İhsanoğlu: Në Perëndim shtohet dhuna ndaj myslimanëve (Intervistë)

Që nga viti 2005 kur u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm (i nëntë me radhë) i Organizatës së Konferencës Islamike (Organisation of the Islamic Conference), të themeluar në vitin 1969, e cila tubon në gjirin e saj 57 shtete, historiani turk, autor i një numri të madh librash dhe studimesh prof. dr. Ekmeleddin İhsanoğlu i ka rënë kryq e tërthorë botës duke shpjeguar rëndësinë e ngritjes së urave në mes të botës islame dhe asaj perëndimore.

Nga Oxfordi në Harvard, nga Sarajeva në Shangai e New York, İhsanoğlu fton në tolerancë, por që para do kohe ashpër kritikon rritjen e islamofobisë. Duke folur mbi rritjen e fenomenit anti-Islam në Evropë, İhsanoğlu thekson se nuk duhet harruar se përveç miliona myslimanëve që kanë marrë nënshtetësinë e vendeve të shumta evropiane, Evropa njëkohësisht është edhe atdheu i myslimanëve të vet autokton, posaçërisht atyre në Ballkan, si dhe faktin se ata botës dhe vendeve të veta i kanë dhënë kontribut të madh qytetërues.

Ky dijetar turk në çdo pikëpamje është kundër stereotipeve.

Sa ju brengos Juve islamofobia në Perëndim, konkretisht këtu në Shtetet e Bashkuara? A ka arsye për panik?

 

Padyshim arsye për panik nuk ka, sepse kurrë nuk duhet të ketë panik. Por, e vërteta është, dhe ne tani po e shohim, se disa të arritura tonat dhe në përgjithësi kultura e bashkëjetesës paqësore dhe ajo që e quajmë toleranca ndërkulturore dhe ndërfetare tani janë vënë në shënjestër. Do të thosha se tani për tani po përjetojmë sulmet margjinale të ekstremistëve fetarë, por veçanërisht brengos ajo që e gjithë kjo vjen edhe nga disa politikanë që nuk ngurrojnë të futen në këtë diskurs ksenofobie dhe po të njëjtin ta eksplorojnë për nevojat e tyre personale.

Do të thotë kjo shqetësim?

 

D.m.th. edhe unë dhe Organizata e Konferencës Islamike (OKI) shprehim brengosje të thellë për shkak të rritjes së islamofobisë. Sepse, besoj ju e dini, që pas fjalëve të errëta – pësojnë disa njerëz, kurse ne sot po ballafaqohemi me rritjen e dhunës ndaj myslimanëve në disa shoqëri perëndimore.

A mendoni se e ashtuquajtura luftë kundër terrorizmit, me cilësimet mediatike “islamik”, ka sjellë deri tek ulja e pragut të tolerancës ndaj myslimanëve?

 

Bukur mirë e dimë dhe kuptojmë se ku shpie gjithë kjo retorikë e gabuar. Gjithashtu e dimë se fjalët abuzive kundër Islamit, pastaj përpjekjet e dehumanizimit të myslimanëve, besimit të tyre dhe fyerja e shenjtërive të tyre, jo vetëm që kërcënojnë të drejtat e tyre njerëzore, por seriozisht prishin mjedisin tradicional multikulturor dhe social të shoqërive. Prandaj kategorikisht hedhim poshtë çdo lidhje të Islamit me terrorizmin, sepse ç’është e vërteta askush nuk është në kundërshtim aq të hapur me të – sa që është vetë Islami. Fundja e pamë se ku na shpijnë sterotipet. E ata (sterotipet) ju garantoj, shpijnë vetëm në diskriminim, dhe kjo gjë, edhe më tej paraqet bazën e  kërcënimit të paqes dhe stabilitetit lokal në radhë të parë dhe më pas atij rajonal, por edhe global.

Licenca për terrorizëm

 

Megjithatë z. İhsanoğlu, në Perëndim do të thonë se Ju bukur dhe tamam  flisni, por në lagjet e vendeve islamike nuk mendojnë të gjithë në mënyrë kozmopolite. Ndaj, vërtetë ku duhet ta vëmë vijën ndarëse në mes të ekstremistëve dhe popullatës së thjeshtë?

 

E para: Ne nuk themi që ne mesin e myslimanëve nuk ka ekstremistë, sepse ka. Por ju lutem, më thoni: Vallë a nuk ka ekstremistë në të gjitha shoqëritë, religjionet dhe popujt? A thua ne mund t’i barazojmë të gjithë të krishterët me përpjekjet e një pastori nga Florida, i ci publikisht dëshironte të djeg librin tonë të shenjtë Kur’anin? Padyshim që jo. Dhe natyrisht që nuk duhet. E dyta: E dini që ekstremistët vetë e marrin “të drejtën” të flasin dhe veprojnë në emër të dikujt. Por, askush atyre nuk ua ka dhënë këtë të drejtë kur është fjala për ne myslimanët. Askush Bin Ladenit nuk ia ka dhënë licencën për atë që e ka bërë, dhe ne refuzojmë një barazim të këtillë të paarsyeshëm dhe te rrezikshëm (tendencioz).

Sa larg dëgjohet zëri Juaj, sepse duket që perceptimi i gabueshëm i myslimanëve akoma është dominues, e diku madje edhe vjen duke u rritur?

 

Prandaj dhe gjithnjë këtë edhe e potencojmë, duke e ftuar bashkësinë ndërkombëtare që në politikën e saj, por edhe në praktikë, të ngrihet kundër kulturës së frikës dhe kërcënimit, kundër ksenofobisë, meqë me këtë terk vazhdohet të krijohet ambienti negativ nga ku buron dhuna kundrejt individëve dhe bashkësive të tëra. Dhe kur kjo ndodh, atëherë kemi thyerje të të drejtave të tyre njerëzore. Ndaj dhe kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të prodhojë masa konkrete të cilat do të kontribuojnë në vlerësimin dhe të kuptuarit e të gjitha feve dhe jo anasjelltas.

Vërehet qartë se shpesh aktet e dhunës ndaj myslimanëve i radhitni në nivelin e thyerjes së të drejtave të njeriut. Çfarë dëshironi konkretisht të arrini me këtë?

 

Atë që e thamë këtë vit në mbledhjen e OKI-së të mbajtur në OKB: Ftojmë komisarin e lartë të OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të emëroj vëzhgues në zyrën e saj, të cilët do të merren me monitorimin dhe dokumentimin e atyre akteve që shpijnë drejt urrejtjes fetare, dhunës apo trazirave.

A jeni të kënaqur se si reaguan në SHBA, dhe në fund e ndaluan orvatjen e djegies publike të Kur’anit?

 

Në lidhje me këtë episod të hidhur, përkatësisht të ashtuquajturën ditë të djegies së Kur’anit, u tregua se administrata amerikane në krye me Presidentin Obama, vërtetë reagoi në mënyrë shumë parimore dhe shembullore, për çka i shprehim respekt dhe mirënjohjen tonë të plotë.  Gëzon fakti që këtë gjë nuk e bënë vetëm politikanët në Washington, por edhe shumë organizata amerikane ekumenike, kulturore dhe të ngjashme, si dhe shumë liderë të ndryshëm botëror dhe institucione – të cilat gjithashtu reaguan pozitivisht por edhe racionalisht, duke treguar se refuzojnë akte të këtilla që kërcënojnë të prishin harmoninë globale. Dhe në fund, sërish potencoj: të prishin paqen dhe stabilitetin botëror.

Ballkani në fokus

 

Në Ballkan, duke mos e llogaritur vendin tuaj Turqinë, jetojnë dhjetë milion myslimanë. Kur takoheni me liderët e tyre, për çka ju ankohen ata?

 

Meqë këtë intervistë e bëni për “Avazin”, dhe e dini çfarë d.m.th. kjo fjalë… Pra ju siguroj se “avazi” i liderëve ballkanik është mjaft i qartë dhe i zëshëm. Dëshiroj t’ju theksoj se kemi raporte të shkëlqyeshme me myslimanët e Ballkanit dhe liderët e tyre. Vetë unë personalisht jam i lidhur me Ballkanin qysh nga fëmijëria, kjo ngase në familjen time ka anëtarë që janë me origjinë nga Bosnja, Kosova dhe vendet tjera të bukura prej nga vini Ju.

Ballkanin kam filluar ta vizitoj që në vitet e e hershme të të 80-ve dhe shumë herë kam qenë në Bosnje gjatë viteve të 90-ta. Presidenti boshnjak Alija Izetbegović më dhuroi titullin “ambasador nderi” (ambassador at large) si dhe në shenjë nderi më është dhënë edhe pasaporta boshnjake, dhe natyrisht këto nuk harrohen. Në vitin 2004 organizova një program 10 vjeçar në lidhje me Bosnjën, ku u tubuan numër i madh i arkitektëve, ekspertëve të restaurimit dhe punonjësve kulturorë… Kemi rindërtuar një numër të madh të xhamive. P.sh.: xhaminë e Karagjoz-beut e cila ishte rrënuar nga themelet jo gjatë luftës së fundit (1992-1995), por që në kohën e Titos. Natyrisht, edhe më tej punojmë në projekte të rëndësishme rindërtuese.

Si do t’i ishit përgjigjur zërave kritik që thonë se osmanlinjtë (otomanët) sërish po kthehen në Ballkan nëpërmjet nismës diplomatike turke?

 

Osmanlinjtë?!! Po cilët osmanlinj në kohën e sotme? Do t’i kisha sugjeruar që pak më tepër të lexojnë historinë, po madje edhe librin tim mbi osmanlinjtë në dy vëllime, i cili është përkthyer në gjuhën boshnjake dhe mendoj që nëse jo diku tjetër, atëherë me siguri mund të gjendet në Bibliotekën e Sarajevës.

Trashëgimia osmane

 

Në një pjesë të B e H me siguri nuk do ta pranojnë vetëm këtë rekomandim tuajin në vend të përgjigjes. Atëherë: Çfarë përgjigje do t’i kishit dhënë atyre në Beograd që pohojnë se Ballkanit sërish i kanoset një “neo-osmanizëm”me regji të Ankarasë?

 

Aman, ju lutem, po leni më këto, osmanlinjtë veç më i përkasin historisë. Me këtë rrëfim kemi mbaruar në vitet 1923-1924 të shekullit të kaluar. Sot jemi Turqia moderne dhe kjo është kjo. E vërtetë është se ne – turqit, ballkanasit, arabët si dhe shumë popuj të tjerë – e kemi trashëgiminë e përbashkët osmane dhe kësaj nuk mundemi por as nuk duhet t’i ikim, ngase kemi një shpirt të përbashkët osman.

Qoftë në Sarajevë ose Mostar, Bukuresht apo Konstancë, gjithandej Ballkanit ju e ndjeni këtë frymë. Edhe në qoftë se dëgjoni muzikë apo shtroni iftare ose darka të përbashkëta mes njerëzve, pastaj shikoni folklorin dhe veshjet e tyre – e gjithë kjo është pjesë e trashëgimisë sonë osmane: nga shijet e gjellëve tona e deri tek ornamentet në arkitekturën tonë, ndaj pse brengosemi rreth tërë kësaj në fillim të shekullit XXI?! Megjithatë, sërish ju them: rekomandojuani që ta lexojnë librin tim mbi Osmanët.

Duke e ditur që në rend të ditës në OKI, në një farë mënyre temë aktuale është Lindja e Mesme, më intereson të di se në çfarë mase ju intereson Ballkani, pas përfundimit të kapitujve tragjik në Bosnje dhe Kosovë?

 

Faleminderit për këtë pyetje. Edhe përkundër preokupimeve që i përmendët, Ballkani neve mjaft na intereson. Siç e dini, Shqipëria veç më është anëtare e OKI-së, kurse B e H vëzhguese. Sa i përket Kosovës, ky shtet për të qenë anëtare e OKI-së, sipas rregullores sonë, së pari duhet të jetë anëtare e OKB-së. Natyrisht, këtu ndodhen edhe Maqedonia, Mali i Zi, Serbia…, të gjitha këto shtete tentojnë të venë kontakte të mira me ne, kurse disa kërkojnë të kenë statusin e vendit vëzhgues pranë OKI-së.  Ne tani po punojmë sipas statusit tonë sipas të cilit qartë do ta definojmë rregulloren kush ka të drejtë të jetë anëtare vëzhguese, dhe presim që vitin e ardhshëm ta miratojmë. Sa i përket myslimanëve në Ballkan: Institucionet e ndryshme të OKI-së kanë projekte të ndryshme me ta, kryesisht të natyrës ekonomike, kulturore dhe akademike.

Vendet islamike së shpejti do ta njohin pavarësinë e Kosovës

 

Si e shpjegoni faktin që Kosova, e cila gati tërësisht është shtet me popullatë myslimane, akoma nuk njihet si shtet i pavarur nga shumica e shteteve anëtare të Organizatës, kurse shtetet udhëheqëse perëndimore ndër të parët e kanë pranuar?!

 

Aktualisht Kosovën e kanë pranuar rreth 15 shtete nga 57 – sa numëron OKI. Dua t’ua them që tani, se në muajt e ardhshëm do të shihni se shumë shtete anëtare të OKI-së veç më do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se për një gjë të këtillë do të ndikojë edhe vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë (ICJ) dhe Rezoluta e miratuar në muajin shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kuvendit të OKB-së.

__________________
Burimi:
Gazeta e përditshme boshnjake AVAZ.ba

Nga boshnjakishtja:
Ahmed R. Ramadani

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme