Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime tė bashkėpunėtorėve ->

Sjellja e shqiptarėve tė sotėm ndaj fesė


Artan Fuga

Një problematikë e mprehtë shoqërore.

Në mënyrë të përmbledhur do të dëshiroja të paraqisja disa nga rezultatet e kërkimit shkencor shqiptar në fushën e sociologjisë mbi sjelljen e sotme të grupeve shoqërore në Shqipëri lidhur me fenë.

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Eshtë fjala pikërisht për të sqaruar, në radhë të parë, orientimin e shqiptarëve rreth disa vlerave të qytetërimit bashkëkohor, duke e parë këtë të lidhur ngushtë me traditat ose me përkatësinë e sotme fetare të grupeve të ndryshme shoqërore apo të individëve besimtarë, myslimanë, katolikë,ortodoksë, etj., në Shqipërinë e sotme.

 

Në këtë rrafsh, ka interes t’u përgjigjemi pyetjeve :

 

A ka rrezik të ndeshemi me një radikalizëm të dallimeve fetare brenda shoqërisë shqiptare, çka mund të shpinte drejt një konflikti të pashmangshëm fetar ?

 

A kanë prirje sot për sot fetë e ndryshme që ekzistojnë në formën e besimeve apo të vlerave shpirtërore të grupeve shoqërore në Shqipëri të shkojnë drejt një integrizmi të caktuar ?

 

A ka në Shqipërinë e sotme dhe në atë të viteve të ardhshme një rrezik përplasjeje midis një qytetërimi të mbështetur në institucione përgjithësisht demokratike, në ekonominë e tregut dhe orientimit fetar të popullsisë që beson ?

 

 

Bindjet e mija lidhur me këtë çështje dhe rezultatin përfundimtar që do të paraqes përpara jush i kam të mbështetura në një numër punimesh dhe kontributesh të studiuesve universitarë shqiptarë, të mbetura pak a shumë në hije, për shkak të rrëmetit mediatik të luftës së sotme politike, rezultate, të cilat, e theksoj,përgjithësisht përputhen në prirjet kryesore të rezultateve empirike që paraqesin dhe që mbështeten në metoda të sociologjisë kuantitative. Në radhë të parë dëshiroj t’i për sillem një studimi të kryer në bashkëpunim me sociologët Zyhdi Dervishi dhe Rasim Gjoka, që vazhdoi për disa vite me radhë gjatë gjysmës së dytë të viteve nëntëdhjetë dhe që është botuar në formë shumë më të zgjeruar në librin e përbashkët midis meje dhe Zyhdi Dervishit me titull Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit botëror, botuar në vitin2001, nga Shtëpia Botuese “Jeruzalem”.

 

Analizat tona janë mbështetur në një punë anketuese në stil shumë të gjerë, domethënë në analizën e mijëra anketave të shpërndara, të vrojtimeve empirike të bëra në terren, të disa mijëra për afrimeve statistikore dhe të bashkëbisedimeve masive me popullsinë që jeton në mbarë territorin e vendit. Studimet tona kanë kërkuar të hetojnë më së pari rreth dy çështjeve themelore :

 

1. Si reagon empirikisht shoqëria shqiptare sot lidhur me fenë ?

 

2. Nga dallohet modeli shoqëror shqiptar nga shoqëritë e sotme konkrete bashkëhore ku integrizmi fetar dhe lufta ndërfetare ka qenë apo vazhdon të jetë shumë e spikatur ?

 

Mështetur pra në mijra të dhëna empirike, me përgjegjësi të plotë shkencore dhe qytetare,po shpreh përfundimin se në bazë të disa studimeve serioze afatgjata sot për sot dhe së paku për një periudhë dy apo tri dekadash të ardhshme, në shoqërinë e thellë dhe masive shqiptare, nuk ka dhe nuk ka gjasa për të pasurprirje sociologjike që të mund të vërtetojnë rrezikun eminent të ndonjë lloj integrizmi fetar të çdo ngjyre, se nuk ka dhe probabilisht nuk do të ketë shënja serioze dhe masive të maisjes së konflikteve fetare dhe se nuk ka shënja të një përplasjeje midis vlerave fetare, normave të moralit praktik fetar, dhe atyre që modelojnë një qytetërim profan, që priret drejt një tipologjie shoqërore demokratike të tipit të sotëm perëndimor.

 

Disa prirje sociologjike të sotme

Ky përfundim mbështetet kryesisht në argumentet e mëposhtëm :

Një sjelljeje përgjithshme e tipit tejet pragmatist.

Së pari, përgjithësisht grupet shoqërore dhe individët e ndryshëm në Shqipëri,veçanërisht grupmoshat mesatare dhe të reja, janë shumë më tepër të pritura drejt vlerave morale të tipit materialist siç janë «përmirësimi i kushteve materiale të jetesës», «pasurimi i shpejtë», «konforti i mënyrës së jetesës», «suksesi profesional» etj., se sa janë të orientuar drejt vlerave shpirtërore të mbrujtura nga morali fetar apo me një natyrë thjesht humanitare, siç do të ishin për shembull «solidariteti me të tjerët», «dashuria dhe ndihma e të afërmëve», «shpresa tek virtytet morale të personit apo e ndihmës nga Zoti»,«drejtësia shoqërore»,«ruajtja e integritetit personal» etj.

Nga një sërë anketimesh del se rreth 70 % deri 80 % e individëve të marrë në shqyrtim si pjesë e grupit të kampionit sociologjik të ndërtuar anojnë nga vlerat e natyrës pragmatike të mirëfilltë dhe vetëm rreth 20 %deri 30 % e të anketuarve vlerësojnë më shumë vlerat e mirëfillta shpirtërore ku bëjnë pjesë dhe ato që qëndrojnë në themel të moralit fetar. Kuptohet vetiu se këtu kemi të bëjmë me shpërpjestime që krijojnë problematika të mprehta shoqërore dhe që kanë të bëjnë me integritetin personal të individit në periudhën etranzicionit,i cili është cenuar shumë rëndë dhe në një mënyrë të gjithanshme. Këto problematika sigurisht që as mund të anashkalohen dhe as nuk mund të merren me mendjelehtësi.

 

Por, gjithsesi, shqiptari i sotëm më shumë vuan nga mungesa e disa vlerave që feja është e specializuar t’i rrënjosë në shoqëri se sa manifeston ndonjë zell të tepruar fetar. Sjelljatejet pragmatike e një pjese të shqiptarëve të sotëm, e pakufizuar nga kufij moralë të qëndrueshëm, dëshmon se individë të ndryshëm,sidomos midis brezit të ri, pavarësisht dallimeve të tyre kulturore, origjinave të ndryshme fetare,grupmoshave në të cilat bëjnë pjesë, identitetit krahinor të cilit i përkasin,formimit profesional të niveleve të ndryshëm, etj. rendin më tepër drejt të mirave materiale se sa priren drejt një modeli sjelljeje që do të refuzonte «materialitetin» dhe realitetin e një shoqërie liberalo-kaotike në tranzicion,në emër të një universi fetar vlerash apo të «refuzimit» të tjetrit për shkaqe thjesht fetare.

 

Nuancime të lehta të sjelljes shoqërore prej traditave fetare

Së dyti, duhet pranuar se popullsia e sotme shqiptare ka një reagim përgjithësisht homogjen për sa i përket qëndrimit ndaj jetës dhe vlerave e normave morale që respekton.

Por, kjo e dhënë, që shfaqet si e tillë në orientimin pragmatist të vijë sjelljes individuale apo kolektive, nuk do të thotë aspak se shoqëria shqiptare sot është uniforme nga pikëpamja kulturore, e traditave fetare apo e përkatësisë në fushën e fesë.

Në këtë plan, do të ishte ndofta interesante të paraqisnim se pas disa dekada përballjesh me një politike zyrtare ateiste, grupe shoqërore me tradita fetare të ndryshme, pavarësisht nivelit të sotëm të besimit të tyre,shfaqin edhe dallime në formën e nuancave të holla, për sa i përket qëndrimit të tyre në jetë. Sjellja e tyre përcjell shkallë të lartë homogjeniteti, por nga ana tjetër nuk përjashton aspak dallime që i japin shoqërisë pamjen e një organizmi të gjallë dhe cilësinë e një larmishmërie vitale sjelljesh dhe zakonesh.

 

Anketimet dhe të dhënat statistikore na kanë treguar se shqiptarët e sotëm vërtet janë të prirur në mënyrë të qëndrueshme drejt mbërritjes së suksesit praktik në jetë, por individë që i u përkasin traditave fetare të krishtera, sidomos të atyre ortodokse, shprehen më pragmatikisht se ata që vijnë nga tradita fetare myslimane. Këta të fundit kanë prirjen të jenë më solidarë brenda gjirit të familjes së tyre, janë subjektivisht më të lidhur me tokën, e kanë më të vështirë për t’u përfshirë në eksodin rural etj.

Ndërsa,individë të prej ardhur nga familje me tradita fetare ortodokse ose edhe katolike, pra gjithësesi të krishtera,shprehen se janë më të interesuar për arësimimin e tyre, janë më të dhënë pas tregtisë, karakterizohen si më individualistë dhe shfaqen më të ndjeshëm ndaj parimit të respektimit të të drejtave dhe lirive individuale.

Këto nuancime kulturore e fetare të shoqërisë së sotme shqiptare, që në të vërtetë përbëjnë pasurinë e saj të patjetërsueshme, gjallojnë brenda një shtrati kulturor të integruar dhe me homogjenitet të spikatur.

Kur pohojmë se individët me tradita fetare të caktuara reagojnë më masivisht se sa të tjerët rrethojë treguesi të caktuar sjelljeje, kjo «shpeshtësi» nuk e kalon mesatarisht, sipas të dhënave tona, masën e 5% deri 10 % të individëve, që formojnë secilin grup shoqëror të marrë në konsideratë.

Domethënë, po të marrim një shembull, nëse të rinjtë e prejardhur nga disa tradita familjare fetare shprehen afërsisht në masën e 30 % deri 32 % të tyre se vlerësojnë si strategji parësore të jetës së tyre arsimimin, të rinjtë që i cilësojnë ndryshe traditat e tyre familjare e fetare shprehen në masën 40 % deri 43 % se e kanë arsimimin si përparësi të sjelljes së tyre në jetë.

 

Dallimet shoqërore mbeten më të spikatura se ato fetare

Së treti, na është dhënë rasti të vërejmë se ndryshimet në sjellje e në vlera, të kushtëzuara nga variabli i pavarur sociologjik «tradita fetare familjare», janë më pak të spikatura se dallimet që vijnë prej statusit shoqëror të përgjithshëm të individëve.

Duke vepruar dhe ndjerë brenda një shtrati kulturor,përgjithësisht,homogjen, shqiptarët e sotëm manifestojnë edhe modele sjelljeje e mendësi që ndryshojnë në varësi të statusit të tyre gjinor, të krahinës në tëcilën jetojnë, të grupmoshave në të cilat bëjnë pjesë, të arsimit që zotërojnëetj.

 

Në varësi nga variabli sociologjik « status shoqëror » ne kemi gjetur afërsisht 10 % deri 15 %më shumë individë që i takojnë një grupi të caktuar shoqëror, të cilët shprehen më të sensibilizuar prej një vlere shpirtërore e prej një modeli sjelljeje se anëtarët e një grupi tjetër shoqëror.

Dëshirojmë pra të theksojmë se nga pikëpamja e sociologjisë kuantitative, të dhënat statistikore dëshmojnë se ndryshimet në sjellje e në mendësi që dallojnë shqiptarët e sotëm më të arsimuar nga më paktë arsimuarit, ata që banojnë në zonat kryesore urbane nga ata që jetojnë në zonat e thella rurale, femrat nga meshkujt, veriorët nga jugorët etj., janë më të pranishme se sa dallimet që vijnë nga traditat fetaret individëve të ndryshëm.

 

Ky fakt dëshmon se ndryshimet e mbështetura në tradita fetare të veçanta nuk janë aspak sot «vija përthyese » themelore ku palosen konturet e «formatit» të sotëm shqiptar. Përkundrazi, ato shkrihen dhe integrohen brenda tërësisë së dallimeve shoqërore që karakterizojnë sot shoqërinë shqiptare.

I papuni me origjinë fetare të krishterë dhe i papuni me origjinë fetare myslimane dallojnë pra më pak midis tyre se sa dallojnë të papunët në përgjithësi nga «bosët» që kanë shtënë në dorë pikat kyçe të ekonomisë kombëtare.

Fshatari me origjinë myslimane dhe fshatari me origjinë fetare të krishterë dallohen më pak midis tyre se sa dallohen individët e zonave të thella rurale nga banorët e qyteteve të mëdha të vendit. Individët që pothuaj nuk dinë shkrim e këndim me origjinë fetaremyslimane dhe analfabetët me origjinë fetare të krishterë dallohen më pak midis tyre sesa dallohen analfabetët në përgjithësi prej atyre që janë me arsim të lartë.

 

Sundimi i normave të së drejtës juridike

Së katërti, sipas të dhënave tona del se mesatarisht rreth 20 %–25 % e të anketuarve kanë prirje për të gjetur edhe zgjidhje jashtëligjore për probleme te tyre të përditshme. Shifra nuk është e vogël. Ajo flet në të vërtetë për ato marrëdhënie informale të punës dhe të jetës shoqërore në përgjithësi që fatkeqësisht ekzistojnë sot në shoqërinë shqiptare.

Moszbatimi i ligjit shkon edhe drejt formave të përkeqësuara të kësaj sjelljeje deviante duke u përvijuar edhe si vetëgjyqësi, çka do të thotë se merr edhe një natyrë kriminale. Duke u hidhëruar për këtë konstatim, nuk mund të mos vëmë në dukje se megjithatë është thuajse e neglizhueshme pjesa e opinionit publik që priret të kërkojê një «drejtësi » jashtëligjore të frymëzuar nga njëfarë integrizmi fetar të drejtuar kundër vlerave liberale të sanksionuara edhe si liri politike në kuadrin e kushtetutës së sotme shqiptare.

 

Kjo pjesë e opinionit publik duket se statistikisht nuk duhet t’i kalojë 2 % të popullsisë së rriturtë vendit. Në të vërtetë, statistikat nuk bëjnë tjetër veçse konfirmojnë nga pikëpamja sasiore atë çka rezulton prej vrojtimeve emprike cilësore në terren.

Në shoqërinë e sotme shqiptare nuk ka gjasa të duken shenjat e një përpjekjeje të kthimit të moralit fetar në një farë norme juridike paralele që do të kërkonte të zëvendësonte legjitimitetin kushtetues të ligjit.

Vetëm në këtë rast do të thoshim se popullsia do të prirej drejt një integrizmi fetar që do të dëshironte ta kthente fenë nga botëkutpim hyjnor moral në një formë sunduese të së drejtës,nga një formë besimi në një formështrëngimi, nga një çështje private të individit në një ideologji zyrtare dhe bazë e normave ligjore, e detyruar për të gjithë, e bashkë me këtë do ta shndërronte shtetin demokratik laik në një shtet teologjik dhe teokratik.

 

Feja e dënon prostitucionin, ndërsa ligji i sotëm dhe sidomos zbatimi i tij mbetet tepër i squllët për të vepruar kundër kësaj së keqeje shoqërore që merr shpesh herë përmasat e trafikut të qenieve njerëzore.

Megjithkëtë dallim të madh midis forcës zbatuese dhe shtrënguese të ligjit dhe normave të moralit fetar,vështirë se gjenden në Shqipërinë e sotme raste të ndëshkimit fizik të prostitutave nga ana e besimtarëve të njërës apo tjetrës fe. Dënimi moral i mbështetur në fe nuk ka pasur prirje të shndërrohet në një kulturë të aktit të vetëgjyqësisë të pambëshetur në ligj.

Kufijtë e parimit të respektimit të dallimeve midis fesë dhe shtrëngimit nuk janë prekur. Feja e dënon abortin,ndërsa legjislacioni liberal e lejon atë në kuadrin e politikave të programimit familjar. Nuk është fjala këtu për të hyrë në debatin e sotëm midis kulturësliberale dhe fesë për këtë problem. Çështja qendron gjetiu. Puna është se ne nuk njohim raste ku të jetë ndëshkuar fizikisht një grua ose një çift për shkaktë zbatimit legal të së drejtës së abortit nga ana e besimtarëve që moralisht e dënojnë aktin e tyre.

 

Përsëri morali fetar është larg nga ai nivel që do ta kishte kthyer atë në një lloj kriteri legjitimues për të zbatuar të «drejtën fetare» në çështjet që kanë të bëjnë me sjelljen shoqërore kolektive ose personale.

Morali fetar në Shqipëri tradicionalisht e ka dënuar divorcin si shprehje e lirisë private njerëzore.

Ndërkaq ligji është me natyrë tejet liberale dhe nuk e pengon aspak atë. Nuk ka vend të zgjatemi për të thënë se shkalla e pranisë së divorcit në shoqërinë e sotme shqiptare është rritur së tepërmi.

Kjo prirje lidhet sa me terrenin kulturor dhe politik liberal të vendit, aq edhe me krizën e mprehtë që po kalon familja shqiptare në ditët tona. Të gjithë e dinë se reagimi shoqëror ndaj kësaj dukurie është më tepër se i vakët dhe shkon pothuaj drejt indiferencës së plotë. As që ka shenja të një reagim praktik të besimtarëve të feve të ndryshme për të ndëshkuar moralisht dhe fizikisht në formë vetëgjyqësie individë qe divorcohen. Po kështu ndodh me homoseksualizmin, me proksenetizmin, mealkoolizmin, me punësimin e grave jashtë mureve të shtëpisë, me marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore, me adulterin etj., ndonëse nga pikëpamja morale këto dukuri nuk janë të vëna në të njëjtin rrafsh moral.

 

Disa veçanësi të modelit shoqëror shqiptar

Mund të arsyetohet gjatë rreth këtyre prirjeve që analizat sasiore të rrafshit sociologjik na paraqesin në një plan të përgjithshëm mbarëshoqëror. Rezultatet e marra mund të shpjegohen në mënyra të ndryshme dhenë këndvështrime të ndryshme.

Shpesh herë faktet shpjegohen me faktorë vetëm historikë. Kuptohet se thirrja në ndihmë e traditave historike lejon të kuptohet më mirë e sotmja. Por, nga ana tjetër,argumentet historikë janë krejt të pamjaftueshëm për të hedhur dritë mbi atë që ndodh sot apo do të ndodhë nesër. Përndryshe do të pranonim se jetojmë në një univers linear të « hekurt » ku e tashmja dhe e ardhmja kushtëzohen forcërisht nga e kaluara dhe se në histori nuk ka ngjarje të reja dhe çaste kthesash historike të panjohura më parë. Këtu është, mendoj unë, dobësia e argumentit historicist. E sotmja duhet të shpjegohet me rrethana historike, por në radhëtë parë edhe me kushtet e sotme të ndryshimit shoqëror. E theksoj, në rrafshin e një arsyetimi sociologjik, mund të thuhet se rrethanat që kanë krijuar këtë realitet shoqëror përcaktohen së paku nga faktorët e mëposhtëm aktualë:

 

1. Institucionet fetare dhe besimet fetare në Shqipëri, veçanërisht pas goditjes se rëndë që mori kleri katolik menjëherë pas çlirimit të vendit, nuk patën mundësi të ktheheshin dhet ë bëheshin faktorë themelorë të rezistencës kulturore dhe politike antitotalitare siç ka qenë për shembull rasti polak dhe i Kishës katolike në këtë vend.

Ato dolën relativisht të dobëta nga periudha e kaluar çka i vështirëson lidhjet e tyre me shtresat e gjera të popullsisë, e bën disi të mundimshme ngritjen e nivelit kulturor të klerit të niveleve të mesëm dhe të ulët dhe krijon pengesa të çfarëdollojshme për përpunimin e një doktrine morale e shoqërore me ndikim të lartë social si pjesë përbërëse të predikimit fetar.

Institucionet e komunikimit laik në Shqipëri siç janë për shembull shkollat,gazetat dhe mediat elektronike kanë një impakt dhe besueshmëri shumë më të gjerë mbi opinionit publik të vendit se sa institucionet fetare.

 

2. Grupet socio-fetare në Shqipërinë e sotme që formojnë komunitete të ndryshëm besimi nuk përfaqësojnë edhe interesa të përbashkëta shoqërore, ekonomike apo etnike siç është rasti ikonfliktit arabo-izraelit (RODINSON, M., Peuple juif ou problème juif, LaDécouverte, Paris 1997).

Ata pra nuk janë të mbivendosur mbi grupe socio-ekonomikë apo kombëtarë të përcaktuar siç ka ndodhur në disa vende si për shembull në ish-Jugosllavi, (ROUX, M., Les Albanais de la Yougoslavie, Economica, Paris 1990), në ish Bashkimin Sovjetik apo në Irlandën e Veriut(PEYRONNEL, V., Economie et conflit en Irlande du Nord,Ellipses, Paris 2001).

Nga kjo pikëpamje konflikti ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri në përgjithësi nuk merr pamje fetare dhe nuk e acaron konfliktin fetar. Ky i fundit dhe identitetet fetare nuk shprehin në mënyrë ideologjike kundërshti të një natyre reale midis grupeve qendrore të interesit social-ekonomik.

Është e vërtetë se klasa e dikurshme e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave në Shqipërinë e para Luftës së Dytë Botërore kishte përgjithësisht një përkatësi fetare myslimane,çka shpjegon në një farë mase se përse partitë nacionaliste shqiptar e kanë qenë përfaqësuar më së shumti prej individësh me tradita familjare myslimane.

Ky fakt shpjegon në një farë mase edhe faktin se në spektrin e sotëm politik shqiptar, sa më në të djathtë ta hedhësh vështrimin aq me pak gjen individë drejtues (nuk e kemi fjalën për elektoratin e bazës) të prejardhur nga tradita fetare ortodokse. Përkundrazi, sa më drejt qendrës dhe majta stë orientohesh aq më shumë gjen një përzjerje midis individëve drejtues me origjina fetare myslimane dhe ortodokse. Por duhet theksuar se ndarja socio-ekonomike dhe politike për problemin e tokës nuk përkon në masën e elektoratit të sotëm shqiptar me një ndarje midis popullsisë me tradita fetare myslimane dhe ortodokse apokatolike.

Kjo ndodh sepse vetë individët me prejardhje fetare myslimane kanë qëndrime të kundërta lidhur me zgjidhjen e problemit të tokës si pasuria e paluajtshme kryesore e vendit. Në po ato treva ku pronarë të mëdhenj dhe të mesëm tokash ishin individë me tradita fetare myslimane kanë jetuar edhe masa të gjera popullsie me të njëjtën fe, të cilat kanë qenë të privuara përgjithësisht ose kryesisht nga toka.

Pra edhe beu edhe argati shpesh ishin të së njëjtës fe, çka bën që sot e kësaj dite konflikti mbi tokën të mos përçajë fetarisht shqiptarët, siç ka ndodhur në vende të tjerë.

 

3. Tranzicioni shqiptar, i shoqëruar me një eksod rural masiv drejt qendrave më të mëdha urbane dhe drejt vendeve fqinje, anëtare të komunitetit europian, me një përqindje dërmues e popullsie me tradita fetare të krishtera, nuk ka lejuar që në zonat e thella apo periferike rurale të vendit të krijohen vatra të fuqishme rezistence konservatore, agresive ndaj ndryshimeve të sotme ekonomike, kulturore dhe politike, të cilat do të përdornin gjuhën e besimit fetar për të kundërshtuar modelin ekonomik dhe politik të vendosur, siç ka ndodhur në rastin iranian (RAUFFER, X., La nébuleuse : le terrorisme du Moyen-Orient, Fayard, Paris1987).

Veçanërisht në radhët e brezit të ri që ka prirje të emigrojë apo që ndikohet fuqishëm prej medieve perëndimore është tepër e zhvilluar toleran ca dhe butësia e bindjeve fetare. Ata transmetojnë në të gjithë shoqërinë një qëndrim tepër elastik ndaj feve të të tjerëve dhe e konsiderojnë besimin fetar si një çështje thjesht private të individit.

 

4. Elitat politike dhe ekonomike shqiptare të ndërvarura institucionalisht, ekonomikisht dhe politikisht nga faktorë ndërkombëtarë perëndimorë nuk kanë asnjë interes dhe prirje që t’u japin formave kulturore dhe ideologjike që legjitimojnë pushtetin e tyre sot një ngjyresë dhe një pamje fetare duke i ngritur ato në ideologji zyrtare të shtetit si në rastin e Irakut të periudhës së Sadamit, regjimit saudit apo të Afganistanit nën sundimin talebanëve (MAHDI, F., Fondements etmécanismes de l’Etat en islam : l’Irak, l’Harmattan, Paris1991).

Elitat politik edhe ekonomike shqiptare kanë adoptuar si ideologji sunduese liberalizmin e sotëm perëndimor, i cili bën të mundur legjitimimin e veprimit të tyre praktik në një shoqëri tregu dhe politikisht të ndërtuar mbi pluralizmin politik dhe ndarjen formale të pushteteve. Kjo lloj ideologjie lejon jo vetëm që elitat sunduese të krijojnë një terren të favorshëm veprimi në kuadrin e terrenit të brendshëm lokal, por edhe të sigurojnë një koherencë politike me faktorët që kontrollojnë jetën politike ndërkombëtare në planin europian dhe më gjerë.

 

5. Dallimet fetare duke mos qenë të mbivendosura në dallime empirike social-ekonomike e vështirësojnë shumë mundësinë që ndërgjegjia, bashkësitë dhe institucionet fetare të frymëzojnë grupime politike me mbështetje masive nga ana e elektoratit, të orientuara drejt një modeli integrist dhe të krijuara e të përforcuara si reagim ndaj dukurive të krizave të tejzgjatura ekonomike, politike, ndaj korrupsionit të elitave kombëtare apo rënies ekonomike, siç ndodhi me rastin algjerian.(TOUATI, A., Algérie, les islamistes àl’assaut du pouvoir, l’Harmattan, Paris1995).

Dukuria fetare dhe ajo politike u mpleksën për herë të fundit në mënyrë të fuqishme,paradoksalisht, në periudhën e monizmit ku politika ateiste në mënyrë radikale e shtetit u shoqërua me një dukuri masive politike që karakterizoi identitetin e elitave politike të periudhës socialiste.

Sipas statistikave tona tepër të sakta, në radhët e zyrtarëve të lartë drejtues të kulturës, edukimit,propagandës, diplomacisë, mediave,kishin historikisht një peshë tepër të madhe individë me tradita fetare familjare ortodokse; në radhët e drejtuesve më të lartë të partisë kishte një përzierje të spikatur individësh me prej ardhje fetare myslimane dhe ortodokse; ndërsa në drejtuesit më të lartë të ekzekutivit mbisundonin individë me prejardhje fetare myslimane.

Ky fakt bëhet edhe më interesant po të mbahet parasysh se të gjithë këta individë kishin një formim kulturor dhe një botëkuptim të afishuar ateist. Por, për t’a shpjeguar këtë fakt do të shkruajmë herë tjetër.

 

 

 

 

------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Bibliografia

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

1. FUGA, A., dhe DERVISHI, Z., Midisfshatit dhe qytetërimit global, Jeruzalem, 2001.

2. CONSTANTIN,F., Christian COULON, Religion et transition démocratique en Afrique, Karthala,Paris,1997.

3. MAHDI, F., Fondements et mécanismes del’Etat en islam : l’Irak, l’Harmattan, Paris 1991.

4. PEYRONNEL,V., Economie et conflit en Irlande du Nord, Ellipses, Paris 2001.

5. RAUFFER,X., La nébuleuse : le terrorisme du Moyen-Orient, Fayard, Paris 1987.

6. RODINSON,M., Peuple juif ou problème juif, La Découverte, Paris 1997.

7. ROUX, M.,Les Albanais de la Yougoslavie, Economica, Paris 1990.

8. TOUATI,A., Algérie, les islamistes à l’assaut du pouvoir, l’Harmattan, Paris 1995.9. VOLKOFF,V., Désinformation, flagrant délit, Editions de Rocher, Paris 1999.




E Premte, 15 Tetor 2010; 02:01


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats