SHTRESIMET E IDENTITETIT KULTUROR E KOMBËTAR SHQIPTAR: ÇKA MË TUTJE?

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…( El-Huxhurat:13).

Është e qartë se identiteti fillestar ademit i dhënë në fill të krijimit të njerëzimit, është shumëzuar në identitete të shumta etnike, gjuhësore e racore, me qëllim që ato ta pasurojnë njohjen e njeriut, ta bëjnë më të begatshme jetën njerëzore, e kurrsesi në farë funksioni të konfliktualitetit a të unifikimeve e asimilimeve të dhunshme.

Ndërsa identitetet e dhëna prej Krijuesit, te popujt e ndryshëm kanë arritur ose arrijnë të theksohen e të funksionalizohen më shumë a më pak, në faza të ndryshme të proceseve historike, sociale e kulturore. Shkalla e theksimit e të funksionalizimit të këtyre identiteteve, duke qenë e ndryshme dhe e ndryshueshme nga rasti në rast, e rrjedhimisht duke iu nënshtruar një procesi të pandërprerë të lëvizjeve e të transformimeve, nuk e konteston në asnjë moment faktin e mësipërmë se janë të dhëna, të koduara në vetë njerëzimin.


Zhdukja e popujve- për shkak të mizorive dhe degjerimeve morale

 

Meqë gjatë ekzistencës së njerëzimit ka pasur shmangie të jashtëzakonshme nga identiteti themelor i njeriut si krijesë me mision të veçantë në Tokë, pra edhe nga procesi i njohjes dhe i bashkëpunimit të ndërsjellë, ku do të respektoheshin dallimet e dhëna ndërmjet popujve e fiseve, kanë ndodhur edhe raste të zhdukjes së popujve nga faqja e dheut dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë. Për zhdukje të popujve të ndryshëm ka edhe lëndë dokumentare, veçmas në periudhat e vona të historisë së njerëzimit. Këtu do të sjellim vetëm ndonjë shembull, sa për ilustrim. Fjala vjen, inkët janë një nga shembujt. Inkët ishin një fis, i cili në shekulin XV arriti të shndërrohej në popull dominues në Ande, aq sa shteti i tyre shtrihej në një kohë nga jugu i Ekuadorit e deri në veri të Kilit, duke përfshirë edhe Perunë e Bolivinë. Por, ky popull i fuqishëm kishte një kult të tmerrshëm: flijimin e njerëzve në ditë festash, sipas disa ritualeve makabre. Dhe u bë si u bë, inkët u zhdukën si popull, në vorbullat e pushtimeve spanjolle që pasuan.

Një popull tjetër që pati shkaktuar tërmet në lëvizjet demografike e politike në Europë e në Azi, ishin avarët. Avarët kishin prejardhje mongole, dhe jetonin në një territor të gjerë, që nga Bajkali e deri në Kinën Veriore. Pastaj u shpërngulën dhe ia mësyen Europës, ku mposhtën bullgarët, hunët dhe fiset sllave e madje rrezikuan edhe Bizantin. Por, pas atyre valëve të shpënguljeve e të ekspeditave pushtuese, pasoi rënia dhe madje zhdukja e tyre. Edhe avarët kanë mbetur në kujtesën historike për prirjen e tyre që të bënin mizori dhe pabesi të pashembullta, gjë që është me domethënie të madhe në kontekst të epilogut të tyre.

Këto janë raste të historisë më të re, ndërsa për zhdukje popujsh na ka dhënë dëshmi edhe Kur’ani, ku përmendet zhdukja e popullit të Adit e Themudit, për shkak të degjenerimeve që lindën në mesin e tyre.

Ka edhe raste kur ndonjë popull ose disa popuj, nuk janë përfshirë nga zhdukja e plotë, por janë përfshirë nga tjetërsimi i identitetit të tyre etnik. Rasti më i afërt për ne mund të jetë ai i popullit bullgar. Bullgarët kishin prejardhje turko-tatare. Ky popull arriti të bëjë disa pushtime, po duke qenë më i pakët në numër, hyri në një proces asimilimi dhe u transformua në popull sllavë.

Një realitet tjetër jetësor e historik është ai i fateve të popujve që as janë zhdukur plotësisht, as janë asimiluar plotësisht, por që historia e tyre është e mbuluar nga amnezione të mëdha në periudha të gjata historike, ashtu që për fazat e hershme të jetës së tyre, nuk kanë kujtesë historike, ose e kanë të mjegullt, të ngatërruar me mite e me legjendat e prodhuara sipas klisheve ideologjike të kohëve më të reja. Një rast drastik nga pikëpamja logjike, është ai i popullit sllavomaqedonas.

Gjithë bota e di se ky popull me identiteti të formësuar pas Luftës së Dytë Botërore, ka prejardhje sllave dhe do të ketë ardhur me valët e invadimeve sllave në Gadishullin Ilirik në shekujt VII e këndej. Mirëpo, në librat e historisë dhe në gjithë propagandën kombëtare, sllavomaqedonasit kanë ngritur pretendimin se janë pasardhës direkt të maqedonasve antikë. Kështu, një ideologji e re kombëtare, në këtë rast sllavomaqedonase, është ndërtuar mbi falsifikime drastike të fakteve historike dhe manifeston kokëfortësi iracionale në mbrojtje të një idnetiteti nacional të rrejshëm, vetëm e vetëm që të justifikohet me anë të tij hegjemonia mbi një popull tjetër brenda të njëjtit shtet.


Lehtësia e konvertimit të sotëm të shqiptarëve ka burim të hershëm

 

Sa u përket shqiptarëve, tashmë është një standard të thuhet se populli shqiptar është njëri nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ilirik dhe të Europës dhe kjo është normuar edhe në librat e historisë. Dhe është e padyshimtë që populli shqiptar ka një identitet të vetin në aspektin e gjuhës, të territorialitetit dhe të etnopsikologjisë, marrë në kuptim të gjerë. Por, duke qenë një popull i lashtë, pa dyshim ka edhe vështirësi të mëdha për dokumentimin me fakte konkrete materiale të periudhave të hershme të ekzistencës së vet. Që nga dëshmitë e Herodotit 1 për alfabetin e pellazgëve, të cilin e huazuan helenët e deri te dëshmitë e Brokardit 2 për alfabetin latin në librat shqipe, janë fragmente dëshmish të palidhura, të tërthorta e të cilat nuk arrijnë ta krijojnë një pamje të plotë të ekzistencës dhe të transformimeve pellazgo-iliro-shqiptare.

Sot, kur shihet në mënyrë retroaktive ajo histori e shqiptarëve, megjithëse ende e paplotë, mund të hetohen disa shtresime të identitetit kulturor e kombëtar shqiptar, që kanë ardhur si rezultat i fateve dramatike, të përpjekjeve për mbijetesë e për zhvillim brenda një identiteti kulturor e kombëtar të veçantë, në statusin e të qenit popull i pushtuar gjatë dy mijëvjeçarëve.

Rrjedhimisht, shumica e fakteve të ditura dëshmojnë se shtresimet e identitetit kulturor e kombëtar shqiptar, më shumë janë pasoja të gjendjeve të pushtimeve të gjata se sa të zhvillimit normal. Kjo do të thotë se shumë herë është fjala për imponime të vlerave nga jashtë, më shumë me dhunë e më pak si rezultat i një procesi normal kontaktesh ndërmjet popujsh e kulturash që formësohen në vijimësi të ekzistecës e të zhvillimit historik. Rrjedhimisht, ato shtresime identitetesh, në shumë raste janë të paharmonizuara njëra me tjetrën, madje edhe të konfrontuara, ashtu sikundër ka qenë edhe gjeneza e tyre. Ndoshta në këtë kontekst edhe është rasti të mendohet për një çast për atë lehtësi me të cilën shqiptari i dikurshëm po edhe ky i sotmi është kovertuar e konverohet në identitete të tjera gjuhësore, fetare, kulturore e kombëtare, si bizantinë, sllavë, turq, arabë, grekë, italianë e madje edhe në ashkali e në rusë, ku këto entitetet e fundit janë edhe si raste të shëmtuara të kësaj prirjeje në ditët tona në Kosovë, e që arsyetohen me ndonjë lehtësim ose përfitim administrativ e material në shtetet të tjera. Duket se në rastet e sotme të konvertimeve të tilla, kaq të panatyrshme, aktivizohet ndonjë shtresë e atyre identiteteve të dikurshme, të lëkundura në themele, (shtresat pellazge/ ilire, romane, bizantine, ose atyre të konfrontuara( kastriotik/otoman, nacionalist/komunist), gjë që e bën konvertimin më të përballueshëm në ndërgjegjen e bartësve të këtyre dukurive. Sa na është e njohur, në këtë kohë nuk ka raste të tjera në Europë, që një komb të manifestojë prirje të konvertimit të lehtë të identitetit administrativ si shqiptarët. Probleme të mëdha në periudhën e tranzicionit postkomunist kanë pasur edhe kombet e tjera ballkanike( kroatët, boshjakët, sllavomaqedonasit, serbët, bullgarët, rumunët), po edhe kombet e tjera që kanë jetuar në orbitën sovjetike, dhe ende kalojnë nëpër një proces të rëndë çmoralizimi të shoqërive të tyre. Bie fjala, kontigjentet e prostitutave nga Moldavia, Ukraina, Bullgaria e Rusia, janë tabloja tragjike e atij çmoralizimi dhe degradimi. Por, prirje të theksuar për konvertim të idnetitetit kombëtar nuk kanë manifestuar. Përkundrazi, shumica e këtyre kombeve, në këtë periudhë janë shquar për modifikimin e doktrinave tradicionale nacionaliste dhe funksionalizmin e tyre në realitetet e reja gjeopolitike. Këtij sindromi nuk i kanë shpëtuar as dy kombet ballkanike me identitetet më të brishta kombëtare, boshnjakët dhe sllavomaqedonasit. Ndërsa, shqiptarët kanë adoptuar si orientime dominuese ideologjitë kozmopolite, të cilat edhe konvertimin e bëjnë moralisht më të justifikueshëm.


Asnjë shqiptar i sotëm nuk krenohet se ka tradite ilirie

Sot në identitetin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve, si njëfarë vetëpërcaktimi në nivele të definimit të prejardhjes, është e injektuar një dozë e identitetit antik ilir. Kjo shtresë identiteti antik më shumë është marrë si mitologji, e më pak si argument historik, për shkak se historia ilire shfaqet e fragmentuar, e fshirë në kapitujt e saj kryesorë. Në nivelin e kulturës materiale, vërtet kanë mbetur trashëgimi objekte të shumta arkeologjike, me të cilat arkeologët bëjnë përpjekje të rikonstruktojnë periudha dhe ngjarje të ndryshme. Fatkeqësisht, ende nuk është gjetur askund së paku një fjali e shkruar ilirisht, e cila do të ishte njëfarë çelësi për lidhjet ndërmjet ilirishtes antike e shqipes. Argumenti më i fortë që përdoret për argumentimin e lidhjeve gjuhësore të ilirishtes me shqipen, janë toponimet e disa qyteteve si Skupi, Skodra, Naisus, të cilat edhe pse janë ndryshuar në ndonjë element tingullor, prapë kanë ruajtur natyrën me rastin e transformimit nga ilirishtja në shqipe.3

Por, fragmente e argumenteve të gjetura, nuk e mposhtin faktin se shtresa e identitetit antik ilir te shqiptarët e sotëm, është në shumë vende e mbuluar nga harresa.

Ajo që është edhe më e dukshme, kjo shtresë e identitetit është pasive, dhe funksionon kryesisht në tematikat letrare dhe në debatet historike. Pra, kjo shtresë e identitetit nuk tregon sot fuqi që të regjenerohet, nuk prodhon energji në kontekstin e vetëpërcaktimit tonë kulturor e kombëtar. Fjala vjen, asnjë ngjarje e Ilirisë antike, qoftë kulturore, qoftë historike, nuk shënohet sot nga shqiptarët, me çka do të mbahej e gjallë tradita. Poashtu, asnjë figurë historike ilire nuk ka gjetur identifikim në politikë. Shqiptarëve të sotëm as që u shkon ndërmend ta aktivizojnë modelin e ekspeditave pushtuese të Pirros, veçse e kanë temë më të shpeshtë humbjen e luftërave të Teutës, humbjen fatale të mbretit Gent, humbjen e Batos së desidiatëve, tradhtinë e Demeter Farit, tradhtinë e Batos së breukëve, etj. Është e qartë se këto kanë një përsëritshmeri të habitshme në historinë e re të shqiptarëve, por kjo është një traditë negative dhe si e atillë nuk ka fuqi të participojë më aktivisht në identitetin shqiptar.

Mbetet që pika kulmore e afirmimit të kësaj shtrese të identitetit antik ilir është arritur me përdorimin si argument politik të identitetit ilir, bile më shumë të atij pellazg, nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në memorandumet që u dërgonin Fuqive të Mëdha, dhe në studimet historike, argumentonin lashtësinë pellazge e ilire të shqiptarëve.4 

Në letërsi dhe në pikturë ende sot përdoret si tematikë mitologjia ilire, dhe thërmiat e njohura të historisë së saj.5 Por, ky tematizim megjithatë ka mbetur shumë i kufizuar dhe nuk ka prodhon ndonjë element të fuqishëm të identitetit kulturor. Asnjë shqiptar i sotëm nuk krenohet se ka traditë ilire.

Bile, sot kur kombi shqiptar është kombi më i varfër i kontinentit, ka raste kur përmendja e të qenit populli më i vjetër i gadishullit e i kontinentit, tingëllon si alibi e rreme për gjendjen e tashme. Regjinal Hiberti e ka goditur saktë këtë gjendje kur ka thënë se “ shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Europës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri, është njëfarë fati i keq”.6

Kur të plotësohet tabloja e dhënë nga Hiberti, me faktin se më shumë se gjysma e kombit shqiptar as që është përfshirë brenda shtetit shqiptar që është ndërkombëtarisht i njohur, veçse ka mbetur nën sundime e administrime të huaja, (Çamëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia, Kraja e Ulqini), është e qartë se sa ters është ky fat dhe sa pak zë vend në realitetin e hidhur, argumentimi me identiteti antik ilir a pellazg.


Zhdukja fizike në periudhën e sundimit serb

Amnezioni ilir apo alban/shqiptar ka qenë edhe më i rëndë në periudhën e gjatë të pushtimeve bizantine, e cila pasoi pacifikimin ilir të arritur në përmasa të mëdha nga Perandoria Romake. Po ai Reginald Hibert që cituam më herët, thotë për Shqipërinë se “Lidhja e gjatë me Kostandinopojën nuk e la të krijonte identitet politik”.7 Por, nuk është se mbeti vetëm pa identitet politik po në atë periudhë shqiptarët mbetën edhe pa identitet kulturor. E tëra që vjen si trashëgimi kulturore dhe qytetëruese nga ajo periudhë, veç shqiponjës me dy krerë në flamurin kombëtar, vjen në formë emrash të disa perandorëve bizantinë me origjinë ilire, prej themeluesit të Kostandinopojës, Kostandinit të Madh e deri te Justiniani. Por, një prejardhje etnike nuk është e mjaftueshme, për t’i bërë këto figura elementë të identitetit shqiptar 8. Dhe në përgjithësi, qytetërimi bizantin, me luftëra të përgjakshme për pushtet, nga më mizoret që mund të imagjinohen, me luftëra të egra sektare ndërmjet arianizmit e monofizizmit, me psikozat e mitingjeve dhe të hipodromeve, ku ekspozoheshin gjymtyrët e të masakruarve 9, për shqiptarët me formim në shtratin e qytetërimit perëndimor dhe për ata të besimit islam, nuk paraqet një mostër që motivon të ndiqet. Si për kumt, bash ata që u shpallën trashëgimtarë të qytetërimit bizantin, rusët, serbët dhe grekët, janë armiqtë historikë të shqiptarëve dhe kryesit e mizorive më të llahtarshme kundër shqiptarëve. Egërsia serbe, e shartuar mbi mizoritë bizantine, ka bërë gjenocid mbi shqiptarët në shekujt XI- XIV, aq sa e ka sjellë para zhdukjes fizike popullin shqiptar. Kjo është periudha e sllavizimit me dhunë të shqiptarëve dhe të toponimeve në hapësirat shqiptare, e që edhe sot nuk janë çrrënjosur plotësisht. Noam Malkolm konstaton se “Duke marrë para sysh mbisundimin e serbëve ortodoksë, si edhe të gjuihës serbe në Kosovën mesjetare, ka arsye të mendohet se rrjedhas e ëprgjithshme e asimilimit ka qenë në favorin e serbëve, me dias adallime të vogla. Konkluzioni kryesor duhet të jetë se, a marrë para sysh se në ç’shkallë ka qenë asimilimi, ai ëhstyë bërë: shumë veta të cilët iu nënshtruan këtij procesi, duhet të kenë lënë gjuhën e tyre shqipe dhe janë bërë serbë”. 10

Kjo është periudha kur edhe kishat bizantine uzurpohen nga kisha serbe dhe shpallet trashëgimia dhe pronësia ekskluzivisht serbe mbi to, edhe pse shumica e shqiptarëve të Kosovës së sotme dhe të viseve lindore shqiptare, aderonin në fenë ortodokse Kjo është periudha kur aplikohet “Zakonik cara Dushana” sipas të cilit shqiptarët gjymtoheshin, në rast se nuk e pranonin ortodoksinë serbe: “Nëqoftëse ndonjë heretik kapet duke jetuar ndër të krishterët, le të dëmkoset në fytyrë dhe le të dëbohet”. 11

Pra, në këto periudha të gjata të pushtimeve bizantine e serbe, as që mund të bëhet fjalë për zhvillimin e identitetit shqiptar, po vetëm për një proces të zhdukjes fizike dhe kulturore të shqiptarëve përkatësisht të mbijetesës kritike. Dihet se në periudhën para Betejës së Kosovës të vitit 1389, pjesën më të madhe të Kosovës e sundonte Vuk Brankoviqi, ndërsa pjesën lindore të saj, me minierat e njohura të Novobërdës, i sundonte Llazar Hrebelanoviqi.12 Është shqetësues fatki që tërë ky realitet i gjendjes së pushtimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nga serbët, dhe rpocesi i zhdukjes së tyre fizike nga serbët, para ardhjes së osmanëve, margjinalizohet ose edhe fshehet nga historiografia shqiptare

Sami Frashëri - simbol i identitetit të dyfishtë 

 

Proces i zhdukjes fizike të shqiptarëve nga ana e Perandorisë serbe dhe i asimilimit kulturor nga Perandoria e Bizantit, u ngadalësua dhe më tutje pothuajse u ndërpre, pas fitores së Perandorisë Osmane kundër serbëve dhe më tutje kundër Perandorisë Bizantine.

Zëvendësimi i pushtuesve të egër, serbë e bizantinë, të cilët kishin për qëllim shfarosjen fizike të shqiptarëve dhe fshirjen e gjurmëve të tyre kulturore, me një pushtues të butë, i cili sillte edhe mesazhin hyjnor të Islamit, ishte fillimi i një fati të ri historik, kur fillon e krijohet një shtresë e re e identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve. Prej kësaj kohe ka një profilizim të ri, më tutje edhe një qëndrueshmëri identiteti kombëtar shqiptar.

Sot, mund të flitet për një shtresë të identitetit shqiptarë nga periudha otomane. Kolosi i dijes, Sami Frashëri, është në të njëtën kohë refermator i kulturës turke dhe ideolog i çështjes shqiptare. Ai është në të njëtën kohë shkrimtar turk dhe shkrimtar shqiptar. Sami Frashëri është simbol i një simbioze kulturore turko-shqiptare, të bazuar në shtratin e qytetërimit islam.

Kjo traditë pesëshekullore, ka mbetur në disa aspekte edhe pas largimit të Turqisë nga gadishulli Ilirik në vitin 1912. Madje, në disa qytete të mëdha shqiptare si Shkupi, Prishtina e Prizreni, e folmja turqisht ka mbetur për decenie të tëra si gjuhë e familjes, edhe te shtresa qytetare shqiptare. Sot kjo traditë është në të perënduar, por ama vetëm pas gati një shekull të largimit të Turqisë.

Përderisa breda vetë popullit shqiptar kjo gjë është përjetuar si krejt legjitime dhe jokonfliktuale, ajo është keqpërdorur nga armiqtë e shqiptarëve. Fjala vjen, në rrokullimën e luftërave ballkanike, Mali i Zi në vitin 1913, pati ndërmarrë një projekt për konvertimin me dhunë të shqiptarëve muslimanë të Rrafshit të Dukagjinit në ortodoksë. Ky projekt u kthye në një gjenocid kundër popullsisë shqiptare. Ndërsa, në rrokullimën e Luftës së Dytë Botyërore, ideologjia fashiste zervase, e ka përligjur gjenocidin kundër shqiptarëve, në Çamëri, duke i trajtuar si turq që duheshin dëbuar nga toka greke.

Më duket indikative e dhëna se shpërnguljet e mëdha shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare të mbetura nën pushtimet sllave, në vitet 1912- 1955, kanë qenë të drejtuara për në Turqi. Kjo sigurisht ka qenë si rezultat i politikave koniukturale të qeverive serbo-jugosllave e turke, (Konventa e nënshkruar nga Stojadinoviqi e Ataturku në vitin 1937 dhe Marrëveshja Xhentëllmene ndërmjet Titos e Kyprillisë e vitit 1953.) Por, kjo politikë koniukturale, nga pikëpamja turke dhe e shqiptarëve që dëboheshin nga atdjheu i tyre, ishte e bazuar edhe në prirjet që pulsonin në vetë realitetin jetësor, që ishte formësuar si afri e ndërsjellë nëpër shekuj, nga prezenca dhe nga ndikimi i Turqisë mbi identitetin e popullit shqiptar.

 

Ridefinimi i identitetit kombëtar: drejt panamerikanizmit shqiptar?

Pas ardhjes në krizë të doktrinës dhe të praktikës së socializmit jugosllav, e cila identitetin kulturor dhe kombëtar shqiptar e mbante nën trysninë e fuqishme të sllavizmit të ambalazhuar si kozmopolitizëm, filloi një fazë e re e rifedinimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara nga sllavët.

Nuk është pa interes të përmendet se pas dyzet vjetëve, kur filloi një valë e re e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga Kosova, ( në vitet 1994-1999), ajo u drejtua për në shtetet europerëndimore, e aspak drejt Turqisë. Kjo për arsye se lidhjet me Turqinë qenë shkëputur, ndërsa me Europën Perëndimore qenë intensifikuar. Më duket se kjo prirje e re e shkuarjes drejt shteteve europianoperëndimore, ka të bëjë edhe me zbehjen e dukshme të identitetit islam të shqiptarëve, në deceniet e jetës nën socializëm dhe me forcimin e një shtrese europiano-perëndimore të identitetit kombëtar. Partia e parë politike jokomuniste e krijuar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, (1989) u shqua për një orientim të theksuar propagandistik europiano-perëndimor, i cili u shndërra në diskurs dominues edhe në opozitën që lindi në Shqipëri një vit më vonë.

Këto zhvillime ideologjike, politike dhe më tutje ushtarake, në rastin e luftës në Kosovë (1998-1999) dhe në Maqedoni (2001), qenë me ndikim edhe në identitetin shqiptar në përgjithësi, te të cilët në këtë periudhë ka triumfuar botëkuptimi për identitet perëndimor, për çka edhe i kanë shpallur aspiratat e tyre për integrimet e plota euroatlantike. Roli kryesor i Shteteve të Bashkuara në vitin 1999, në ndërprerjen e spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosoëvs, është momenti kyç, i cili prodhon këtë ndjeshmëri proamerikane. Në luftën e fundit amerikane kundër Irakut, elitat politike shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, shpalosën solidaritetin dhe madje pjesëmarrjen në koalizionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shetet e Bashkuara të Amerikës, me çka kanë forcuar idenë e re, që mbase mund të emërtohet si panamerikanizëm shqiptar.13. Ky sindrom panemarikanizmi, në fakt është shtresa e tashme dominuese e identitetit të proklamuar politik shqiptar.14 Sa është kjo gjendje emocionale rezultat i zhvillimit normal dhe i aspiratave normale, e sa i ngjarjeve të imponuara, do të shihet në të ardhmen, nga shkalla e integrimit. Ajo që shihet sot për sot, është se potencialet për këtë proces nuk shquhen për mobilitet të madh. Mbetja e Kosovës pa status politik dhe të qenit e Shqipërisë si shteti i fundit në listën e shteteve europiane që planifikohen të pranohen në Bashkimin Europian, është një indikator i joqëndrueshmërisë së këtij ekzaltimi të proklamuar. Elementët bllokues të energjive të kombit shqiptar, ende nuk janë identifikuar në mënyrë korrekte.


Amnestohen të gjithë pushtuesit, përveç Turqisë

Sado që shtresa e identitetit otoman ndër shqiptarë tashmë rezulton e zbehur, më duket se ende bëhen përpjekje që ajo të fshehet e të mohohet krejtësisht, përkatësisht të mbulohet nga amnezioni i plotë. Dhe kjo bëhet për dy arsye: e para, mendohet se duke i prerë rrënjët e lidhjeve të gjata shqiptaro-turke, mund të dobësohet dhe eventualisht të mposhtet Islami ndër shqiptarë. Nxjerrja në epiqendër si identitet kombëtar dhe kulturor vetëm e një shtrese të identitetit krishterë të shqiptarëve, që ambalazhohet si “përkatësi civilizimit europian”, bëhet për këtë shkak. Madje edhe një ngjarje si Beteja e Kosovës e vitit 1389, paketohet si gjoja luftë luftë për ruajtjen e lirisë së popujve ballkanikë, pra edhe të lirisë e të pavarësisë së shqiptarëve. Ndërsa më herët u konstatua se cila ishte gjendja e shqiptarëve nën Perandorinë Serbe, para se ajo të shkërmoqej nga ardhja e osmanëve. Më duket se fshehja e fakteve kaq të fuqishme, përveç që ka për qëllim zbutjen e qëndrimit antisllav dhe antiortodoks të shqiptarëve, veçmas ka për qëllim mbajtjen e akuzës për Islamin si gjoja pengues të lulëzimit të shqiptarëve.

Edhe lufta e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në shumë aspekte të saj, është e mbështjellë me mitologji, me funksion të njëjtë ideologjik, pra për mbjelljen në ndërgjegje të shqiptarëve të ideologjisë, sipas të cilës identiteti i tyre i vetëm është ai krishterë.

E dyta, në periudhën e vet të fundit, Perandoria Osmane, nuk kishte mbetur as hija e një shteti që rrezatonte kulturë, qytetërim e vlera të mëdha për njerëzimin. Ajo ishte përfshirë nga korrupsioni, nga injoranca dhe nga mipoia politike. Turqia e fundit të shekullit XIX dhe e decenies së parë të shekullit XX, faktikisht ishte bërë protektorat i disa shteteve perëndimore, veçmas Rusisë, e cila kishte marrë të drejtat e përkujdesjes për ortodoksët dhe të Austrohungarisë e cila kishte fituar të drejtat e protektoratit mbi katolikët e Ballkanit. Egërsia e ekspeditave pacifikuese xhonturke kundër shqiptarëve kryengritës në vitet 1910 1912, u shndërrua në armiqësi për gjeneratat që e themeluan shtetin shqiptar në vitin dhe la vrragë të thella në kujtesën e njerëzve. Prej andej u bart edhe në arsim e në kulturë, duke gjeneruar për decenie të tëra armiqësi kundër Turqisë dhe veçmas kundër Islamit, e duke i mohuar të gjitha anët e mira që kishte sjellë për shqiptarët ajo bashkëjetesë e gjatë në Perëndorinë Otomane.

Sindromi antiturk ushqehet vazhdimisht nga propaganda e ashpër, e injektiuar që nga programet shkollore e deri te komentet politike. Rrjedhimisht, në një pjesë të madhe të popullsisë, shfaqen hutesa e bllokime të energjive, nga frika se përgjigjja në këto mostra, do të shkaktonte rritje të konfliktualitetit brendakombëtar.

Shqiptarët tashmë i kanë harruar, ose së paku shtiren se i kanë harruar vuajtjet që u janë shkaktuar nga dy pushtime italiane, nga pushtimi nazist gjerman, nga gjenocidi grek në Çamëri, e ka shenja se po relativizohen edhe hidhërimet për gjenocidin e fundit serb në Kosovë. Mbajtja e paragjykimit për Turqinë si pushtues, kur janë amnestuar pushtuesit më të egër, nuk ka si të shpjegohet ndryshe, veçse në kontekstin e një strategjie antiislame, si ndër vetë shqiptarët, që duan të mbajnë idenë se identitetit i tyre kombëtar është vetëm i krishterë, si nga të huajt, që e stimulojnë këtë ideologji. Por, kjo prirje po e shkakton blllokimin e energjive, çoroditjen e dialogut të brendshëm dhe gjymtimin e identitetit shqiptar.

Çka më tutje?

E para, është i domosdoshëm rishkrimi kritik i historisë së shqiptarëve, duke e dekontaminuar atë plotësisht nga mitologjtë romantike iliro-pellazge dhe nga ideologjitë agresive antiislame. Vërtet, përfytyrimet romantike për një popull madhështor në antikë, përplasen sot për një realitet të hidhur, sikundër që përfytyrimet për muslimanët shqiptarë si antieuropianë potencialë apo të fshehtë, nuk kanë asnjë qëndrueshmëri logjike. Poashtu edhe periudhat e pushtimit të gjatë bizantin, e pushtimeve shkatërrimtare mesjetare serbe, e luftërave të Gjergj Kastriotit, e integrimit në Perandorinë Otomane dhe e komunizmit shqiptar, kërkojnë interpretime të reja shkencore, duke identifikuar pasojat dhe rezultatet për identitetin shqiptar. Në një interpretitm kritik të hisorisë kombëtare, duhet të përfshihen të gjitha shtresat e identitetet, ashtu që të krijohet një pamje e plotë dhe koherente, pa konfliktualitet të mbarsur ideologjik. Fjala vjen, krahas identitetit kastriotik dhe prodhimit të tij në historinë dhe në kulturën kombëtare, duhet të pranohet edhe ajo shtresë e identitetit kulturor me prejardhje otomane, e cila në fakt u bë tharmi i ideologjisë kombëtare të shqiptarëve.

E dyta, ka ardhur koha të mos injorohet identiteti aktual fetar i shqiptarëve, ashtu si është ai në realitetin jetësor. As në këtë nivel nuk ka nevojë të konfrontohet asgjë, dhe as të imponohet asgjë. Duhet hequr etiketa që Islami na qenkësh fe antieuropane dhe antiperëndimore, kur dihet se trualli i të tri feve monoteiste është i njëjti dhe vetë Shpallja Hyjnore është unike. Rrjedhimisht, edhe Islami i shqiptarëve duhet të pranohet ashtu si është në të vërtetë: përqafim i Shpalljes Hyjnore15, e cila askujt nuk i imponohet me dhunë, por e cila vërtet nuk mund të mposhtet nga asnjë ideologji dhe nga asnjë luftë që i bëhet. Në pajtim me këtë, duhet të pranohet kontributi i dhënë nga shqiptarët muslimanë në krijimin dhe zhvillimin e identitetit shqiptar dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm shqiptar në këta shtatë shekujt e fundit, që nga shpëtimi nga asimilimi sllavë e bizantin në Mesjetë e deri te krijimi i shtetit shqiptar dhe i ridimensionimee më te reja gjeopolitike të kombit shqiptar në hapësirat ballkanike.

E treta, në procesin e globalizmit, kultura dhe kombi shqiptar duhet të vënë në përdorim gjithë spektrin e vlerave që disponojnë, pra edhe vlerat dhe identitetin islam, në mënyrë që në integrime të jemi partner i pashfytyruar dhe ashtu të kontribuojmë më shumë në njohjen e ndrsjellë dhe në zhvillimin pozzitiv të bashkësisë njerëzore. Të qenët në një pozicion gjeografik dhe qytetërues të urës lidhëse ndërmjet Perëndimit e Lindjes, do të duhej të shndërrohej në një favor për kombin shqiptar në proceset e ardhshme të integrimeve glolabe. Hezitimi sa u takon lidhjeve e bashkëpunimit me Turqinë dhe me botën islame, duhet të tejkalohet, sepse me to bashkëpunojnë të gjitha kombet e tjera, duke përfshirë edhe amerikanët, të cilët edhe kur sulmojnë një shtet arab, si Irakun, atë sulm dhe invadim e bëjnë nga trualli i disa shteteve arabe, si Katari e Kuvajti. Rrjedhimisht, mbajtja e paragjykimeve dhe e “fajësisë historike” për përkatësinë islame të një numri të madh të shqiptarëve, nuk kanë asnjë mbështetje logjike. Thjesht janë komplekse të imponuara nga armiqtë e shqiptarëve, të cilët këtij kombi i kanë imponuar edhe një ekuilibrim artificial të identitetit shqiptar, duke e shtypur shtresën e identitetit islam. Vetëm ekuilibrimi i vërtetë i shtresimeve të identitettit tonë, do të na nxirrte nga vorbulli i falsifikimeve të përfytyrimeve dhe të realiteteve kombëtare, me çka do të qetësohej ndërgjegja e shumicës së njerëzve shqiptarë. Ashtu do të fitohej mobiliteti i kombit në rrugën e përparimit e të emancipimit, çka nënkupton edhe ndihmën e pakursyer të Krijuesit, në rast se veprohet në rrugë të drejtë.

Përfundimisht, ky do të ishte stabilizim në një identitet natyral, pas sa e sa shekujve të humbjes në vorbullat e amnezioneve të mëdha, sikundër ishin proceset e mëdha asimiluese: romanizimi, greqizimi, sllavizimi, e turqizimi, e sikundër ndodh sot, konvertimi në grekë, në italianë e madje edhe në ashkali e në rusë. Pikërisht këto ndikime të forta shfytyruese mbi identitetin kulturor e kombëtar, e veçmas atë fetar, si boshti kurrizor i harmonisë dhe i stabilitetit individual dhe kolektiv, e kanë katandisur kombin shqiptar në më të varfërin dhe gati më të parëndësishmin e kontinentit europian, të njohur për lëkundje ideologjike dhe shpërndërrime të rrezikshme të kërkesave sociale dhe politike 16, si edhe për relativizime tragjike të projekteve politike e kombëtare17.

Po se a kemi nxjerrë mësime të dobishme nga përvojat e hidhura të dy mijëvjeçarëve të shkuar, ende nuk shihet qartë. Në fakt, nëse nuk veprohet sipas strategjisë që u skicua më lart, duhet të konstatoj me keqardhje se do të vazhdojë katandisja e kombit tonë, si pasojë e brishtësisë së identitetit, e konfrontimit të shtresave të ndryshme të këtij identiteti dhe e rritjes së presionit shkombëtarizues të proceseve integruese globale. Ta zëmë, gjuha shqipe, e cila mbahet si argumenti më i fuqishëm i identitetit kulturor e kombëtar të ne shqiptarëve, në të ardhmen mund të margjinalizohet edhe nga vetë shqiptarët, të cilët nën presionin e integrimit, do të parapëlqejnë të flasin e të shkruajnë në gjuhë të tjera, anglisht, italisht, greqisht, ashtu siç kanë bërë edhe paraardhësit tanë, që identitetin e vet gjuhësor e kanë shfytyruar, duke parapëlqyer ose duke pranuar imponimin e latinishtes, greqishtes, sllavishtes a turqishtes.

Procesi shfytyrues në të kaluarën ka qenë disi më i ngadaltë, edhe për shkak se pushtuesit kanë ardhur në territoret shqiptare dhe e kanë imponuar me aparat shteti një gjendje pushtimi, ndaj së cilës është manifestuar një dozë rezistence, ndërsa sot shqiptarët vetë shkojnë me vullnet në vendet e tjera dhe me vullnetin e tyre bëjnë përpjekje të integrohen në identitete të reja kulturore e kombëtare. Dhe mbi të gjitha, ateizmi i injektuar në të kaluarën komuniste me dhunë nga ideologjia dhe praktika agresive e komunizmit shqiptar dhe i përqafuar nga një numër i shqiptarëve të brezave të rinj, për shkak të edukimit të mbrapshtë, në ndonjë rast edhe si farë “trendi europianizues” e më shpesh si fshehje e identitetit të vërtetë fetar, është vetë tharmi i çmoralizimit, i krizës së identitetit të sotëm shqiptar dhe i lehtësisë së konvertimit.

Nga ana tjetër, është krejt e qartë se në mijëvjeçarin e ri, përmasat e gllabërimit të identiteteve të brishta kulturore e kombëtare, janë shumëfish më të mëdha se në dy mijëvjeçarët e shkuar.


Në Prishtinë, 18 prill 2003


Shënime


1. “Pellazgët kanë qenë të parët që i morën shkronjat prej fenikasve dhe prej pellazgëve i morën grekët aty nga fillimi i shekullit XVI p.e.s” (cituar sipas Albert Kotini, Çamëria denoncon, Fllad, 2001, Tiranë)

2 “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithatë ata kanë alfabetin latin në të gjitha librat e tyre” (citim sipas autorit të njëjtë, fq. 130)

3. “Këto janë disa nga emrat e vendeve të lashta të Shqipërisë, që peshojnë në punë të autoktonisë së shqiptarëvet. Po të mendojmë më një anë se shumica e emrave të tilla kanë humbur në rrymë të kohëve, pa lënë gjurmë toponimi (nënv. imi), e më anë tjetër se materiali arkival i mesjetës nuk ka dalë i tëri në shesh, do të pranojmë se emrat me të cilët mund të operohet sot, nuk janë veçse mbeturina e fundit e burisë së dikurshme. (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Rilindja, Prishtinë, 1977, fq, 150)

4.. ”Në të zanun fill të botës, e qysh në kohë që njeriu ishte i padije e jetonte tui luftue njeni me tjetrin, u lkund prej Aziet nji komb njerëzish, shumicë e madhe, e u nda prej farësh të tjera e rej gjindhs tjerë, që ishin ndër ato dhenatë larga, e muerën udhën kah detri për me gjet një dhe tjetër, e për me mujtun me gjallue në pushim, pa frikë e pa droje. Këti kombi, që iku në këtë mënyrë prej Aziet, ia thojshin emnin Pellazgë.” (Pashko Vasa: Shqypnija dhe Shqyptarët, 1879 te “ Pashko Vasa, Vepra 3. Rilindja, Prishtinë, 1989, fq. 241)

5. Autori i këtij teksti, ka botuar vepra letrare me këtë tematikë si bie fjala dramën “Monedha e Gentit, komedinë “Kush i bie fyellit”, si dhe një numër të madh të poezive me motive e tema nga historia dhe mitologjia ilire në vëllimet me poezi: ”Qeshje sardonike, (1987) Formula e Katonit, (1990), Kurs për panotmimë, (1994) dhe “Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat, (1996).

6. Reginald Hibert, Fitorja e hidhur, fq. 11

7. Po aty

8. Dëshmi të rralla të përpjekjes për adoptimin e figurës së Kostandinit të Madh janë këto vargje të Naim Frashërit: “Konstandin i madh që thonë/ Edhe ai nga fara jonë”

9.Shih: Ogyst Baji, Perandoria e Bizantint…

10 Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 1998, fq.53

11. Cituar sipas Noam Malkolmit, fq. 53

12. Po aty

13. Kur filloi intervenimi ushtarak i SHBA-ve dhe i koalicionit kundër Irakut, në Prishtinë u mbajt një tubim publik në përkrahje të luftës. Krahas një asociacioni të veteranëve të luftës së UÇK-së, organizator të këtij tubimi ishin edhe një asociacion që mirret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut (!)dhe një organizatë studentore. Ky spektër heterogjen i shoqërisë kosovare, në përkrahje të luftës së SHBA-ve, bashkë me pjesëmarrjen e Shqipërisë në koalicion, e ilustron panamerikanizmin e shqiptarëve të Kosovës po edhe të Shqipërisë zyrtare.

14. Deri sa po merrte formën përfundimtare ky tekst, në Prishtinë u mbajt një konferencë e organizuar nga strukturat e partisë më të madhe shqiptare të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, me temë të formuluar kështu: “Demokracia amerikane-model për zhvillimet në Kosovë”. Edhe ky aktivitet e ilustron pohimin tonë për prirjen jokritike drejt një panamerikanizmi, madje edhe në rastet si ky, ku kërkohet që të shërbejë si model demokracia e superfuqisë së vetme të botës së sotme, në rethanat kosovare, kur Kosova është nën administrim të huaj dhe nuk është fare shtet i pranuar!

15. Mehdi Frashëri është njëri nga falsifikuesit e mëdhenj shqiptarë lidhur me natyrën e Islamit. Ai në veprën “Problemet shqiptare”, përpiqet ta mohojë natyrën hyjnore të Kur’anit dhe ta paraqet fenë Islame si vepër të Muhamedit.

16. Rebelimi i armatosur i vitit 1997 në Shqipëri, krahas përgjegjësisë objektive të lideshipit për lejimin e skemave piramidale, krahas reagimit joadekuat ndaj protestave, krahas sponzoruesve të jashtëm, që e sponsorizuan destabilizimin e Shqipërisë, duket sikur e ka pasur brenda vetes edhe tharmin e psikozave të dikurshme të herezive dhe të rebelimeve bizantine.

17.Aktualisht në Kosovë ka disa projekte politike për të ardhmen, e që në shumë aspekte janë kundërthënëse ndërmjet tyre: 1.njohja sa më parë e pavarësisë formale të Kosovës nga faktori ndërkombëtar, (Rugova, LDK)ç 2. moratorium-afatizim për statusin final të Kosovës, ( Thaçi, PDK)ç 3. shpallje e pavarësisë nga deputetët në Kuvendin e Kosovës (AAK)ç 4. Unioni Kosovë-Shqipëri, (LPK)ç 5. bashkim i të gjitha trojeve shqiptare (LKÇK dhe AKSH.)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme