Haxhi – dobi dhe reflektime

Por jo vetëm kaq, mbase është synimi më i lartë i tij që robin ta afrojë sa më afër Zotit të vet, ai gjithashtu mund të konsiderohet edhe si një ritual nëpërmjet të cilit njeriu arin në nivelet më të larta të përsosurisë dhe edukimit shpirtëror, vetëkontrollimit dhe të ridimensionimit të rendit të tij jetësor. Trajnimi që haxhiu merr gjatë kohës së haxhit është domethënës dhe i dobishëm në shumë aspekte, sidomos në të kuptuarit e esencës së jetës dhe të shumëllojshmërisë kulturore, racore, nacionale etj., të njerëzve që jetojnë nën “kulmin” e një feje.

Të veshur me modesti, nën një petk, duke vepruar njëjtë e drejtë, me synim të njëjtë, duke e adhuruar një Zot, duke shfaqur idetë dhe vizionet për një botë dhe shoqëri të barabartë, me respektimin e dallimeve shoqërore dhe dashamirësinë e shfaqur ndaj njeri-tjetrit, si dhe duke u treguar të mëshirshëm edhe ndaj natyrës dhe gjallesave të tjera, haxhilerët, me anë të këtyre veprimeve, lëshojnë mesazhin e tyre për një botë të qetë dhe natyrore, njëkohësisht duke ngritur idenë se bota nuk mund të udhëhiqet duke qenë të pavetëdijshëm ndaj Zotit dhe rendit njerëzor. Le të shohim, pra, në disa pika të shkurta se ç’synon në të vërtet ky ritual kaq madhështor, të cilin me të drejtë e kanë quajtur si Kongresi Vjetor i Muslimanëve.

Devotshmëria, furnizimi më i mirë

Siç mund të vërehet edhe nga ajo që u tha më sipër, objektivi im në këtë shkrim nuk është që të përcaktohem për ta trajtuar temën në dimensione teoriko-praktike, gjegjësisht në aspekt të shpjegimit dhe elaborimit  të asaj që del nga rregullat dhe dispozitat e haxhit, porse të them disa fjalë në lidhje me çështjet se si duhet përgatitur paraprakisht, shpirtërisht e fizikisht, dhe ç’duhet të kemi parasysh kur të gjendemi përballë veprimeve të ndryshme të caktuara që realizohen gjatë kohës së Haxhit, siç janë p.sh., ihrami, tavafi, qëndrimi në Arafat, sa’ji, të shikuarit e Qabesë, të gjendurit përpara saj dhe disa veprime të tjera.

Kur jemi të devotshmëria, që duhet, në radhë të parë, të synohet në këto kohë, ajo tani më është bërë gjë e shpërfillur dhe, thuajse, e humbur për muslimanët e sodit. Ajo dikur përbënte objektivin kryesor të muslimanit! Niveli i lartë i saj, në kohët më të hershme,  shihej gjithkund. Ajo shihej, si hëna e plotë, në fytyrën e një besimtari, në ballin e të cilit lehtë ka mundur t’i dukej shenja e modestisë dhe dashurisë për Krijuesin dhe urtësinë. Të parët tanë garonin se cili do t’ia kalonte tjetrit në modesti, butësi, dituri, meditim, bamirësi, bujari, falje, këshillim, ibadet, etj.

Devotshmëria ishte petku me të cilin “mbuloheshin” njerëzit e brumosur nga fryma profetike e Muhamedit, alejhisselam, dhe nga hijeshia madhështore e Islamit.

Një gjë e këtillë është vërejtur edhe atëherë kur afrohej koha e Haxhit. Ata këtë kohë e konsideronin si një manifest dhe favor të padiskutueshëm, caktuar enkas për t’i rilindur njerëzit, për t’ua përsosur besimin dhe për t’ua freskuar shpirtrat e tyre.

Dhe jo vetëm kaq, Haxhi, madje, shikohej edhe si një ceremoni e madhe vdekjeje, një largim nga përzierja me këtë botë drejt kushtimit të plotë ndaj Zotit. Ai konsiderohet kështu, pasi që Qabeja simbolizon shtëpinë e Zotit dhe, mbështetur në përshkrimet e Kur’anit, vdekja është një proces në rrugën për ta takuar Zotin. Kështu që, haxhi ishte vdekje dhe takim me Zotin, kurse rikthimi nga haxhi ishte një rilindje.[1] Po ashtu, disa e kanë krahasuar edhe me atë të pamjes së Mahsherit[2], ditën kur njerëzit do të dalin përpara Krijuesit Absolut.

Gjallëria që krijohej në prag të fillimit të kohës së Haxhit, dëshmon bukur vetëdijen e lartë që kishin për t’u përgatitur për këtë ibadet. Për shkak të asaj që rruga deri në Haxh ishte e largët dhe merrte shumë kohë, për dikë edhe me vite, ai shihej si një ibadet, që paraprakisht kërkonte përgatitje dhe trajnime shtesë, të cilat nuk ishin vetëm të natyrës materiale apo fizike. Ndonëse të ballafaquar me kushte të rënda dhe të rrepta, bredhje rrugësh e kalime të gjata udhëtimesh, përsëri ata, Zoti i bekoftë, nuk e gjenin arsyen ta lenin mas dore këtë ritual madhështor të Islamit. Sikur e kishin kuptuar mirëfilli qëllimin final të këtij obligimi hyjnor!

Konform ajetit kur’anor “Përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria”[3], dhe të asaj që na ka treguar profeti ynë, Muhamedi, alejhisselam, se ditët para Haxhit janë të bekuara, sidomos dhjetë ditët e para të muajit hënor Dhul Hixhe, ata me përkushtim e ngulm tentonin të siguronin mjete financiare për familjen, statusin e tyre prej hallalli, kënaqësinë dhe hallallëkun e shoqërisë, dhe mbi të gjitha, të krijonin një shpirt të fuqishëm prej devotshmërie, dhe pastaj të vendosnin për të marr rrugën e haxhillëkut. Me pak fjalë, parapërgatitjet ishin shumë të rëndësishme dhe primare, sidomos thellimi në devotshmëri.

Simbolika e Haxhit

 

Allahu i Madhërishëm bëri që Qabeja e shenjtë, vizituesit dhe vendi i saj, kushtet dhe rregullat e Haxhit, të simbolizojnë lartësim shpirtëror dhe udhëtim kah Qenia e Zotit. Ihrami simbolizon lëshimin formalisht të kësaj bote, lënien e zakoneve dhe shprehive, ndarjen nga dynjaja dhe nga ajo që gjendet brenda saj dhe hyrjen në një botë të nënshtrimeve dhe përgjegjësive përpara Krijuesit Fuqiplotë. Qëndrimi në Arafat simbolizon vendbanimin në shkallët e njohjes dhe ditën kur do të dalim përpara Allahut dhe të japim llogari për gjitha veprimet, qofshin ato edhe shumë të vogla. Tavafi simbolizon pastrimin e njeriut dhe shkëputjen e tij nga natyrat e kamufluara njerëzore dhe me rrotullimin shtatë herësh rreth Qabesë paraqet gatishmërinë e tij për të jetuar rreth një qëllimi sublim për vetveten dhe për të tjerët. Sa’ji simbolizon udhëtimin meditativ nga ‘safa’ e cilësive të Zotit drejtë ‘mervasë’ së Qenies së Zotit. Kurse, qethja e flokëve na paraqet një akt shumë interesant, respektivisht mënjanimin e gjurmëve të pandershme, shprehive negative dhe ligësive, si dhe shfaqjen e robërimit dhe kërkim faljen, etj.

Haxhi, në krahasim me shartet e tjera islame, paraqet animin dhe ecjen përkushtimisht kah i Gjithëmëshirshmi. Këtë e dëshmon Libri i madhërishëm, Kurani, i cili tregon qartë se ky adhurim, si asnjë tjetër, është i caktuar për tu kryer enkas për hir të Allahut. Kështu, për shembull, në suren Ali Imran, ajeti 96, thuhet: Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është bërë obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo”.[4] Pra, qëllimi i Haxhit, mbi të gjitha, është Allahu, përderisa qëllimi i të gjitha sharteve të tjera është arritja e derexheve dhe gjendjeve të mira dhe të lakmueshme si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër, respektivisht fitimin e Xhenetit dhe shpëtimin nga zjarri i Xhehenemit.

Falja e madhe – rilindja

 

Sot, kur vlerat njerëzore kanë rënë në një derexhe të palakmueshme dhe kur identiteti njerëzor është futur në një krizë të thellë, si dhe kur mëkatet kanë marrë hovin e një cunami denigrues, ndjenja dhe dëshira për një falje, rilindje dhe kthim në vetvete është më se e nevojshme. Sidomos kjo ndjehet dhe arrihet gjersa njeriu gjendet në ato vende të shenjta, pranë Qabesë së shenjtë, pranë shtëpisë së Zotit, pranë strumbullarit të burimit të mirësisë dhe faljes së madhe…

Porosia islame, e dalë nga Libri i Allahut, Kurani Fisnik dhe sunneti i Muhamedit alejhis-selam, si dhe nga kontributi i gjeniut musliman, e cila ndërlidhet me Haxhin, paraqet mesazhet më të bukura dhe stimulimet më të këndshme për falje mëkatesh, gjegjësisht për lindje të reja shpirtërore, besimore, ndjenjësore, psikologjike, sociale, e shoqërore. Në një hadith të përcjellë nga Ebu Hurejre r.a. tregohet se Muhammedi alejhis-selam të ketë thënë: “Kush e kryen Haxhin, duke mos pasur marrëdhënie intime me bashkëshorten dhe duke mos folur fjalë të ndyta, do t’i falen gjynahet e bëra deri atëherë.”[5] Është interesant shpjegimi i Ibn Haxherit, autoritet gjigant i shkencës së hadithit, i cili në lidhje me këtë hadith thotë se këtu nuk është fjala vetëm për faljen e mëkateve të vogla, por edhe të atyre të mëdha.[6]

Ky aspekt i Haxhit është madhështor dhe i pakompensueshëm, krahasuar me aspektet e tjera të tij dhe adhurimet e tjera, ndoshta kjo, për arsye se statusi i tij prej obligimi bie nëse kryet madje edhe me një herë të vetme në jetë. Andaj, vizita e Qabesë dhe kryerja e Haxhit duhet të na shërbej si një shans dhe mundësi për t’u shpërlarë nga mëkatet dhe për t’iu kthyer unit njerëzor, në cilësinë e Halifull-llahut, mëkëmbësit të Zotit. Fjalët e bukura të Pejgamberit a.s. janë stimul dhe nxitje për këtë arritje dhe derexhe që njeriu mund ta arrijë përmes këtij udhëtimi kah Qenia e Zotit. Falja e madhe është shpërblimi më i madh i Haxhit.

Arafati, një mesazh i bukur për njerëzimin

 

Arafati[7], në një farë mënyrë, paraqet një tablo gjykimi. Ai të kujton ngritjen nga varri në mëngjesin e kiametit dhe grumbullimin e njerëzve, grupe-grupe, në sheshin e gjykimit. Një pjesë e gjendjes së Ditës së kiametit jetohet edhe në Arafat.[8]

Shikuar nga aspekte të tjera, Arafati mund të ofrojë vizione dhe ide të bukura për jetën njerëzore. Mesazhi që përçon Arafti, në aspekt politik apo të organizimit shoqëror, është jashtëzakonisht i fuqishëm. Muslimani në këtë vend ofron mundësinë e realizimit të principit të unitetit, sigurisë, paqes dhe tolerancës midis njerëzve. Ndjenja e superioritetit dhe e racizmit, është e zëvendësuar me ndjenjën e barazisë dhe dashurisë së ndërsjellë.

Arafati na kujton edhe në diçka tjetër. Në këtë vend, siç tregohet, është bashkuar, pas një ndarje të gjatë, Ademi me bashkëshorten e tij, Havanë. Pra një fillim i ri i dashurisë, pas një ndarje dhe mallëngjimi. Kështu do të duhej të ndodhte me të gjithë ata haxhilerë, të cilët pas një ndarje dhe mallëngjimi, kur të ktheheshin nga Haxhi, të fillonin një dashuri dhe raport të ri me të tjerët, respektivisht me familjarët, miqtë dhe shoqërinë.

Përfundim

Çdonjëri që do ta kryej Haxhin me plotë sinqeritet, duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të tij dhe duke qëndruar deri në fund në ato vende të shenjta, ka për t’u ndierë me të vërtetë sikur të ketë lindur edhe një herë, ‘sikur ta ketë lindur nëna e tij’, sikur të jetë një foshnje e porsalindur. Pas Haxhit fillon faqja e re e jetesës, kualiteti i ri i të besuarit, mënyra e re e perceptimit të mirësive të Zotit.

Nga ana tjetër, kur një ditë në Meke të takohen të gjithë udhëheqësit muslimanë, dijetarët, shkencëtarët, mjekët, filozofët, sociologët, ekonomistët, ndërmarrësit, etj., dhe kur të ulen dhe përmes resorëve të tyre ta vështrojnë gjendjen dhe situatën e Ummetit musliman dhe qartë t’i definojnë interesat dhe kërkesat e muslimanëve, duke përdorur dhe shfrytëzuar metodat dhe mënyrat më efikase për krijimin e tyre, atëherë Haxhi do ta luaj rolin e tij të drejtë dhe atëherë ka për t’u parë qartë ndikimi i tij në përmirësimin e gjërave me të cilat po përballet Ummeti. Atëherë, ai do të konsiderohet, me të vërtetë, kongresi më i madh gjithë popullor, gjithë muslimanë.

____________________

[1] Shih më gjerësisht: S. Murata, Ë. Chittick, Vizioni i Islamit, albPAPER, fq. 77-78.
[2] Osman Nuri Topbash, Haxhi ideal dhe Umreja, Progresi – Botime, Istanbul, 2007., fq 8.
[3] El-Bekare, 197.
[4] Ali Imran, 96. (Madje, për ta rritur edhe më shumë vlerën e këtij adhurimi, Allahu i Madhëruar zbriti edhe një sure të kompletuar, të cilën e emëroi si Kaptina e Haxhit, arab. Suretu-l-Haxhxh.)
[5] Suneni i Tirmidhiut, III, Shkup, 2007 fq, 216. Po ashtu, këtë hadith e shënojnë edhe dy autoritetet kryesore të haditheve të Muhammedit alejhis-selam, Buhariu dhe Muslimi.
[6] Ibid. Shih fusnotën 391.
[7] Arafat – (arab.) Fushë (kodrinë) jo larg Mekës, në lindje të së cilës gjendet Xhebel’ur-rrahmeh (Mali i Mëshirës), ku thuhet se Ademi është ribashkuar me Havanë pas viteve të bredhjes pas largimit të tyre nga xheneti, Kopshti i Adnit. Në Arafat haxhilerët qëndrojnë 24 orët e fundit para Bajramit të Kurbanit. Vizita e Arafatit, veshur me ihram, është pjesë përbërëse e haxhit për haxhiun. [Nexhat Ibrahimi, Vepra 9 - Leksikoni Islam, Logos-A, Shkup, 2009., fq 37.]
[8] Shih: Osman Nuri Topbash, op. cit., fq. 26. 

(Artikullin, gjithashtu, mund ta lexoni edhe ne nr. e ri te revistes “Hena e Re”, nentor, 2010, nr., 232. Botuar nga BFIM)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme