Laicizmi ekstrem si qëndrim anti-demokratik

Në qëndrimet e ndryshme që mban Laicizmi në shtete të ndryshme në lidhje me religjionin, është përcaktuar në një farë mase edhe egërsia e tij apo dalja ose jo nga binarët e asnjanësisë. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur Laicizmi është tentuar të afishohet si një qëndrim në thelb anti-religjioz edhe pse  ndryshimet e mëdha në konceptin e qeverisjes se Evropës se Bashkuar, kanë zbutur shumë dhe kanë rimodeluar “detyrën” e Laicizmit karshi shoqërive gjithnjë e më multietnike dhe multikulturore, kjo përfshirë edhe vetë Francën. Mjafton të përmendim deklarat e Presidentit Sarkozi për “Laicizmin pozitiv”, apo dëshirat e tij shprehur për një përfshirje më të qënësishme të religjionit në hapësirat publike.

 

Në përgjithësi, por edhe ky rimodelim i qëndrimit mbi Laicizmin, e bën këtë të fundit të mos jetë opozita e religjionit. Por grupime në thelb anti-religjion kanë tentuar përherë të tejkalojnë qëndrimet e veta nga ato laike drejt atyre ateiste duke përjashtuar nga institucionet apo autoritetet publike çdo siluetë të religjiozitetit në emër të Laicizmit duke shkuar, sikundër edhe e kemi parë, drejt dhunimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit.

 

Nëse me lirinë e besimit kuptohen këto parime themelore si: Liria personale për besim, liria për tubime dhe adhurime fetare, liria për shprehjen e religjionit në publik përfshirë edhe institucionet dhe liria për organizime politiko-administrative bazuar mbi normat e besimit, përkrahësit e Laicizmit ekstrem, pajtohen vetëm me lirinë personale të besimit duke i kufizuar tre liritë e tjera. Ky kufizim e udhëheq organizimin social të shoqërive ku këta grupime kanë maxhorancën, drejt qëndrimeve anti-demokratike duke dhunuar të drejta dhe liri themelore kushtetuese të individit në shoqëri të hapura.

 

Nuk ka një “gardh” ndarës në mes pluralizmit të religjioneve dhe pluralizmit shtetëror si organizim politik. Pikërisht nga këto nuanca ku njëri shtet përpiqet te afishohet me një Laicizëm emulativ më laik se vetë laikët, e shtyn balancën shoqërore të anojë nga njëra anë, kështu drejtësia sociale e cila supozohej të ruhej nga shteti neutral përmes “religion civil”, dëmtohet dhe për rrjedhojë kur dëmtohet drejtësia sociale si bazament i shtetit demokratik , dëmtohet vetë demokracia. Pra, në thelb Laicizmi ekstrem është qëndrim anti-demokratik. Nga qëndrimet e ndryshme të shteteve laike kundrejt drejtësisë sociale mund të dallojmë në vija të trasha dy lloje të Laicizmit të aplikuar. I pari është Laicizëm, sekularizëm i orientuar kundër religjionit me detyrë për të mbrojtur shoqërinë nga religjioni dhe religjioziteti, dhe i dyti është Laicizëm i orientuar drejt mbrojtjes së shprehjes së religjionit dhe religjiozitetit në shoqëri.

 

Në këtë optikë, përfaqësues të llojit të parë të Laicizmit futen Franca dhe Tuqia e para pesë viteve ( tani Turqia në sajë të reformave kushtetuese ka rregulluar me ligj çështjen e laicitetit e cila e pozicionin ne llojin e dyte ), të cilat janë përfaqësuese të ekstremizmit laik apo thënë më mirë të Laicizmit Jakobin apo Laicizmit Kemalist. Të dy këto modele laicizmi sollën në mënyrë besnike frymën e antagonizmit dhe konfliktualitetit të para 200 viteve të Revolucionit Francez, duke i shtuar edhe përbërësin ushtarak në rastin e Turqisë, në shoqëri të cilat pretendonin se ishin shoqëri  demokratike me rend kushtetues dhe respektuese të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

 

Ndërsa përfaqësues të llojit të dytë të Laizicmit futen modelet e shtetit Amerikan, Kanadez dhe modelet e vendeve anglo-saksone të cilat me Laicizmin e tyre morën përsipër të mos luftojnë institucionalisht religjionin, por  ta konsiderojnë atë si vlerë e shoqërisë dhe përbërës të rëndësishëm në krijimin e shteteve-komb të tyre. Megjithëse këto shtete nuk udhëhiqen në përputhje me religjionin e tyre, ata përsëri e mbrojnë atë institucionalisht dhe promovojnë multikulturalizmin e shoqërive të tyre. Në këtë formë lloji i dytë i Laicizmit qëndron më afër modelit të shtetit demokratik duke mos rënë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të individit.

 

Fakti që Turqia me Referendumin e 12 Shtatorit 2010 i dha një goditje institucionale Laicizmit ekstrem me anë të përafrimit të kuadrit ligjor me standartet më të mira demokratike evropiane, si dhe fakti që Presidenti francez, Sarkozi, i është kthyer artikulimit që  luhatet mes një “Laicizmi pozitiv” apo edhe hapjes së shtetit dhe institucioneve ndaj religjioneve, kur saktësisht ai thotë:“unë bëj thirrje për një Laicizëm pozitiv, le të themi një sekularizëm i cili kujdeset për lirinë e mendimit, besimit dhe mosbesimit , i cili nuk e konsideron religjionin si një rrezik por si një aset”1, tregojnë për absurdin laik që ka qeverisur këto vende dhe natyrshmërinë e popullsive të tyre për t’u kthyer drejt një bashkëjetese normale në një shtet të së drejtës.

 

Laicizmi dhe fenomeni shqiptar

 

Gjithmonë pyetja e cila ka gërryer mendjet tona prej kohësh është se; tek cili lloj laicizmi bën pjese fenomeni shqiptar. Ashtu si në pjesën më të madhe të të qënurit shqiptar, ku është e vështirë të tipizohet apo të përkufizohet sjellja jonë si entitet, edhe në rastin e laicizmit shqiptar është e vështirë të përcaktohet se në cilin lloj të laicizmit bëjmë pjesë ne, në llojin e parë apo të dytë. Unë mendoj se mënyra se si institucionet shtetërore shqiptare sillen në raport me religjionin dhe religjiozitetin e shoqërisë sonë, dhe sidomos faktit që shoqëria jonë është një shoqëri shumbesimore me përbërës të ndryshëm fetar, ka bërë që edhe fenomeni i laicizmit shqiptar të luhatet herë mes llojit të parë dhe herë mes llojit të dytë të laicizmit. Përveç kësaj në Shqipëri është vërejtur edhe një fenomen tjetër në marrëdhëniet mes shtetit dhe religjioneve, fenomeni i “Laicizmit selektiv”.

 

Edhe pse në Kushtetutën e Shqipërisë theksohet se : “Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike”2, pavarësisht kësaj është aplikuar pikërisht kjo formë e selektimit në sjelljen laike të institucioneve, për këtë arsye fytyra e shtetit shqiptar herë shfaqej si asnjanëse dhe promovuse besimore të tipit anglo-sakson në lidhje me një religjion të caktuar, dhe herë shfaqej si fytyrë laike ala Laicite’ franceze me një religjion tjetër. Nga njëra anë promovohen deri edhe në rrugë institucionale figura, data festive apo edhe sjellje religjioze të strukturave shtetërore duke i përdorur pa naivitet si marketing integrues, dhe nga ana tjetër në mënyrë anti kushtetuese dhe në kundërshtim me të gjitha të drejtat e njeriut dhe Konventat Ndërkombëtare, pjestarë të një besimi tjetër privohen apo margjinalizohen nga e drejta për të ushtruar besimin e tyre në sferën publike.

 

Që të kuptohemi, nuk  ka asgjë të keqe nëse shteti apo institucionet e veta promovojnë figura fetare të cilat i kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm kombit tone, por kjo do të ishte e mangët nëse nuk pasqyrohet në mënyrë të njëjtë në raport me besimet e tjera. Sepse, do të ishte e kundërta e asaj qëLiénard3  thotë, se një shtet është sekular kur ligjet dhe rregullat e tij nuk sanksionojnë de facto diskriminim mes qytetarëve përsa i përket besimeve të tyre.

 

Për të përcaktuar sjelljen laike të një aparati shtetëror në raport me një  popullsi multifetare, duhet të shihet qëndrimi i këtij aparati në raport me religjionin që përbën maxhorancën e atij vendi. Bazuar mbi këtë formulë, qëndrimi laik ndaj muslimanëve shqiptarë si pjestarë të fesë maxhoritare në Shqipëri, është luhatur kryesisht mes laicizmit të modelit franko-kemalist. Ky model përshtatej jo vetëm me psikologjinë post ateiste të udhëheqësisë shqiptare por edhe me një keqkuptim mbi rolin e muslimanerisë në integrimin evropian të shqiptarëve. Por nga ana tjetër, duke qenë se minorancat fetare në Shqipëri shpesh kanë marrë edhe atribute maxhoritare, në sajë të mbështetjes dhe promovimit selektiv, jo rrallë ngjyra e laicizmit shqiptar ka ndryshuar pabesueshmërisht në sajë të konjukturave dhe situatave.

 

Për vetë natyrën dhe specifikën e saj Shqipëria përmes strukturave qeverisëse te saj duhet të adaptojë atë model të Laicizmit i cili rezulton të jetë edhe më i përhapuri, atë të laicizmit anglo-sakson i cili nuk e lufton religjionin por e respekton dhe i jep hapësirë në të gjitha sferat e jetës. Kjo edhe për faktin se edhe modeli franko-kemalist i Laicizmit është duke shkuar drejt një dështimi të plotë ku si Turqia dhe Franca po rikonsiderojnë vlerat religjioze të shoqërive të tyre si komponentë të rëndësishëm në jetën dhe hapësirat sociale.

 

________________________________________________________

[1] http://berkleycenter.georgetown.edu/resources/quotes/nicolas-sarkozy-on-positive-laicism

[2] Kushtetuta e Shqipërisë  Neni 10 pika.2

[3] Georges C. Liénard : “Humanism and Laicity in Europe” ( 2003)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme