Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Polemika, recensione, shqyrtime, intervista ->

Islami, shkenca, muslimanėt dhe teknologjia




Libri i ri:

Titulli: Islami, shkenca, muslimanët dhe teknologjia
Autor: Sejjid Husein Nasr, në bisedë me Muzaffer Ikbal
Shqipërimi dhe parathënia: Edin Q. Lohja
Tiranë: Nëntor 2010, 175 fq.
Boton: Biblioteka Zemra e Traditës në bashkëpunim me Fondacionin Rumi

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Njoftohen të gjithë të interesuarit se, me datën 10.11.2010, në mjediset e Hotel Tiranës organizohet promovimi i librit të ri Islami, shkenca, muslimanët dhe teknologjia : Sejjid Husein Nasr në bisedë me Muzaffer Ikbal, pas përfundimit të Seminarit Ndërkombëtar “Filozofia dhe Shkenca në Kulturën Perëndimore dhe Atë Lindore” që organizohet në kuadër të “Ditës Botërore të Filozofisë”.

---------------

Islami, shkenca, muslimanët dhe teknologjia nxjerr në pah dilema të rëndësishme, me të cilat përballet sot bota muslimane, veçanërisht në lidhje me shkencën moderne e teknologjinë. Në katër biseda të fokusuara, Sejjid Husein Nasr i përgjigjet Muzaffer Ikbalit në hulumtimin e pikëpamjeve islame mbi prejardhjen e kozmosit dhe të jetës, përmasat e ndryshme të raportit ndërmjet Islamit e shkencës, qëndrimet muslimane ndaj shkencës moderne dhe teknologjisë, si dhe krizën mjedisore. Në zemër të këtyre bisedave me shtrirje të gjerë është ajo që mund të quhej çështja më urgjente e kohës sonë: kursi i mëtejshëm i qytetërimit islam.

Duke rrokur krejt spektrin e mendimit islam, këto biseda plotësohen nga tre tekste të ndërthurura: “Konteksti” skicon në vija të trasha sfondin e këtyre bisedave; “Kozmosi si lëndë e studimit shkencor” hulumton aspekte të larmishme të raportit ndërmjet Zotit, kozmosit dhe njerëzimit; ndërsa “Botëkuptimi islam dhe shkenca moderne” është teksti i kryekumtesës të mbajtur nga Sejjid Husein Nasr në Konferencën Ndërkombëtare rreth Shkencës në Politikëbërjen Islame në Shekullin XXI, të zhvilluar në Islamabad (Pakistan) në Mars 1995 – një rast ky që i bashkoi dy studiuesit për herë të parë, duke nisur një lidhje të përhershme shpirtërore, intelektuale dhe emocionale.

Duke i vendosur përgjigjet islame ndaj shkencës moderne e teknologisë brenda takimit historik të qytetërimit islam me qytetërimin perëndimor të pas-Rilindjes, libri ofron tejvështrime përsiatëse tek sfidat e ndeshura nga qytetërimi islam, në përpjekjen për ta ruajtur karakterin e përshpirtshëm dhe traditën e vet.

 

Islami, shkenca, muslimanët dhe teknologjia është i qasshëm si për lexuesin e përgjithshëm, ashtu edhe për specialistin. Ai ofron një suazë teorike për të kuptuar natyrën e dilemave të hasura nga bota muslimane, duke sugjeruar ndërkaq edhe zgjidhje praktike. Libri u hap lexuesve shtigje të shumta për të arritur tejvështrime më të thella në disa prej çështjeve më të rëndësishme të kohës sonë.

---------------

Parathënie

Ç’i duhet njeriut të fitojë gjithë botën

e të humbasë shpirtin?

                                       Jezu Krishti1

 

Ju nuk duhet të habiteni me numrin e paktë

të atyre që ndjekin rrugën e drejtë.

                                                  Imam ‘Alī2

Sipas një të vërtete të njohur në metafizikë, e keqja absolute - duke qenë privim total nga mirësia e të Gjithpranishmit - nuk ekziston. Ndër të mirat shumë të pakta - ndonëse gjerësisht të paperceptuara e mendjelehtësisht të shpërfillura - të territ izolues që lanë pas muslimanët shqiptarë në fund të shekullit XX, ishte mundësia e rinisjes së pandotur, për së mbari, të gjërave, duke shmangur lajthitjet moderniste (lexo: sekulariste, reformiste e ‘fundamentaliste’) të dyqind viteve të fundit në trevat islame, si dhe e ripërtëritjes vërtetësore të trashëgimisë së tyre të pasur, në përputhje me traditën3 sakrale të cilës i përkasin. Mirëpo, për arsye të larmishme, analizimi i të cilave ndodhet përtej shtrirjes së kësaj parathënieje të shkurtër, të kuptuarit dhe të prezantuarit e Islamit në trevat shqiptare është larguar sa më s’bëhet nga kjo normë, duke pasqyruar in extremis pështjellimin e ndier sot në aq shumë nivele brenda vetë ummetit musliman, si rezultat i lënies pasdore të përmasës diturore të mësimeve të Islamit.  

Një nga çështjet më të mprehta, që ia kanë ndikuar rrënjësisht kursin qytetërimin islam dy shekujve të fundit, është raporti i tij me shkencën dhe teknologjinë moderne, të konceptuara e të zhvilluara në Perëndim pas lindjes së modernizmit, në shekullin XVII. Mbi muslimanët ushtrohet trysni e jashtëzakonshme për ta ‘përditësuar’ fenë e tyre në përputhje me botëkuptimin antropocentrik të shfaqur në një qytetërim, ku besimi është eklipsuar nga desakralizimi dhe sekularizimi i gjithçkaje. Ky libër është shkruar nga një perspektivë që përbën përjashtimin në reagimet e përgjithshme muslimane ndaj kësaj trysnie, të cilat janë karakterizuar thuajse uniformisht nga përulja plot inferioritet para sukseseve të shkencës moderne në zaptimin e natyrës përmes zbatimit agresiv të saj në formën e teknologjisë.   

Shkenca moderne ka uzurpuar vendin e metafizikës, duke shtruar pro-bleme që vetëm kjo mund t’i zgjidhë. Tek refuzon në parim mundësinë e çdo lloj dijeje serioze jashtë lëmit të saj, kjo shkencë pretendon se mund të arrijë njohje ekskluzive dhe tërësore, duke kaluar në përfundime, që i janë të qasshme vetëm urtisë mbishqisore e intelektive, ekistencën e të cilës ajo e mohon në parim. Shumica e njerëzve gjykojnë se shkenca moderne e nxjerr legjitimitetin nga vetë sukseset e saj, duke humbur nga sytë mbizotërimin e dukshëm të efekteve të saja negative mbi pozitivet, por mbi të gjitha shkatërrimin shpirtëror të brendashkruar a priori në botëkuptimin e saj.

E ndeshur me problemet e reja, feja çarmatoset dhe huazon verbërisht argumentet e kundërshtares, duke u detyruar që pak nga pak të përgënjeshtrojë perspektivën e saj dhe gjithnjë e më shumë ta mohojë veten. Humbja e përmasës metafizike të traditës në Perëndim gjatë Rilindjes erdhi sepse besimi nuk u mbështet sa duhej nga zbërthime të rendit dituror, me pasojë mbizotërimin e arsyeve sentimentale në vend të atyre intelektuale, tek shumica e njerëzve.4 Shkatërrimi i unitetit dhe hierarkisë së dijes që vijoi nga ky eklipsim i përmasës diturore solli zhveshjen e shkencave të natyrës nga përmbajtja ezoterike dhe kuantifikimin e tyre, shfaqjen e skepticizmit dhe agnosticizmit, dhe humbjen e dijes së mbështetur në sigurinë metafizike. Mungesa e kësaj dijeje dhe forca sugjestive e fakteve shkencore, që i apelon tundueshëm nevojës së thellë njerëzore për dije të sigurtë, e bënë fenë një viktimë thuajse të pambrojtur, e cila më shpesh se jo refuzon t’i përdorë argumentet që disponon.  

  

Të nxitur nga nevoja për respektueshmëri të fesë në kontekstin modern, një mizëri autorësh, predikuesish, studiuesish e deri autoritetesh fetare muslimane janë turrur të tregojnë besueshmërinë e shpalljes islame, me anë të gjoja përputhjes së saj me gjetjet më të fundit të shkencës moderne, duke shkuar në skaje absurde sforcimi të së parës dhe ekstrapolimi të së dytës. Është tamam sikur për 1200 vjet me radhë, muslimanët të mos kenë patur kozmologji, metafizikë, studim të botës natyrore dhe të vendit të njeriut në skemën e krijimit, apo sikur kryeparimi islam i Unitetit (et-teuḥīd) të nënkuptonte një të vërtetë thjesht dhe thatë numerike.

Ndërkaq harrohet se, në vetë premisat epistemologjike dhe qëllimin e saj, shkenca moderne është krejtësisht e papërputhshme me botëkuptimin islam.5 Ajo e konsideron botën fizike si realitet më vete, që mund të studiohet dhe njihet përfundimisht, pa iu referuar ndonjë niveli më të lartë ontologjik. Shkenca moderne i sheh parametrat e botës fizike - hapësirën, kohën, materien, lëvizjen dhe energjinë - si realitete të pavarura nga rendet e sipërme të qenies, ndërsa gjithësinë si subjekt kuantifikimi e parashikimi, duke absolutizuar studimin matematikor të natyrës dhe shpërfillur aspektet cilësore e simbolike të ekzistencës. Kështu, shpjegimet shkencore mbi prejardhjen e gjithësisë mbështeten vetëm në shkaqe materiale, matematikisht të përkufizueshme, pa nevojën për t’iu referuar kund Hyjnores.

Nga pikëpamja e subjektit, shkenca moderne e zëvendëson intelektin dhe shpalljen me arsyen dhe eksperimentin, ndërsa nga ana e objektit ajo e zëvendëson Substancën universale me materien. Racionalizmi rrjedhues i vë kufi dijes, duke e lidhur atë me vetëdijen individuale të njeriut, e cila identifikohet me fuqinë e arsyes të divorcuar si nga shpallja, ashtu dhe nga intelekti. Në mënyrë të ngjashme, empirizmi pretendon njëfarë bashkëmatësie mes njohjes parimore dhe eksperimentit, duke i dhënë këtij një vlerë absolute, që sjell mohimin e çdo dijeje joshqisore.

          

Realiteti i shtresuar, që përbën nocionin më thelbësor të metafizikës dhe shtyllën kurrizore të të gjitha botëkuptimeve tradicionale, kolapsohet - nëpërmjet reduksionizmit - në thjesht materien, nga e cila është eliminuar çdo transhendencë. Konkretisht, shpirti reduktohet në psikë, psika në veprimtari biologjike, jeta në materie të pajetë, ndërsa materia në grimca sasiore, lëvizjet e të cilave mund të kuantifikohen. Ngulmimi për ta reduktuar gjithmonë të sipërmen tek e poshtmja bën që besimi në Zot të reduktohet në komplekse psikologjike, ndërgjegjja në veprimtari biologjike, kurse jeta në lëvizje molekulare.

         

Ky reduksionizëm është ndër shtyllat kryesore të shkencizmit, i cili e tejzgjat shkencën moderne në ideologji. Shkencizmi refuzon të marrë në shqyrtim pikëpamje tjetër përveç shkencores, apo të pranojë mundësinë e ndonjë mënyre tjetër njohjeje, sikurse shpalljes. Ky përbën edhe dallimin thelbësor mes shkencës moderne dhe islames, e cila është para së gjithash scientia sacra.6 Mbizotërimi i shkencizmit në Perëndim e ka bërë këndvështrimin fetar të gjithësisë të duket intelektualisht i parëndësishëm, duke e reduktuar fenë në etikë të subjektivizuar dhe çështje të ndërgjegjes private. Pikërisht shkencizmi e ka shkatërruar realitetin shpirtëror, të cilin njeriu e ka parë gjithnjë rreth vetes, duke ia hequr natyrës aspektin e “ngazëllimit”, të cilit Kur’ani i referohet aq shpesh, gjë që e ka kërcënuar seriozisht idenë themelore islame të dukurive të natyrës si shenja (ājāt) të Zotit në krijim, të cilin Ai ia ka lënë amanet njeriut, mëkëmbësit të Tij mbi tokë.

Shpërfillja sistematike e kësaj ideje, e shpalosur te kriza mjedisore në përkeqësim e sipër dhe obsesionimi i botës muslimane për marrje të sa më shumë teknologjie moderne, përbën shqetësimin kryesor që motivon këtë libër. Ai është fryt i mendimit të studiuesit më të shquar musliman të qytetërimit perëndimor dhe njërit prej dijetarëve më të nderuar në mbarë botën islame, i cili kombinon në mënyrë të pashoq dijetarinë akademike moderne me urtinë e përmbajtur në trashëgiminë e stërpasur së traditës islame. Prof. Sejjid Husein Nasr është i mirënjohur për lexuesin tonë dhe kjo vepër e tij, e gjashta deri tani në shqip,7 e hartuar në bashkëpunim me Dr. Muzaffer Ikbal të Qendrës për Islam dhe Shkencë në Kanada, shtypet me nismën e Zr. Amir Huseini Asgheri, Drejtor i Fondacionit Rumi në Tiranë. I shprehim atyre mirënjohjen e thellë për mundësimin e botimit të përkthimit të kësaj vepre, e para në shqip që trajton drejtpërsëdrejti një çështje kaq madhore për fatin e mëtejshëm të qytetërimit islam. Dhashtë kjo punë frytet e shpresuara në vetëdijësimin e sa më tepër njerëzve për qëndrimet vërtetësisht islame ndaj problemeve që ky libër shtjellon në mënyrë të përmbledhur.

we'l-ḥamdu li'l-Lāhi waḥde Hu we bi Hi nesta‘īn

 Edin Q. Lohja

Uashington, DC

31 Tetor 2010/23 Dhu'1-Kadeh 1431

 __________________________________________ 

1. Dhiata e Re, Marku 8:36.

2. Nehxhu'l-belāgha, Ligjërata 199.

3. Rreth kuptimit të ‘traditës’ siç përdoret këtu, të shihet Edin Q. Lohja, “Parathënie” në Sejjid Husein Nasr, Udhërrëfyes i të riut musliman në botën moderne (Tiranë: Zemra e Traditës, 2007).

4. Të shihet shtjellimi i kësaj teze të Sejjid Husein Nasr, në veprën e tij Njeriu dhe natyra, kriza shpirtërore e njeriut modern, përk. & parath. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009), Kreu II.

5. Të shihet William C. Chittick, përk., parath. & shën. Edin Q. Lohja, Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009), Kreu III.

6. Të shihet Edin Q. Lohja, “Parathënie”, në Chittick, vep. cit.

7. Të shihet lista e botimeve në fund të librit.

Botime të Bibliotekës Zemra e Traditës

S. H. Nasr, Muhammedi: njeri i Allahut

E. Q. Lohja (red.), 110 Virtyte të Imam ‘Alīut 

S. H. Nasr, Udhërrëfyes i të riut musliman në botën moderne

A. H. Zejnu'l-‘Ābidīn, Psallmet e Islamit

M. Muṭahharī, Njeriu dhe fati

S. H. Nasr, Ideale dhe realitete të Islamit

W. C. Chittick, Doktrina sufiste e Rūmīut

S. H. Nasr, Njeriu dhe natyra: kriza shpirtërore e njeriut modern

W. C. Chittick, Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit

S. H. Nasr, Islami dhe gjëma e njeriut modern

E. H. Ghazzālī, Shpëtimi nga humbja

S. H. Nasr, Islami, shkenca, muslimanët dhe teknologjia




E Dielė, 31 Tetor 2010; 06:43


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats