Përcaktimi i Bajramit

Me rastin e afrimit të muajit të madhërishëm Ramazan, dr. Muhamed Sejjid Tantavi, myfti i Egjiptit, organizoi konferencë me gazetarë, në orën 10 më 03 - 04 - 1989. Në konferencë sqaroi këto pes të vërteta:

1. Instituti Egjiptian për Fetva, për të përcaktuar fillimin e muajve hënorë, quan për kryesore vërejtjen e hënës që ka përcaktuar Sheriati dhe për të cilën nuk mund të ngrihet dyshimi. Që të sigurohet kjo vërejtje e hënës( sipas sheriatit dhe e padyshimt) Instituti ndihmohet me mjete të reja shkencore, para së gjithash, me llogaritjen e besueshme astronomike që nxirret nga njerëz të besueshëm.

2. Instituti Egjiptian për Fetva, kur vërteton vërejtjen e hënës, e përfill dhe nxjerr fetvanë përkatëse. Kurse, kur vërejtja e hënës vërtetohet në një vend tjetër islam pa u vërtetuar në Egjipt, Instituti mund ta përfillë, nëse i bindet, dhe mund të mos e përfillë, nëse nuk i bindet, dhe nuk ka kush që mund ta detyrojë ta përfillë, sepse Instituti Egjiptian për Fetva, megjithë respektin që ka për institutet e vendeve të tjera për fetva, ka kriteret e veta të përpikta të cilave u përmbahet dhe është vetë përgjegjës para Allahut për çdo rregull që nxjerr dhe për çdo fetva që jep.

3. Nëse duhet të agjërojnë banorët e gjithë vendeve islame pse është vërtetuar vërejtja e hënës në një vend islam, është çështje ixhtihadi, për të cilën fukahatë kanë dy mendime:

A. Disa mendojnë se, kur të vërtetohet vërejtja e hënës në një vend islam, duhet të agjërojnë banorët e gjithë vendeve të tjera islame që përkojnë me atë vend në një pjesë të natës.

Këtë mendim e ka miratuar Instituti për Kërkime Shkencore Islame në mbledhjen e tij të tretë, të mbajtur në tetor të vitit 1966.

Nga vendimet e marra në atë mbledhje është edhe ky vendim:

"Vërejtja e hënës është baza për hyrjen e një muaji hënor, por nuk mbështetet në të në rast se mund të ngrihet dyshimi i bazuar në një shkak prej shkaqeve. Prej këtyre shkaqeve është rënia ndesh llogarisë së besuar astronomike të nxjerrë nga njerëz të besueshëm".

B. Disa fukaha të tjerë mendojnë se vërtetimi i vërejtjes së hënës në një vend nuk i detyron të agjërojnë banorët e vendeve të tjera. Prej argumenteve përmendin çfarë ka nxjerrë imam Muslimi dhe të tjerë nga këto fjalë të Karibit r.a.:

"Nga Medina shkova në Sham. Ramazani më zuri në Sham, hënën e pashë natën e së premtes, pastaj në fund të muajit u ktheva në Medinë. Më pyeti Ibën Abasi: " kur e keni parë hënën?", i thashë: "natën e së premtes", më tha:" a e ke parë ti?", i thashë :" po, e kanë parë edhe të tjerët dhe kanë agjëruar, edhe Muaviu", më tha:" po ne e kemi parë natën e së shtunës, prandaj agjërojmë derisa t'i plotësojmë tridhjetë ditë ose derisa ta shohim", i thashë:" A nuk të mjafton që Muaviu e ka parë dhe ka agjëruar?", më tha:" jo, kështu na ka urdhëruar i dërguari i Zotit s.a.v.s.""

Këtë mendim e ka përvetësuar Instituti për Cështje të Fikhut Islam, në mbledhjen e dytë të mbajtur në Xhidde në vitin 1985. Nga konkluzionet e arritura në atë mbledhje është edhe ky:

" Nuk ka nevojë për thirrje që fillimi i muajve dhe bajramet të biejnë njëjtë në gjithë botën islame, sepse kjo nuk do ta siguronte njësinë siç pandehin ata që po kërkojnë, dhe çështja e përcaktimit të fillimit të muajve hënorë t'u lihet instituteve vendëse për fetva, sepse kështu është më mirë për interesin e përgjithshëm".

4. Nga rregullat e themelta të fikhut është që vendimi i hakimit, i myftisë dhe i kadisë për çështje ixhdihadi ndërpret mospajtimin. Kjo i bie që, nëse ngjet mospajtim lidhur me çështjen a të përfillet apo jo vërejtja e hënës që është vërtetuar në një vend tjetër e jo në Egjipt, gjithë banorët e Egjiptit duhet t'i përmbahen vendimit që merr Instituti Egjiptas për Fetva.

5. Nuk duhet ngatërruar çështja e përcaktimit të muajit Ramazan dhe e muajve të tjerë me përcaktimin e fillimit të muajit Dhulhixhxhe. Instituti Egjiptas për Fetva ndjek Arabinë Saudite sa i përket përcaktimit të fillimit të Dhulhixhxhes dhe qëndrimit në Arefat, sepse gjithë ritet që kanë të bëjnë me haxhin kryhen në tokë të Arabisë Saudite dhe do të ishte absurde sikur ndonjë vend islam të mos e ndiqte Arabinë Saudite.

Përktheu: Ilmi Rexhepi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme