Djali "trendy" nga Tirana, si u bë mysliman

Djali "trendy" nga Tirana, si u bë mysliman


Ai quhet Genti, është 25 vjeç dhe prej më shumë se gjashtë vjetësh është kthyer në një besimtar dhe praktikant i rregullt i fesë islame. Është veshur thjesht, bukur, ku më shumë dominon ngjyra e bardhë. "Besimi më tregoi të vërtetën dhe më fali qetësinë", shprehet mes tjerash Genti.

Nëse nuk ke dijeni për statusin e tij social, lehtësisht mund ta marrësh për një djalë që e kalon tërë ditën e lume te Blloku, por Genti është "banor" i rregullt i xhamisë së Rrugës së Kavajës, pasi aty afër ka dhe aktivitetin e tij privat, një sallë fitnesi. Genti nuk është kaq i pashëm vetëm në ditë feste. Gjithnjë vishet me shije, pasi mendon se kështu plotëson një ndër këshillat në fenë e tij, për një paraqitje të këndshme, ku të dominojnë në veshje ngjyrat e hapura si e bardha, e kuqja dhe jeshilja. Por jo deri në ekstravagancë, pasi veshja në tërësi duhet të tregojë thjeshtësi dhe modesti. Dhe këtë ekuilibër duket se Genti e ka arritur falë shijes së tij të hollë, ku ndërthuret kultura qytetare me atë islame. Genti është i ulur në lokalin ngjitur me xhaminë e Rrugës së Kavajës. Presin të kryejnë ritet fetare në orarin e përcaktuar. Kur e pyesim nëse mund të na thotë se cila ka qenë arsyeja që e bëri besimtar, Genti tregon shumë thjesht: "Ka qenë vetëm boshllëku shpirtëror, të cilin nuk ma mbushnin dot as gjërat materiale, as ushqimet e mira e as shoqëria". Genti ishte vetëm 17 vjeç kur shkoi në Itali për një jetë më të mirë. "Kisha çdo gjë të mirë materiale që tani njerëzve iu duket se mund t‘ju sjellë gëzim, por asgjë nga këto nuk më mbushte. Mendova të kthehesha, meqenëse kisha nënën në Shqipëri dhe ajo ka qenë gjithmonë pika ime e dobët". Pas kthimit të tij në atdhe, Genti përjetoi një vështirësi të madhe, edhe për sa u takon probleme fizike. Një mungesë e theksuar oreksi, një gjendje vakumi dhe shumë pikëpyetje të cilave nuk kishte arritur t‘u jepte përgjigje. "Shpesh shoqëroja shokët e mi deri në xhami, por vetë nuk guxoja të futesha. E dija që kishte një Zot, por të gjitha këto ishin fjalë që thuhen në përgjithësi". Gjendja e depresionit dhe e mërzitjes nuk ishte kapërcyer nga 25-vjeçari, që sot jo vetëm është praktikant, por di të flasë rrjedhshëm për udhëzimet e Islamit. Të gjitha këto i shërbejnë jo vetëm jetës së përditshme, por edhe asaj të përtejme. Janë udhëzime që ushqejnë besimin dhe nuk e bëjnë besimtarin të bjerë në monotoni.

Genti tregon se falja e tij e parë në xhami, momenti kur ra në sexhde (ka vendosur ballin e tij në tokë) për të kryer ritin e takimit me Zotin, i ka sjellë kthjelltësi, çlirim dhe mbi të gjitha qartësi. "Më pëlqente qetësia që më falte lutja, ndihesha mirë kur rrija me besimtarët e tjerë që i gjeta në xhami. Ata janë të sinqertë dhe shoqëria e tyre është e pastër, gjë të cilën nuk mund ta gjesh lehtë". Genti rrëfen se i pëlqente lutja, i pëlqenin vargjet e Kuranit, i pëlqente sinqeriteti i shokëve dhe kalonte kohën. Islami e ka bërë që të mësojë të vërtetën. Secili nga besimtarët aty ka gjetur arsyen pse ka ardhur në jetë, e di ku do të shkojë dhe di të përballojë të gjitha sprovat e jetës, pasi secili e di kuptimin e tyre. "Pak nga pak ra perdja dhe unë mësova të vërtetën. "Falem 5 herë në ditë, jam besimtar. Ndihem mirë, por dua të them që besimi është si dhëmbët e sharrës. Ka uljet edhe ngritjet e veta", thotë Genti. Ai nuk harron të kujtojë vitin e parë të mbajtjes së Ramazanit. "Kisha probleme të mëdha me oreksin, ushqimi nuk më jepte kënaqësi. Njëri nga shokët e mi më foli për muajin e Ramazanit, më tha se veç fryteve shpirtërore, ky muaj të sjell edhe të mira fizike për përmirësimin shëndetësor". As Genti që sot u flet të tjerëve për besimin nuk e kishte besuar se mund të rrinte 30 ditë "pa bukë". Por thotë që pas mbajtjes së Ramazanit të parë, gjendja e tij shëndetësore ishte më e mirë dhe ushqimin më pas e hante me kënaqësi, duke falënderuar Zotin për të gjitha të mirat materiale që i ofronte. Dje Genti e ka festuar Bajramin, ditën e rilindjes, bashkë me të afërmit, shokët dhe besimtarët. "Kur nisëm të besonim, ishim një grup shokësh. Disa prej tyre zgjodhën të ishin edhe besimtarë, por zgjodhën të kryenin edhe jetën e mëparshme, ndoshta me vepra jo hallall. Dua të them se vetëm tre prej grupit evituan gjërat tunduese që të ofron kjo jetë dhe tani jemi më të qetë, më të çliruar dhe mbi të gjitha dimë të vërtetën". Thuhet se pasi besimtarët njohin Islamin, rilindin. Kështu ka ndodhur edhe me Gentin. "Të evitosh në emër të Zotit gjërat tunduese, në të ardhme ai ta shpërblen me diçka edhe më të mirë nga ajo që e ke menduar", tregon 25-vjeçari. Besimtarët thonë se në muajin e Ramazanit shejtanët që janë krijuar për të tunduar njerëzit, lidhen. Kjo është dhe një nga arsyet e qetësisë që të jep ky muaj, i kurorëzuar më pas me festën e haresë dhe gëzimit, Bajramit.

Gazeta Shqip, 13.10.2007

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme