Sekularizmi dhe religjioziteti

Religjioziteti është një trend  me përmasa ndërkombëtare, në shumicën e feve dhe popujve të planetit tonë. Ky trend është pak më i theksuar në vendet islamike, por edhe në vendet joislamike ku jetojnë myslimanët. Sipas Fransis Fokajames, kthimi i myslimaneve tek shamia nuk do të thotë “vetëm kthimi te feja, por më tepër ka për qëllim rezistencën ndaj sulmeve të vazhdueshme që vijnë nga Perëndimi.” 

Por, religjiozitetin, nuk duhet kuptuar si një dukuri vetëm te myslimanët. Në disa vende, siç është Izraeli, ai  po merr përmasa nacionale. Sa për ilustrim po përmendim kërkesën e  kryeministrit izraelit, Benjamin Natanjahut,   në bisedime me  palestinezët ku po kërkon që vendi i tij të njihet si “shtet i çifutëve”, duke injoruar ekzistencën e më shumë se një milion gjysmë të arabëve, myslimanë e të krishterë, që paraqesin 20% të popullatës së  shtetit izraelit.

Dukuria e religjiozitetit është e theksuar edhe në shumë shtete evropiane dhe në SHBA, tek grupet e shumta djathtiste, disa prej të cilave për realizimin e programeve të tyre zgjedhin metodat më ekstreme.

Mbulesa islame  sot paraqitet në  disa variante:

Ligji francez, ndalon ferexhenë (mbulesa e tërë fytyrës) në vende publike, për çka  parasheh  dënimin me të holla.

Ministria e Arsimit e Sirisë rekomandon që studentet me ferexhe  të  mos u  lejohet  hyrja në Universitet.

Në Turqi, vazhdon të jetë në fuqi ndalimi i shamisë e jo (ferexhesë), ku  Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, pro islamike,  fitoi në  referendumin e fundit për ndryshime  kushtetuese,  me gjithë frikën nga “islamizimi” i jetës publike.

 Këta tre shembuj, nga tre vende të ndryshme, nuk kanë lidhje të drepërdrejta, mirëpo ata tregojnë për një lloj ballafaqimi në mes rrymave “sekulare” apo “liberale” dhe të atyre fetare. Këto të fundit, për të realizuar të drejtën  e tyre në lirinë e  zgjedhjes së pamjes së tyre, mbështeten në vlerat liberale. Franca ndaloi ferexhenë për shkaqe të sigurisë së vendit nga  kërcënimet e terrorizimit. Siria e arsyetoi ndalimin e ferexhesë për shkak të pengesave që ajo parqet në procesin edukimit dhe në mirëvajtjen e jetës  akademike normale në mes mësimdhënësit dhe studentëve të tij.

Kurse Turqia me sekularizmin e saj të tipit me ekstrem,  për një dekadë qëndroi duke pritur në dyer të Evropës për t’u bërë pjesë e saj, megjithatë kjo nuk u realizua. Për këtë, ajo iu bashkëngjit një partie, e cila mund t’ia kthejë identitetin e saj fetar dhe kulturor. Rinia e saj shpreson se me kalimin e kohës, ata do të forcohen dhe do të jenë në gjendje t’i ndryshojnë ligjet, të cilat ua ndalojnë  motrave të tyre bartjen e shamisë  dhe punësimin  e tyre në poste qeveritare.

Duhet marrë parasysh se shamia dhe ferexheja, nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektin fetar, por ato kanë të bëjnë edhe me ndjenjën e sigurisë dhe të stabilitetit, si dhe të traditave shoqërore. Në Irak, në fillim të invazionit amerikan, numri i grave me shami ishte rritur dukshëm, por ky numër i zvogëlua me stabilitetin e  sigurisë në vend. Në Arabinë Saudite bartja e ferexhesë ndryshon prej vendit në vend si dhe pozitës shoqërore të gruas. Në ndërkohë, që kohëve të fundit nuk janë të paktë  zërat që thonë se asaj duhet  t’i jepet liria e zgjedhjes.

 Në kontekstin kosovar, kjo çështje duhet analizuar në disa aspekte:

Udhëzimi administrativ i  Ministrisë së Arsimit mbi ndalimin e mbajtjes së “uniformës fetare” në shkollat e mesme e të larta ka shkaktuar jo pak tension në shoqërinë kosovare. Ky udhëzim administrativ që nuk ka asnjë shpjegim  të qartë të jep përshtypjen që ka për qëllim të penalizojë vetëm besimtarët myslimanë, për çka mund të shfrytëzohet nga ekstremistët për qëllimet  e tyre.

 Sekularizmi nuk është ateizëm dhe një shtet sekular nuk është shtet ateist.

Nëse çështja e së drejtës për të mbajtur apo mos mbajtur shami në shkolla publike është e diskutueshme. Jo më pak i diskutueshëm  është  edhe vendimi i qeverisë për të ndaluar mbajtjen e shamisë në shkollat publike.

Kosova, ndryshe nga vendet tjera evropiane, historikisht dhe tradicionalisht është konsideruar dhe trajtuar  myslimane.

Të nxirren mësime nga shtetet fqinje, që të mos përsëriten gabimet e tyre. Turqia duhet të jetë shembulli më i mirë.

Pushteti ka për obligim t’i trajtojë besimtarët e vet me dinjitet. Nesër mund të jetë vonë nëse këta  të fundit e humbin besimin.

Krejt në fund do të parafrazoj  Volterin, i cili thotë: “Nuk e miratoj veshjen tënde, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t’u veshur sipas bindjes”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme