Paturpësia e Ymetit mysliman

Sheila Musaji

Paturpësia e Ymetit mysliman



Thuajse në çdo pamflet apo broshurë daveti - në ç'do libër të botuar vitet e fundit- në ç'do fjalim që u është mbajtur jomyslimanëve për Islamin- thuhet se numri i myslimanëve në shkallë botërore e ka kaluar shifrën 1 miliard dhe se myslimanët amerikanë janë (apo do të jenë së shpejti) grupi i dytë më i madh fetar në Amerikë. Ne gjithashtu jemi krenarë se vendet myslimane kanë nën kontroll përqindjen më të madhe të thesarit më të çmuar (naftës), se kanë ushtri të mëdha dhe depo me armë të sofistikuara. Gjithashtu jemi krenarë se 67 nga 166 vende të Kombeve të Bashkuara, janë vende myslimane.

P o a kjo është krenaria jonë? Turp i madh.

Myslimanët e Rohingisë në Burma, çamët në Kamboxhia (apo ato pak që i mbijetuan gjenocidit të Pol Potit), boshnjakët në Jugosllavi, somalezët, algjerianët, irakianët, kashmirët, palestinezët, azerbajxhanasit, kurdët, libanezët, afganët apo moronët në Filipine, nuk ndihen aspak komfort nga fakti që sot në botë ka mbi një miliardë myslimanë.

Myslimanët, të cilët pikërisht në këtë moment po përdhunohen, po torturohen, po gjymtohen, po vdesin nga uria, po kthehen në refugjatë, po hidhen tutje si në periudhën e gurit, po mbesin jetimë, po persekutohen, po shtypen dhe po skllavërohen, nuk mund të jenë assesi krenarë.

Unë jam e sigurt se Islami është rruga e drejtë- dhe jam shumë mirënjohëse që u udhëzova në rrugën e drejtë- dhe jam e sigurt se Kurani është i vërtetë dhe se studimi i jetës së Profetit a.s na ndihmon të kuptojmë më mirë se si parimet e Kuranit mund të përkthehen dhe zbatohen në jetën e përditshme. Unë e dua Islamin, por më vjen turp që jam pjesë e statu-kuosë së Umetit Mysliman.

Më vjen turp, që nuk mund t'i mbrojmë myslimanët e pafajshëm nga shtypjet dhe persekutimet e jomyslimanëve dhe që nuk mund t'i mbrojmë myslimanët (apo jo myslimanët) nga shtypja e hipokritëve që e quajnë veten myslimanë.

Më vjen trup, që mbi një miliardë myslimanë nuk mund të bëjnë asgjë përballë padrejtësive që kryhen ngado- kundër njerëzve, natyrës apo mjedisit.

Më vjen turp, që mbi një miliardë myslimanë nuk mund të themelojnë askund një DAR UL ISLAM ku mund të emigronin myslimanët dhe nga ku Islami do të zgjeronte ndikimin e tij për paqe dhe drejtësi, dhe të cilin të tjerët do ta vështronin me admirim, pasi ai do të ishte pasqyra e mësimeve të vërteta islame.

Por sot askund nuk gjen Dar ul Islam, as kalifat e as komunitet besimtarësh. Nuk ka udhëheqës që e meritojnë emrin udhëheqës - Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) do të qëndronte zgjuar për gjithë natën- ai nuk mund të vinte gjumë në sy nga frika se mos diku do të gjendej dikush që kishte nevojë për të dhe për të cilin ai ishte përgjegjës dhe do të jepte llogari. Udhëheqësit e sotëm flenë për shtatë palë qejfe mbi një mal me kafka. Dhe pse në disa raste forcat e jashtme i kanë flakur tej liderët e zgjedhur me vullnetin e lirë të popullit në vendet myslimane (Musadegu i Iranit shembulli i parë), mbi një miliardë myslimanë do të kishin qenë të aftë të bënin diçka për t'u thënë ndal këtyre padrejtësive. Dhe në disa raste të tjera ku po forcat e jashtme kanë vënë dhe mbështetur regjime të korruptuara dhe të liga, mbi një miliardë myslimanë duhet të kishin qenë të aftë për t'i thënë ndal kësaj padrejtësie.

Nuk ka më vend për të emigruar- nuk ka Medine, as ensarë- një i burgosur më shkroi këtë javë duke më pyetur: "Motër Sheila, ku është Medineja e sotme? Tani që kam gjetur Islamin, ku të shkoj pasi të largohem që këtej? Dhe përgjigja ishte se nuk ka askund ku mund të shkosh.

Ne jemi në pozitën e ushtrisë së Tarikut në Spanjë, pasi Tariku kishte djegur anijet. Shumica e myslimanëve në vende të tjera janë të varfër, analfabetë, zakonorë dhe jetojnë nën qeveri vërtet shtypëse. Ngaqë nuk dinë të lexojnë, duhet të mbështeten patjetër tek të tjerët që t’u tregojë se ç’thonë mësimet e Kuranit dhe ç’është Islami në të vërtetë. Injoranca e tyre mund të justifikohet disi dhe deri diku. Po ne, ne çfarë na shfajëson? Shumë prej nesh që kanë mundësi të lexojnë, të takohen me studiues e dijetarë të ndryshëm, të kenë materiale- për shkak të ‘traditës’, kënaqemi thjeshtë duke i mësuar përmendësh në gjuhën arabe ajetet e Kuranit dhe duke i kënduar ato pa pasur as idenë më të vogël se çfarë kuptimi kanë. Ata gjithashtu duhet të varen patjetër diku për të kuptuar se ç’na mëson Kurani. Dhe nuk janë pak ata që kanë titullin e imamit, e shehut, mevlanës, të cilët nuk janë dijetarë në kuptimin e plotë të fjalës. Është si rasti i një gjysmë të verbri i cili është mbret i një vendi të verbërish. Në fakt, ne shpesh i ngremë këto dijetarë gjysmë të verbër mbi atë që është e vërtetë për shkak se ata nuk sfidojnë traditën tonë apo që kërkojnë ta hedhin tej bagazhin tonë kulturor.

Kjo injorancë kundrejt esencës së Islamit të moralit dhe etikës, të parimeve dhe fisnikërisë, të mendimit praktik- vërehet thuaj në çdo nivel. Ka shumë myslimanë të cilët janë të kujdesshëm ndaj detajeve më të imëta të Sunetit- i shkurtojnë pantallonat, hyjnë në xhami me këmbën e ‘duhur’, thonë duanë e ‘duhur’ para se të hyjnë në banjë, janë të kujdesshëm për t’u falur sapo të hyjë vakti i namazit, por që në anën tjetër janë të pasjellshëm, jo-tolerantë, dorështrënguar, racistë dhe të pandershëm.

Madje dhe sot, në mes të asaj që mund të konsiderohet dhe si fatkeqësia më e madhe me të cilën është përballur ymeti mysliman- ku jeta dhe vdekja, mbijetesa e individit dhe e mbarë ymetit, mundohen të ruajnë peshoren, ku shumë prej atyre që i thonë vetes myslimanë po vrasin myslimanë dhe jomyslimanë të pafajshëm, ku pasiviteti ynë mund t’u japë zemër të tjerëve të vihen kundër minoriteteve të lodhura myslimane (Shqipëria, Kina dhe Irani janë ndoshta kasaphanat e radhës). Po cilës gjë i japim më shumë përparësi apo ç’gjë e shohim si më të rëndësishme në këtë situatë? Pa dyshim më e rëndësishmja është nëse një motër e vë apo nuk e vë shaminë, nëse e vë si duhet apo jo, apo nëse një vëlla e një motër është apo jo korrekt me hollësira e grimcëza të Sunetit.

Sot në botë ka me biliona Bilalë që i kanë një mbi një shkrepat mbi kraharor dhe të cilët mund t’i ndihmojmë- por nuk e bëjmë.
Preokupimi ynë me traditën dhe me detajet e ligjit në kurriz të shpirtit të ligjit, kthimi i metodës për arritjen e ndërgjegjësimit në një zëvendësim për ndërgjegjësimin, ngatërrimi i rrugës me qëllimin, është pikërisht ajo për çka profetët na kanë paralajmëruar. Ne tashmë jemi farisenj modernë që "tërhiqen prej një mushkonje dhe kapërdijnë një deve."

Injoranca jonë individuale, pasqyrohet tek Qendrat Islame lokale, tek Organizatat Islame, tek qeveritë tonë ‘islame’. Nëse ne vetë si individë nuk jemi të qartë në prioritetet tona, nuk është ndonjë çudi e madhe që shohim qendra islame kundër Këshillimit, dhe se si këto qendra përbëjnë federata të paafta për të marrë veprim, si dhe shohim themelimin e qeverive islame qe janë të gatshme për të zbatuar dënimet e Sheriatit, pa krijuar së pari një shoqëri ku merren parasysh dhe u kushtohet vëmendje të drejtave dhe detyrave bazë të qytetarëve të saj.

Nuk është ndonjë çudi e madhe që jomyslimanët janë turbulluar nga mesazhet e çuditshme, madje fantastike që u vijnë nga myslimanët. Islami është Islam. Por, Islami sot po keqkuptohet sepse myslimanët e sotëm nuk po e tregojnë veten. Unë jam vetë myslimane dhe vërtetë nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh.

Në Amerikën e Veriut dhe Kanada, 6 gjer në 11 milion myslimanë jetojnë në liri relative. Shumica prej nesh kanë marre një farë shkollimi, ose së paku janë të edukuar. Ne kemi mjaftueshëm për të ngrënë. Kemi mundësi të përdorim libraritë dhe mjete të tjera të informacionit. Udhëtojmë lirisht dhe kemi lirinë e fjalës. Mendoj se duhet të jemi prijës së një lëvizje islame. Duhet të dukemi me një pjesëmarrje aktive. Duhet të krijojmë një komunitet mysliman të fuqishëm- të kujdesemi për njerëzit tanë, të hartojmë vetë programe shërbimesh shoqërore, të ushqejmë të varfrit, të strehojmë të pastrehët, të mësojmë të paditurit të lexojnë, të mbrojmë të vobektët, të ngremë shkollat tona, spitale dhe organizata në shërbim të komunitetit- përkundrazi, ajo që bëjmë është ndërtimi i xhamive të sofistikuara që mund të mbeten bosh pas një apo dy brezash sepse të rinjtë tanë e ndjejnë se nuk po prezantojnë Islam.

Pra, edhe në Amerikën e Veriut ku myslimanët janë një minoritet i RENDESISHEM, ne kemi mundësi të përmbushim çdo gjë apo të ndikojmë për të ndryshuar një MINORITET TE PARENDESISHEM. Por, për shkak të të metave dhe refuzimit për t’i lënë mënjanë identifikimet dytësore- jemi ndarë e përçarë keqazi.

"Unë ju krijova juve në kombe dhe fise në mënyrë që ta njihni më mirë njëri-tjetrin."

Si duket, po të shohim se çfarë po ndodh në xhamitë lokale- në organizata të mëdha- në këtë vend dhe në vende të tjera- në çdo fushë dhe nivel bashkëveprimi mes myslimanëve, ky ajet kuranor është i përshtatshëm. Në këtë vend ne kemi myslimanë që janë të varfër e të pasur, të zinj dhe të bardhë, meshkuj dhe femra, vendës dhe të ardhur- kemi kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, kemi të ndryshëm dhe stilin e të veshurit, ushqimin dhe muzikën- ndryshon thuajse çdo gjë përveç njerëzisë dhe Islamit tonë. Nëse duam ta njohim njëri-tjetrin, të formojmë një xhemat, një Ymet nga ky grup, atëherë do të kishim çdo gjë të përbashkët. Por, kjo kërkon një lidhje të vërtetë.

Por me këtë situatë- ne nuk jemi të lidhur.

Nuk e njohim njëri-tjetrin. Madje as nuk e pëlqejmë. Kemi mbetur brenda grupeve tona të vogla. Nëse nuk vihemi në lëvizje për të krijuar një komunitet të vërtetë nga gjithë këto elementë të ndryshëm- t’i kthejmë pikat që na dallojnë në fuqi dhe jo t’i lejojmë të na mbajnë në këtë gjendje dobësie- nuk mund të krijojmë një komunitet- dhe pa një komunitet besimtarësh, pa një Ymet- lidhjet mes pjesëtarëve të të cilit janë më të forta nga çdo lloj lidhje tjetër- madje më të forta dhe nga ato familjare apo fisnore, do të vazhdojmë të ecim akoma më shumë në rrugën e përçarjes- synitët kundër shiitëve, kombi kundër kombit, shumica kundër pakicës, medhhebi kundër medhhebit- dhe kjo rrugë mbaron në Somali- mbaron në çmenduri. Somalia duhet të jetë një shembull i qartë për të gjithë ne se çfarë ka thënë profeti a.s për vendosjen e llagapeve fisnore- apo të çfarëdolloj etiketimi- mbi Islamin- LERENI KETE SE MBAN ERE QELB!

Krizat me të cilat po përballemi ne si myslimanë- si Amerikanë- dhe thjeshtë si qenie njerëzore- kanë filluar të shtohen aq shumë saqë përpara se të reagojmë kundrejt një krize përballemi me një tjetër. Ngjarjet dhe çështjet duket se po bëhen gjithmonë e më kritike dhe se po ngjeshen gjithmonë e më shumë me njëra-tjetrën. Deri tani të duket sikur po sheh një film me një xhirim të shpejtë.

Ky është faji ynë sepse çdo krizë e mendojmë si diçka të izoluar, më vete. Ne biem brenda këmbë e krye me gjërat më të fundit dhe i harrojmë krejtësisht ato të shkuarat - madje anashkalojmë atë që është thelbësore - RINGRITJEN E YMETIT - jo si një praktikë filozofike, por si një punë praktike.

Pse myslimanët rrinë e fajësojnë Perëndimin se përse nuk po i mbledh forcat apo përse nuk ndjek politika të caktuara për të na shpëtuar apo për të na nxjerrë nga kjo krizë. A nuk duhet të kemi ne organizatat tona që të jenë në krahun dhe anën tonë? Ne i kemi burimet dhe forcat- e vetmja gjë që na mungon është një Ymet i bashkuar dhe udhëheqje myslimane. Përse myslimanët kërkojnë drejtësi, kur ata vetë e kanë burimin e drejtësisë- ISLAMIN? Përse vallë edhe pasi shpenzojnë me miliona dollarë në armë, vendet myslimane nuk janë në gjendje të mbrojnë as veten e tyre, jo më të tjerët?
Si mund t’i kërkojmë qeverisë së SHBA-së t’i japë krah procesit demokratik në Algjeri dhe t’i japë fund mbështetjes së regjimit diktatorial- kur për sa shohim, shumica e qeverive myslimane janë diktatoriale, autokratike dhe shtypëse, ndërkohë që ne u kërkojmë atyre të mbështesin qeveri të tjera po të tilla.

Nuk ka dyshim, se pasiviteti i SHBA-se dhe i Kombeve të Bashkuara, është vërtetë tragjik. Por akoma më shumë tragjik dhe tronditës është dështimi i myslimanëve për të vepruar. Në mbarë botën, myslimanët janë vërtetë në telash. Myslimanët që jetojnë në vendet me shumicë myslimane po vuajnë nga zgjedha e diktatorëve, tiranëve dhe mbretërve. Myslimanët që jetojnë si pakicë në Tailandë, Burma, Kamboxhia, Indi, Kinë, Rusi, Bosnje, Greqi etj, po vuajnë gjithashtu. Myslimanët që jetojnë si minoritet në shumicën e vendeve të Evropës- si Francë, Gjermani, dhe Spanjë po përballen me ndjenja anti-islame gjithnjë e në rritje, me paragjykime dhe kufizime të mundësive për ta praktikuar Islamin.

Në Gjermani, disa prej atyre që i shpëtuan holokaustit në Bosnje janë sulmuar nga gangsterë fanatikë.

Ndërsa ata që jetojnë në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në Kanada- për momentin- janë ndër më të shkolluarit, që kanë ndikim dhe së paku përkohësisht gëzojnë më shumë liri shprehje për t’u takuar, për t’u organizuar, për të protestuar dhe për të vepruar. Jemi në pozitën më të mirë për të marrë rolin e një drejtuesi. Për të ndërtuar një komunitet të shëndetshëm mysliman dhe për të punuar për reformë shoqërore, ekonomike dhe politike. Të bëjmë një ndryshim dhe të ndikojmë në drejtimin që po merr ky vend. Të ushtrojmë trysni mbi qeveritë myslimane për reformë. Të hartojmë programe shërbimesh shoqërore, që t’u vijmë në ndihmë myslimanëve më me pak fat si dhe të hartojmë programe lehtësuese për myslimanët jashtë, të cilët po përballen me ditë të vështira.
Puna është se ne jemi të paaftë t’i përmbushim këto. Ne madje, nuk biem në një mendje as për ditën e fillimit të Ramazanit. Në qytete me më shumë se një xhami, nuk mund të koordinojmë një kalendar, por i vendosim dy apo tri aktivitete në të njëjtën ditë- duke konkurruar njëri-tjetrin. Nuk bashkëpunojmë, nuk ndajmë informacion, nuk biem në kompromis, nuk i koordinojmë punët, nuk ndërtojmë një rrjet komunikimi- dhe pse numri i organizatave myslimane po rritet dita-ditës, sasia dhe cilësia e punës që bëhet aty, po bie në mënyrë dramatike. Në Shtetet e Bashkuara nuk gjen qoftë dhe një spital mysliman, as një azil për të moshuarit (edhe ne kemi të moshuar për të cilët nuk ka kush të kujdeset), as jetimore...
Dhe kur bëjmë diçka- e bëjmë në një mënyrë aq të paorganizuar dhe aq joefektive, sa nuk ka ku të shkojë më. I humbim burimet njerëzore, burimet financiare, burimet intelektuale. E shkëpusim thuajse gjysmën e Ymetit nga pjesëmarrja efektive siç e ka thënë dhe Osman Fat’hiu: "...të shpresosh që Ymeti të ecë përpara pa angazhimin e plotë dhe të grave është si të fluturosh me një krah- nuk mund të bëhet assesi."
Kemi nevojë të mbështesim biznesemenët dhe profesionistët myslimanë për të ndërtuar një bazë të fuqishme ekonomike. Duhet të ngremë programe shërbimesh shoqërore për të ndihmuar nevojtarët. Kemi më shumë nevojë për salla takimesh dhe qendra rinore se sa për xhami të sofistikuara- ju mund të faleni në një palestër, por nuk mund të luani me top në xhami. Duhet t’i japim fund shpenzimit të parave pa plan e pa kokë që të qetësojmë ndërgjegjen- të kërkojmë t’i masim gjërat- të dimë se ku shkojnë paratë dhe çfarë del në dritë nga shpenzimi i tyre. Neve na duhet një këshill i vërtetë dhe pjesëmarrje e plotë e grave në xhamitë lokale. Ne duhet të hetojmë dhe të shohim nëse individë dhe organizata të caktuara po bëjnë vërtetë diçka dhe se si mund t’i mbështesim në punën e tyre. Ne duhet të lejojmë drejtues dhe përfaqësues organizatash të zhvillohen dhe të rriten nga baza. Duhet t’i braktisim projektet ekstravagante, shpërdoruese dhe të zhurmshme dhe të përqendrohemi në projekte të vegla, praktike dhe utilitare, që mund të mbështeten lokalisht. (Për shembull, para se të shpërndajmë me mijëra fletushka daveti me një numër telefoni me qëllim që të tjerët të telefonojnë për më shumë informacion, duhet të sigurohemi nëse kemi dikë që flet anglisht mirë për t’u përgjigjur në telefon.)
Nuk ka justifikim për askënd që të mos jetë i aftë të bëjë diçka- të përfshihet- të japë sadaka çfarëdo që të ketë- kohë, përpjekje, dituri dhe para. Unë hyra në Islam e madhe dhe nuk kisha fatin të isha myslimane që kur linda. Nuk kam mbaruar as fakultetin. Jam një grua. Fjalimet publike më tmerrojnë. Kam një punë, tri djem dhe një shtëpi për ta mbajtur, dhe sërish kam mundësi të bëj diçka- pa marrë fonde apo mbështetje nga ndonjë organizatë, thjeshtë me përpjekje vullnetare.

Unë mund të bëj diçka- gjithsecili mund të bëjë diçka- dhe nëse nuk e dini se çfarë të bëni, mund të kontaktoni me mua sepse kam nevojë për ndihmë, madje njoh dhe shumë të tjerë që kanë nevojë për ndihmë.


Në dashtë Allahu- nëse e bëjmë detyrën tonë, ESSELAMU ALEJKUM do të jetë shprehja e së vërtetës dhe jo e ëndrrave boshe, dhe INSHA'ALLAH nuk do të jetë mënyrë për të shmangur zotimet.

Ky artikull është përmbledhur nga një fjalim në qendrën islame St. Luis në nëntor 1992.

Ky artikull është botuar për herë të parë në vitin 1993.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme