Hytbeja Evropiane e Kryemyftiut të Bosnjës Dr.Mustafa Ceriq

Ardhja e Islamit në Evropë ishte një gjë e natyrshme, ashtu siç qe edhe ardhja e Judaizmit dhe Krishterimit. Asnjë profet nuk është me prejardhje nga Evropa. Nisur nga kjo, asnjë fê në Evropë nuk ka prioritet në bazë të gjeografisë. Të tri traditat e Ibrahimit: Judaizmi, Krishterimi dhe Islami i përkasin Evropës ndaj dhe Evropa ka të drejtë, gjegjësisht detyrim që t’i trajtojë ato si fê të saja.

Islami në Evropë erdhi nëpërmjet dy portave: përmes portës së Gadishullit Iberik në shekullin e VIII dhe Gadishullit të Ballkanit në shekullin e XIV. Tetëqind vitet e prezencës islame në Anadaluzi (Spanjë), prodhuan traditën e vetme të tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore, si dhe lirinë akademike e cila me të madhe i kontribuoi Evropës në rrugën e saj drejt Humanizmit dhe Rilindjes (Renesancës).

Për fat të keq, idenë e tolerancës andaluziane historia evropiane nuk e përjetoi.Falë Mëshirës së Zotit, Islami mbijetoi në Gadishullin e Ballkanit përkundër vështirësive të cilave iu ekspozuan muslimanët, posaçërisht gjatë shekullit të fundit (XX), ku sidomos do të veçoja gjenocidin më brutal që ndodhi në korrik të vitit 1995 në qytetin boshnjak të Srebrenicës, i cili aso kohe ishte zonë e mbrojtur konform rezolutës së OKB-së.

Për vetëm disa ditë të sulmit brutal, më shumë se 8000 myslimanë – pleq dhe fëmijë, që kërkonin shpëtim në rajonin e kontrolluar nga Forcat Mbrojtëse të OKB-së (UNPROFOR), masovikisht u ekzekutuan nga forcat serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq dhe forcat paramilitare, përfshi edhe njësitet policore jo të rregullta serbe-të cilat vinin nga Serbia në territorin boshnjak.

Nga ky sulm, afro 25.000 gra, fëmijë dhe pleq dhunshëm u depërtuan, që paraqet aktin më të lartë të krimit të luftës në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Për shkak të kësaj, Parlamenti Evropian konsideronte se institucionalizimi i 11 Korrikut si ditë e përkujtimit është mënyra më e mirë e shfaqjes së respektit ndaj viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Nisur nga kjo, më 15 janar 2009, Parlamenti Evropian, me shumicë votash (565) miratoi rezolutë për Srebrenicën ku bëhet thirrje që të kujtohen dhe të respektohen viktimat e gjenocidit; nëpërmjet së cilës shprehen ngushëllimet dhe solidariteti me familjarët e viktimave, shumica e të cilëve akoma jetojnë në makth në lidhje me fatin e familjarëve të tyre të zhdukur; gjë që tregon se kjo dhimbje e pandërprerë rezulton me shtimin e mossuksesit që përgjegjësit për krimin e bërë të burgosen dhe të dalin para drejtësisë.

Parlamenti Evropian, gjithashtu i bën ftesë Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian që në mënyrë adekuate ta shënojnë përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës-Potoçarit duke e përkrahur rezolutën e Parlamentit Evropian që 11 Korrikun ta shpalli si ditë përkujtimi të gjenocidit të Sreberenicës në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian (EU), si dhe të ftohen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ta bëjnë të njëjtën gjë.

Viktimat e gjenocidit të Srebrenicës janë të vetëdijshëm që e kaluara e tyre nuk mund të ndryshohet, por e çmojnë lartë faktin që u njihen dhimbjet dhe vuajtjet nga ana e Bashkimit Evropian si shenjë se një gjenocid i tillë nuk do të përsëritet më kurrë dhe në asnjë vend tjetër.

Jo vetëm myslimanët në Evropë, por të gjithë njerëzit me vullnet të mirë çmojnë që jetët e fëmijëve të pafajshëm boshnjak nuk janë harruar dhe nuk janë shuar së koti. Pikërisht kjo është ajo që Kur’ani Fisnik na urdhëron të themi:

“Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu na e premtove dhe në Ditën e Kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!”  “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): “Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri, por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e Allahut, se më i miri i shpërblimeve është tek Allahu.” (Ali-Imran,194-195).

Pikërisht ky është qëllimi ynë: T’i ftojmë të gjitha xhamitë në Evropë, si dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që t’i bashkëngjiten lutjes sonë në kohën e drekës ditën e 11 Korrikut, kur në Potoçari do t’i varrosim dhe do t’ua falim xhenazen, fatkeqësisht vetëm disa gjymtyrëve të mbetura prej qindra fëmijëve dhe pleqve të masakruar myslimanë…

O njeri! Kushdo qofsh dhe kudo qofsh- kujtoje Krijuesin i Cili të gjithëve na krijoi nga një mashkull dhe një femër kështu që të gjithë të mundemi sinqerisht ta shqiptojmë këtë lutje:

 

Zoti ynë!

Nëse na e merr pasurinë, na e lë shpresën!

Nëse nuk na jep sukses,

na dhuro fuqinë e vullnetit ta mposhtim humbjen,

e nëse na e merr mirëqenien e shëndetit,

atëherë na e dhuro mirëqenien e fesë!

 

Zoti ynë!

Nëse gabojmë ndaj njerëzve,

atëherë na jep fuqinë e kërkimit të faljes!

E nëse njerëzit gabojnë ndaj nesh,

Zot na jep fuqinë e faljes!

 

Zoti ynë!

Nëse të harrojmë Ty,

Ti mos na harro neve!

 

Zot!

Të përgjërohemi që pikëllimi ynë të jetë shpresë,

që hakmarrja të jetë drejtësi,

që loti i nënës të jetë lutje,

dhe që kurrë dhe askujt mos iu përsërittë Srebrenica!

Amin!

 

________________

 

 

Nga boshnjakishtja:

 

 

 

 

 

Ahmed R. Ramadani

Arsim Dauti

 

P. S.

Kjo hytbe e Kryemyftiut të Bosnjës Dr. Mustafa Ceriq është mbajtur në 6 gjuhë: boshnjake, angleze, gjermane, frënge, turke dhe arabe.

 

Zoti ynë!

Mos lejo që të na mashtroj suksesi

e as që humbja të na hedh në dëshpërim!

Gjithnjë na e përkujto se mossuksesi është sprovë,

që i paraprinë suksesit!

 

Zoti ynë!

Na mëso se toleranca është shkalla më e lartë e fuqisë,

kurse dëshira për hakmarrje shenja e parë e dobësisë!

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme