I përhershëm apo përkohshëm: Ligjislacioni Islam?

All-llahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Përkundrazi, ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo ( e vërteta) triumfon mbi të, ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket”.
Myslimani i vërtetë beson se sheriati apo ligji i fesë Islame është i efektshëm për çdo kohë dhe për çdo vend. Këtë e tregojnë faktet nga vetë logjika e revelatës hyjnore, nga logjika e historisë dhe nga logjika e vetë realitetit. Mirëpo kundërshtarët e Islamit thonë: “Njeriu është një krijesë e ndryshuar, ndërsa ligjet Islame janë të pandryshuara dhe, për këtë shkak (sipas tyre) nuk mund të jenë të efektshëm për të gjitha kohët”. Padyshim se këto thënie e të tjera si këto nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të futur dyshime dhe luhatje në besimin në një Zot dhe ndërkohë për të hedhur poshtë efektshmërinë dhe përhershmërinë e kësaj feje.
Përpara se të hyjmë në kundërpërgjigjen tonë ndaj thënieve të kundërshtarëve të Islamit duhet të themi se, nëse ka skepticizëm apo dyshim në dobinë e ligjeve dhe parimeve të Islamit për të gjitha kohët dhe vendet, atëherë për ne myslimanët çfarë kuptimi do të kishte thënia: “Profetizmi është mbyllur me vulën e mbarë Pejgamberëve, Muhammedin a.s.”, “Librat hyjnorë janë mbyllur me zbritjen e Kur’anit Famëlartë dhe sheriatet kanë përfunduar me Islamin”?
Kur All-llahu xh.sh. thotë në Kur’an: “Ju është obliguar agjërimi”, “Ju është obliguar gjurmimi për dënim për vdekje”, “O ju, të cilët keni besuar, kini frikë All-llahun dhe hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata (faideja) “All-llahu ju urdhëron për çështjen e trashigimisë) fëmijët tuaj; për mashkullin hise sa për dy femra”, e shumë ajete të tjera që kanë të bëjnë me vendime Islame rreth çështjeve të ndryshme, a mund të kuptohen e të pranohen se këto vendime kanë zbritur për një brez, dy apo tre e pastaj të vijnë breza apo gjenerata e t’i heqin ato ligje që Zoti xh.sh. i ka vendosur Vetë me dëshirën e tij absolute? Po ashtu shtrohet pyetja: tek cila gjeneratë ndalen vendimet e sheriatit dhe kush është ai i cili bën dallimin e një brezi nga një brez tjetër?
Është e pa diskutueshme se natyrshmëria e urdhërave të All-llahut xh.sh dhe vendimeve të Tij është e qëndrueshme, universale dhe e përhershme. Jo vetëm kaq, por myslimani që ka pranuar All-llahun si Krijues të tij, Islamin si fe, Muhammedin a.s. si të dërguar të Zotit Fuqiplotë dhe Kur’anin si udhëzues dhe sistem jete nuk përpiqet të diskutojë efektshmërinë e dispozitave hyjnore. Ato janë të ligjëruara nga Zoti i tij për ta udhëzuar në rrugën e lumturisë, të përparimit dhe shpëtimit, se ndryshe krijesa do të na paraqitet më e lartë dhe më e ditur se Krijuesi i gjithësisë, All-llahu xh.sh. Realiteti dhe logjika e shëndoshtë e njeriut nuk e pranon një gjë të tillë. All-llahu xh.sh. e ka krijuar universin, ka dhuruar jetën dhe ka krijuar njeriun ( krijesa më e zgjedhur e Zotit) që është përbërë nga komponentë të kundërt: shpirti dhe materia. Gjithashtu myslimani nuk vë asnjëherë në diskutim dobinë e sheriatit dhe thëniet hyjnore të cilat aplikohen në çdo kohë dhe në çdo vend, se ndryshe do të viheshin në dyshim ligjet esenciale, a janë prej All-llahut xh.sh apo jo. Myslimani vë në diskutim vetëm disa ligje sekondare (të dorës së dytë), të cilat nuk kanë lidhje me trungun e Islamit .
Kundërshtarët e Islamit përmes fitnesh dhe konfliktesh synojnë ndryshimin e çështjeve themelore dhe kalimin e tyre në çështje të diskutueshme, përpiqen për t’i bërë çështjet për të cilat ummeti Islam ka rënë në pajtim që nuk duhen të cënohen, në çështje me veti konfliktore në mes të myslimanëve. Një gjë e tillë shihet më së miri në ndalimin e të gjitha pijeve alkoolike nga ummeti Islam brez mbas brezi, deri në fund të kësaj jete materiale, për të cilat nuk ka nevojë të bëhen diskutime apo polemika, ngase për këto ndalime vetë urdhëri Hyjnor është i prerë. Kështu është edhe me ndalimin e vjedhjes, kamatës, të imoralitetit etj.
Mbas këtij sqarimi të detyrueshëm le të kthehemi në përgjigjen tonë mbi thëniet e armiqve të Islamit që ekzistojnë sot e kësaj dite edhe këtu në Shqipëri. Ata shprehen: “Njeriu është krijesë e një natyre të ndryshuar, ndërsa sheriati apo ligji Islam është i qëndrueshëm për një kohë dhe një vend, pra sipas tyre i ka ikur koha këtij ligji dhe tani kemi nevojë për ligje moderne që na çojnë drejt Evropës…”
Me ndryshimet që ka pësuar bota materiale qysh me krijimin e saj e deri më sot nuk ka ndryshuar substanca e njeriut, çka do të thotë se, edhe nëse njeriu është ngjitur në hënë, ka shpikur kompjuterin, mjetet e ndryshme të komunikacionit dhe të transportit etj. etj. a mund të themi dhe të pranojmë se këto kanë ndryshuar substancën e njeriut dhe të vërtetën e tij? A thua ka qenë e pamundur që substanca e njeriut në kohën e gurit të arrijë atë çka ka bërë njeriu në kohën e atomit?
Pra, siç shihet jam duke shtruar pyetje për substancën e njeriut dhe jo me atë çka ushqehet ai, çka vesh dhe ku banon ashtu që nuk shtroj pyetjen se në çfarë mjeti hyp, kujt i shërben dhe çka din rreth asaj çka ka në Univers. Ne e pranojmë se ka pasur ndryshim ushqimi dhe veshja e njeriut, siç ka ndryshuar edhe vendbanimi, mjetet e tij jetësore etj, mirëpo realisht, nëse është fjala për substancën dhe të vërtetën e tij, mund të themi pa luhatje se ajo (substanca) ka mbetur e pandryshuar qysh prej krijimit të parë (Ademit a.s.) e deri më sot dhe kështu do të jetë deri në momentin e fundit të kësaj bote kalimtare. Pra, nuk ka pësuar ndryshim fitrati (pastërtia e tij Islame), nuk janë ndryshuar motivet e tij origjinale dhe nuk janë mënjanuar nevojat e tij esenciale të cilat kanë qenë të garantuara qysh në embrion, ajo që ka ndryshuar është vetëm sekondarja dhe jo substanca, pamja dhe jo e vërteta e njeriut.
Njeriu i shekullit 21 e mbas tij nuk mund t’i shkëputet udhëzimit të Zotit xh.sh, vendimeve të Tij dhe urdhërave të Tij të pandryshuara dhe zbatimi i tyre pa dyshim se ruan karekteristikat dhe vetitë e njeriut dhe e mbron shpirtin e tij nga epshet shtazarake.
Njeriu si krijesa më e përzgjedhur e All-llahur xh.sh. do të ketë nevojë për një akideh (besim) i cili e njeh me sekretin e ekzistencës së tij, për ibadetet (adhurimet) të cilat ushqejnë shpirtin e tij. Me anë të tyre bëhet lidhja e njeriut me Krijuesin e tij. Ky është edhe qëllimi i ekzistencës së tij në këtë botë materiale. Për këtë All-llahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: “ Dhe nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veç të më adhurojnë mua”.Gjithashtu, edhe pse njeriu është ngjitur në hënë dhe ka bërë zbulime shkencore, ai do të ketë nevojë për baza hyjnore që sigurojnë ecurinë e tij, për virtyte e moral të cilat pastrojnë zemrën e tij, për një sheriat të qëndrueshëm që e udhëzon se cilat janë të mirat dhe të këqijat. Njeriu do të ketë nevojë gjithmonë për një ligj Hyjnor që bën ndalimin e krimit, të alkoolit, të kumarës, të vjedhjes, kamatës, imoralitetit, të korrupsionit, padrejtësive me të gjitha format dhe llojet e saj etj.
Gjithashtu le ta dijnë armiqtë se Islami ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qëndrueshmëria në baza, në çështje esenciale, në vlerat morale etj. si p.sh. besimin në një Zot të vetëm, në melekët e Tij, në librat dhe të dërguarit e Tij dhe në ditën e kijametit. Këta Kur’ani Famëlartë i ka përmendur duke thënë: “Kush mohon ekzistimin e All-llahut, melekët e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij dhe në ditën e Ahiretit ai është në një humbje të largët”. Pra, a mund të pranojmë se besimi në Zotin ka qenë vetëm për kohërat e kaluara dhe sot nuk kemi nevojë apo të themi se namazi (falja) ka qenë i obliguar për popujt e kaluar e jo për ne? Në këto çështje e shumë të tjera nuk ka e nuk do të ketë ndryshime përveç disa çështjeve dytësore, të cilat do të kenë tolerancën Islame me qëllim të lehtësimit dhe mëshirës ndaj ummetit Islam.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme