Lënda për fenë në shkollat publike

Nga emërtimi i lëndës dhe nga arsyetimi që i është bërë në shkresën e saj drejtuar imamëve, merret vesh që Bashkësia Islame, siç është pritur,  ka ndërmend të kërkojë lëndë për fenë me objektiv edukimin.

 

Për mua dhe, pa fije dyshimi, për shumicën absolute të qytetarëve të Kosovës realizimi i kësaj kërkese do të ishte gjë ideale, por, në anën tjetër,  në përceptimet e shumicës së atyre që mund të imponojnë vullnetin  e vet si vendimmarrës dhe sidomos si "mbivendimmarrës" kjo kërkesë duket si absurde dhe pa kurrfarë gjasa realizimi. Janë po këta vendimmarrës, përgjegjës pushteti, që janë përpjekur dhe po përpiqen të mbytin gjithë kushtet sociale dhe kushtet ekonomike që, sipas tyre, e mbajnë gjallë fenë dhe aktivitetin fetar.

 

Para se të them ndonjë gjë tjetër, dua të shpreh vizionin tim lidhur me relatën që ka integrimi në shkolla i një lënde për fenë, -nuk po flas këtu për lëndën fetare siç e ka përcaktuar Bashkësia Islame,- me drejtësinë ligjore. Ndryshe nga mendimet e  shumë prej  ithtarëve të dy qëndrimeve të kundërta, mendoj që integrimin e kësaj lënde as e ndalon kushtetuta prej cilësie sekulariste a laike, -janë e njëjta gjë në këtë rast1,- e Kosovës, por as e detyrojnë konventat ndërkombëtare, pra, si në rast realizimi ashtu edhe në rast mosrealizimi nuk janë gjykatat vendëse a ndërkombëtare që mund të vendosnin ndryshe.

 

Cështja e realizimit u përket kryekreje strategjisë dhe politikave kombëtare(shtetërore) për arsimin, prandaj, ata që duan të kontribuojnë realisht  në debatin  se a duhet integruar lënda fetare në kurrikulat e shkollave publike, cilido qoftë qëndrimi i tyre, që të thonë diçka për të qenë duhet të sjellin argumente që arsyetojnë jashtë koncepteve të drejtësisë ligjore.

 

Kosova është shtet multietnik, por kjo s'përbën kurrfarë pengese për t'u mësuar në shkolla lëvizjet nacionale shqiptare, historia e e Adem Jasharit e UCK-së...

 

Qëllimi pse kam ndërmarrë këtë shkrim, para së gjithash, është që të hedh dritë në këto dy plane me shpresën që kjo  t'i kontribuojë pozitivisht përfshirjes së lëndës fetare. Këto dy plane janë:

 

1. Të zgjeroj rrethin e mundësive  të qëndrimit ndaj  përfshirjes së lëndës fetare, nga dy në tri, pra nga dy mundësitë e përfolura gjer tani: të përfshihet e të mos përfshihet, të hedh edhe idenë se ka një mundësi të tretë që lënda fetare të përfshihej jo si me objektiv edukimin por në kontekst sekular e të kishim një lëndë që nuk ka objektiv që fenë nxënësve t'ua përbrendësojë, por që vetëm t'u ofrojë njohuri rreth saj, t'i plotësojë me informacione për të.

 

2. Të ofroj argumente të natyrës sekulare pse duhet përfshirë lënda fetare në kurrikulat e shkollave publike, pra të sjell argumente jashtëfetarë.

 

Megjithëse idealja do të ishte të përfshihej në kurrikula të shkollave publike  një lëndë edukative fetare pikë për pikë siç kërkon Bashkësia Islame dhe për të duhet shtruar kërkesa; për shkak të karakterit  sekular të shtetit, në parashikimin fatlum timin mendoj se do të kemi një lëndë " Mësime ose Leksione për Fenë" në kontekst sekular.

 

  E cilësoj këtë parashikim si fatlum duke mbajtur parasysh formimin dhe prirjet kundërfetare të shumicës së vendimmarrësve të cilët do të angazhohen të mos lejojnë kurrfarë lënde feje në kurrikulat e  shkollave publike.

 

 Kjo lëndë "Mësime apo Leksione për Fenë" do të përmbante informacione rreth fesë, jo si devocion, celebrim,doktrinim apo shfaqje tjetër sipas së cilës do të promovohej ose denigrohej qëllimshëm ndonjëra fe, thjesht: me paanshmërinë më të mundshme do të sillte vizionet e fesë pa i vlerësuar nga saktësia dhe vlerat e fesë pa i propaganduar, ndoshta edhe më me kujdes, në aspekt të paanshmërisë,  seç sillen teoritë e hipotezat  e ndryshme të shkencave shoqërore që përbëjnë lëndë më vete ose  pjesë integrale të tyre.  Me këtë kushtëzim do të sigurohej kushtetushmëria e kësaj lënde.

 

Sigurisht që ka argumente  të drejtpërdrejta të natyrës fetare pse duhet lënda edukative fetare, por  argumentet e këtilla nuk mund t'i këmbejmë me njerëzit jofetarë dhe as e kemi situatën e përbashkët në atë frymë në të cilën të mund t'ua prezentonim si argumente të cilave duhet t'u bindeshin, prandaj agumentimin e nevojës për lëndën fetare do ta kërkoj në kontekst sekular, për natyrë të të cilit kontekst, të tjerëve ne jemi të detyruar t'ua arsyetojmë kërkesat tona që i kemi me burim prej feje dhe t'u japim  atyre vlerë bindëse brenda situatës së përbashkët.

 

                                  

 

                         

                                  Argumenti epistomologjik:

 

 

informacionet për fenë do t'u ndihmonin nxënësve të kuptonin, në mënyrë më të  drejtë, më të thellë e më të saktë seç mund të kuptonin pa to,  historinë dhe aktualitetin. Ngjarjet dhe rrjedhat qofshin të kaluara apo aktuale e në të cilat ka pasur e ka ndikim feja, çfarë janë të shumtat; s'mund të kuptoheshin kurrsesi pa ditur edhe vizionet e vlerat e feve që kanë ushtruar e që ushtrojnë ndikim në to.

 

 Njohuritë për vizionet e fesë nxënësit i pasurojnë gjithanshëm në pikëpamje kognitive dhe është e pamundur të shterohen së përmenduri fushat e dijeve për përvetësimin e saktë të të cilave, njohuritë për vizionet dhe vlerat e fesë luajnë rol njohës ndriçues të pazëvendësueshëm, sepse lidhja mes vizioneve e vlerave fetare dhe objekteve të atyre fushave është lidhje reale objektive. Ndër këto  fusha të dijeve, ndoshta mund të thuhet se spikatin historia dhe zhvillimi shkencor. Pra njohja e vizioneve dhe e vlerave fetare ndihmon pazëvendësueshëm  nxënësit që të ndërtojnë më plotësisht e më saktësisht sensin e tyre mbi botën.

 

                                 

 

                                 Argumenti kushtetues:

 

Përfshirja në kurrikula të shkollave publike e lëndës që bie informacione për vizionet dhe vlerat fetare është forma më  e mirë si të shmanget diskriminimi në planin ideologjik, në planin e mënyrave të të menduarit dhe  të lirisë së ndërgjegjes, sepse nxënësit nuk do të diskriminoheshin duke iu ofruar atyre  vetëm  mënyra sekulare të të menduarit rreth botës siç ngjet tash,por do të njiheshin edhe me forma të tjera të të menduarit rreth botës, gjë që do t'i vinte në situata përzgjedhjeje sipas dëshirës  çka do të ishte zbatimi më i përputhshëm me qëllimet themelore të kushtetutës. Gjithashtu,  duke mësuar krahas dijeve të tjera edhe për vizionet e vlerat e fesë nxënësit do të nxiteshin të meditonin krahasimisht e të binin ide të reja, kreative   dhe të reflektonin më pasur shpirtërisht çka janë objektiva ideale të arsimit modern.

 

Pastaj, vlerat e përcaktuara me kushtetutë si vlera të shtetit të Kosovës, ndaj të cilave është evidente që  qytetarët po qëndrojnë të ftohur e gjithnjë e më të ftohur; ato vlera, më saktësisht, shumica e tyre, duke u ndërlidhur me vlerat fetare që do t'i  përforconin, te nxënësit që janë bërthama e shoqërisë, do të fitonin gjithsesi prestigj  shumë më meritor e me çka do të njëmendësohej më shumë shtetësia e vendit.

 

Ndarja e shtetit nga feja gjithandej në shtetet perëndimore, tash edhe në Rusi,  interpretohet si ndarje mirëkuptimi e dashamirësie dhe si e këtillë  nuk përdoret si pretekst për të penguar shtrirjen  e edukimit fetar në shkollat publike. Pra ndarja figuron për shkak të logjikës së brendshme të kushtetutës që të jenë pjesët e saj të një sistemi dhe jo që të shmang secilin element fetar të shfaqur në institucionet e shtetit. Sikur të përvetësohej ky version  perëndimor aktual i interpretimit të ndarjes  së shtetit me fenë, në shkollat publike edhe ne mund të kishim lëndë edukative fetare ashtu siç kërkon Bashkësia Islame.

 

 

 

                                                                 

                                                         Argumenti social

 

Gjithashtu, në rrafshin shoqëror dhe thuaj kombëtar,  ideali për shtetbërje që ka humbur tashmë arsyet e ekzistimit, është alarmante qysh nuk po arrihet të zëvendësohet kurrsesi me ndonjë ideal shoqëror tjetër të kërkuar siç janë ideali i përparimit, i zhvillimit dhe mbase i integrimit, le ta themi.

 

 Humbja e idealit për shtetbërje dhe dështimi i zëvendësimit të  tij me këto, në një shoqëri që karakterizohet nga prirje përkushtimi për shoqëroren, ka krijuar shterpësi në krijimtari shkencore e letrare, dekadencë e vobektësi shpirtërore në pikëpamje morale dhe pesimizëm në jetë, në ndërkohë që janë përmbajtjet fetare, vizione e vlera, të përfshishme në lëndën për fenë  ato që kanë forcën ekskluzive në këtë shoqëri për t'i përhapur, gjallëruar e rrënjosur këto ideale te nxënësit.

 

Të rikujtohet që në Amerikë ishin gjykatat ato që kërkuan të parat përfshirjen e lëndës fetare në shkolla.

 

 

1. Kushtetuta e  Kosovës, qoftë të thuhet se është laike siç figuron në versionin shqip dhe qoftë të thuhet se është sekulare siç figuron në versionin anglisht, shtetin e përcakton si  sekular sepse përmbajtësisht është e tillë,  s'luan rol kategorizimi në rrafshin emëror, janë përmbajtjet e neneve të  saj përkitazi me fenë  që e qartësojnë se s'ka të bëjë me kuptimin klasik francez të fjalës laik si diçka kundërfetare,por me kuptimin  laik të barasvlershëm me termin sekular, pra i paanshëm në çështje feje, shih nenet të cilat decidivisht garantojnë lirinë e ndërgjegjes,  lirinë e deklarimit të fesë dhe të drejtën e kalimit në fe tjetër!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme