Al-Muqaddima - vepra kryesore e Ibn Haldunit

a)      Tradita e shenjtë dhe transmetimet e saj - Hadîth (حَديِث),

b)      Letërsia, tekstet e bukura, argëtuese dhe këshilluese - Adab (أدَب),

c)      Literatura urtake, teozofike dhe filozofike - Hikma (حِكْمَة), dhe

d)      Shqyrtimet shtetërore, politike dhe shoqërore -  Siyâsa (سِيَاسَة).

Tarif Khalidi thekson se kultura arabo-islame, nëpërmjet (dhe me ndërmjetësimin) e këtyre “katër objekteve apo fushave epistemike” është përpjekur “ta kudnrojë të kaluarën”, “t’i shkruajë kohët e shkuara” dhe të kërkojë kuptimin e brendshëm të ngjarjeve të kaluara.

Në planin e epistemës së hadîthit (حَديِث) udhëheqës janë Muhammad ibn Is’hâq (vd. 151/761), pastaj Ahmad ibn Yahyâ al-Baladhurî (vd. 279/892), deri sa në foremësimin e epistemës së adabit (أدَب) emrat më të rëndësishëm janë ‘Amr ibn Bahr al-Gâhiz (vd. 255/868) dhe ‘Abdullâh b. Muslim Ibn Qutaybe  (vd. 276/889).

Tarif Khalidi, më tej, pohon se në profilimin e fushës epistemologjike të hikmes (حِكْمَة) dallohen emrat e ‘Alî ibn al-Husayn al-Mas‘ūdît (vd. 345/956), ‘Abdu’l-Qâhir al-Bagdâdîut (vd. 429/1037) dhe Abù Muhammad ‘Alî ibn Sa‘îd ibn Hazmit (vd. 456/1064). Është e kuptueshme që fushën e katër epistemiologjike të siyâses ( سِيَاسَة ) Tarif Khalidi e ka mbajtur para së gjithash për Ibn Haldūnin e famshëm (vd. 808/1406) dhe al-Muqaddimen e tij.

Ndër të gjitha veprat e Ibn Haldūnit al-Muqaddima veçohet si kontributi më i rëndësishëm, më i stërholluar dhe më burimor i tij për mendimin e pjekur dhe, sipas disave, të vonshëm musliman në shtatë shekujt e parë të kulturës dhe qytetërimit islam. Al-Muqaddima është arritje e cila ka bërë që Ibn Haldūnin ta numërojnë ndër lëvizësit e mendimit botëror ( جَعَلَهُ مِنْ رُوَّادِ الْفِكْرِ الْعَالَمِيِّ ).[2]  Hannâ al-Fâhùrî dhe Halîl al-Garr pohojnë se kjo vepër e Ibn Haldūnit është “pasqyrë e gjallë e jetës shoqërore në mjedise të ndryshme” (.وَكَانَتِ الْمُقَدِّمَةُ صوُرَةً حَيَّةً لِلْحَيَاةِ الاجْتِمَاعِيَّةِ فىِ مُخْتَلِفِ الْبيئاتِ ..).[3] Po këta autorë pak më tutje thonë se Ibn Haldūni ka kaluar pesë muaj për shkrimin e versionit të parë të al-Muqaddimes, e pastaj i është kthyer kësaj vepre në disa raste, duke e përkryer, pastruar dhe plotësuar kapitujt e saj  (ثُمَّ عَادَ عَلَيْهَا بَعْدَ ذلِكَ باِلتَّهْذيِبِ وَالتَّنْقيِحِ وَالزِّيَادَةِ ).[4]

Në kuptimin formal al-Muqaddima është, në fakt, libri i parë apo hyrës apo përmbledhje e shqyrtimeve propedeutike dhe gjerësisht të shtruara parimore për historinë e tij të përgjithshme të cilën Ibn Haldūni e quajti me fjalët Kitâbu al-‘Ibar wa dîwânu al-mubtadâ’ wa al-habar fî ayyâmi al-‘arab wa al-‘agam wa al-barbar wa man âsarahum min dawî’ al-sultâni al-akbar.[5] (M. Talbîu e shënon veprën e Ibn Haldūnit Librin e këshillave apo Kitâbu al-‘Ibar me sintagmën his universal history, “historia e tij universale / botërore”).[6]

Një botim i Kajros të al-Muqaddimes shprehimisht pohon se al-Muqaddima është “pjesa e parë e Librit të këshillave...” (الْجُزْءُ الأوَّلُ مِنْ كِتَابِ الْعِبَرِ). Por, botimi i Bejrutit i al-Muqaddimes nga viti 1981 nuk përmban kurrfarë vërejtje redaktoriale apo të redaksisë se al-Muqaddima është pjesa hyrëse e Librit të këshillave, por ky botim, sipas të gjitha gjasave, është përgatitur si i veçantë, sigurisht për arsye komerciale.

Tashmë siç kemi thënë, al-Muqaddima përbëhet nga shqyrtimet e larta propedeutike në të cilat Ibn Haldūni flet për pikëpamjet e tij mbi historinë njerëzore dhe shoqërinë njerëzore, mbi qytetërimin, ekonominë, mbi shtetet, sunduesit ... Tashmë më herët kemi theksuar se Ibn Haldūni e ka shkruar versionin e parë të al-Muqaddimes, sikur edhe disa fletore të tjera të Librit të këshillave, gjatë periudhës prej katër viteve (prej 1375 deri 1379, sipas kalendarit gregorian), deri sa jetonte në pallatin e Ibn Salâmës.

Numri më i madh i hulumtuesve pohon se atëherë Ibn Haldūni i ka shkruar vetëm projektet e para apo versionin paraeliminar të historisë së tij të përgjithshme apo Kitâbu’l-‘Ibar, por redakturën e parë të historisë së tij të përgjithshme themelësisht e ka bërë pas kthimit në Tunizinë e lindjes. M. Talbîu pohon se Librin e Këshillave apo Kitâbu al-‘Ibarin Ibn Haldūni gjithnjë e ka plotësuar dhe përpunuar:

Ai pa pushim, deri në fund të jetës së tij, e ka përshkruar/plotësuar këtë vepër të tij themelore, e sidomos al-Muqaddimen.[7]

Al-Muqaddima është gjetur, zbuluar dhe gjithnjë e më shumë është lexuar dhe hulumtuar gjatë tre shekujve të fundit (XVIII, XIX dhe XX), sidomos në Evropë. Praktikisht mund të konfirmohet se rëndësia grandioze e al-Muqaddimes është zbuluar pikërisht në kontinentin evropian. Për shembull, M. Talbîu vëren se rëndësia dhe vlera e al-Muqaddimes së pari janë zbuluar në Stamboll në periudhën e vonshme të Perandorinë Osmane, kur është vërejtur tashmë shkatërrimi i kësaj perandorie:

Historiani osman Na‘imâ (vdiq 1128/1716) e lavdëron Ibn Haldūnin në hyrje për veprën e tij dhe ofron pasqyrën e ideve të tij. (Përkthimin e parë në gjuhën turke të një pjese të al-Muqaddimes e ka punuar shayh al-islâm Piri-zade Mehmed Ef., në vitin 1143/1749. Përkthimin më të ri, të tërësishëm në gjuhën turke e ka bërë Zakir Qâdîri Ugan, dy vëllime, Stamboll, viti 1954. Megjithatë, Ibn Haldūni është zbuluar në Evropë, aty është kuptuar rëndësia e al-Muqaddimes së tij, nga ana e d’Herbelotit (Bibliotheque Orientale, 1697), Silvestre de Sacyit (Chrestomatie arabe, 1806.), von Hammer-Purgstallit (Ueber den Verfall des Islam.., 1812.) dhe sidomos nga Quatremerei i cili, në vitin 1858, e bëri botimin e parë të tërësishëm të al-Muqaddimes – një botim tjetër të saj e ka publikuar Nasr al-Hùrînî po atë vit në Kajro, e bazuar në një dorëshkrim tjetër i cili përmban përkushtim të veçantë për sulltanin e Fesit, Abū Fârisin (ka sunduar në periudhën 796-799 hixhrij/1394-1397 gregorian. Rëndësinë e al-Muqaddimes e ka zbuluar edhe de Slane, i cili, pas disa vitesh pas vitit 1858 e bëri përkthimin e saj të parë francez (Le Prolegomenes, Pariz, 1863-1868. Pas kësaj ekziston një varg i pandërprerë i botimeve dhe studimeve për al-Muqaddimen, edhe në Lindje edhe në Perëndim, që është dëshmi e interesimit në rritje për mendimin e Ibn Haldūnit, kurse para do kohe kishte aq shumë botime dhe studime për al-Muqaddimen sa janë bërë të domosdoshme punimet bibliografike për ta (i kanë punuar H. Peres dhe W. J. Fischel). Përkthimi më i ri në gjuhën angleze nga F. Rosenthali (në tri vëllime, New York/London, 1958) ka përparësi sepse është bërë në bazë të dorëshkrimit të Stambollit (Atif Efendi, 1936), i cili përmban shënimin e Ibn Haldūnit i cili thotë se dorëshkrimi “është kontrolluar shkencërisht” nga ai personalisht. Gjithashtu duhet theksuar edhe përkthimin portugalez, të cilin e ka bërë Khoury në tri vëllime, Sao Paolo, 1958-1960, dhe përkthimin francez të V. Monteilit ...[8]

Autografi i Ibn Haldunit (lart majtas në kënd)

Nga MS. C (Atif Effendi 1936)

Nga ky citat më i gjatë njihet se paku pjesa e kujdesit të madh intelektual të cilin Evropa ia ka kushtuar al-Muqaddimes. Të shtojmë këtu së paku kalimthi edhe disa fakte për përkthimin e al-Muqaddimes, sikur edhe të pjesëve të tjera të librit Kitâbu al-‘ibar në disa gjuhë evropiane.

Historiani turk Ahmet Xhevdet Pasha (vdiq 1895) e përktheu pjesën VI të al-Muqaddimes në gjuhën turke, respektivisht e përfundoi dhe tërësisht e kompletoi përkthimin e Piri-zadesë të al-Muqaddimes në turqishte.[9] Gjithashtu, tërheqim vëmendjen se me përkthimin e veprës Kitâbu al-‘ibar të Ibn Haldūnit është marrë edhe hsitoriani turk Abdulatif Subhi Pasha (vd. 1886). Në trurqishte e përktheu pjesën e II dhe III të kësaj vepre.

Kur janë në pyetje përkthimet franceze të al-Muqaddimes apo, studimet për të në gjuhën frënge, ka nevojë që krahas emrit të De Slaneas dhe Etienne Quatremereas (i cili e botoi al-Muqaddimen në Paris në vitin 1858 në gjuhën arabe, në tre vëllime) të theksohen edhe emrat vijues: F. F. Schulz, Sylvestre de Sacy, Garcin de Tassy, Coquebert de Montbret, A. Noël des Vergers...

Në gjuhën gjermane veprat e Ibn Haldūnit veçanërisht i kanë prezantuar dhe studiuar Joseph von Hammer, W. Tiesenhausen, R. Rochricht, Annemarie Schimmel dhe Erwin Rosenthal.

Ndërmjet këtyre specialistëve gjermanë të cilët janë marrë me Ibn Haldūnin e veçojmë Annemarie Schimmel, e cila në vitin 1951 e botoi një përmbledhje të teksteve nga al-Muqaddime me titull: Ibn Chaldūn, Ausgewählte Abschnitte aus der Muqaddima, aus dem Arabischen übersetz und eingeleitet, Tübingen, 1951, një pjesë të këtij libri e ka përkthyer në gjuhën boshnjake Salim A. Hadžić në revistën tuzllake Hikmet.[10]

Janë punuar edhe disa studime apo përkthime më të vogla në gjuhën latine nga vepra e Kitâbu al-‘ibar të Ibn Haldūnit. Për shembull, C. J. Tornberg ka shkruar studimin Notitia de populo Berberorum ex Ibn Khaldūno in primordia dominationis Murabitorum, i publikuar në Nova Acta R. Soc. Scient. Upsal., XI, 1839, pp. 315-336, sikur edhe pp. 398–400.

Nga C. J. Tornberg është edhe vepra Ibn Khaldūni narratio de expeditionibus Francorum in terras islamismo subjectas, ex codicibus Bodleianis editit, i publikuar në Nova Acta regiae societatis Upsaliensis, XII, 1844.

Në gjuhën angleze al-Muqaddimen pjesërisht dhe me studime hyrëse e kanë përkthyer shumë sosh. Kështu D. B. Macdonald ka shkruar veprën Ibn Khaldūn: A Selection from the Prolegomena of Ibn Khaldūn, Leiden, 1905. (reprinti është publikuar më 1948).

Ky libër ka shënime të shumta, sikur edhe fjalorin terminologjik anglisht-gjermanisht të Ibn Haldūnit. R. A. Nicholson i ka inkuadruar pjesë të vogla nga al-Muqaddima në veprën e tij Translations of Eastern Poetry and Prose, Cambridge, 1922. Në këtë punimin tonë në shumë vende të tjera posaçërisht e përmendim Charles Issawiun dhe Franz Rosenthalin, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha në prezantimin dhe përkthimin e al-Muqaddimes për lexuesit anglez.

Të përmendim këtu se veprën e Ibn Haldūnit Kitâbu al-‘ibar veçanërisht e kanë hulumtuar P. de Gayangos (The History of the Mohammedan Dynasties in Spain, London, 1840) dhe H. Cassels Kay (në veprën e tij Yaman, its early medieval history, London, 1892, gjendet kapitulli “The History of Yaman extracted from the General History of  ‘Abd ar-Rahmân ibn Khaldūn’’).[11]

Gjithashtu, disa personalitete e kanë studiuar dhe përkthyer al-Muqaddimen dhe Kitâbu’l-‘ibar në gjuhën italiane.

Michele Angelo Lanci, në bazë të pjesëve të dorëshkrimeve të Ibn Haldūnit të cilat ruhen në bibliotekën e Vatikanit ka shkruar një vepër për shkathtësinë e shkrimit. Vepra e tij në gjuhën italiane quhet: Dissertacione storico-critico su gli omireni e loro forme di scrivere trovate nei Codici Vaticani. Appresso e un articulo di Eben Caliduno intorno all’arabesca paleografia. Vepra u paraqit në Romë në vitin 1820.

J. Graberg af Hemso ishte aventurieri i parë kur janë në pyetje dorëshkrimet e veprave të Ibn Haldūnit. Ka udhëtuar shumë në kërkim të tyre dhe më në fund ka shkruar një shqyrtim për historinë e Ibn Haldūnit. Me fjalë të tjera, në Firencë në vitin 1834 u botua vepra e J. Graberg af Hemsovit me titull Notizia intorno alla famosa opera istorica d’Ibn KHaldūn, filosofo affricano del sec. XIV. Dedicata all’Em. Mo D. Giac. March. Brigole.

Gjithashtu, njëfarë G. di Asti Arri është marrë me librin Kitâbu al-‘ibar, dhe se në Paris, në vitin 1840, ka publikuar përkthimin e pjesës së dytë të kësaj vepre të Ibn Haldūnit në gjuhën italiane me titull: Ebn Khaldoun da Tunisi: Storia generale degli Arabe e di alcuni celebri popoli loro contemporanei dalla loro origine fino al Kalifato di Moavia.

Si thekson ‘Abdurrahmân Badawîu,[12] një historian i madh nga Sicilia, Michele Amari, ka përkthyer në gjuhën italiane pjesë të Kitâbu al-‘ibar, sidomos ato pjesë në lidhje me Sicilinë. Studimi i tij “Altri frammenti Arabi relativi alla Storia d’Italia”, është publikuar në Romë në vitin 1889.

Kur është në pyetje shekulli XIX dhe XX, në botën arabe Ibn Haldūnit nuk i është kushtuar kujeds më i madh, së paku kështu ka qenë deri në vitet e pesëdhjeta të shekullit XX.

 Në këtë vend është rasti të theksojmë Sâti‘al-Husarîun e shkathtë, i cili në veprën e tij Studime për al-Muqaddimen e Ibn Haldūnit (دِرَاسَاتٌ عَنْ مُقَدِّمَةِ ابْنِ خَلْدوُنَ) me keqardhje pohon se mjedisi intelektual arabo-musliman nuk i kushtoi kujdes më të madh për këtë vepër. Për më tepër, ai pohon se të gjitha botimet lindore të al-Muqaddimes, të cilat ai i ka konsultuar, thuajse janë pa shpjegime dhe komente (فَجَميِعُ الطَّبْعَاتِ الشَّرْقِيَّةِ تَكَادُ تَكوُنُ خَالِيَةً مِنَ الشُّروُحِ وَالتَّعْليِقَاتِ), për dallim prej përkthimit francez  të al-Muqaddimes, i cili ka qindra e qindra shpjegime dhe komente (وَالتَّرْجَمَةُ الْفَرَنْسِيَّةُ مَمْلوُءةٌ بِمِئاتٍ وَمِئاتٍ مِنَ الشُّروُحِ وَالتَّعْليِقَاتِ).[13] Pastaj kritika e Sâti‘ al-Husarîut me të drejtë kthehet kundër shumë lëshimeve redaktoriale, parregullsive dhe gabimeve të shtypit në botimet arabe të al-Muqaddimes. Për shembull, nganjëherë ka botime me fjalë krejt të paqarta. Kështu tërësia:

قَالَ كَبيِرُهُمْ أفْلاَطوُنُ إنَّ الإلهِيَّاتِ لاَ يُوصَلُ فيِهَا إلىَ  أينين      

Është krejt e paqartë, sepse fjala (أينين) në tërësinë e sipërme nuk do të thotë asgjë! Në vend të kësaj fjale duhet të qëndrojë fjala al-yaqîn (الْيَقيِنُ), dhe përkthimi do të thoshte: I pari i tyre Platoni pohon se nëpërmjet shkencave hyjnore nuk arrihet deri te e besueshmja / e vërteta! [14]

Gjithashtu, Sâti‘ al-Husarîu po në këtë vend thekson se disa botime arabe përmbajnë gabime të rënda logjike, të themi, tërësia ( الْعُلوُمُ الآلِيَةُ ), që do të thotë shkencat përgatitore apo shkencat propedeutike, gabimisht është shkruar në formën ( الْعُلوُمُ الإلهِيَّةُ ), që do të thotë shkencat hyjnore![15]

Kështu e ka humbur krejtësisht kuptimin e cila është intenduar nga Ibn Haldūni!

Sâti‘ al-Husaarîu, me dëshpërim dhe pezm, thekson edhe shembullin se sintagma e Ibn Haldūnit الْحَقيِقَةُ الْمُتَعَقِّلَةُ (e vërteta racionale, fakti racional, i arsyes) është shkruar gabimisht në formën الْحَقيِقَةُ الْمُتَعَلِّقَةُ  (“fakti i lidhur/ i varur”).

Por, nuk ka qenë i shkujdesur dhe arrogant vetëm akcesi redaktorial dhe redaktues ndaj al-Muqaddimes në disa qarqe akademike arabe. As personaliteti i Ibn Haldūnit nuk kaloi më mirë në mendimin modernist dhe nacionalist arab.

Në qarqet reformatore dhe moderniste arabe gjatë shekullit XX nuk kanë qenë të rrallë ata të cilët e kanë sulmuar rreptë veprën e Ibn Haldūnit  Kitâbu al-‘ibar (duke e inkuadruar këtu, natyrisht edhe hyrjen e asaj vepre apo të al-Muqaddimes). Sulmet i udhëhoqën Tâhâ Husayn (vd. 1971), Salâmah Mūsâ, Ahmad Amîn e të tjerë.

Problemi thelbësor në kritikat e tyre të mendimit dhe pikëpamjes së Ibn Haldūnit mbi historinë përbëhet nga perceptimi i tyre (i gabueshëm) i fjalës arabi (الْعَرَبُ) në al-Muqaddimen e tij. Me fjalë të tjera, Ibn Haldūni me këtë fjalë tregon në arabët apo arabljanët (banorët e Arabisë) të cilët janë nomadë. Nuk tregon në ata të cilët ishin arabë të qyteteve, banorë arabljanë qytetare apo të urbanizuar. Sipas Ibn Haldūnit, gjatë historisë arabljanët nomadë kanë depërtuar në qytete dhe, meqë nuk ishin të denjë për të arriturat qytetëruese, shumë qytete dhe shtete shpesh, nën drejtimin e tyre, i janë lënë rrënimit dhe shkatërrimit. Përfundimet e tij të këtilla në al-Muqaddime nacionalistët arabë ia kanë nënshtruar kritikave të rrepta.

Me fjalë të tjera, vërtet ka shumë vende në al-Muqaddime ku Ibn Haldūni shtron pikëpamjen e tij për fiset nomade arabe. Pohon se janë “bashkësi e egër, të cilët i përmbahen shprehive të egra.” ( أُمَّةٌ وَحْشِيَّةٌ باِسْتِحْكَامِ عَوَائِدِ التَّوَحُّشِ ), egërsia tek ata në të vërtetë “është bërë natyrë dhe gjë e lindur” (فَصَارَ لَهُمْ خُلُقًا وَ جِبِلَّةٌ  ), së këndejmi, “tek ata është bërë e dashur që të kundërshtohen nga sistemi i pushtetit (وَ كَانَ عِنْدَهُمْ مَلْذوُذًا  لِمَا فيِهِ مِنَ الْخُروُجِ عَنْ رُتْبَةِ الُحُكْمِ  ), nuk dëshirojnë “t’i nënshtrohen rendit, politikës” (وَ عَدَمُ الأنْقِيَادِ للسِّيَاسَةِ), kurse natyra e tij nomade e arabljanëve nomadë është e kundërt me qytetërimin dhe me këtë konfliktuohet (وَ هذِهِ الطَّبيِعَةُ مُنَافِيَةٌ للْعُمْرَانِ وَ مُنَاقِضَةٌ لَهُ).[16]

Mirëpo, Tâhâ Husayn, Salâmah Mūsâ, Ahmad Amîn dhe shumë letrarë dhe reformatorë arabë, pastaj nacionalistët dhe reformatorët arabë, kanë konsideruar se Ibn Haldūni është pjesëtar i lëvizjes ash-shu‘ūbiyyah ( الشُّعوُبِيَّةُ )[17] i cili, në fakt, si mendojnë ata, është përpjekur t’i zvogëlojë vlerat kulturore dhe qytetërore të arabëve si popull, e jo si nomad.

Tâhâ Husayni madje në tekstet e tij për Ibn Haldūnin ka shtruar dyshimet në prejardhjen e tij arabe ( إعْلاَنُ الشَّكِّ فىِ نَسَبِهِ ), kurse nën ndikimin e Tâhâ Husaynit, përkthyesi i tij nga gjuha frenge, Muhammad ‘Abdullah ‘Inâni, përndryshe studiues i veprës së Ibn Haldūnit, Ibn Haldūnit shprehimisht ia mohon prejardhjen arabe, dhe thotë:

يَنْتَميِ فىِ الْوَاقِعِ إلىَ الشَّعْبِ الْبَرْبَرِيِّ

“Ibn Haldūni i përket në fakt popullit berber!”[18]

Tâhâ Husaynin dhe Muhammad ‘Abdullah ‘Inânin në këtë e kanë kontestuar Sâtî‘ al-Husarîu, pastaj Fu’âd al-Bustânîu dhe shumë të tjerë.[19]

Tâhâ Husayni në disa raste ka kontestuar edhe vlerat morale të Ibn Haldūnit, sa që do të mund të mendohej, si pohon Karwi, se letrari egjiptian e ka shkruar veprën e tij për Ibn Haldūnin me qëllim të kontestimit të thjeshtë dhe shtrembërimit të biografisë së tij.[20]

Do të na çonte larg nëse do t’i theksonim të gjithë shembujt pa dyshim të shëmtuar të cilat Tâhâ Husayni i shtron dhe i përmend lidhur me Ibni Haldūnin. Por, disa këtu do t’i theksojmë. Ai për Ibn Haldūnin shumë herë thekson se ishte sedërmadh (حُبُّ الذَّاتِ), se i ishte nënshtruar egoizmit (الأنَانِيَّةُ), se ishte skajshmërisht i pangopur (لَهُ أطْمَاعًا لاَ حَدَّ لَهَا) etj. Tâhâ Husayni shton edhe më se Ibn Haldūni kishte prirje për mashtrim dhe tradhti (الْخِيَانَةُ), gjoja i ka sakrifikuar edhe besimin edhe moralin që t’i kënaq dëshirat e tij etj. Gjoja, kësi sakrifikim të besimit dhe të fytyrës tërë historia muslimane nuk ka shënuar! [21]

Për më tepër, Tâhâ Husayni pohon se Ibn Haldūni autobiografinë e tij (al-Ta‘rîf) e ka shkruar vetëm nga shkaku i të folurit të vetëpëlqyer për veten![22]

Ahmad Amîni në veprat e tij Duha al-Islâm dhe Fajru al-Islâm pranon gjykimin se Ibn Haldūni ka qenë “pjesëtar ekstrem i shu‘ūbiyyatit’ (شُعوُبِيًّا مُتَطَرِّفًا), por pak më vonë lëshohet në vlerësimin e statusit të Ibn Haldūnit te Zoti i dashur:

وَ لكِنَّهُ فىِ رَأيِنَا  كَانَ مُسْلِمًا حَقًّا حُرَّ التَّفْكيِرِ فىِ حُدوُدِ الدّيِنِ ...            

“... Sipas mendimit tonë, Ibn Haldūni ka qenë musliman i vërtetë, intelektual i lirë në kufijë të fesë!” [23]

Salâmah Mūsâ, nga ana e tij, pohon se Ibn Haldūni e ka “zvogëluar rëndësinë e qytetërimit arab” (تَنَقُّصُهُ لِحَضَارَةِ الْعَرَبِ).[24] Në vazhdim, pak më tutje, por po në këtë faqe, Salâmah Mūsâ me pezm shton se shkaku i raportit të tillë të Ibn Haldunit ndaj qytetërimit arab është verbëri e thatë (أعْمىَ كَامِلَ الْعُمْىِ) dhe jo vetëm kjo se “Ibn Haldūni ka qenë berber i cili i urrente arabët!” (أنَّهُ الْبَرْبَرِيُّ يَكْرَهُ الْعَرَبَ). Pas kësaj, Salâmah Mūsâ shkon edhe më tej dhe Ibn Haldūnin e paraqet i vjedhës i cili “ka vjedh tërë atë që e kanë shkruar Vëllezërit e dëlirë (إخْوَانُ الصَّفَاءِ), dhe këtë ia ka përshrkuar vetes!” [25]

Është e kuptueshme që nuk mund t’i theksojmë të gjitha akuzat që skena nacionaliste arabe i ka shtruar kundër Ibn Haldūnit. Abū al-Qasim Muhammad Karw me mjaft arsyeshmëri ka treguar se Ibn Haldūni në al-Muqaddime (sikur edhe në tërë opusin e tij të Kitâbu al-‘ibar) kurrë nuk e përdorë fjalën al-‘arab (الْعَرَبُ) në trajtën dhe sintagmën e saj moderne ideologjike ’al-ummah al-‘arabiyyah’ (الأُمَّةُ الْعَرَبِيَّةُ) apo ummeti arab! Përkundrazi, në al-Muqaddime fjala al-‘arab (الْعَرَبُ) është sinonim për nomadët apo atë që në arabishte edhe shprehet me fjalën al-badw (الْبَدْوُ) – beduin! Karwi në librin e tij Arabët dhe Ibn Haldūni (الْعَرَبُ وَ ابنُ خَلْدوُنَ) në më shumë se njëqind faqe ka treguar se fjalët badwun (بَدْوٌ) dhe hadrun (حَضْرٌ) qëndrojnë në kundërshtim apo në opozitën linguistike kuptimore, e para i shënon nomadët, kurse e dyta popullsinë qytetëruese apo të civilizuar, brezat qytetare. Fjalët e gjuhës klasike arabe al-‘arab (الْعَرَبُ) dhe al-badw (الْبَدْوُ) shpesh përdoren si sinonime, kurse dëshmia më e mirë është vetë përdorimi kur’anor i fjalës al-a‘râb (الأعْرَابُ) në kuptimin e beduinëve, njerëzit të cilët vetëm formalisht e kanë pranuar islamin, por që në islam nuk kanë jetuar aq gjatë (“besimi islam nuk iu ka hyrë në zemra!”) që me te të qytetërohen, fisnikërohen.[26]

Abū al-Qasim Muhammad Karwi në shumë vende në librin e tij në mënyrë të argumentuar ka treguar se tek Ibn Haldūni nuk ka të bëjë me anësinë berbere (النَّعَرَةُ الْبَرْبَرِيَّةُ) dhe urrejtjes ndaj arabëve dhe sulmit mbi ta (التَّهَجُّمُ عَلىَ الْعَرَبِ), por se në pyetje është instrumentariumi konceptual ndjeshëm i ndërtuar brenda të cilit al-‘arab i shënon beduinët (al-badwu).

Marshall G. S. Hodgson, autori i veprës Heroizmi i Islamit, të historisë më të mirë të kulturës dhe qytetërimit islam në tri vëllime të mëdha, nga ana e tij në mënyrë rezolute pohon se Ibn Haldūni me termin arabët mendon për beduinët:

When a pre-Modern Arabic writer, such as Ibn Khaldūn, said something uncomplimentary about ‘arabs, he was usually speaking only of the Bedouin.

(Kur ndonjë autor paramodern arab, siç është Ibn Haldūni, të thotë diç që nuk është lajkatare për arabët, ai zakonisht flet vetëm për beduinët).[27]

Këta disa shembuj tregojnë se është e nevojshme, nëse për këtë te ne në Bosnjë kurdoherë vjen koha, që të hulumtohet dhe krahasohet historia e recepcionit të veprës së Ibn Haldūnit në botën arabe dhe islame dhe në Perëndim. Nuk e kemi për qëllim këtu as për së afërmi ta përcaktojmë historinë e al-Muqaddimes në qarqet kulturore evropiane apo arabe. (Jemi të vetëdijshëm se tash për shumë prej nesh për diç të tillë nuk mungon hapësira, por mungon koha, por edhe dija).[28]

Përktheu nga gjuha boshnjake: N. Ibrahimi



[1] Shih Tarif Khalidi, Arabic historical thought in the classical period (Mendimi arab historik në periudhën klasike), seria Cambridge Studies in Islamic Civilization, botimi Cambridge University Press, Cambridge, 1996.

[2] Krhs.: Hannâ al-Fâhùrî dhe Halîl al-Garr,  po aty, fq. 477.

[3] Krhs.:  po aty, fq. 477.

[4] Krhs.:  po aty, fq. 477.

 [5] كِتَابُ الْعِبَرِ وَ ديِوَانُ الْمُبْتَدَأ وَالْخَبَرِ فىِ أيَّامِ الْعَرَبِ وَالْعَجَمِ وَالْبَرْبَرِ وَمَنْ عَاصَرَهُمْ  مِنْ ذَوىِ السُّلْطَانِ الأكْبَرِ

[6] EI, po aty, p. 826.

[7] EI, po aty, p. 828.

[8] EI, po aty, pp. 828 - 829.

[9] Krhs.: ‘Abdurrahmân Badawî, po aty, fq. 173.

[10] Shih: Annemarie Schimmel, Ibn Haldūn – filozof povijesti, Hikmet, VIII, nr. 9, Tuzla, 1995, fq. 402-404.

[11] Krhs.: ‘Abdurrahmân Badawî, po aty, fq. 209 - 210.

[12] Krhs.: ‘Abdurrahmân Badawî, po aty, fq. 200 - 202.

[13] Al-Husarî,  Sâñî‘, Dirâsât ‘an Muqaddimati bni Haldùn, izd. Dâru l-Ma‘ârif,  Kairo, 1951., fq. 3.

[14] Al-Husarî,  Sâñî‘,  po aty, fq. 3.

[15] Al-Husarî,  Sâñî‘,  po aty, fq. 3.

[16] Fragmentarisht e cituar apo gjerësisht e perifrazuar nga faqet e al-Muqaddimes, Bejrut, 1982, fq. 262-272.

[17] Ash-Shu‘ûbiyya është lëvizje e cila është paraqitur në kohën klasike islame, e cila përfaqësonte barabarësinë e popujve të tjerë muslimanë me arabët. Kjo lëvizje nuk ua pranonte arabëve ndonjë përparësi të veçantë në raport me popujt e tjerë muslimanë.

[18] Muhammad ‘Abdullah ‘Inân, Ibn Haldûn, hayâtuhu wa turâthuhû’l-fikriyyu, Kajro, 1953., fq. 142.

[19] Krhs.: Karw, po aty, fq. 50 – 51.

 [20]حَتّىَ يَكَادَ الْقَارِئُ يَعْتَقِدُ أنَّ طه لَمْ يُؤَلِّفْ كِتَابَهُ إلاَّ للطَّعْنِ فىِ ابْنِ خَلْدوُنَ وَ تَشْويِهِ سيِرَتِهِ ...

Krhs.: Karw, po aty, fq. 51-52.

  [21]وَ إنَّهُ لَمْ يوُجَدْ فىِ تَأريِخِ الْمُسْلِميِنَ رَجُلٌ مِثْلَ ابْن خَلْدوُنَ مَضَحِّيًا باِلدّيِنِ  وَ الأخْلاَقِ فىِ سَبيِلِ أطْمَاعِهِ ...

 [22]انَّهُ لَمْ يَكْتُبْ تَرْجَمَتَهُ إلاَّ حُبًّا فىِ التَّحَدُّثِ عَنْ نَفْسِهِ ...

Sipas: Tâhâ Husayn, Falsafatu bni Haldûna ‘-gtimâ‘iyyah, Kajro, 1925, fq. 23-24. (Falënderim të veçantë i shprehim Osman Llavićit, bibliotekistit të Bibliotekës së Gazi Husrevbegut në Sarajevë, i cili na dha në disponim këtë vepër).

[23] Ahmad Amîni ka shkruar një pasqyrë bashkëkohore të periudhave të qytetërimit islam në disa vëllime dhe me titujë karakteristik: Fajru’l-Islâm (Agimi islam), Duha’l-Islâm (Mëngjesi islam), Dhuhru’l-islam (Mesdita islame). Këtë vepër e theksojmë sipas: Karw, po aty, fq. 92-93-94.

[24] Cituar sipas: Karw, po aty, fq. 93.

 [25]ثُمَّ إنَّهُ سَرَقَ كُلَّ مَا كَتَبَهُ إخْوَانُ الصَّفَاءِ وَ عَزَاهُ  إلىَ نَفْسِهِ .

Cituar sipas:  Karw, po aty, fq. 93.

 [26]قَالَتِ الأعْرَابُ آمَنَّا قُلْ لَمْ تُؤْمِنوُا وَ لكِنْ قوُلوُا أسْلَمْنَا وَلَمَّا يَدْخُلِ الإيِمَانُ فىِ قُلوُبِكُمْ

“Beduinët thanë: “Ne kemi besuar!” Thuaj: “Ju nuk keni besuar ende, por thoni: ne jemi dorëzuar, e ende nuk po hyn besimi në zemrat tuaja!” Krhs.: Kur’an, al-Huxhurât, XLIX, 14.

[27] Marshall G. S. Hodgson, The Venture of Islam, Conscience and History in a World Civilization,  1. The Classical Age of Islam, Chicago/London, 1977, p. 62.

[28] Shkëputje e kapitullit 9 nga vepra: Enes Karic, Ibn Haldun – Uvod u citanje Al-Muqaddime, 1429 h/2008, e cila pritet të botohet në të ardhmen në gjuhën shqipe.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme