjykatës, pjesëmarrës në të gjitha luftërat kundër jomuslimanëve; respektivisht kaloi nëpër të gjitha skillat dhe haribdet e jetës. Shembulli i pejgamberisë së tij shprehimisht konfirmon faktin se jeta e individit dhe e bashkësisë nuk trajtohet vetëm sipas domosdoshmërisë së saj, por sipas fuqisë së ideve të cilat në te kanë rolin predominant dhe mundësitë e sendërtimit të tyre praktik dhe mishërimit në autoritetin fizik.

Në sytë e muslimanëve, Muhammedi alejhisselam është simbol i qenies së përkryer njerëzore, është prototip i individualitetit njerëzor dhe shoqëroritetit të tij, është kualitet i pashterrshëm në përudhje rrugës së vërtetë, dhënie kuptim jetës etj. I vetëdijshëm për këto dhe nga instrukcionet e drejpërdrejta të All-llahut, Muhammedi alejhisselam, gjatë misionit të tij, i komunikoi dhe njëmendësoi të vërtetat e mirëfillta, deri tek të cilat dituritë e ndryshme shoqërore e ekzakte tek para pak kohësh arritën apo, shpresojmë, do të arrijnë në të ardhmen.

Nëse kundrohet historia muslimane pesëmbëdhjetë shekullore, do të vërejmë se formimi dhe ngritja individuale, grupore dhe ajo e bashkësisë islame rregullisht ishte e varur nga sasia dhe cilësia e pranimit dhe aplikimit të dispozitave kur’anore dhe sunnetike. Përkatësisht, mjetet themelore për formimin dhe ngritjen e individit, grupit dhe bashkësisë janë shartet islame me namazin, agjërimin, zekatin, haxhxhin etj. Këto ndikuan që te njeriu të kultivohet instinkti, pasioni dhe epshi dhe të përmirësohet karakteri i tij me të gjitha specifikat përcjellëse, e të cilat nuk arrihen ndryshe përpos me angazhim të përhershëm në ekuilibrimin e forcave të brendshme të njeriut. Ilustrimi më përkatës është hadithi i Resulu’ll-llahut (s.a.v.s.): “Xhihadi më i mirë është që njeriu të luftojë kundër epsheve të tij dhe këndjeve të tij.”[3] Mishërimin e faktorëve të mësipërm e hasim tek të gjithë liderët muslimanë, te elita muslimane, të cilët janë bërë ‘të mëdhenj’ vetëm nëpërmjet përsiatjeve, ibadetit, punës dhe shkencës permanente.

Muhammedi alejhisselam e pati të qartë se për krijimin e historisë, parësor është karakteri i fuqishëm, vlerësimi real i rrethanave dhe aksioni i qëlluar. Ngadhënjimi i epsheve, i dëshirës për argëtim dhe mënjanimi i dobësive, pastaj kultivimi i dëshirës për pasuri, sundim e të ngjashme, është shenjë dhe tregues i karakterit të madh, karakterit konsekuent dhe, pa dyshim, fitimtar.

Rëndësia e metodave të Muhammedit alejhisselam në zgjidhjen e të gjitha çështjeve jetësore sa vjen e rritet edhe më. Kjo veçanërisht manifestohet, përpos në botën muslimane, edhe në botën ekonomikisht të zhvilluar, në qytetërimin konsumues, modern, sekular, në kohën e krizave psiko-fizike, në kohën e tëhuajësimit të njeriut, egoizmit individual e klasor. Për civilizimin bashkëkohor, filozofi gjerman, Martin Hajdegeri (vd. 1969), me të drejtë konsideron se gjendet para kataklizmës, i zhytur në kurthën materialiste, nga e cila vëllezërit e tij kristianë mund të shpëtojnë vetëm nëse i kthehen Zotit.

Inkurajojnë parametrat se shumë individë, grupe dhe bashkësi rishtazi të themeluara islame, përgjatë e përgjerë botës, dhe tendencat e disa vendeve muslimane, aktualisht dëshirojnë që për arketip të tyre ta marrin fjalën dhe veprën e Muhammedit alejhisselam dhe të muslimanëve të parë, në çdo sferë të jetës, duke filluar nga lindja, rritja dhe edukimi i fëmijëve, jeta bashkëshortore, familjare, fqinjësore dhe kolektive, pastaj në aspektin politik, ekonomik, social, kulturor, shkencor e të ngjashme.[4]

Do të nevojitet edhe shumë punë shkencore të hulumtohet dhe ndriçohet edhe më personaliteti i Muhammedit alejhisselam, kurse trendi i tashëm në botën muslimane dhe atë jomuslimane është platformë solide për një të nesërme më fatlume.

Këtë vlerë e vërejti mendjehollësisht edhe shkrimtari e dramaturgu i madh botëror, anglezi Bernard Shoi, kur për Muhammedin alejhisselam thotë:

“…Ne duhet ta quajmë shpëtues të njerëzisë. Njeriu sikur ai po ta merrë timonin mbi botën bashkëkohore, do të korrte sukses në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe në sigurimin e qetësisë dhe lumturisë, për të cilat njerëzia ka aq shumë nevojë.”

Kur i shprehu këto fjalë B. Shoi, sigurisht e kishte parasysh shembëlltyrën e Muhammedit alejhisselam, ashtu siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu në Kur’an:

“Ju në të dërguarin e All-llahut keni shembull të mrekullueshëm’! [5]



______________________________

P. S. : Punimi është marrë nga: Nexhat Ibrahimi, Aspekte islame, Prizren, 1413 / 1992, fq. 15 - 19, dhe botohet në këtë tërësi, me ndryshime tejet të vogla.



[1] El-Kur’an, Ibrahim (XIV), 24 – 25.

[2] El-Kur’an, Ali Imran (III), 32.

[3] Nga Ebu Dherr – Ibn Nexhxhar.

[4] Shih: N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqipatare gjatë shekujve, Prishtinë, 2000, veçan katër kaptinat e para të librit.

[5] El-Kur’an, El-Ahzab (XXXIII), 21.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme