Historia "ndryshe" e shqiptarëve!

Identiteti i një kombi shpesh është relativ, për këtë arsye njerëzit më të shquar të një kombi mund të kenë mendime ndryshe për identitetin e popullit ku ai bën pjesë, siç e kishim edhe ne shqiptarët në debatin Qosje-Kadare. Në fillim popujt evropianë ishin të ndarë në fise dhe adhuronin shumë zotër, ndërsa më pas u ndanë në kombe dhe ndryshuan fenë nga politeistë në monoteistë. Ajo që na intereson neve është se si ishte dhe është identiteti i popullit shqiptar mbas ndryshimit të fesë nga politeistë në monoteistë. Edhe kjo periudhë historike është shumë relative te shumë popuj të botës, për këtë kemi shumë argumente nga historia si p.sh:gjermanët një kohë ishin tërësisht të identitetit katolik, mirëpo në shekullin e XVI-të gjysma e gjermanëve ndryshuan fenë dhe u bënë protestantë dhe sot identiteti gjerman është i dyfishtë: katolik dhe protestant. Po ashtu anglezët deri në vitin 1534 ishin shumica katolikë, më pas identiteti i tyre ndryshoi dhe u bënë anglikanë nën sundimin e Henrit VIII-të. Popujt që kanë pasur gjatë gjithë kohës identitetin e tyre të pandryshueshëm fetar janë Italia, Austria, Spanja dhe shumë vende të tjera.

 


Si qëndron puna e identitetit te populli shqiptar?

  


Nëse lexojmë historinë e popullit shqiptar ose historikun e letërsisë shqipe, do kuptojmë se të gjithë heronjtë dhe shkrimtarët e këtij populli kanë qenë të besimit kristian deri në kohën e Rilindjes Kombëtare. Edhe te kjo periudhë shumicën e figurave kombëtare, në përjashtim të vëllezërve Frashëri, i ka të besimit kristian. Me të drejtë një musliman shqiptar mund të pyesë: po unë si musliman, çfarë kontributi kam dhënë për këtë komb edhe pse shumica e shqiptarëve deklarohen si muslimanë? Këtu do cekim disa diskriminime që vërtetojnë se shqiptarët muslimanë kanë dhënë kontribut për ngritjen letrare dhe kombëtare, por për arsye misterioze ato mohohen.

  


Diskriminimi ose aspekti letrar?

  


Eqrem Çabej, i cili njihet si "babai i gjuhës shqipe" nuk citon asnjëherë letërsinë e bejtexhinjve, po ashtu edhe në letërsinë shqiptare për këtë letërsi nuk flitet pothuajse fare. Këtë më së miri e vërejmë edhe në atë që shumë institucione shqiptare sot mbajnë emrat e shkrimtarëve ose priftërinjve të periudhës së hershme të letërsisë shqipe si Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Frang Bardhit; mirëpo nuk njihen fare emrat e bejtexhinjve si Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi ose Muhamed Kycykut. Dihet se si shkrimtarë të besimit musliman po ashtu edhe ata të besimit kristian nuk kanë pasur vlera të mëdha artistike për shkak të periudhës së hershme në të cilën shkruanin, mirëpo injorimi total që u bëhet bejtexhinjve dhe vlerësimi maksimal që i bëhet si-vëllezërve të tyre është absurde dhe ne si muslimanë shqiptarë ndjehemi të diskriminuar.
I njëjti diskriminim ndodh edhe në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe atë të pas çlirimit, ku figurat e shquara kombëtare si Ibrahim Dalliu dhe Hafiz Ali Korça nuk njihen dhe as që mësohen në shkollat shqiptare; ndërsa kolegët e tyre si Gjergj Fishta dhe Fan Noli njihen si perlat e letërsisë shqiptare. Ky diskriminim duhet të parandalohet që edhe ne si muslimanë të ndjejmë veten se kemi dhënë "diçka" për këtë popull. Ndër të vetmit poet musliman që mësohet në këtë periudhë është Ali Asllani, por në anën tjetër kemi shumë priftërinj shqiptar, por asnjë hoxhë shqiptar që ta mësojmë si poet të shquar kombëtar. Kjo lë të kuptohet se hoxha qenka paksa i dëmshëm për kombin shqiptar.

  


Në aspektin e udhëheqësve ose luftëtarëve shqiptarë ndodh pothuajse e njëjta gjë?


Nëse lexojmë në Enciklopedinë Britanike, ndjenja nacionaliste lindi në kohën pas Revolucionit Francez (1789) dhe atij Amerikan (1775-1783), ndërsa para kësaj periudhe ka ekzistuar ndjenja luajale ndaj udhëheqësit të fisit sundues ose ndaj qyteteve. Ndjenja kombëtare te shqiptarët ka lindur me Rilindjen Kombëtare që është rreth fundit të shekullit të XIX-të. Pra para kësaj periudhe nuk ka ekzistuar ndjenja kombëtare shqiptare dhe kjo mësohet lehtë pasi as te Bejtexhinjtë dhe as te shkrimtarët kristianë shqiptarë nuk gjejmë poezi me paragrafe nacionaliste, por thjesht fetare dhe sociale. Këtë mendim e kanë shumë analistë shqiptarë si Blendi Fevziu, Piro Misha, Fatos Lubonja, Ardian Klosi etj.Diskriminimi që bëhet në këtë pikë është paksa e komplikuar. Përkundër asaj që citon Enciklopedia Britanike, në atë që mësojmë në historinë e popullit shqiptar është e kundërta. Ne mësojmë si figura kombëtare, personalitete që kanë jetuar para atyre dy revolucioneve. Ne në periudhën para lindjes së nacionalizmit ose të ndjenjës kombëtare, njohim vetëm personalitete krishtera që gjëja luftonin për atdheun (edhe pse ndjenja atdhetare atëherë nuk ka ekzistuar) si Gjergj Kastriot Skëndërbeu, Gjergj Arianitin, Muzakën etj, ndërsa figurat tjera shqiptare të besimit musliman nuk i njohim: si Zaganosh Pashën, Abdurahman Arnautin, Kara Mustafa Pashën, të cilët kanë qenë trima dhe gjeneralë mjaft të suksesshëm, po jo kombëtar ashtu si udhëheqësit e principatave të krishtera shqiptare. Ky lloj diskriminimi i qëllimshëm është mjaft i dëmshëm për identitetin e shqiptarëve muslimanë, që e kane mjaft vështirë të gjejnë figura muslimane të shquara të popullit shqiptar edhepse ata janë të shumtë në numër. Në këtë periudhë jo-nacionaliste, nuk duhet të abuzojmë me figurat fetare ose osmane që ti shpallim si kombëtare, pasi një gjë e tillë është e pa mbështetur në fakte. Këta vezirë ose gjeneralë luftonin thjesht për çështje farefisnore, mbase edhe për fe, por kurrsesi për nacionalizëm, me ç'rast duhet të ndahen punët.

 


Nga aspekti gazetaresk ose figurativ?


Në aspektin gazetaresk kemi po ashtu një lloj diskriminimi. Shumë gazetarë përmendim shpesh Haxhi Qamilin si tradhtar, matuf dhe antikombëtar, mirëpo thuajse asnjëherë nuk përmendin atë që nga aspekti kombëtar ishte po aq i dëmshëm sa Haxhi Qamili, katolikun Marka Gjoni i cili ndau Mirditën duke e shpallur të pavarur nga Shqipëria amë.

 

Përfundimi


Pra historia e popullit shqiptar tregon një anim kah figurat e vëllezërve tanë krishterë, duke ndryshuar shpesh edhe historinë në favor të tyre si p.sh i quajmë figura gjëja kombëtare, ndërsa në fakt ishin thjesht figura fetarë dhe religjioze ose vlerësojmë mjaft poetët dhe poezitë e tyre me karakter biblik, ndërsa nuk njohim fare ato me karakter islam. Ky diskriminim mendoj se duhet të ndryshojë duke e thënë realitetin dhe që edhe ne si shqiptarë muslimanë të kemi figurat tona, që të themi me plot gojën se "ja edhe neve kemi kontribuar për këtë komb dhe kemi pasur figura mjaft të ndritshme" dhe jo siç të bën të ndjehesh historiku jonë i shkruar se "shqiptari musliman qenka pa vlera". Identiteti shqiptar është i përbërë me personalitete të shquara si nga ana e muslimanëve edhe nga ana e krishterëve, ortodoksë dhe katolikë, pra identiteti jonë kombëtar është më i përbërë dhe jo i thjeshtë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme