Mësim-besimi nevojë e kohës apo mungesë e kahmotshme

Fatime Beshiri





Mësim-besimi nevojë e kohës apo mungesë e kahmotshme





Jetojmë në kohën kur njeriu dëshiron ta fshehë të vërtetën nën kthetrat e politikës ditore pa marrë parasysh se cilat janë pasojat, kujt do i bën dëm… pa mos u menduar se dëmi do t’u bie në “qafë” fëmijëve tanë/gjeneratave të reja. Pra, në këtë kohë të pakohë, s’do mend se në shoqëri lindin probleme të natyrave të ndryshme për të cilat gjithmonë e fajësojmë tjetrin e assesi nuk bëhen fajtorë ata që e sollën shoqërinë në buzë të humnerës së quajtur kataklizëm.

Në historinë tonë shumë të shkurtër gati pesëdhjetëvjeçare qarqe të ndryshme politike dhe edukativo-arsimore qëllimisht dhe në mënyrë sistematike e shkatërruan unin e njeriut, e shkatërruan qytetarin me pretekst se ai është “i barabartë” në jetë, në ushqim, në edukim, në politikë etj. Por, sot kur në emër të demokracisë duhet të vendosim rregulla të reja të jetës tonë, fatkeqësisht rregullat po na i vendosin përsëri ata që e sollën njeriun pranë humnerës së kataklizmit.

Kujtoj se për të dalë nga ky kaos shoqëror i cili fatkeqësisht na përcjellë në të gjithë lëmenjtë e jetës sonë të përditshme, institucionet relevante shtetërore dhe të pavarura kanë për detyrë që në mënyrë të sinqertë t’i rreken fillimisht çështjes së arsimimit të gjeneratave të reja, sepse jam e sigurt se vetëm në krijimin e gjeneratave të shëndosha fshihet shpëtimi nga humnera ose kataklizmi i përgjithshëm shoqëror.

Në këtë kuptim më vjen mirë që qeveritë e Maqedonisë prej kur proklamuan pavarësinë, demokracinë dhe flakjen e sistemit komunist/socialist, pandërprerë kanë trumbetuar për ndryshime cilësore në plan-programet mësimore të të gjitha cikleve të shkollimit në Maqedoni. Karakteristikë e përgjithshme e këtyre çështjeve vazhdimisht ka qenë dhe si duket do të ngelë inkuadrimi i lëndës fetare në sistemin arsimor të vendit: a duhet të mësohet kjo lëndë?; si do të mësohet?; kush do ta mësojë?; sa është e nevojshme?: a thua si do na perceptojë bota pas këtij hapi dhe shumë pyetje tjera të cilat vazhdimisht i kemi parashtruar dhe i parashtrojmë edhe sot e kësaj dite.

Pa mos dashur që në këtë shkrim timin të shkurtër ta arsyetojë futjen e lëndës fetare në shkollimin e rregullt, këtu dua të përmendi se para shoqërisë tonë në Maqedoni e më gjerë se njeriun e ka krijuar All-llahu xh. sh. Pra, Ai i di të metat, dobësitë dhe përparësitë e kësaj qenie të përsosur në natyrë. Nga vetë kjo kuptojmë se njeriu sa është qenie fizike, aq më tepër është qenie shpirtërore, që do të thotë se as trupi nuk mund të jetojë pa shpirtin, por edhe shpirti pa trup paraqet vdekje.

Për besimtarin lirisht mund të themi se ai e ka shumë të qartë se për të qenë i shëndoshë në kuptimin fizik duhet t’i kultivojë rregullat e shëndetit si në ushqim, pastrim dhe mirëmbajtjen e trupit, pra kjo do të bënte që njeriu të jetë i shëndoshë fizikisht. Prandaj vetvetiu parashtrohet pyetja ku na ngel shpirti, çka të bëjmë me të? Përgjigjja është e gatshme: se edhe shpirtin duhet kultivuar si trupin. Por, që ta kultivosh shpirtin, detyrimisht duhet të dish se si arrihet deri te shpirti i shëndoshë.

Nëse për kultivimin tonë trupor e respektojmë mësimin hyjnor dhe profan, atëherë pse të mos i respektojmë rregullat e njëjta edhe për kultivimin shpirtëror!?

Mendoj se mësimi i fesë për gjeneratat e reja është vonuar, sepse një numër i madh i gjeneratave të reja që u shkolluan në të kaluarën nuk patën fat ta mësojnë fenë e tyre përmes së cilës do t’i mësonin vlerat shpirtërore dhe njerëzore që i predikon çdo fe. Këtë mungesë e shohim te një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë të cilët e kanë shumë vështirë të orientohen drejt vlerave fetare e njerëzore, andaj janë dhënë pas pirjes së duhanit, konsumimit të alkoolit, marrjes së drogës, prostitucionit, vjedhjes, vrasjes, tregtisë së ndaluar etj. Vese këto, që padyshim janë rezultat i mungesës së edukatës fetare.

Po t’i kthehemi historisë sonë jo edhe të largët, do të shohim se në regjimet e kaluara para komunistëve, të parët tanë fenë e tyre e kanë mësuar në shkollë dhe në xhami, kishë ose në faltore të tjera. Këtu do të përmendi faktin e gjyshes time, dëftesën e së cilës e kam si dokument të arkivit tim familjar ku shkruan se ajo në vitin 1939 ka mësuar lëndën fetare me status të detyrueshëm, madje është për t’u habitur që në dëftesë lënda fetare figuron e para për nga në radhitja.

Duke u mbështetur në këto fakte, kujtoj se politikanët, strukturat udhëheqëse shtetërore, por edhe shkencore, strukturat fetare dhe, së fundi, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Maqedoni, e kanë detyrë parësore që në mënyrë serioze dhe pa kurrfarë frike t’i rreken inkuadrimit të lëndës fetare në shkollimin e gjeneratave të ardhshme, sepse ato janë ardhmëria jonë, ata do na e shërojnë shoqërinë, ata do t’u kthehen vlerave të shëndosha, vlera për të cilat, e them me keqardhje, sot rrallë kush i ka.


(Autorja e tekstit është teologe e diplomuar dhe mësimdhënëse në Medresenë “Isa Beu” – paralelja e shtrirë në Tetovë)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme