Dhikri (përmendja e Zotit) me zë

Nga Ebu Katade transmetohet:

“Doli një natë Pejgamberi i Zotit dhe e pa Ebu Bekrin duke u falur me zë të ulur, kurse kur erdhi te Omeri e pa duke u falur me zë të lartë. Kur shkuam te Pejgamberi a.s. ai tha: O Ebu Bekr, kam kaluar pranë teje, kurse ti faleshe duke e fshehur zërin tënd? Ebu Bekri ka thënë: “Atë që e kam thirr dëgjon më së miri o Pejgamberi i Zotit. Pejgamberi a.s. ka thënë: Ngrite pak zërin tënd. Pastaj i tha Omerit: Kam kaluar pranë teje kurse ti faleshe me zë të lartë? Omeri në këtë tha: “O Pejgamberi i Zotit, e pengoja dremitjen dhe e largoja shejtanin. Pastaj Pejgamberi a.s. ka thënë: Zvogëloje pak zërin tënd.” [1]

Disa selefinjë e konsiderojnë për mustehab ngritjen e zërit me rastin e shqiptimit të tekbirit dhe dhikrit kurse mendimin e tyre e mbështesin me hadithin i cili transmetohet nga Ebu Ma’bedi se atë e ka njoftuar Ibn Abbasi se bërja me zë e dhikrit pasi të përfundohej me namaz ka qenë në kohën e Pejgamberit a.s. dhe lidhur me këtë Ibn Abbasi ka thënë:

“E kam ditur kur e përfundonin (me namazin) sipas atij (dhikrit) të cilin e dëgjoja.” [2]

Imam Shafiu në komentin e këtij hadithi ka thënë se Pejgamberi a.s. ia fillonte dhikrit me as’habët pas namazit kurse ata e përcillnin në këtë.

Esh-Sherbini thotë:

“Nuk ka probleme në administrim në mësim – që një grup të mësojë e pastaj tjetri.” [3]

Vehabinjtë, që t’i pengojnë njerëzit nga dhikri, shpesh e theksojnë një ether nga Ibn Mes’udi dhe thonë se dhikri i bërë në mënyrën tonë është i ndaluar.

Nga Amr ibn Jahja transmetohet se ka thënë:

“Unë kam dëgjuar nga babai im, kurse ai nga babai i tij si vijon: “Ishim ulur para dyerve të Abdullah ibn Mes’udit r.a., para namazit të drekës, dhe kur ai dilte nga shtëpia e tij, ne e përcillnim atë deri në xhami. Erdhi Ebu Musa El-Esh’ariu r.a. dhe tha: “A doli Ebu Abdurrahmani?” Thamë: “Jo”. Edhe ai u ulë me ne, deri sa (Ibn Mes’udi) nuk doli. Kur doli, të gjithë kërcyem drejt tij. Ai tha: “”O Ebu Abdurrahman! Pak më parë në mesxhid kam parë diç që më iriton, por nuk kam parë asgjë përveç mirë.” “E ç’ke parë ashtu?”-  pyeti Ibn Mes’udi. “Paç jetë e do të sheh. Kam parë popullin në xhami se si qëndrojnë ulur në hallka, duke e pritur namazin. Në çdo hallkë ka nga një njeri kurse në duar kanë guralecë. Ky njeri nga mesi i tyre fletë: lexoni tekbir njëqind herë, e pastaj secili nga ata lexon nga njëqind herë Allahu ekber. Pastaj iu thotë: lexoni tahlil njëqind herë, dhe ata lexuan njëqind herë, pastaj lexoni tesbih njëqind herë dhe e lexuan, pastaj tahmid njëqind herë, dhe e lexuan.” Pastaj Ibn Mes’udi tha: “Përse nuk iu ke urdhëruar që ata t’i numërojnë mëkatet e tyre. Kurse iu garantoj që veprat e mira nuk do t’ju shkatërrohen.” Pastaj ka vazhduar të ecë, kurse ne kemi ecur pas tij, deri sa nuk erdhi deri te një hallk prej tyre dhe u ndal mbi ta. Atyre iu tha: “Ç’po shoh unë që ju po bëni?” Ata u përgjigjen: “O Ebu Abdurrahman, këta janë guralecë me të cilët i numërojmë tekbirët, tahlilët, tahmidët dhe tesbihët.” Kurse ai iu tha: “Numëroni ju mëkatet tuaja. E unë ju garantoj se nga mëkatet tuaja nuk do t’ju shkatërrohet asgjë. Ruajuni o ummeti i Muhammedit, se si ju sa shpejt po rrëzoheni në shkatërrimin tuaj. Ja as’habët e tij në mesin tuaj, ja edhe rrobat e tij, edhe enët e tij janë këtu. Për Zotin, në pushtetin e të cilit është jeta ime, ju si duket jeni në një fe e cila është më e mirë se feja e Muhammedit, apo ju jeni ata që ia keni hapur dyert lajthitjes.” Pastaj ata thanë: “Për Zotin o Ebu Abdurrahman, ne nuk kemi dëshiruar asgjë tjetër pos mirë.” Kurse ai iu përgjigj atyre: “E dini sa ka prej atyre që dëshiorojnë mirë por kurrë nuk ia arrijnë. Vërtetë Pejgamberi i Zotit ka thënë: “Një popull apo disa njerëz do të lexojnë Kur’anin por leximi i tyre nuk do t’i kalojë gabzherrat e tyre.” Pastaj Ibn Mes’udi tha: “Për Zotin, ka shumë mundësi, që shumica juaj të jeni të tillë.” Pastaj u kthye nga ata dhe shkoi.” [4]

Mirëpo, ky ether nuk mund të bëhet dëshmi dhe këtë nga arsyet vijuese: Në këtë hadith, siç e shohim të gjithë, gjendet Amr ibn Jahja për të cilin:

Imam Dhehebiu thotë: Amr ibn Jahja ibn Amr ibn Seleme, thotë Jahja ibn Muin: “Hadithet e tij nuk pranohen.” [5]

Jahja ibn Muini thotë: Hadithet e tij nuk pranohen.

Ibnu Harashi thotë: Ai është daif, i dobët.

Ibn Adijj thotë: Ai është nga transmetuesit e dobët.

Gjithashtu, madje edhe sikur ta arrij disi shkallën e hasenit, ky hadith nuk ka të bëjë me ndalesën e tubimit në hallka me rastin e dhikrit as me ndalesën e përdorimit të tespihëve apo ndalesën e punës së myezinit por ka të bëjë, si e ka theksuar këtë ulemaja e Ehli Sunnetit dhe xhematit, për ndonjë nga gjerat vijuese:

- Njerëzit të cilët bënë dhikr në ato hallka e bënë këtë me zë të lartë kurse Ibn Mes’udi këtë ua ka mohuar.

- Ata të cilët kanë bërë dhikr me zë të lartë kanë shqetësuar falësit në atë xhami.

- Në transmetimin e hadithit të njëjtë te Taberaniu theksohet se Ibn Mes’udi i ka urdhëruar grupit i cili ka ardhur më vonë t’i bashkëngjiten grupit i cili ka ardhur më herët, dmth. që të gjithë të bashkohen dhe së bashku të bëjnë dhikr e jo të ndahen në shumë hallka. Pikërisht këtë ndarje ai ua ka ndaluar.

Pastaj, Hafidh Sujutiu në veprën e tij El-Havi li’l-fetava thotë:

“Sa i përket etherit i cili transmetohet nga Ibn Mes’udi se i ka parë njerëzit se si i lexojnë tahlilet dhe tekbiret në xhami dhe se i ka larguar nga xhamia dhe i ka shpallur risimtar, ai kërkonsqarim: “Ky ether, madje edhe sikur të parashtrojmë se është korrekt, i kundërvihet haditheve sahih kurse është e njohur se sahihut i jepet përparësi ndaj zaifit. Pastaj, ekzistojnë dëshmitë në të cilët mohohet se kjo është vepër e Ibn Mes’udit sepse shënon Ahmedi nga Ebu Vaili se ka thënë: “Ata thonë se Ibn Mes’udi i ka penguar njerëzit nga dhikri por unë nuk jam ulur kurrë me Ibn Mes’udin e të mos kemi bërë dhikër.” [6]

Imam Ibn Haxher El-Hejthemi thotë:

“Sa i përket etherit i cili i përshkruhet Ibn Mes'udit se ai i ka parë njerëzit të cilët kanë bërë tekbir dhe tahlil dhe i ka larguar nga xhamia dhe i ka shpallur për risimtar, kjo nuk është konfirmuar nga ai dhe nuk është transmetuar me transmetim korrekt. Madje, në kundërshtim me këtë, është transmetuar nga Ebu Vaili se ka thënë: “Ata flasin se Abdullah ibn Mes’udi i ka penguar njerëzit nga dhikri kurse unë kurrë nuk jam ulur me të e të mos kemi bërë dhikër.” [7]

Imam El-Munavi thotë:

“Sa i përket etherit i cili i përshkruhet Ibn Mes'udit se ai i ka parë njerëzit të cilët kanë bërë tekbir dhe tahlil dhe i ka larguar nga xhamia dhe i ka shpallur për risimtar, kjo nuk është e saktë as nuk është konfirmuar. Po sikur edhe të jetë konfirmuar i kundërvihet etheri të cilin e shënon imam Ahmedi në Zuhd nga Shekik ibn Ebi Vaili se ka thënë: “Ata flasin se Abdullah ibn Mes’udi i ka penguar njerëzit nga dhikri kurse unë kurrë nuk jam ulur me të e të mos kemi bërë dhikër.”[8]

Imam Mufessiri El-Alusi thotë:

“Ajo që është përmendur në rastin e Ibn Mes’udit në të cilin thuhet se ai ka parë njerëzit që e thotë La ilahe il-lall-llah dhe i ka larguar ata nga xhamia dhe i ka shpallë për risimtar, nuk është korrekt te dijetarët e hadithit. E madje edhe sikur të ishte korrekte i kundërvihet ethereve të saktë të cilat i transmetojnë prej tij shumë muhadithë kurse në të cilët thuhet se ai ka bërë dhikër me zë. Gjithashtu, ka mundësi që ai t’ua ketë mohuar dhikrin me zë tepër të lartë.”[9]



[1] Ebu Davudi, 2/ 38; Ibn Huzejme, 2/189; Mu’xhem’ul-evsat, Taberaniu, 7/181; Mustedrek, Hakimi, 1/454. 

[2] Buhariu, nr. 841, fq. 97; Muslimi, 1/ 410.

[3] Mugni el-Muhtaxh, Esh-Sherbini, 4/ 429.

[4] Tirmidhiu.

[5] Mizan’ul-I’tidal, Dhehebiu, 4/ 378.

[6] El-Havi li’l-fetava, Sujutiu, 1/ 379.

[7] El-Fetava Fikhijjet’il-kubra, Ibn Haxher El-Hejthemi, 1/ 177.

[8] Fejd’ul-Kadir, El-Munavi, 1/ 457.

[9] Ruh’ul-Me’ani, El-Alusi, 6/ 163.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme