Nijeti (Qëllimi), kriter universal i Islamit

 عن أمـيـر المؤمنـين أبي حـفص عمر بن الخطاب رضي الله عنه ، قال : سمعت رسول الله صلى الله عـليه وسلم يـقـول :

 

إنـما الأعـمـال بالنيات وإنـمـا لكـل امـرئ ما نـوى . فمن كـانت هجرته إلى الله ورسولـه فهجرتـه إلى الله ورسـوله ومن كانت هجرته لـدنيا يصـيبها أو امرأة ينكحها فهجرته إلى ما هاجر إليه .

 

رواه إمام المحد ثين أبـو عـبـد الله محمد بن إسماعـيل بن ابراهـيـم بن المغـيره بن بـرد زبه البخاري الجعـفي،[رقم :1] وابـو الحسـيـن مسلم بن الحجاج بن مـسلم القـشـيري الـنيسـابـوري [رقم :1907] رضي الله عنهما في صحيحيهما اللذين هما أصح الكتب المصنفه. 

 

  

Përkthimi i hadithit të parë 

 

 

Nga sunduesi i besimtarëve, Ebu Hafse Umer Ibn’ul-Hattabi, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë:

E kam dëgjuar të Dërguarin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili thotë:

 

            "Veprat çmohen sipas qëllimit dhe se çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për për Allahun dhe për të Dërguarin e Tij, shpërngulja (hixhreti) e tij është për Allahun dhe për të dërguarin e Tij. Ndërsa ai i cili shpërngulet për ca të mira të kësaj bote, ose për t'u martuar me ndonjë femër, ai do të marrë vetëm ç'ka synuar.

 

(Këtë e transmetojnë dy imamë muhaddithë: Ebu Abdullah Muhammed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn El-Mugireh ibn Berzide El-Buharij dhe Ebu’l-Husejn Muslim El-Kushejrij El-Nejsaburij në dy Sahihet e tyre, të cilët konsiderohen dy përmbledhjet më të sakta të shkruara të haditheve).

   

 

Shpjegimi i hadithit të parë

  

Hadithi إنـما الأعـمـال بالنيات (In-neme’l-a'malu bi’n-nijjat) gjendet në përbledhjen e "Sahihut" të Buhariut dhe të Muslimit (respektivisht në gjashtë përmbledhjet / antologjitë e njohura të hadithit (kutub’us-sitteh)[1] dhe radhitet ndër hadithet më autentike (sahih) në literaturën e hadithit.

            Sipas Ibnu Tejmijes hadithi Inneme’l-a'malu dhe hadithet men amile amilen dhe El-halalu bejjinun ve’l-haramu bejjinun janë tre hadithet në të cilat përfshihet i tërë mësimi islam.[2] Një autor tjetër për hadithin "Inneme’l-a'malu" thotë se është ndër hadithet më madhështore, ku përfshihet e tërë feja, themelet dhe hollësitë, ekzoterizmi dhe ezoterizmi.[3] Universalitetin e këtij hadithi, mbase më së miri shtron Imam Shafiu, i cili lidhur me këtë thotë: "Ky hadith është një e treta e fesë dhe shtrihet në shtatëdhjetë kaptina të fikhut".[4]

            Dijetarët islamë pajtohen se hadithi është autentik dhe i gjithëpranuar, kurse Imam El-Buhariu e fillon Sahihun e tij me këtë hadith. Është karakteristike edhe thënia e Abdurrahman ibn Mehdiut lidhur me këtë hadith: “Sikur me ndonjë rast të kisha vendosur të shkruaj libër që do të përmbante disa kapituj, atëherë çdo kaptinë do ta filloja me hadithin e Omer ibn Hattabit në të cilin qëndron se veprat çmohen sipas qëllimeve!” [5]

            Ebu Davudi lidhur me këtë hadith thotë: “Ky hadith është gjysma e Islamit, sepse feja përbëhet prej gjerave të dukshme, që janë veprat dhe ato të brendshme siç është nijeti.” [6]

            Tema qëndrore e këtij hadithi është sinqeriteti, apo qëllimi, synimi i pastërt i inkuadruar në kryerjen e një vepre. Ibnu Tejmije pohon se qëllimi i mirë, i sinqertë në punë nganjëherë është më i vlefshëm se vetë puna dhe se punët pa nijjet të sinqertë nuk janë të pranueshme te Zoti.[7] Këtë e pohon edhe Jahja ibn Kethir: “Përditësonu me sinqeritetin në qëllim, mbase kjo është më e vlefshme se edhe vetë vepra!” [8]

Nga ky hadithi sherif konfirmohet se nijjeti (qëllimi…) është peshojë për "vlefshmërinë e veprave". Nëse nijjeti është korrekt, i pastërt dhe i sinqertë edhe vepra e bërë do të jetë korrekte, e pastër dhe e sinqertë dhe si e atillë do të jetë e pranueshme te Zoti i madhërishëm.[9] Nijjeti i bërë me rastin e kryerjes së një vepre duhet të ketë për qëllim që vepra e bërë ta afrojë njeriun kah All-llahu xh.sh. dhe njëkohësisht njeriu me këtë të kërkojë kënaqësinë e Zotit dhe shpërblimin e Tij.[10] Nijjeti buron nga zemra, prandaj edhe ky hadith jep shenjë se nijjeti është peshojë e veprave të brendshme, ato të cilat mund t'i fshehin nga bota njerëzore, por jo edhe nga All-llahu xh.sh.

            Nijeti, qëllimi është realitet dhe çast relevant i aktit personal moral. Rëndësia e moralit në verifikimin moral të ndonjë akti, vepre apo veprimi nuk na liron edhe ajo nga detyra e rëndësishme morale të cilën mund ta përcaktojmë si detyrë që të mësojmë. Kjo nënkupton se jemi të detyruar që në kufij të potencialit tonë njerëzor të mendojmë për pasojat e veprave tona, të këqija apo të mira.[11] Individi që kryen punë të caktuara dhe në vete zhvillon ndjenjën për sinqeritet, për fisnikëri dhe shpirtin e mëson me të vërtetën, i këtilli vetes i hap shtigje të sigurta kah fitimi i kënaqësisë së All-llahut në këtë dhe në botën tjetër. Njëkohësisht, sinqeriteti, ndjenjat e pastërta nuk janë vetëm rrugë deri te fitimi i kënaqësisë së All-llahut dhe shpërblimit të Tij, por ai është në rrugën e sigurt drejt realizimit të suksesit në jetë, korrektësinë dhe urtësinë, që janë ndër synimet parësore, më të larta të njeriut në këtë ekzistencë.

            Nijjeti i pastërt, sinqeriteti duhet të jetë i pranishëm në çdo ibadet. Nuk është e vlefshme as pastërtia, as namazi, as zekati, as agjërimi, as haxhi, as ibadetet tjera pa nijjet[12] (qëllim) të vendosur e të sigurtë. Ndër shenjat e sinqeritetit në ibadet është shmangia e hipokrizisë, dyftyrësisë gjatë kryerjes së tij. Kjo nënkupton se gjatë namazit, apo agjërimit nuk guxon të ekzistojë asnjë element tjetër, respektivisht, e tërë vepra duhet të kryhet në emër të All-llahut xhe-le shanuhu, e kurrësesi në emër të diç tjetër.[13] Shih për këtë fjalët e All-llahut të madhëruar kur thotë:

            "Dhe, mjerë ata, të cilët kur falin namazin, janë të pakujdesshëem ndaj namazit të tyre, të cilët vetëm shtiren (sa për sy e faqe para botës)." (El-Ma'un, 4-6).

            Që tërë kjo të kuptohet më qartë do ta theksojmë shkurtimisht shkakun, arsyen që Muhammedi a.s. e tha këtë hadith. Është e ditur se gjatë kohës së Muhammedit a.s. ka qenë detyrë e çdo muslimani të bëjë hixhret në Medine. Kjo detyrë ka zgjatur derisa është çliruar (fet'h) Mekkeja në vitin e tetë hixhrij. Gjatë kësaj kohe një person ishte shpërngulë nga Mekkeja në Medinë për arsye që të martohet me një femër e cila quhej Ummi Kajs[14]. Ibn Mesudi thotë se ne e quanim këtë “emigruesi i Ummi Kajsit”.[15] Për këtë arsye Muhammedi a.s. i tha fjalët e sipërme se vepra vlerësohet sipas qëllimit; nëse je shpërngulur në emër të Zotit, atëherë do ta keshë kënaqësinë dhe shpërblimin e     Tij. Mirëpo, nëse si shkak i shpërnguljes sonë është tregtia, apo interesat e tjera personale, sikur martesa, atëherë nuk ka shpërblim nga Zoti xhel-le shanuhu, sepse interesin e tij personal ia ka vënë atij të përgjithshëm dhe njeriu i tillë nuk është muhaxhir. Lidhur me këtë kemi ajetin kur'anor ku All-llahu xhel-le shanuhu thotë:

            "Kush e dëshiron këtë botë ne kujt të duam i japim shpejtë çka të dëshirojë, por pastaj i përgatisim xhehenemin, në të cilin do të digjet i turpëruar dhe i dëbuar. Ndërsa kush e dëshiron botën tjetër, dhe përpiqet ta meritojë, kurse është besimtarë, përpjekja e tyre do të jetë e falënderuar." (    ).

            Që një vepër, punë të jetë e pranueshme tek All-llahu xhel-le-shanuhu dhe të fitojmë simpatinë e Tij, ekzistojnë dy kushte, fuqishëm të ndërlidhura mes veti dhe mungesa e njërit apo tjetrit veprën e bën të pavlefshme. Ato janë:

                       -     Çdo vepër të kryhet me qëllim (nijet) të sinqertë dhe të pastër, në emër të All-llahut[16],

                       -     Vepra e kryer të jetë në harmoni, e kurrsesi në kundërshtim me dispozitat islame.

Kujt i mungon kushti i parë, d.m.th. qëllimi i sinqertë, ai është munafik (hipokrit), kurse kujt i mungon kushti i dytë, ai është i paditur (xhahil) ose mëkatar (fasik)[17], respektivisht, kush është i sinqertë edhe ndaj Muhammedit a.s. dhe në pajtim me këtë çdo vepër e vepruar në emër të All-llahut xhel-le shanuhu dhe për respekt të Muhammedit a.s. është e pranuar dhe e shpërblyer në këtë dhe në botën tjetër, kurse çdo vepër  e vepruar në emër të tjetërkujt përveç All-llahut, është e refuzuar kurse personi i tillë do të jetë përgjegjës All-llahut, është refuzuar kurse personi i tillë do të jetë përgjegjës për këtë para All-llahut xhel-le shanuhu.

      Sinqeriteti është i vështirë të praktikohet në përpikëri. Këtë në mënyrë meastrale e ka përshkruar Er-Rraziu: “Gjëja më e vështirë në botë është sinqeriteti. Ah sa përpiqem që nga zemra ta hedhë këtë hipokrizi, por sikur gjithnjë nga zemra më mbinë në ndonjë formë tjetër!” .[18]

  

 

Përmbledhje

 

  • Çdo vepër, me veprim gjymtyrësh apo verbale, duhet ta ketë qëllimin (nijjetin) e mirë. Nëse mungon nijeti, veprat nuk kanë vlerë dhe nuk meritojnë shpërblim.

 

  • Qëllimi është bazë dhe peshojë për vepra dhe fjalë. Nëse personi ka vendfosur ta bëjë njhë vepër, por është penguar ta realizojë nga ndonjp pengesë, si sëmundja, vdekja ose diç tjetër, ai person do të shprëblehet për të.

 

  • Kriteri fetar dhe moral është mbi kriterin juridik.

 

  • Nëse qëllimi është i mirë edhe vepra do të jetë e pranueshme dhe e kundërta nëse qëllimi është i keq edhe vepra do të refuzohet.

 

  • Nëse qëllimi është hyjnor, vepra është e pranuar, kurse nëse qëllimi është profan, vepra do të refuzohet.

 

  • Çdo punë e dobishme, me nijet të pasatër dhe sinqeritet, duke kërkuar pëlqimin e Allahut të madhërishëm konsiderohetr ibadet. [19]

 

 



[1] Mehmed Handžic, Es-Sunne, (Sarajevo?), 1968 fq. 6.

Hadithin e transmeton edhe Imam Ebu Hanifeh në Musnedin e tij nga Jahja, nga Muhammed ibn Ibrahim Et-Tejmijjeh, nga Alkam ibn Vekkas El-Lejthij, nga Omeri r.a., kurse ky nga Pejgamberi i Allahut. Sipas: Hadiska zbirka Musned Ebu Hanife, Zenica, 2007, fq.  14.

[2] Ibnu Tejmije, El-Fetava, XVIII, Rijad, 1984, fq. 249-250. Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 9.

[3] Abdurrahman ibn Nasir Es-Sa'dij, Behxhetu kulubi’-l-ebrari ve kurr-rretu 'ujuni’l-ahjari fi sherhi xhevami'i-l-ahbar, Rijad, 1405 hixhrij, fq. 7.

[4] Afif Abdulfettah Tabbareh, El-Hikmetu-n-nebevijjeti kema tetexhel-la fi ehadithi resuli’l-lahi Muhammed s.a.v.s., Bejrut, 1984, fq. 9. Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 8.

[5] Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., 8.

[6] Mustafa El-Buga, Muhjidin Mistu, Komenti i dyzet haditheve të Imam Neveviut, Shkup, 1424 h./2003, fq. 14.

[7] Sahihu-l-Buhari, prijevod i komentar Hasan Škapur, I, Prijedor 1974, fq. 80, fusnota 56.

[8] Sipas: Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 15.

[9] Afif Abdurrahman Tabbareh, op. cit., fq. 9.

[10] Abdurrahman ibn Nasir Es-Sadij, op. cit., fq.7.

[11] Sipas: Nexhat Ibrahimi, Bazat e etikës islame - Ahlaku, Shkup, 2005, fq. 125.

[12] Shih: Abdurrahman ibn Nasir Es-Sa'dij, op. cit., fq. 7.

[13] Afif Abdurrahman Tabbareh, op. cit., fq. 12.

[14] Mehmed Handžic, op. cit., fq.6.

[15] Mustafa El-Buga, Muhjidin Mistu, op. cit., fq. 15.

[16] Nëse personi i caktuar nuk e përdor mishin ose ushqimin e caktuar për arsye të agjërimit, kjo tregon se kjo është për shkaqe ibadeti, adhurimi. Por, nëse personi ic aktuar nuk e përdor mishin apo ushqimin e caktuar për shkak të mbajtjes së visë së trupit ose këshillave të mjekut, ky veprim është për arsye shëndetësore ose estetike. Pra, nijeti, qëllimi ndan ibadetet nga traditat apo nga afinitetet individuale.

[17] Mehmed Handžic, op. cit., fq.6.

[18] Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 24.  Për këtë hadith lexo edhe: Musa Vila, Komentimi i haditheve ..., Prishtinë, 2002, fq. 11-27.

[19] Abdullah ibn Salih El-Muhsin, El-Ehadith’ul-erbeine’n-nevevijje, Medinel-munevvere, 1404 hixhrij, botimi 3, fq. 6. Pika e tretë nuk është nga burimi i sipërm. Mustafa El-Buga, Muhjidin Mistu, op. cit., fq. 15.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme