
Në këtë situatë të vështirë, palestinezët po shqyrtojnë alternativat e ndryshme për gjetjen e zgjidhjes së problemit të tyre. Kësaj radhe ata janë shumë të zhgënjyer në administratën amerikane, e cila nuk po ka mundësi ta detyrojë qeverinë izraelite që ta ngrijë ndërtimin e kolonive izraelite në Anën Perëndimore të lumit Jordan dhe në Jerusalemin Lindor për tre muaj e të mos flasim për mos lejimin e ndërtimit të tyre.
Për këtë autoriteti palestinez në Ramallah, disa herë ka përmendur modelin e Kosovës si mundësi, do të thotë shpalljes së pavarësisë së një anshme të shtetit palestinez, që është iniciativë e kryeministrit palestinez, Selam Fajad. Kjo nismë palestineze ka hasur mirëkuptim në disa vende të Amerikës Latine, siç janë Brazili, Argjentina, Urugvaji, Bolivia, të cilat e njohën shtetin palestinez në kufijtë para agresionit izraelit të viti 1967. Një kërkesë të këtillë autoriteti palestinez, ditë më parë e kërkoi edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, i cili përveç SHBA-së, Federatës Ruse ndërmjetëson në bisedimet palestinezo-izraelite. Ndërkohë që ish-kryeministri britanik, Toni Bler përfaqëson BE-në në këto bisedime.
Me një iniciativë të këtillë këto ditë doli edhe Komiteti për Paqe pranë Ligës Arabe, i cili kërkoi nga Administrata amerikane njohjen e shtetit palestinez në kufijtë e viti 1967, me kryeqytet Jerusalemin lindor, kërkesa në fjalë do të nënshkruhet nga të gjitha shtetet arabe. Kjo iniciativë është aprovuar në samitin e Ligës Arabe, të mbajtur në muajin mars të këtij viti në Sirt të Libisë.
Për fat të keq ende pa arritur kërkesa në Uashington, Komiteti për politikë të Jashtme i Kongresit amerikan doli me një komunikatë ku tërheq vërejtjen Administratës amerikane, që në asnjë mënyrë të mos pranojë një hap të tillë dhe të përdor të drejtën e vetos nëse një kërkesë e tillë paraqitet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Komunikata shkon edhe më larg ku kërkohet nga Departamenti i shtetit për pengimin e njohjes së shtetit palestinez pa pëlqimin e Izraelit.
Në këtë aspekt pala palestineze ia kujton Administratës amerikane qëndrimin e saj krejtësisht të kundërt lidhur me çështjen e Kosovës, Timorit Lindor dhe angazhimin e saj për mbajtjen e referendumit në Jug të Sudanit, ku pritet që më 9 janar populli të shpreh të drejtën e vet për vetëvendosje.
Meqenëse, sipas autoritetit palestinez, alternativa e rezistencës së armatosur nuk është në kombinim, duhet të përdoren të gjitha mundësitë diplomatike për realizimin e të drejtës legjitime të popullit palestinez në shtetin e tij të pavarur dhe sovran në kufijtë e para 4 qershorit të vitit 1967.
Kjo mund të arrihet me një bashkëpunim të gjitha vendeve të Ligës Arabe në kuadër të Komitetit për Paqe, duke shfrytëzuar tërë potencialin diplomatik dhe ekonomik në shenjë të ndihmës së kauzës palestineze, duke ia bërë me dije edhe SHBA-së, por edhe Bashkimit Evropian se ky është shansi i fundit i zgjidhjes së drejtë të konfliktit palestinezo-izraelit sipas formulës së kahershme: “toka në këmbim të paqes”.
Andaj, çdo refuzim i elitës politike izraelite për të arritur paqen në Palestinë, është inkurajim për palët ekstremiste tek te dyja anët për rezistencën e armatosur si mjet i vetëm i zgjidhjes së problemit e që historia ka treguar se ajo alternativë është e dëmshme për të dyja palët. Kurse pasojat e saj nuk vuajnë vetëm palestinezët dhe izraelitët, por ato përfshijnë edhe shumë popuj tjerë në të katër anët rruzullit tokësor për shkak të rëndësisë që Palestina, si vend i shenjtë i tri besimeve monoteiste ka tek shumë popuj në të katër anët e rruzullit tokësor. Andaj, ky është një shans i mirë që nuk duhet të humbet, për të mirën e të gjithë popujve të asaj pjese të botës dhe për stabilitetin e paqes në botë.