Mosmësimi prodhon skllevër në histori dhe injorantë para Krijuesit

Moto:Nëse jetoni për Islamin do të jetoni përgjithmonë, ndërsa nëse jetoni nga Islami keni vdekur që tani. (Nexhat Ibrahimi) 

 

IKRE`: 1. Kush është prof. Nexhat Ibrahimi ?

Nexhat Ibrahimi: Jam i lindur në fshatin Zgatar të Opojës afër Prizrenit para pesëdhjetë vitesh nga një familje hoxhallarësh e atdhetarësh. Më i njohuri nga trungu ynë familjar është Haxhi Muderris Ymer Prizreni, kryeministri i parë i të gjitha trojeve shqiptare. Shkollimin fillor e kam kryer në fshat dhe në Prizren, Medresenë në Prishtinë, kurse studimet në Sarajevë. Për shkak të rrethanave jo të favorshme nuk kam arritur t’i vazhdojë studimet pasuniversitare. Nga shkolla e mesme kam qenë aktivist ilegal antikomunist/antijugosllav. Nga viti 1987 kam qenë nëpunës i Bashkësisë Islame në Prizren. Kam kryer edhe disa funksione të larta në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Jugosllavisë. Jam burgosur për aktivitet antijugosllav tre herë (1981, 1983 dhe 1992-1999), dhe kam vuajtur afërsisht tetë vjet burg. Nga viti 2000, pas burgut, kam punuar sërish si nëpunës i Bashkësisë Islame dhe mësimdhënës në medrese. Aktualisht (nga viti 2008) punoj vetëm si mësimdhënës në Medrese të Prizrenit. Në kohën e lirë lexoj dhe shkruaj.

 

IKRE`: 2. Punën tuaj suksesin tuaj veprat qe i keni shkruar deri tani janë parë, ku qëndron sekreti i suksesit te gjithë kësaj pune?

Nexhat Ibrahimi: Falënderimi i takon Allahut famëlartë për çdo sukses. Pa ndihmën e Tij rezultatet tona do të dukeshin të pavlera. Duke e shfrytëzuar parimin islam të aktivitetit, kam punuar pa pushuar. Nuk njoh pasdite të humbur, nuk njoh ditë të humbur. Të gjithë ata që duan sukses, duhet t’i përvishen punës, pa i harruar vlerat e kalueshme për të ndërtuar të ardhme të qëndrueshme.

 

IKRE`: 3. Në të kaluarën kanë dalë me të vërtetë kuadro shumë punëtorë dhe kanë pasur ndikim shumë te madh në popull. Ku mendoni se qëndron problemi qe tash në këtë kohë nuk kemi kësisoj kuadrosh ?

Nexhat Ibrahimi: Unë nuk do të thosha se më herët ka pasur punëtorë më të mëdhenj se tani. Ndoshta rrethanat e vështira historike kanë bërë që disa gjera të shihen ashtu. Edhe sot ka nxënës të mirë, studentë të mirë dhe punëtorë të mirë. Madje, unë shpresoj fuqishëm se kuadri i ri do të jetë më i frytshëm, më produktiv dhe pa dyshim më i specializuar se brezi ynë. Me këtë shpresë dua te jetoj dhe të vdes. Në tërë këtë gjendje ka ndikuar edhe periudha para dhe paslufte, krizat shpirtërore te ne dhe në botë, por për këtë gjendje jo të mirë ka “faj” edhe Bashkësia Islame që nuk po arrin të ndjekë hapin me trendët botërore.

 


IKRE`: 4. Disa vite i kaluat edhe në Bosnjë, a mund të bëhet ndonjë krahasim ndërmjet  myslimanëve boshnjakë dhe atyre shqiptarë ?

Nexhat Ibrahimi: Në Bosnjë, respektivisht në Sarajevë, kam qëndruar nga tetori 1980 deri tetor 1984. Por, qëndrimi im atje ka qenë i lidhur me fakultetin, bibliotekat, xhamitë, libraritë e jo edhe me vetë popullin, shtresën më të gjerë. Në vrap pas dhënies së provimeve nuk kemi pasur kohë të njihemi më mirë me boshnjakët. Megjithatë, shtresa që ndihej besimtare ishte e gjallë: falej, agjëronte, jepte zekat, kryente haxhin, priste kurbanin etj. Më i dukshëm ka qenë fakti se botimi i ndonjë libri të ri në oborrin e medresesë apo të xhamisë paraqiste manifestim, zijafet. Kjo më ka impresionuar atëherë por edhe sot. Përse në trojet tona nuk e duam librin? Përse nuk mund të shpenzojmë për librin disa euro por jemi në gjendje të shpenzojmë me mijëra euro nëpër dasma, me mijëra euro për cigare, për bastore etj. etj.? Problemin e shoh edhe në shoqëri përgjithësisht, por edhe te shtresa e imamëve, të cilët nuk investojnë në profesionin e tyre pas studimeve.

 

IKRE`: 4. Kohëve te fundit janë paraqitur shumë fraksione dhe është bërë t’i thuash një tollovi. A është ky një shkak që kuadrot tash që dalin nuk kanë sukses duke u marrë me këto fraksione ?

Nexhat Ibrahimi: Po, e saktë. Pas rënies së bllokut komunist në Evropë e Ballkan, bota arabe kryesisht vrapoi të ndihmojë. Ajo edhe ndihmojë materialisht, edhe intelektualisht, por për fat të keq bëri gabim të pafalshëm, kur tentoi të na arabizojë, ta mbëltojë te ne frymën e ngurtë në perceptimin e fesë, duke menduar se ne po e pranojmë Islamin për herë të parë. Kjo bëri që në popull të krijohet në rrëmujë, akuza të ndërsjella. Fryma puritane e sjellë nëpërmjet shoqatave dhe disa individëve e shpalli çdo gjë të deriatëhershme të dëmshme për fenë islame, e shpalli për novator shpjegimin hanefij të Islamit, kurse të gjithë imamët e vjetër si mëkatarë e bidatçinjë. Zoti na ruajtë. Në vend që të ndërtojnë, ata rrënuan frytet shumëshekullore të Islamit në Ballkan.

 

IKRE`: 5. Çfarë duhet të bëjmë ne si myslimanë apo si ehli-sunnet që t’i bashkojmë të gjithë myslimanët dhe të triumfojmë ?

Nexhat Ibrahimi: Normalisht, rruga e vetme e bashkimit tonë është të ndjekim rrugën institucionale të shkollimit, të shpjegimit, ashtu siç kemi vepruar me shekuj. Gjithnjë me pietet kemi folur për medhhebet e gjithëpranueshme. Normalisht, duhet bërë edhe disa hapa, si: Bashkësia Islame duhet ta themelojë Komisionin për nostrifikimin (certifikimin) e diplomave dhe vetëm ata që e posedojmë këtë dokument mund të punësohen. Nuk mund të vazhdojë ende kjo gjendje: në xhami të bëhet imam kokë më vete dhe në kundërshtim me institucionin që e punëson.

 

IKRE`: 6. A është shkak i mossuksesit te myslimanëve kjo përçarje në mes veti ?

Nexhat Ibrahimi: Normalisht, përçarja ka thyer edhe perandori të mëdha, e lere neve si një bashkësi e vogël dhe e brishtë. Por, po harrojmë se po përçahemi për gjera të vogla, tejet të parëndësishme. Ne ende bëjmë zhurmë rreth mënyrës së namazit, agjërimit, gjatësisë së pantallonave, të mjekrës ... kurse të tjerët planifikojnë, prodhojnë dhe me paratë tona na okupojnë, na vrasin dhe na shpallin për armiq. Është koha e fundit t’u themi stop ndikimeve të huaja dhe të ecin para shpirtërisht dhe intelektualisht. Nëse mësojmë (ikre’) në emër të Krijuesit, do të bëhemi sundues të urtë. Nëse e injorojmë mësimin, do të mbesin skllevër në histori dhe injorantë para Krijuesit tonë.

 

IKRE`: 7. Cilat do të ishin këshillat e juaja të arta për rininë që të kenë sukses dhe të jenë më të freskët në punën e tyre e të mos merren me këto fraksione ??

Nexhat Ibrahimi: Ka shumë punë. Edhe Bashkësia Islame, si kurora jonë, edhe ne duhet të jemi në një krah. Ne duhet të shprehim gatishmëri t’i përkrahim nismat zyrtare moralisht, intelektualisht dhe materialisht kurse Bashkësia Islame ta hartojë programin ku do të gjejë vend besimi (imani), veprimi (islami) dhe urtësia (ihsani). Islami është fe intelektuale e jo e besëtytnive, e aktivizmit e jo pasivizmit dhe pritjes së mesive të na shpëtojnë nga gjumi dhe apatia jonë shumëshekullore myslimane.

 

IKRE`: 8. Në këtë kohë po shohim një rini shumë të prishur të dhënë pas dëfrimeve! Ku mendoni se qëndron problemi, te vet individët apo te prindërit ?

Nexhat Ibrahimi: Koha e tranzicionit te shqiptarët ka ndikuar tejet negativisht. Rinia jonë e verbuar nga “vlerat” perëndimore u dorëzua dhe pranoi çdo gjë perëndimore. Si të papërgatitur, e gëlltitëm të tërën dhe kjo bëri që nga një shoqëri e ruajtur të bëhemi (një pjesë e rinisë) rini e degraduar. Rënia morale nuk është problem vetëm i prindërve apo vetëm i shtetit, por i të gjithëve. Nëse nuk i rrekemi të gjithë punës për ruajtjen e rinisë sonë, pasojat do të jenë katastrofike. Megjithatë, kam bindjen se shoqëria do të prodhojë forca që do t’i kundërvihen të keqes. Në këtë, Bashkësia Islame dhe punëtorët e saj duhet të jenë mendjemprehtë dhe mos të lejojnë që të tjerët “t’i peshkojnë shpirtrat e rinisë sonë”.

 

IKRE`: 9. A mendoni se duhet që mësim-besimi islam te hyjë nëpër shkollat tona fillore e të mesme që nga klasa e parë dhe të kenë lëndën fetare rregullisht që të ndikojë të paktën tek të rinjtë ?

Nexhat Ibrahimi: Mësim-besimi është një e drejtë elementare njerëzore. Është e papranueshme që nga evro-perëndimi kemi pranuar edhe amoralin, edhe narkomaninë, edhe shumë dukuri negative, por nuk e pranojmë mësimin-besimin. Është anomali që mësim-besimi islam të mësohet në Beograd, por jo në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Por, nuk duhet çuditur përse ndodh kjo! Intelektualët shqiptarë posedojnë një formim intelektual shekullarist (lexo: prokatolik) dhe si të tillë nuk kanë interesim që të futet edhe mësim-besimi islam. Arsyeja: ata thirren në laicitetin e shtetit dhe mospërzierjen e fesë në punët e shtetit. Por, këto janë standarde të dyfishta: mësimet kristiane (katolike e ortodokse) mësohen gjerësisht në librat e gjuhës shqipe e historike, nga Buzuku, Barleti, Bogdani, Budi, Skiroi, Kristoforidhi, Fishta, Noli etj.

Mendoj se Bashkësia Islame me ndihmën e intelektualëve të pavarur duhet të bëjë më shumë, jo me fjalë por me veprime konkrete. Në të kundërtën, edhe më tej do të mbesim në grupin e pak shteteve që diskriminojmë fenë, besimtarët dhe institucionet fetare.

 

IKRE`: 10. Për fund, a keni ndonjë porosi për nxënësit e shkollës sonë?

Nexhat Ibrahimi: Kam bindjen se gjatë viteve të shkuara në medrese jeni vetëdijesuar dhe jeni kalitur për misionin që ju pret. Shpresoj ta keni kuptuar se Medreseja është vetëm stacioni i parë serioz në arsimimin dhe edukimin tuaj. Bëhuni të fuqishëm para “furtunave” që do t’ju godasin. Mos u gjunjëzoni dhe dëshpëroni por ndiqni shembujt e ndritshëm nga historia. Nëse jeni për Islamin do të jetoni përgjithmonë, ndërsa nëse jetoni nga Islami keni vdekur që tani. Mos rrënoni para vetes por mbindërtoni. Këtë nga ju e pretë familja, xhemati dhe Islami.

 

Qofshi nën selamin e Krijuesit tonë.

Me respekt për ju nxënësit dhe mësimdhënësit tuaj të palodhshëm, miku juaj, Nexhati

 

 

Intervistoi : Harbin Fejzi 

20 Mars 2011

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme