Islami dhe muslimanët në Hungarinë mesjetare (shekulli IX – XIV)

Për këtë çështje flasin burimet dhe literatura bizantine, romake, pastaj aktet ligjore e kartat mbretërore hungareze, por edhe burimet dhe literatura arabe të gjeografëve e shkencëtarëve muslimanë të asaj kohe, e të cilat do t’i theksojmë gjatë mbarështrimit të temës.[1] Këtë prani islamo - muslimane paraosmane individë dhe qarqe të caktuara përpiqen ta injorojnë tërësisht, duke e kualifikuar këtë tezë si ‘fantazi të papërgjegjshme’[2] apo së paku ta minimizojnë në forma të ndryshme. Disa të tjerë, vetëm në shikim të parë pa paragjykime e tolerantë, praninë shekullore muslimane në Hungari e identifikojnë me “kontakt sporadik individual dhe grupor”, duke pohuar se këto kontakte nuk kanë ndikuar “më esencialisht në atë që Islami të pushojë të përjetohet si religjion i huaj dhe civilizim i huaj, dhe se, në aspekt të islamizimit, ka qenë praktikisht pa ndonjë efekt më serioze”,[3] duke fshehur e margjinalizuar dhunën drejt asimilimit dhe shfarosjes së Islamit dhe muslimanëve në Ballkan, Evropë dhe në vetë Hungarinë. Faktet që do të pasojnë do ta argumentojnë tezën tonë se prania e Islamit dhe muslimanëve në Evropën qendrore dhe juglindore në periudhën paraosmane janë argumente që obligojnë shkencëtarët dhe institucionet shkencore që në të ardhmen kësaj çështje t’i kushtojnë rëndësi meritore. Angazhimi i deritashëm individual dhe institucional është për çdo kritik. Ndaj, qasja jonë, duhet të shërbejë si motivim por edhe kurajo se edhe studimi i temave të proveniencës islame bënë pjesë në traditën dhe autoktonitetin tonë evropian, ballkanik dhe shqiptar.


I.

Prejardhja, vendlindja e parë dhe vendosja e hungarezëve në Evropën qendrore



Për prejardhjen e hungarezëve shkencëtarët nuk kanë mendim të prerë. Shumica pajtohen se “populli hungarez nuk është homogjen, sepse në periudhat e gjata kohore të migrimeve erdhi deri te përzierja dhe asimilimi i ndërsjellë me popujt dhe kulturat ugro-finlandeze, iraniane, turke”[4] etj. Burimet tjera pohojnë se “populli hungarez është me prejardhje Fino-ugriane, për t’u përzier më vonë me popujt turqë.[5] Migrimet dhe lëvizjet e mëdha të popujve që filluan në Antikitetin e vonshëm për të vazhduar edhe gjatë mesjetës i prekën edhe hungarezët. Ata u nisën drejt anës lindore të masivit Ural. Përkohësisht, gjatë shekullit V dhe VI, hungarezët u vendosen në veri të Detit Kaspik, që gjatë shekullit VII – VIII të vendosen në bregun lindor e pastaj atë perëndimor të Detit të Zi.[6] Mendohet se vendlindja e tyre është në luginën e lumit Kam, ndërmjet lumit Dona, rrjedhave të poshtme të lumit Vollga dhe Detit Kaspik.[7] Aty janë takuar me fiset turke El-Xhevashir dhe Bashkir, që më pastaj të bashkohen dhe ky bashkim fisesh të zgjasë rreth pesë shekuj.[8]

Jeta e përbashkët e fiseve turko-hungareze zgjati deri në fund të shekullit VIII, kur hungarezët u shpërngulën drejt perëndimit, në Ukrainën e sotme. Këtu mbetën një shekull, që pastaj, nën presionin e popullit peçeneg, të ndahen në disa grupe. Një grup u kthye në vendlindjen e parë, kurse tjetri, grupi më i madh, u nis drejt Karpateve, që gjatë shekullit VIII – IX, përkatësisht pas vitit 896 të vendosen në fushëgropën e Panonisë pjellore, në territorin e Hungarisë[9] dhe Vojvodinës aktuale.

Vendosja e hungarezëve në Evropën qendrore kishte rëndësi të madhe për Ballkanin dhe trojet iliro-shqiptare, sepse ndikoi që forcat deri atëherë të pranishme, relevante dhe më pak relevante, të proveniencës romake, pastaj Bizanti, Bullgaria, peçenegët e të tjerë të pozicionohen rishtazi.





II.

Aktiviteti ushtarak hungarez

dhe lëvizjet tjera



Herë nga synimet ekspansioniste, herë nga nevoja historike për mbijetesë para liderëve të fiseve hungareze u imponua nevoja për formimin e shtetit dhe menjëherë edhe për kristianizmin e popullatës, pasi që nuk shihej mënyrë tjetër për të vazhduar jetën kur nga të gjitha anët rrethohej me shtetet kristiane dhe kristianizimin si proces të hapur por ende të papërfunduar. Burimet historike pohojnë se shtetin e parë hungarez e formoi Ishtvani në fund të shekullit X. Ky njëherit është mbreti i parë hungarez dhe shteti i parë kristian në këtë nënqiell.[10] Shkencëtari françez J. Le Goff, që karakterizohet me një objektivitet shkencor, formimin e shtetit hungarez e përshkruan si vijon: “Para shekullit X hungarezët do t’i braktisin plaçkitjet, pushtimet, do të vendosen në një vend, do të kristianizohen dhe do të lind Hungaria.”[11]



Gjatë kohës Hungaria bëri luftëra të përgjakshme me Bizantin, Rusinë, popullin peçeneg, trakas dhe më pak me popullin iliro-shqiptar. Të shtrënguar nga interesat momentale, hungarezët shpeshherë i gjejmë në luftëra të drejtpërdrejta me popuj të ndryshëm, e herë-herë në aleanca me një palë kundër tjetrës, që solli pos përfitimeve politiko-ushtarake edhe fërkime dhe këmbime të vlerave religjioze, kulturore e civilizuese.[12]

Burimet historike tregojnë se luftërat nuk janë i vetmi faktor për konsolidim të brendshëm e të jashtëm. Krahas saj, tregtarët e të gjitha llojeve dhe të të gjitha vendeve këmbenin mallëra tregtarë por edhe idetë religjioze, kulturore, të artit ushtarak, të banimit, ushqimit, të komunikimit dhe të vetë gjuhës. Ndonëse në pasiguri dhe në kushte të vështira udhëtimi, tregtarët babilonas, persian, induis, egjiptian, kanan, rus, peçeneg, kazar, iliro-shqiptar, musliman, kryenin rolin e tyre konstruktiv.[13]

Krahas zhvillimeve ushtarake dhe tregtare pas shekullit IX e sidomos pas shekullit X Hungaria ishte udhëkryq dhe pikëtakim i lëvizjeve të popujve të ndryshëm, grupeve misionariste dhe sektare heretike. Hungaria si vend që braktisi pushtimet e reja, plaçkitjet dhe filloi të stabilizohej ekonomikisht, politikisht dhe fetarisht ishte vend që preferohej nga grupe e individë. Kështu, prej shekullit IX e deri në shekullin XIV mbretërit hungarezë, të udhëhequr nga ‘Udhëzimet për pushtet’ dhe nga traditat e vjetra, pranuan grupacione, grupe e popuj të ndryshëm nga lindja, duke i inkorporuar në shoqërinë vendore.[14] Kështu për shembull, të shtrënguar nga dhuna bizantine në kohën e carit bizantin Timiskiut në vititn 970 e pas e sidomos pas vitit 1150 Turqit vardariot nga jugu emigruan në Hungari, e cila atë kohë lejonte autonomi fetare.[15]

Grupi tjetër me rëndësi, mbase më i madhi, që migroi në Hungari ishte populli peçeneg, të cilët pas humbjes nga Bizanti në vitin 1120, për të shpëtuar, ikën në këtë vend.[16]

Grupi vijues në Hungari ishte ai i ismailitëve, më masivi, më kohëgjati, që krijoi histori atje, e që në faqet vijuese do të jetë objekt trajtimi më hollësisht.[17]

Nuk janë të parëndësishme edhe lëvizjet tjera etnike apo heretike si të kazarëve, kumanëve, babunëve, Sari Salltukut, bogumilëve të cilët, të ndjekur në vendet e deriatëhershme, kërkonin strehim nga vendi në vend, mirëpo kudo që shkonin lënin gjurmë të pikëpamjeve të tyre fetare, kulturore e civilizuese.





III.

Gjendja shpirtërore e hungarezëve

para dhe gjatë kristianizimit



Rrethanat shpirtërore, morale dhe kulturore në Hungarinë mesjetare gjatë shekujve IX – XIV ishin në shenjë të zhvillimeve politike dhe ushtarake të Hungarisë dhe vendeve përreth. Dyndja e avarëve, sllavëve, pastaj dyndja e popujve skandinavë, e popujve nga lindja dhe verilindja bëri që Evropa qendrore dhe Ballkani të pësojë ndryshime etnike, fetare dhe kulturore. Paraqitja dhe përhapja e kristianizmit në Ballkan, vendosja e disa popujve të proveniencës islame në Ballkan dhe lëvizjet e grupeve të shumta e të fuqishme heretike bërën që fetë / besimet e mëhershme dalëngadalë të zbehen, të margjinalizohen dhe më vonë të zhduken nga skena historike. Megjithatë, kryengritjet sllave në Poloni në vitin 973, kryengritja pagane në Poloni në vititn 1038, mohimi i kristianizimit në Hungari në vitin 1040 e shumë të tjera në shumë vende shpesh shndërroheshin në kryengritje shoqërore, kurse masat e popullit ktheheshin në paganizëm,[18] që tregon se kristianizimi i Evropës ende ishte proces i hapur, që do të mbyllet vetëm në fund të shekullit XIII.

Viteve të fundit të shekullit X dhe atij të XI, kristianizimi në Hungari mori hov. Kjo gjendje favorizohej edhe nga shtetet fqinje ku kristianizimi ishte në rritje e sipër, siç e quan J. Le Goff, “nga lart dhe me zor.”[19]

Masovizimi dhe intensifikimi kristian në Hungari bëhej në frymën e një tolerance ndërkristiane, që e dëfton edhe simboli i shtetit, kurora hungareze, e cila përbëhet prej dy pjesëve: pjesa e epërme është dhuratë e carit bizantin, kurse pjesa e poshtme është dhuratë e papës romak.[20] Këtë e dëshmon edhe fakti se në këtë vend krahas katolicizmit, pranohej edhe ortodoksizmi.[21] Mbreti hungarez në fazën e parë të kristianizimit të vendit dhe të popullatës multietnike dhe multifetare, ftoi klerikët gjermanë dhe françezë të propagandojnë kristianizmin, por u ka lejuar edhe fiseve lindore që të vendosen në Hungari, duke iu dhënë autonomi të pjesërishme.[22]





IV.

Islami dhe muslimanët në Hungarinë mesjetare parakristiane

dhe kristiane



A. Rrugët dhe koha e migrimit të muslimanëve në Hungarinë

mesjetare



Para shkencëtarëve dhe historianëve të religjionit dhe të kulturës ende është enigmatike se kur dhe si arriti Islami dhe muslimanët në Hungarinë mesjetare. Pasi që nuk posedojmë me të dhëna ekzakte të dorës së parë mbi këtë çështje, që e pranon edhe Berthold W. në Enciklopedinë islame, [23] në vazhdim do të përpiqemi që këtë çështje ta analizojmë dhe shtrojmë nga literatura ekzistuese të cilën e posedojmë.

Duke hulumtuar praninë e Islamit dhe muslimanëve në trojet iliro-shqiptare, në Ballkan dhe në Evropën lindore, duke i analizuar lëvizjet e popujve e fiseve, duke i krahasuar emërtimet e vendeve, fiseve e të tjera, konsideroj se Islami dhe muslimanët në Hungari (dhe Vojvodinë) ishin të pranishëm para kristianizimit të Hungarisë[24] nga Ishtvani në fund të shekullit X, për të vazhduar ekzistencën e tyre për disa shekuj, përkundër dhunës sistematike dhe mekanizmave të ndryshëm për asimilimin, largimin nga Hungaria apo edhe zhdukjen e muslimanëve.

Prej shekullit IX, kur mendojmë se i kemi muslimanët e parë në Hungari, deri në shekullin XIV, muslimanët i hasim me emërtime të ndryshme: ismailitë[25], bashgirdë[26], saracenë[27], buzurmanë[28] e të tjerë, të cilët do t’i sqarojmë gjatë ekspozeut.

Ndër muslimanët e parë, nëse jo të parët, në Hungari kemi fisin me emrin Kalis apo Kabar. Ky fis, bashkë me shtatë fise të hordhive pushtuese hungareze, erdhën në Hungarinë e sotme.[29]

Disa autorë Kalisët i identifikojnë me ismailitët.[30] Sipas udhëpërshkruesit nga fillimi i shekullit X, Muhammed el-Istarhi el-Farisij, ceket se “Kalisët apo Ismailitët kryesisht ishin ushtarë dhe tregtarë dhe se udhëtojnë shumë.” Ndonëse nuk ekzistojnë të dhëna ekzakte si dhe kur erdhën në Hungari, është fakt se ky fis u paraqit në fillim të shekullit IX.[31]

Burimet tjera pohojnë se ismailitët në Hungari, të cilët kanë prejardhje turke, rrjedhin nga mercenarët (ushtarët me pagesë) turqë, të cilët janë angazhuar, qysh në fillim të shekullit IX, nga halifët bagdadian Abasitë, për mbrojtjen e kufijve verior të shtetit. Këta mercenarë masovikisht janë vendosur në kufirin bizantin. Nga këtu ata kaluan edhe në shërbim të Bizantit, të cilët angazhoheshin për mbrojtjen e kufirit danubian.[32]

Më pastaj, sipas Kartës së mbretit Kolomani nga viti 1111 “populli Kalis” përmendet si “tubues të tatimit për trezorin mbretëror.”[33]

Historiani bizantinas Joanes Kinnamos, në librin e vet “Epiteme”, duke e përshkruar luftën bizantino-hungareze nga viti 1165 shkruan: “U largua mbreti nga Zemuni, muratoi një fortifikatë të re dhe në te vendosi hungarezët nga Sremi. Këta të zhvendosur i quajnë kaliz dhe ata nuk rrëfejnë po atë fe të hungarezëve, por janë ithtarë të fesë persiane,”[34] që d.m.th. se janë pjesëtarë të fesë islame.

J. Kaliq, në mbështetje të analizave komparative të Ebu Hamidit, Kinamos dhe Hanijatit konfirmon se një numër i madh i robërve janë banorë të vendbanimeve nga Sremi.[35]

Mbështesim mendimin e M. Hanxhiqit se ismailitët nga vendlindja e tyre në Uralin e poshtëm në Hungari erdhën kryesisht në Hungari, nga veriu, ngjashëm siç migruan muslimanët në Poloni, Finlandë e vende të tjera.[36]

Grupi tjetër me rëndësi që migroi në Hungarinë mesjetare dhe aty qëndruan për disa shekuj, janë bullgarët vollgian apo povollian, por edhe bullgarët nga Bullgaria e sotme. Mendojmë se muslimanët nga Bullgaria e sotme kanë migruar në Hungarinë mesjetare gjatë shekullit IX, ashtu siç e përshkruan këçtë ngjarje edhe Jakut el-Hamewiu (vdiq 626 h. / 1228), duke thënë se në Hungari patën migruar shtatë shejhë (dijetarë) muslimanë nga Bullgaria,[37] për t’i mësuar banorët e Hungarisë në fenë islame.

Përafërsisht një shekull më vonë në Hungarinë mesjetare migruan edhe Bullgarët tjerë, vollgian, që shpesh ngatërrohen me bullgarët nga Bullgaria e sotme, duke kështu krijohet konfuzion ndër shkencëtarë.

Bullgarët vollgian, apo povollian migruan në Hungari ndërmjet vitit 960 dhe 972. Këtu i sollën liderët e tyre Bila dhe Butesu. Sipas Ahmed ibn Fadlanit, i cili e vizitoi Bullagrinë vollgiane më 921 – 922, vendbanimi i tyre i parë rreth Vollgës të gjithë ishin muslimanë.[38] Këta muslimanë migruan në Hungari pasi që në vitin 960 shpërtheu luftë ndërmjet gjashtë fiseve vendore.[39]

Grupi i tretë muslimanë me rëndësi që migroi në Hungarinë mesjetare është populli peçeneg (në burime të ndryshme i cekur edhe me emra tjerë si Beslenjevë etj.), i cili erdhi nga rrethi i Kievit të tanishëm. Gjeografi arab Ebu Ubejd el-Bekri në veprën e vet “Libri i rrugëve dhe vendeve” shkruan se ndërmjet viteve 988 dhe 997 peçenegëve ua mësuan Islamin predikuesit horezmianë (ismailitë).[40]

Të dhënat historike tregojnë se peçenegët dhe hungarezët, qoftë si palë ndërluftuese, qoftë në aleancë ndërmjet veti, qoftë edhe gjatë këmbimeve tregtare e kulturore, kanë bashkëjetuar që nga shekulli IX, X e XI.[41]

Në vitin 1036 peçenegët humbën rëndë nga Jarosllavi i Urtë, mbreti kijevas, me ç’rast u ndanë në dy grupe kryesore. Një pjesë menjëherë migroi në Hungari, sigurisht nga fakti se aty tashmë kishte muslimanë, kurse 13 fise tjera formuan shtetin e tyre në hapësirën e Bullgarisë së sotme.[42] Ky shtet nuk i shkoi për shtati Bizantit, kështu që pas luftërave të shumta, e veçan pas asaj të vitit 1120, peçenegët pasi humbën luftën thuajse të gjitha fiset migruan në Hungari. Përkah numri mendohet se ky ishte grupi më i madh muslimanë që migroi në Hungari, e këtë e argumenton edhe numri i madh i emërtimeve gjeografike, rreth 150 sosh, që sillen në lidhje me peçenegët.[43] Se peçenegët paraqisnin faktor politik e kulturor edhe brenda Hungarisë tregon edhe fakti se me peçenegët në Hungari komunikonte zyrtarisht edhe Bizanti.[44]

Në vitin 1196 në Osjek të Kroacisë, atëherë në përbërje të Hungarisë i hasim ismailitët dhe peçenegët me emrin “Hysmaelite vel Bysenii” si obligues të pagesës së doganës në dobi të manastirit Çikadora.[45]

Grupacioni i katërt muslimanë që migroi në Hungarinë mesjetare ishin Turqit vardariot edhe Arabët magrebian.

Turqit vardariot, sipas të dhënave historike, u shpërngulën nga Anadolli në luginën e Vardarit në vitin 829 – 841 nga ana e carit bizantin Teofilit. F. Raçki për ta pohon se fillimisht ishin muslimanë. Mirëpo, gjatë historisë ky popull kaloi nëpër vështirësi të shumta. P. sh. cari bizantin Timickes, në vitin 970 pushtoi disa fushëgropa në luginën e Vardarit. Një kohë të gjatë turqit bashkëpunonin dhe bashkëjetonin me mbretërinë bizantine. Mirëpo, gjatë kohës gjendja u keqësua. Bizanti dëshironte t’i kryqojë të gjithë muslimanët. Pas luftës që shpërhteu ndërmjet Bizantit dhe Hungarisë në vitin 1150, Turqit vardariot të fesë muslimane migruan në Hungari, e cila krahasuar me shtetet përreth ofronte një autonomi më të madhe fetare, një tolerancë më të pranueshme.[46] Këtë migrim e thekson edhe M. Hanxhiq, ndonëse nuk kishte argumente historike të mjaftueshme në kohën e tij.[47]

Sa u përket Arabëve magrebian, mendohet se ata ishin ushtarë të paguar në Bizant, të tubuar në territorin e Tunizisë, Algjerisë dhe Marokos. Të gjithë këta thirreshin me një emër: ‘Magrebij’ apo ‘Magribij’. Mendohet se dhuna e ushtruar ndaj tyre për ta përqafuar kristianizmin nga ana e Bizantin bëri që, sikur edhe Turqit vardariot, të migrojnë në Hungari.[48]





B. Pozita e Islamit dhe muslimanëve në Hungarinë mesjetare



Islami dhe muslimanët në Hungarinë mesjetare gjatë shekullit IX e deri në shekullin XIV kanë kaluar nëpër faza të ndryshme të lirive të jetës, besimit, punës, lëvizjes etj., nga ato faza që mund të cilësohen të tolerueshme derei te ato kur luftohej për të mbijetuar. Në mungesë të studimeve komplete e sistematike, ku do të mund të mësonim për këtë periudhë në mënyrë të hollësishme, do të përpiqemi të ofrojmë një mozaikë të dhënash, nga do të mund të nxjerrim përfundime të shëndosha.

Sipas të gjitha gjasave, muslimanët fillimisht u vendosen në veri të Danubit, që d.m.th. në Panoninë e sotme, përkatësisht si e cek këtë Jakut el-Hamewiu. Ne jemi në mes të vendeve kristiane: në veri janë vendet e sllavëve, në jug vdendet e papës, në perëndim kemi Andaluzinë kurse në lindje vendet e Bizantit, Konstantinopolit dhe krahinat e tij….[49] Këtë pjesë të Ballkanit e pushtoi mbreti hungarez Lladisllavi në vitin 1091, duke e futur edhe Sremin dhe Maçvën në gjirin e mbretërisë së tij.[50] Sipas të dhënave historike në shekullin X, por edhe më vonë, hungarezët për shumë punë nga tregtia, zejet dhe bujqësia përdornin fuqinë punëtore nga banuesit e lirë të ardhur nga lindja, të cilët kishin status të veçantë, të njohur e të mbrojtur me ligj, si musafir (hospites), siç janë peçenegët, kazarët, bullgarët vollgian, kumanët, horezmianët (kalisët, hvalisët), saracenët etj.[51] Mbretërit hungarezë i përdornin muslimanët edhe si mercenarë (ushtarë me pagesë) sepse njiheshin si luftëtarë të shkëlqyeshëm.[52] Këtë e argumenton edhe udhëpërshkruesi musliman Ebu Hamid El-Endelus El-Garnati, i cili nga viti 1150 – 1153 qëndroi në Hungari, i cili shkroi se në ushtrinë e mbretit hungarez që lufton kundër mbretërisë bizantine ka edhe ushtarë muslimanë.[53]

Për shkak të natyrës së shkrimit, por edhe në mungesë të të dhënave për të gjitha periudhat, nuk do të ndjekim problemin kronologjikisht. Ndaj, dua të theksoj se muslimanët në Hungari përmenden si rojtar të fortifikatës peshtiane, kurse në shekullin XIII qenë të shpërndarë nëpër tërë Hungarinë, e sidomos si tregtarë.[54] Në periudhën e ‘Bullës së artë’[55] muslimanët i gjejmë si doganierë mbretëror.[56] Farkues dhe këmbyes parashë dhe nëpunës tjerë shtetëror.

Muslimanët në Hungari ishin të njohur me atë se kanë drejtuar jo vetëm këmbimoret e parave, por kanë drejtuar edhe me uzinat për farkueset e parave. Disa monedha hungareze nga shekulli XII kishin mbishkrim në arabishte.[57] Në shekullin XIII, në monedhat e argjendëta të mbretërve hungarezë vërejmë shenjat lindore: gjysmëhënën dhe shkrimin ‘ilahi’ me shkrim kufik, kurse në monedhën prej bakri hasim madje edhe ajetin e parë të sures El-Fatihatu “Bismi’l-lahi’rr-rrahmani’rr-rrahim”.[58] Disa autorë mendojnë se këto gjurmë ishin rezultat i ndikimit të muslimanëve magribian dhe atij spanjoll. Figura e zezakut në monedhat hungareze sipas disa të dhënave asocon në muslimanët magribian, për të cilët kemi folur më herët, e të cilët supozohet se rrjedhin nga Arabët dhe Berberët nga Afrika veriore.[59] Sipas të dhënave tjera, figura e zezakut në monedhat hungareze[60] është rezultat i Jacobus Saracenusit, i cili në vitin 1371, kishte marrë me qira farkueset e parave në Hungari, mbase që të tregojë në prejardhjen e tij saraceniane (muslimane).[61]

Megjithatë mekanizmat shtrëngues të mbretërve hungarezë, muslimanët edhe më tej i gjejmë në pozita të larta të administratës shtetërore etj.[62] madje shumë mekanizma finansiarë të shtetit i gjejmë në duar të muslimanëve.

Mirëpo, rritja e numrit të muslimanëve në Hungari si nga veriu, lindja, jugu dhe perëndimi, individualisht, në grupacione e grupe, por edhe në fise e popuj të tërë, arsimimi i tyre i lartë, shkathtësia në artin ushtarak, por edhe në atë zejtar, bujqësor e administrativ e të tjera nuk i konvenoi Evropës kristiane qysh në fillim. Ata me të gjitha forcat u përpoqën t’i konvertojnë muslimanët në kristianizëm ose ata që refuzojnë konvertimin t’i largojnë nga shteti tashmë i krijuar hungarez. Duke e parë se shumë hungarezë e përqafuan kristianizmin, por muslimanët mbetën të pathyeshëm në Islam, pushtetet e atëhershme sollën shumë ligje në dëm të muslimanëve.[63] Deri më tash janë zbuluar 32 burime të shkruara historike nga viti 972 deri në vitin 1291, ku ndalohet besimi islam brenda vendit,[64] dhe shumë ligje të tjera duke kufizuar liritë e muslimanëve në Hungari. Në vazhdim të këtij shkrimi do t’i përmendim disa raste drastike, që i hasim nëpër burime dytësore, por që konfirmojnë njëri tjetrin, kështu që fitojnë në peshë si argumente shkencore.

Mbreti Lladisllavi në vitin 1077 urdhëroi që ismailitët (muslimanë) duhet të kryqohen. Urdhëresa u aplikua, por shumica dërmuese e muslimanëve në shpirt mbetën muslimanë.[65]

Në Kodin e vitit 1092 Lladisllavi kumtoi urdhëresën tjetër (edhe më të ashpërsuar nga ajo e vitit 1077) ku ndër të tjera shkruan: “Nëse ismailitët të quajtur tregtarë, pas kryqimit i kthehen fesë së tyre të parë dhe i cirkumizojnë (synetojnë) fëmijët e tyre, duhet të largohen nga vendbanimet e tyre dhe të vendosen në vende të tjera. Kush prej tyre gjatë hetuesisë e dëshmon pafajësinë e vet, mund të mbesë në vendbanimin e vet.”[66]

Po këtë kohë, pas Lladisllavit, mbreti Llasllo në vitin 1092 muslimanëve të kryquar me dhunë dhe masa ligjore ua ndalon çfarëdo formë kthimi religjionit të parë.[67] Kurse rreth vitit 1095 mbreti Kollomani, në ligjin e tij shkon edhe më tej se Lladisllavi, duke shkruar:



Neni 46: “Nëse dikush vëren se ndonjë ismailitë sipas traditës pagane (mendohet në Islamin, N. I.) agjëron apo ushqehet, ngurron nga mishi i derrit apo merrë abdest, ose aplikon ndonjë ritual tjetër të fesë së vet – këtë le t’ia komunikojë mbretit, kurse paraqitësi do të shpërblehet me një pjesë të pasurisë së atij ismailiti.”

Neni 47: “Cdo fshat ismailitë duhet të ndërtojë kishë dhe ta furnizojë ate denjësisht. Pasi të ndërtohet kisha, gjysma e ismailitëve të atij fshati le të shpërngulet dhe le të vendoset me ne si në një shtëpi njerëz të një morali dhe të gjithë së bashku le të marrin pjesë në Shërbesën hyjnore në Kishën e Krishtit.”

Neni 48: “Asnjë ismailitë nuk bënë ta martojë vajzën e vet për ndonjë nga bashkëkombasit e tij, por le ta martojë për meshkujt tanë.”

Neni 49: “Nëse ismailitit i vjen dikush në vizitë, apo ai e fton dikë në ushqim, ai dhe musafiri duhet ta hanë mishin e derrit.”[68]



Sipas burimit tjetër kjo ndodhi në vitin 1102.[69]

Përkundër këtyre ligjeve drakonike e tiranike, para të cilëve njeriu normal do të rrënqethej e llahtarisej, muslimanët mbijetuan, ndonëse jo me fuqinë dhe mënyrën si ishin më herët. Në vitin 1162 mbreti hungarez Gejza IV e dërgoi ushtrinë e vet në ndihmë perandorit gjerman Fridrih Barbarosit, kurse në këtë ushtri kishte 500 ismailitë.[70] Sipas të dhënave ndërmjet viteve 1235 dhe 1270 ismailitët i gjejmë si këmbyes parashë të cilët i huazojnë mbretit hungarez para.[71] Kurse në vitin 1260 muslimanët i gjejmë si ushtarë të mbretit.[72] Në këtë kohë, përkundër kushteve të rënda, muslimanët në Hungari konvertuan hungarezë në Islam. Mënyra ishte kjo: hungarezi që i kishte borxh muslimanit, e nuk kishte mundësi ta kthejë borxhin, nëse e përqafonte islamin i falej borxhi.[73]

Për shkak të rritjes së ndikimit të muslimanëve dhe jokatolikëve përgjithësisht në Hungari, mbretërit hungarezë, kisha katolike vendore dhe papati në Vatikan ndërmorrën masa edhe më të rrepta kundër muslimanëve dhe hebraikëve.[74]

‘Bula e artë’, neni 24 i saj, nga viti 1222 ka ndaluar punësimin e muslimanëve në shërbimet shtetërore, pastaj ka kërkuar që të pengohet çdo ndikim i saracenëve,[75] por edhe këto masa nuk e dhanë rezultatin e kërkuar dhe nuk patën jehonë më vendimtare.

I frikësuar dhe i shqetësuar me gjendjen dhe fatin e katolicizmit në Hungari, “papa Gregori IX (1227 –1241) duke i shkruar më 03. 03. 1231 peshkopit të Strigonës në Hungari, shprehu keqardhje që kristianët, për t’u liruar nga shfrytëzimi dhe ngarkesat e ndryshme që ua obligojnë saracenët, kalojnë tek ata dhe i pranojnë ritet e tyre dhe me ta martohen. Kurse saracenët, në mënyrë që më lehtë të vijnë deri te vashat kristiane, bëhen se gjoja janë kristianë, që menjëherë pas kurorëzimit i detyrojnë femrat në qëndrim renegat ndaj besimit kristian”[76].

I pakënaqur me këtë gjendje në Hungari, papa i Vatikanit, Gregori IX[77], më 25. 02, 1232 bëri anatemën kishtare mbi Hungarinë për shkak se muslimanët në te, sipas tij, kishin status jashtëzakonisht të favorshëm.[78] Katër ditë më vonë, më 29. 02. 1232, kryepeshkopi hungarez, i shtrënguar nga papa Gregori IX, proklamoi Interdiktumin.[79]

I gjetur para një gjendjeje të këtillë, para anatemës kishtare nga papa dhe kisha katolike vendore, mbreti Andrija, në vitin 1233 u obligua para kardinalit Jakovit dhe aristokracisë vendore dhe para të deleguarit të papës, se saracenët do t’i largojë nga postet shtetëtore dhe se do t’i mbikëqyr rigorozisht,[80] dhe detyrimisht do të bartin shenjën e fesë së vet në rroba për identifikim.[81]

Nga një burim i vitit 1242 shihet se muslimanët i mbijetuan edhe masat më të reja të Andreut II në Hungari, por ata tashmë janë më të dobët, në grupacione më të vogla me emrin saracen, e disa edhe duke u shpërngulur nëpër vende të ndryshme. Disa u shpërngulën në drejtim të Bosnjës dhe si dëshmi të saj kemi vendin e quajtur Kalesija, ndërmjet Tuzllës dhe Zvornikut, nga Kalisët, për të cilët thuhet se qysh në fillim të shekullit XII janë kryquar, por në jetën publike ishin kristianë, kurse në jetën private ishin muslimanë,[82] e disa në drejtim të trojeve shqiptare, atëherë të okupuara nga Serbia, për t’u vendosur në luginën e Moravës dhe Vardarit dhe viseve përreth, e disa prej tyre do t’i gjejmë edhe në pallatin e car Dushanit.[83]

Goditje të fuqishme u dha muslimanëve edhe invadimi tatar i Xhingiz kanit në vitin 1241, ku p. sh. pas rrethimit të qytetit Perega, hendeqet dhe kanalet e qytetit janë mbushur me trupa të muslimanëve.[84] Sipas po këtij burimi, në vitin 1266, kemi një fshat të tërë me muslimanë me emrin Temerkeny.[85] Vlen të theksohet se para sulmit tatar në vitin 1241 në Hungari janë regjistruar 210 vendbanime (qytete e fshatra), që sipas të gjitha gjasave i kanë populluar vetëm muslimanët që, ndonëse si pakicë fetare, paraqiste rëndësi të veçantë.[86]

Ndonëse muslimanët në Hungari, ku jetonin tashmë disa shekuj, u destabilizuan, disa u zhdukën nga hungarezët, disa nga tatarët, e disa, pos Bosnjës dhe trojeve iliro-shqiptare, ia mësynë edhe Moldavisë dhe Hordhisë së artë,[87] Finlandës,[88] dhe vendeve tjera të lindjes, kurse një pjesë përfundimisht janë asimiluar, megjithë lëvizjet e mëdha që solli uishtria e Xhingiz kanit sërish në Hungari solli grupe më të vogla muslimanësh. Kështu, pas vitit 1238, bullgarët povollian që patën mbetur në vendlindjen e tyre të parë, erdhën në disa pjesë të Hungarisë.[89] Ky grup u forcua shpejtë, sepse ndër të tjera, punuan shumë në arsimimin e tyre, duke shkuar disa muslimanë hungarezë në shkollim në vendet arabe.[90]

Ndonëse në disa burime pohohet se shënimi i fundit i shkruar për muslimanët në Hungari haset deri në vitin 1291,[91] Th. W. Arnoldi cek se në Hungari kishte muslimanë, kuptohet në përmasa më të vogla, deri në vitin 1340, kur mbreti hungarez Karlo Roberti i detyroi muslimanët e mbetur që ta pranojnë kristianizmin ose të shpërngulen nga shteti i tij.[92]

Fati i mëtejshëm i muslimanëve nuk është i njohur, pos edhe të dhënës se gjatë sundimit të Ludvigut të Madh (Llajoshit të Madh) (sundoi 1342 – 1382) përmenden edhe disa familje muslimane,[93] për t’u ruajtur kujtimi për të gjithë këta muslimanë në antroponime, patronime, toponime etj. Islamin në Hungari do ta kemi sërish me ardhjen e osmanlinjve në këto troje.





Përfundimi



Islami dhe muslimanët në Hungarinë mesjetare nga shekulli IX deri XIV kaluan nëpër faza të ndryshme të bashkëjetesës me hungarezët, të ardhur nga lindja e të vendosur në Evropën qendrore kah fundi i shekullit IX. Faktorët që ndikuan në cilësinë e bashkëjetesës ndërmjet shumicës fillimisht pagane e mëpastaj kristiane hungareze dhe pakicës muslimane (ismailitët, bashgirdët, turqit vardariot, bullgarët, peçenegët, magrebianët etj.) ishin si të natyrës materiale (supremacioni politik, ushtarak, ekonomik etj.) ashtu edhe të natyrës shpirtërore (paragjykimet fetare kristiane kundrejt muslimanëve dhe insistimi i vazhdueshëm i Vatikanit të mbretërit hungarez që muslimanët të kryqohen, të largohen ose të zhduken nga Evropa.

Përkundër vështirësive të shumta nëpër të cilat kaluan muslimanët muslimanët në Hungarinë mesjetare, ata mbijetuan deri vonë, për t’u zhdukur thuajse tërësisht kah mesi i shekullit XIV.

Në këtë përfundim vlen të tërhiqet vëmendja se kjo temë sikur edhe shumë të tjera të ngjashme janë të injoruara nga shkencëtarët eminentë shqiptarë dhe institucionet kompetente shqiptare. Po ashtu, as njohësit e gjuhëve orientale nuk bërën asgjë në ndriçimin e veprave të udhëpërshkruesve apo gjeografëve muslimanë nga Mesjeta, për të dhënë dritë të re dhe për të shkruar histori më objektive. Angazhimin tonë intenziv për një kohë të gjatë për hulumtimin e pro et contra argumenteve, valorizimin, interpretimin e tyre dhe shkruarjen e një studimi të karakterit kulturo-historiko-shkencor, me gjithë mangësitë që ka, e shohim si pikënisje për një punë edhe më studioze në perspektivë.















Summary



Islam and Muslims in Mediaeval Hungary (IX-XIV century)



Islam and Moslems in mediaeval Hungary went through various phases of coexistence with Hungarians from the IX until the XIV century. The Hungarians had come from the east and settled in Central Europe towards the end of the IX century. The factors which influenced the quality of the coexistence of the Hungarian majority, who were originally pagan and later Christian, and the Moslem minority (Ishmaelite, Bashkire, Vardarian Turks, Bulgarians, Pechenegs, Magrebians etc.) were of a material nature (political, military and economic supremacy etc.) and also of a spiritual nature (prejudice of the Christian religions against the Moslems) and the continual insistence of the Vatican to the Hungarian Kings that the Muslims should Christianized (convert to Catholicism), leave Europe or be exterminated.

In spite of the many difficulties which they had to overcome, the Moslems in mediaevel Hungary survived until a fairly late date and disappeared almost completely only about the middle of the XIV century.





















Shtojca I:


Jakut El-Hamewiu





B a s h k i r ë t[94]



“Bashgird (disa e shqiptojnë Bashxhird, e disa Bashkird) është vendi ndërmjet Konstantinisë (Stambollit) dhe Bullgarisë. Muktedir Bil-lahi e pati dërguar Ahmed ibn Fadlan ibn Abbas ibn Rashid ibn Hammadin, klientin (mevla) e Emiru’l-mu’minin, pastaj klientin e Muhammed ibn Sulejmanit, mbretit të Sllavëve, i cili e pati pranuar islamin bashkë me banorët e vendit të vet, që t’ua përcjellë pelerinat dhe t’ua mësojë dispozitat islame. Ibn Fadlani ka rrëfyer çdo gjë që ka parë prej kur ka dalë nga Bagdadi, deri sa nuk u kthye, kurse nisja e tij ishte në muajin safer të vitit 309 (921). Te theksimi i Bashgirdëve Ibn Fadlani thotë: “Dhe erdhëm në vendin e një populli turk që quhet Bashgird, nga të cilët jemi frikësuar dhe ruajtur, sepse ata ishin më të tmerrshmit ndër turqit, më të fuqishmit dhe më insistuesit për vrasje. Një prej tyre e takoi një njeri, ia theu kokën dhe të cilën e mori, kurse atë e la. Ata i rruajnë mjekrat dhe i hanë veshët. Disa nga ata i hulumtojnë rrobat e tyre dhe me dhëmbë i ndrydhin ata. Me ne ishte një njeri i tyre, që kishte pranuar islamin. E kam parë një ditë se ky kur e gjeti morrin, e mbyti me thua, e pastaj e fërkoi thoin dhe kur më vërejti mua tha: Mirë!

Secili prej tyre ka prerë një dru për vete në madhësi të kurorës, të cilin e varë për vete, dhe kur dëshiron të udhëtojë ose kundër armikut të luftojë e puthë, i përkulet duke folur. “O Zot ma jep këtë dhe këtë”. I thashë përkthyesit që ta pyes njërin prej tyre se cila është mbështetja e tyre dhe argumenti i tyre për këtë veprim dhe përse e konsideron për Zot të vetin? U përgjigj se ai është krijuar nga i ngjashmi dhe se nuk njeh për vete krijues tjetër. Ndërmjet tyre ka disa që besojnë se ka 12 (kurse i numëroi 14) zotëra: Zoti i dimrit, Zoti i verës, Zoti i shiut, Zoti i erës, Zoti i drurit, Zoti i njerëzve, Zoti i shtazëve, Zoti i ujit, Zoti i natës, Zoti i ditës, Zoti i vdekjes, Zoti i jetës, Zoti i tokës dhe Zoti i qiellit, i cili ndër ta është më i madhi. Ai takohet me këta në harmoni dhe çdonjëri prej tyre kënaqet me atë që bën shoku i tij (Zoti ynë është i lartësuar nga ato që flasin mëkatarët dhe ata që nuk besojnë!) E kemi parë një grup në mesin e tyre, që i adhurojnë gjarpërinjt, disa që i adhurojnë peshqit dhe grupin që adhurojnë kurrilët. Më kanë rrëfyer, se njëherë luftuan me disa njerëz, të cilët ishin armiqë të tyre. Armiqët fituan, kurse pas tyre kurrilët lëshuan zë, dhe armiqët humbën pasi njëherë patën fituar. Për këtë arsye filluan t’i adhurojnë kurrilët duke thënë: “Ata janë zotërat tanë, sepse ata i fituan armiqët tanë.” Këtë e shënoi Ibn Fadlani për ta, e sa më përket mua, unë kam gjetur në qytetin Halep (Aleppo) grup të madh të cilët i quajnë Bashgirdë. Janë tërësisht bardhoshë në flokë dhe fytyrë. Mësojnë fikhun sipas shkollës (medhhebit) së Ebu Hanifes, Zoti qoftë i kënaqur me të. E pyeta një njeri ndër ta, të cilin e konsideroja të mençur, për vendin dhe gjendjen e tyre. Ai më ka thënë: “Vendet tona janë pas Konstantinisë (Stambollit) në shtetin e një populli franak (Arabët thuajse të gjithë evropianët i quajnë Frank.), të cilët quhen Hungarezë. Ne jemi muslimanë dhe shtetas të mbretit të tyre në skaj të vendeve të tyre. Jemi rreth tridhjetë fshatra, prej të cilave secili fshat është sikur qytezë. Vetëm mbreti u Hungarezëve nuk na lejon të ndërtojmë murë rreth asnjë fshati duke u frikësuar që mos të ngritemi kundër tij. Ne jemi në mes të vendeve kristiane: në veri të vendit tonë janë vendet sllavene, në jug vendet e papës, (mendon Romës), kurse papa është kryepari i Frankëve dhe ai tek ata është zëvendës i Mesihut, ngjashëm siç është te muslimanët sunduesi i besimdrejtëve. Urdhërat e tij në aspekt të fesë janë të plotëfuqishme te të gjithë ata. (Shtojcë e Jakutit). Në perëndim tonin është Andaluzia, kurse në veri vendet bizantine, Konstantinia dhe krahinat e saj. Gjuha jonë është gjuha e frankëve, veshmbathja jonë është veshmbathja e tyre. Ne shërbejmë bashkë me ta edhe në ushtri dhe luftojmë tok me ta kundër çdo grupi, sepse ata nuk luftojnë pos me kundërshtarët e islamit.’ E pyeta për arsyen e kalimit të tyre në islam kur gjenden në mes të vendeve kristiane, kurse ai më tha: Kam dëgjuar një grup të stërgjyshërve tanë që rrëfejnë, se para shumë kohësh këtu në vendin tonë kanë ardhur shtatë muslimanë nga vendi i Bullgarëve dhe u vendosen në mesin tonë. Në mënyrë të mirë na njoftuan me lajthitjet tona në të cilat ishim dhe na drejtuan në rrugë të drejtë në fenë islame. Zoti, qoftë i falënderuar, na udhëzoi, dhe të gjithë kaluam në islam dhe Zoti zemrat tona i hapi para besimit. Ne vimë në këto vende dhe mësojmë, e kur të kthehemi në vendet tona banorët e atjeshëm na nderojnë dhe na dorëzojnë në besim neve gjërat e tyre të fesë.’ E kam pyetur, përse i rruajnë mjekrat sikur Frankët, kurse ai më tha: ‘Ndër ne i rruajnë vetëm ushtarakët dhe ata bartin rroba ushtarake sikur Frankët, kurse të tjerët nuk veprojnë kështu.’ I thashë: ‘Sa është largësia ndërmjet nesh dhe vendeve të tyre?’ Ai më tha: ‘Prej këtu deri në Konstantini është rreth një muaj e gjysmë, kurse nga Konstantinia deri në vendet tona po edhe aq.’ Sa i përket El-Istarhiut, ai këtë e cek në librin e vet, se prej Bashgjirdit deri te Bullgarët ka njëzet e pesë konaqe, kurse prej Bashgjirdit deri në Peçeneg (në tekstin arab ‘El-Bexhenak’), kurse edhe këta janë lloj turqish, ka dhjetë ditë.”











































Shtojca II



Ebu Hamid El-Garnati El-Endelusi[95]



Vendi i Sllavëve (Sakalibëve)[96]

Hyra në vendin e Sllavenëve nga Bollgaria. Erdha me anije tatëpjetë ujit nëpërmjet lumit të madh, të cilin e quajnë Lumë Sllaven, uji i të cilës është i zi siç është Oqeani Atlantik (Bahru’dh-dhalam), sikur të ishte ngjyrë shkrimi. Përkundër kësaj uji i tij është i ëmbël dhe me aromë të mirë. Në të nuk ka shumë peshqë, por kam parë gjarpëra shumë të mëdhenj, të cilat nuk janë të rrezikshme. Në ujë në bred kam parë shtazë shtazë me bishta të gjatë dhe të trashë, me qime të forta e të zeza, lëkura e të cilëve shitet mirë në Bollgari. Vendi sllaven është vend i gjerë dhe i pasur, në tregje ka mjaft mjaltë, thekër dhe elbë, por edhe molla të mëdha, shijën e të cilave ende nuk e kam shijuar.

Si mjet të këmbimit reciprok përdorin lëkurën prej shqarri, e cila nuk ka qime, e as që mund të përdoret për destinime tjera. Për këmbimin e lëkurës prej shqarri, ato duhet të kishin këmbë dhe kokë. Dhe 18 kësi lëkurash vlejnë sa dirhem i argjendtë, sipas llogarisë së tyre. Lëkurën e këtillë para se ta përdornin si mjet pagese, e shpalojnë dhe e quajnë në gjuhën e tyre ‘xhukna’. Për një lëkurë të këtillë mund ta bleni tërë bukën, e mjaftueshme për t’u ngopur mashkulli i fuqishëm. Për këto lëkura mund të bleni çdo gjë, prej shërbëtorëve dhe sherbetoreve, ari dhe argjendë, vaj për ndriçim dhe çdo mall tjetër. Në vendet tjera këto lëkura nuk vlenin asgjë dhe as për njëmijë sosh nuk mund të bleni një dashë, sepse për asgjë nuk shërbenin. Kur këto lëkurë vjetërohen dhe shqyhen i çojnë për riparim te mjeshtrit, të cilët i qepin me njëra tjetrën me pe të fortë dhe të 18-të lëkurat i bashkojnë në një. Në skaje qepin thekë me gjyle plumbi dhe vënë mbi to vulën me figurën e mbretit dhe këtë në çdo lëkurë nga një vulë, dhe si të tilla sërish shërbejnë si mjet pagues. Sakalibët (Sllavët) janë popull mjaft i moralshëm. Kush e atakon gruan e tjetrit apo fëmijën apo shtazën, apo në ndonjë mënyrë i shkakton dëm tjetrit, prej atakuesit kërkohet kompenzimi material. Nëse nuk ka para për kompenzim, është i obliguar t’i shesë fëmijët e vet ta kompenzojë atë, e nëse nuk ka grua dhe fëmijë, atëherë ai duhet t’i shërbnejë të dëmtuarit dhe këtë pa pagesë deri sa nuk bën para ta paguajë dëmin, e nëse nuk siguron para, përjetësisht i shërben atij të cilin e ka lënduar.

Vendi i tyre është mjaft i sigurt, me ligje dhe dispozita rigoroze zakonore. Kam pasur rast t’i njoftojë disa muslimanë që kanë tregtuar me Sllavët. Nëse këta të tjerët nuk kanë pasur para t’ia paguajnë mallin muslimanit, i shitnin shtëpitë, kafshët e edhe fëmijët që ta kthejnë borxhin. Sllavët janë popull shumë i guximshëm. Vendbanimet e tyre gjenden në male në afërsi të lumit të madh dhe i rruajnë mjekrat. Rrëfejnë kristianizmin romak dhe janë nestorianë. Rreth tyre gjenden popuj tjerë të cilët po ashtu ndërtojnë vendbanimet e tyre në male. Merren me gjuetinë e kastorëve në lumin e madh. Mirëpo, kanë prirje për besëtytëni dhe besime të kota. Sipas traditave të tyre çdo dhjetë vite ndër ta paraqitet shfaqja masovike e suhrës (magjisë), e cila gjoja më së shumti e goditë pjesën femrore të popullësisë së tyre, e veçanërisht kjo dukuri është e përhapur ndër femrat e vjetra. Për këtë sjellin gra të vjetra nga tërë mbretëria, me forcë i lidhin për duar e këmbë dhe i hedhin në lum. Secila që nuk mund të qëndronte mbi sipërfaqe të ujit, e lirojnë nga akuza se është falltore, e secila që qëndron mbi sipërfaqe, është falltore dhe e ndezin në zjarr. Në midisin e tyre kam qëndruar gjatë kohë me një karvan. Tatim i paguajnë mbretit bollgar. Ndër ta ka edhe paganë, e sidomos në lindje, e adhurojnë një lloj druri, para të cilit përkulen. Një kohë kam qëndruar në qytetin sllavë, emri i të cilit ishte Gorkoman, në të cilin jetojnë mijëra Megaribë (muslimanë perëndimorë). Veshen si turq, madje edhe flasin gjuhën e tyre, kurse banorët i quajnë (në dorëshkrimin e Ebu Hamidit mungojnë disa shkronja të këtij emri, duke cekur se kanë tri shkronja fillestare B, H, N, deri sa të tjerat mungojnë). Ndër këta muslimanë e gjeta një mashkull nga Bagdadi me emrin Abdu’l-kerim ibn Fejruz El-Xhevheri, i cili është martuar prej tyre. Në mesin e muslimanëve kam qëndruar një kohë dhe kam falur namazin e xhumasë si imam dhe disa i kam kurorëzuar dhe shumë prej tyre i kam mësuar në fenë islame, të cilën thuajse e patën harruar, e as namazin e xhumasë e kanë falur para meje. Para largimit tim nga ata, në mesin e tyre erdhi nga shkollimi në grup i meshkujve të tyre, që të vazhdojnë t’i mësojnë ata në fe. Unë prej këtu kam shkuar në Hungari, në qytetin Bashgard, që gjendet në veri të vendit të Sllavëve rreth 40 ditë ecje. Ky është vendi më i populluar, jetojnë në male të larta me drunj të mëdhenj, që gjatë jetës sime nuk i kam parë, kurse janë jopjellore, me nacionaitete dhe fe të ndryshme. Një ditë në shportën e drurit kam parë një shtazë të madhe se si shërbehet me këmbët e para sikur të ishin duar, sikur kjo shtazë të ishte nga xhenneti. Qimet i kanë të ngjyrës së kuqrremtë si jakut. Me mua ishin disa njerëz të njohur, e kur e rrethuam drurin ku gjendej, nuk u frikësua, vetëm na kundroi me sytë e saj, të cilat shndërritshin si dy llampa, por nuk e ktheu kokën pas nesh por vetëm me sy xhiroi drejt nesh. Qartë nuk frikësohej nga shfaqja dhe afërsia jonë.





Qëndrimi në Hungari



Nu Hungari jeton populli të cilin e quajnë Bashgard. Në këtë vend kam hyrë nga Bollgari. Janë popull i guximshëm dhe i madh. Ata vendin e tyre e quajnë Hungari, i cili ka 78 qytete, kurse çdo qytet fortifikatën e vet, muret mbrojtëse, kurse jashta qytetit fushat bujqësore dhe kopshtet dhe përreth shumë fshatra. Në këtë vend jetojnë dy lloje muslimanësh: Megaribët (parëndimorët) dhe Huvarizmijët. Edhe njëri edhe tjetri grup janë me mijëra. Huvarizmijët (Ismailitët) i shërbejnë mbretit në shërbime të ndryshme. Publikisht predikojnë kristianizmin, kurse fshehurazi islamin. Me Megaribët jam shoqëruar më shumë, sepse janë më mikëpritës. Mjaft i kam mësuar në fe dhe në alfabetin arab. Jam përpjekur shumë t’i mësojë në obligimet fetare (farzet) në namaz dhe në ibadetet tjera. Në mënyrë të thjeshtë ua kam shpjeguar obligimin e haxhit, mirazit (trashëgimisë, N.I.) dhe madje gjatë qëndrimit tim kanë filluar ta aplikojnë mënyrën islame të mirazit. Disa prej më kanë lutur që t’i mësojë me alfabetin islam, qoftë edhe të dijnë sa ta përshkruajnë. Njërit prej tyre i kam thënë se e ka më mirë ta kuptojë se çka e kam mësuar dhe këtë ta mbajë mend, se sa të mësojë alfabetin arab. Qartë, nuk më kuptoi mirë, sepse më tha: “A nuk na ke mësuar para do kohe me hadithin e Muhammedit a. s. që thotë: Dijen shënone me shkrim”. I thashë se alfabeti nuk paraqet dije, por vetëm simbole me ndihmën e të cilit e shënojmë dijen. Ti së pari duhet të mësosh dhe kuptosh e vetëm pastaj të mësosh që të gjitha këto t’i shkruash, në të kundërtën ekziston rreziku që gabimisht ta shkruash, dhe kështu gabimisht edhe të tjerët t’i mësosh. Atëherë ia citova një varg:



Dija në kokë nuk është e njëjtë sikur dija në libër.

Sepse me shkrim mund të lozësh, por jo edhe të mësosh.



E pastaj ia citova edhe tekstin tjetër:



E shkruan diç dhe e hedhë anash

Të shkruarën nuk e mëson dhe atë nuk e përdorë
E përdorë ai që e mëson

E pastaj të mësuarën edhe e shkruan.



Vetëm kur ta mësosh dhe kuptosh diç, atëherë atë mund edhe ta shkruash. Deri sa dijen ta transmetosh në libër e mos ta kuptosh, është e padobishme. Këta muslimanë nuk dinin për namazin e xhumasë, as që e falnin. U thashë: “Pejgamberi i Zotit, Muhammedi a. s. thotë: Namazi i xhumasë është haxhi i fukarenjve. Kush nuk ka mundësi ta kryej haxhin, le ta falë namazin e xhumasë, do të ketë shpërblimin sikur ta kishte kryer haxhin.” Para se të largohesha prej tyre, më shumë se një dhjetë mijë vende falej namazi i xhumasë, disa publikisht e disa në vende tjera, sepse vendi i tyre është shumë i madh.

Në mesin e tyre kam qëndruar tri vjet dhe gjatë kësaj kohe i kam vizituar të gjitha qytetet, pos katër prej tyre. Vendi i përket rrethit të madh romak dhe në lindje kufizohet me Bizantin. Ka male prej ku nxirret ari dhe argjendi, dhe sipas pasurive natyrore është vendi më i pasur. Kështu mund të blehen njëzet dele për një dinar. Mjalti është shumë i lirë dhe me një dinar mund të blehen 500 ritalë (rreth 20 kg.). Robëresha mund të blehet për dhjetë dinarë, e gjatë kohës së luftës edhe për tre dinarë. Unë e pata blerë një, prindërit e së cilës ishin gjallë, për dhjetë dinarë nga pronari i saj. Kishte 15 vjet, më e bukur se hëna me flokë dhe sy të zi. I dinte të gjitha punët shtëpiake, përgatitjen e ushqimit, qepjen dhe qëndisjen. Një vashë tjetër tetë vjeçare e kam blerë për pesë dinarë. Një ditë në treg kam blerë dy hoje të mëdha mjalti për gjysmë dinari dhe i thashë: “Këtë mjalt duhet ta shtrydhish dhe ta ndash atë nga dylli.” Dola nga shtëpia dhe mbeta jashtë një kohë. Kur u ktheva, mjalti ishte shtrydhur, kurse dylli ishte ndarë. Më duket se nuk kishte kaluar as një orë kohë, kurse Marija (ashtu quhej) e kishte kryer punën. Me rastin e largimit nga Hungaria, dëshirova ta marrë me vete, por ajo mu lutë që mos ta marrë dhe unë e lirova duke ia dorëzuar prindërve.

Mbreti hungarez jeton në qytetin Bashgard (Budim). Në kohën sa qëndrova aty ishte në konflikt të vazhdueshëm me Bizantin. Me të në luftë shkonin edhe muslimanët të cilët ai mjaft i çmonte dhe ata me gjithçka angazhoheshin në luftë kundër armikut. Edhe unë u kam rekomanduar dhe kurajuar për luftë. Me këtë rast dymbëdhjetë herë kam ngadhnjyer ushtrinë bizantine. Njëherë nga lufta këta muslimanë sollën me vete robër muslimanë turkmenë nga Konja. Kur i kam pyetur përse luftojnë në radhët e mbretit bizantin, më thanë se ai i paguan nga dyqind dinarë. “Sikur ta kishim ditur se në anën e hungarezëve luftojnë edhe muslimanët, nuk do të luftonim kundër tyre”, u përgjigjen robërit turkmenë.

U rekomandova muslimanëve Megaribë që pa pagesë t’i lirojnë dhe t’i kthejnë në Konjë. Pas kësaj erdhi në Hungari personalisht mbreti i Bizantit që të kërkojë paqë. Më kanë rrëfyer disa muslimanë që ishin të robëruar te mbreti bizantinë, se ai njëherë ia ka pyetur: “Cili ështrë shkaku që mbreti juaj aq rreptë e sulmon vendin tim?” I thanë se ai në ushtrinë e vet ka ushtarë të shkëlqyeshëm muslimanë, të cilëve u ka dhënë lirinë e fesë së tyre dhe për këtë arsye ata aq rreptë luftojnë për Hungarinë. Në këtë mbreti tha: “Por edhe tek unë ka muslimanë, por nuk dëshirojnë të luftojnë në radhët e mia.” Në këtë robërit robërit muslimanë thanë: “Nuk luftojnë sepse nuk ua lejon fenë e tyre dhe ua rrënon xhamitë.” Në këtë mbreti tha: “Prej tash nuk do t’ua ndalojë fenë, por do ta ndihmojë ndërtimin e xhamive të tyre.” Mbreti hungarezë quhet Kaza (Gejza). Mbretëria e tij është më e madhe se ajo bizantine. Ka ushtri të shumtë e të guximshme. Shteti i tij është më i madh se ai bizantin për rreth njëzet ditë ecje. Ai u përket Frankëve (kristianëve perëndimor) dhe është i martuar prej tyre, por lufton edhe kundër Frankëve dhe të gjithë radhazi frikësohen.

Kur dëgjoi se unë muslimanëve ua ndaloi alkoholin dhe e lejoj shumëmartesën, më ftoi pranë vetes dhe më tha: “Po dëgjoj se ua ndalon ushtarëve të mi alkoholin dhe se ua rekomandon shumë gra. Kjo nuk është e mençur, sepse alkoholi e forcon trupin, kurse shumëmartesa e dobëson trupin dhe të pamurit. Feja islame për këto çështje nuk ka qëndrim të atrsyeshëm.” I thashë përkthyesit që t’ia përkthejë mbretit: “Sheriati islam nuk është sikur ai kristian. Kristianët pijnë alkohol gjatë ushqimit në vend të ujit dhe nuk dehen dhe mendojnë se alkoholi i forcon. Kurse muslimani kur pinë alko

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme