Historia e polemikave islamo-krishtere

Vetë Kurani e përcakton sferën e polemikës midis myslimanëve dhe të krishterëve, sepse ai shpall termat dhe vë caqet e pasaktësisë së krishterë. Çështjet që ai përkufizon janë diskutuar qëmoti: Zoti nuk është tre; Jezusi nuk është biri i Zotit, ai nuk u kryqëzua (sure 4:157, 171), dhe Bibla është shtrembëruar dhe keqshpjeguar. Ky “korruptim” (tahrif), përfshin edhe fshehjen e paralajmit për Profetin.

 

Të krishterët, ngjashëm, janë orvatur të zhvleftësojnë Kuranin, por pa u përmbajtur brenda kufijve të krahasueshëm për të zgjedhur temat, madje shpesh ata kanë sulmuar emrin e Profetit për të treguar se shpallja e tij ishte trill dhe imagjinatë.

 

 

 

 

POLEMIKA MYSLIMANE

 

 

 

 

Për një kohë të gjatë, të krishterët vazhduan të jenë shumicë nën pushtetin mysliman, por ata nisën ta sulmojnë Islamin sapo e kuptuan se ai kishte ndërmend të qëndronte; prapëseprapë, është e përshtatshme të shqyrtojmë në fillim mësymjen myslimane mbi tahrifin. Një ndër myslimanët e parë që do të sillte prova se të krishterët, më shumë i kishin keqkuptuar sesa i kishin falsifikuar shkrimet e tyre, ishte shiiti Zejdi  nga Jemeni, El-Kasim ibn Ibrahim (246 h/860 e.s.). Gjer në kundërvënien e ashpër ndaj kolonializmit të shekullit të fundit, polemika myslimane ishte fund e krye doktrinare. Në Librin e Besimit dhe Perandorisë, Ali ibn Sehl et-Taberiu, (shekulli i nëntë), një ish-nestorian, synonte, sa duket për të arsyetuar konvertimin e tij, të tregonte se shkrimet e krishtera e parathonin ardhjen e Muhamedit dhe porosisnin ndjekjen e Islamit, dhe në Përgjigje për të Krishterët, lidhur me Kristologjinë, sërishmi është mbështetur mbi njohjen e tij për burimet e krishtera. Me sa duket më e hershme (820 e.s.) është  Apologjia e el-Hashimit, por kjo vepër na është bërë e njohur bashkangjitur me përgënjeshtrimin e saj, nga një tjetër vepër pseudoepigrafe shkruar nën pseudonimin Abd el-Mesih ibn Is’hak el-Kindi,  mveshur Jahja ibn Adit (974 e.s.), dhe ka të ngjarë që ajo të jetë më shumë një argument mysliman i përpunuar dhe redaktuar nga të krishterët. Ndonëse ajo fyen Krishtërimin, sulmon dokrinën e Trinitetit, përçmon kryqin dhe dënon agjërimin e krishterë, ajo mban erë trilli. Më tipik është shkrimi i el-Xhahizit (869 e.s.), i cili është i vetëdijshëm për argumentet që përdornin në të vërtetë të krishterët (p.sh. që Kurani keqinterpreton besimet e tyre), por dija e tij është e përkorë, dhe ai është nisur më shumë nga ekzistenca e traditave të ndryshme brenda krishterimit ortodoks.

 

 

 

Kritika myslimane për Krishtërimin u forcua me shpejtësi në dituri dhe ndërlikim. Sulmi i Ebu Isa el-Varrakut mbi kundërthëniet e qenësishme në Kristologjinë tradicionale, duket të ketë ushtruar një ndikim të fortë dhe qe kundërshtuar bukur gjatë nga Jahja ibn Adi. Ibn Hazmi (1064 p.k.) i cili e sheh tahrifin në kuptimin e fjalëpërfjalshëm dhe ia kushton pjesën më të madhe te Dallimi i Rrëfimeve dhe Sekteve (Discernment of the Confessions and Sect) polemikave shkrimore dhe të metave tw ungjijve dhe librave të tjerë të Biblës. Imam Gazaliu  (1111), në librin e tij Refuzimi i Plotë i Natyrës Hyjnore të Jezu Krishtit (Excellent Refutation of the Divinity of Jesus Christ), përdor shkrimet e krishtera ( të njohura nga burimet myslimane, thotë botuesi i tij i krishterë) për të kritikuar vetë qëndrimet kristologjike të kishave Kalkedonase, jo-Kalkedonase dhe Nestoriane. Kështu, myslimanët u sëmbuan me apologjetët e krishterë. Shihab ed-Din el-Karafi (1285 e.s.) në përgjigje të një Letre të përmbledhur për myslimanët nga Pali (Er-Rahib, Murgu) i Antiokut, peshkopit Melkit të Sidonit (1160 e.s.), shfaq një njohje të thellë të shkrimeve të krishtera dhe shtjellon edhe doktrina të tilla si ajo e Eukaristisë dhe abrogimit Kuranor (nasikh, mensukh). Ibn Tejmija (1328 e.s.) i ktheu gjithashtu përgjigje Palit, në një fjalim xhentil drejtuar mbretit të Qipros, duke ballafaquar autenticitetin e Kuranit dhe Biblës dhe duke parashtruar argumente të gjata kundër Trinitetit. Këto debate janë mjaft jobindës për të dy krahët.

 

 

 

Ndaj të mbyllurit të Mesjetës Evropiane, zëmë të zbulojmë autorë të krishterë të konvertuar nga Krishtërimi në rrjedhën e përparimit Osman. Abdullah el-Turxhumani (fillimi i shekullit të katërmbëdhjetë), një ish-françeskan, vuri në dyshim sërishmi autenticitetin e librave të shenjtë në Dhuratën e Njeriut të Mençur në Përgjigje të të Krishterëve. Murad Bej Turxhumani, një hungarez që shërbente në Porte, shkroi një apologji për Islamin në turqisht dhe latinisht (1556) dhe lavdet për Profetin në turqisht, latinisht dhe hungarisht; ai shkruan me përkushtim, shpesh duke përdorur  terminologjinë e filozofisë religjioze perëndimore. Ungjilli i fabrikuar i Barnabës, është një dorëshkrim i pashtjelluar italian i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, një Muhamed evangjelik, i menduar të puqet me Jezusin kuranor, u hamendësua se kishte një burim Morisko ose prej konverti.

 

 

 

POLEMIKA E KRISHTERË

 

 

 

Polemika e hershme përfaqëson nivelin më të lartë të dialogut, veçanërisht ajo e katolikut Temoteu I me kalifin Mehdi rreth vitit 781 dhe ajo e bashkëfetarit të Timoteut, Iliasit të Nisibit me vezirin Ebu el-Kasim el-Magribi në 1026. Natyrisht, këto nestorianë përdorën një Kristologji që të paktën sipërfaqësisht ishte më e kuptueshme për Myslimanët. Këso dialogu, nuk mund të ketë zënë vend gjithnjë ashtu siç shkruhet, ose jo plotësisht ashtu, por toni i tyre pajtues paraqet një apologjetikë të krishterë të menduar për të qenë jofyese për një audiencë myslimane. Parashtrimi i Timoteut mbi Profetin, si “në udhën e profetëve”, është i dobishëm, pa braktisur ndonjë thelb të krishterë.

 

 

 

Por kjo nuk qe pamja e zakonshme, qoftë në formën e dialogut. Polemika myslimane qe shpesh përçmuese, por ajo nuk qe kurrë e helmët sa fyerja kristiane ndaj Islamit dhe Profetit, dhe ç’është më e rëndë, kjo qe fund e krye tallëse o e pavend, dhe gjithherë agresive, çka nuk ishte e përshtatshme për të lënë ndonjë mbresë te myslimanët, veç në qoftë imponuar me forcë në rajonet e pushtuara nga të krishterët. Mund të merret me mend se polemika zhvillohet nga diskutimi i mëparshëm i plotështrirë, dhe shumë mbetet në një nivel të ulët të kulturës gojore. Qoftë edhe në kriticizmin intelektual të teksteve kuranore, autorët ngulnin këmbë në kuptimin sipas polemikës së tyre, përfshirë, në disa raste bizantine, adhurimin e Afërditës. Tradita bizantine përmban autorë që shkruajnë në greqisht si myslimanë ose jomyslimanë, mes të cilëve janë Gjoni i Damaskut (749 e.s.), Teodor Ebu Kurrah (shekulli i tetë-nëntë), Xhorxh Hamartolus (“Murgu”), Niketasi i Bizantit (të dy në shek. e nëntë), dhe autori që shkruan nën pseudonim i Letër për Emirin e Damaskut (920-940). Niketasi është stërkritik në përqasjen e tij për tekstet kuranore, vetëm e vetëm që të sulmonte Profetin, sidomos luftërat e tij dhe martesën me Zejnebe bint Xhahsh, ndikimin mbi të të një këshilltari të hamendësuar Arian dhe predikimin e një parajse mishore. Pseudo-Kindi ( i përmendur më sipër), që shkruante në arabisht, është shpifësi më i pandalshëm në shfytyrimin e çdo hollësie të jetës së Profetit, si vetëkënaqje (kryesisht seksuale) dhe dhunë (banditizëm, vrasje). Ai me plot vetëdije e shmangu ndjenjën e shenjtërisë së Profetit në burimet që ka shfrytëzuar dhe i dha gjunjë pikëpamjes së paarsyeshme se Profeti priste ringjalljen apo ngritjen e trupit të tij.

 

 

 

Këto tema kishin hyrë në perëndim nga mesi i shekullit të nëntë. Polemika në miniaturën e gjetur në Pamplona nga Eulogiusi i Kordovës (859), kryepeshkopi i zgjedhur i Toledos, dhe gdhendur në Liber apologeticus martyrum, përmban pothuaj krejt elementët e përdorur nga el-Kindi dhe polemistët e mëvonshëm perëndimorë: Profeti është akuzuar për agresion dhe shthurje; Kurani është vënë në tallje; shumë është bërë edhe për ringjalljen zhgënjyese; arabët e Hixhazit janë përshkruar si shtazarakë.  Eulogiusi ishte nxënës i kryemurgut Speraindeo, i cili kishte shkruar një polemikë të shkurtër, sot e humbur, në të cilën ai sulmonte parajsën kuranore si shtëpi publike (lupanar), por mbase Eulogiusi përftoi prej tij dijen e saktë rreth teologjisë kuranore të Jezusit. Miku dhe bashkëstudenti i Eulogiusit, Alvarusi e sulmonte Islamin në të njëjtat drejtime me një retorikë gati histerike mbështetur në ngjashmëritë e Dhjatës së Vjetër.

 

 

 

Përjashtuar këtë përdorim të Dhjatës së Vjetër, tërë sulmet e tjera u përtërinë gjatë Rekonkuistës spanjolle. Pjesa më e madhe e polemikave mesjetare rridhnin nga burime spanjolle, plotësuar,  por jo gjerësisht, nga letërsia e shteteve latine në Lindje. Pjetri i Alfonsos dha ndihmën e tij në pellgun e polemikës judaike, por hapi tjetër i rëndësishëm u ndërmor kur Pjetri i Përnderuar, kryemurgu i Klunit, i cili vizitoi Spanjën nga 1142 deri në 1143 dhe porositi përkthime nga arabishtja, përfshirë edhe një interpretim të Kuranit (pak më mirë se një parafrazë) dhe një version të pseudo-Kindit. Ky Kuran qarkulloi gjerësisht si dorëshkrim gjer kur u botua në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. El-Kindi përforcoi shpifjet mbi Profetin me hollësi jothelbësore për të cilat perëndimi nuk kishte dije tjetër, dhe puna e tij qarkulloi së tepërmi në formë të shkurtuar e cila shfaqet në enciklopedinë e Vinçent de Beauvaisit, Speculum historiale. Përgjithësisht, kryet e vendit të polemikës i zinin akuzat për luxursiosus (epshor) dhe bellicosus (i dhunshëm), por polemika e abatit Pjetër, sa duket e papërkthyer ndonjëherë në arabisht, është vërtetë e përshtatshme (në informacionin e gjindshëm për të) dhe mjaft e lidhur me vërtetësinë e shkrimit.   

 

 

 

Zhvleftësimi i Kuranit është tema kryesore e misteriozes Contrarietas elpholica, të cilën, Marku i Toledos, e përktheu në fillim të shekullit të trembëdhjetë nga një origjinal arabisht i panjohur. Ai bëri edhe një përkthim goxha më të mirë të Kuranit, por ai nuk u pranua përgjithësisht. Dominikani Rikoldo da Monte Kroçe (1243-1320) udhëtoi për në Bagdad (atje ishte rreth vitit 1291), por diskutimet që mëton t’i ketë zhvilluar me myslimanin e përshpirtshëm nuk lanë asnjë shenjë në polemikën e tij, përftuar nga Contrarietas dhe materiale të tjera të trashëguara. Ai e sulmon Kuranin si të pështjelluar dhe të mugët në të njëjtat mënyra që u vijnë përndore librave profetikë të Dhjatës së Vjetër. Quadruplex reprobatio, me gjasa nga një tjetër dominikan, Ramin Marti (1220-1285) shfaq njohuri të hollësishme nga burimet e sakta, si Buhariu dhe Muslim ibn Haxhaxh, të cilin duhet ta ketë shkuar në krehër për të gjetur shembuj nga jurisprudenca islame, të pakëndshëm në sytë e të krishterëve si “në kundërshtim me arsyen”, apo “kundër të mirës së përgjithshme”, duke lënë anash gjithë pjesën tjetër. Ramin Lulli (1235-1315), duke u orvatur të provojë trinitetin me “argumente të sforcuara” në një numër punimesh, prapëseprapë, pati ndikim të vogël. Peter Paskasiusi, një mercedarian (1227-1300), përdorte dituri autentike nga jeta e Profetit prej Ibn Is’hakut (767) në një përpjekje të dëshpëruar për të mbështetur përbaltjet e krishtera nga më absurdet, që qarkullonin asokohe mbi Profetin.

 

 

 

Këto që përmendëm, një pjesë e mirë me burim në Lindje, u puqën me një folk të shkëlqyer, jo vetëm në dy poema latine dhe një parafrazë franceze por edhe në shumë fragmente dhe në mjaft kronika, anale dhe punime të ndryshme rastësore: një gjini legjendash periodike mbi mënyrën se si një libër i shenjtë i rremë u nxor në shesh nga një pëllumb apo një këlysh, mbi atë se si Muhamedi qe një viktimë e një murgu të krishterë renegat, apo qe vetë një kardinal i dështuar. Chansons de geste përshkruajnë një panteon zotash saraçenë, por dyshohet në janë krijuar për më shumë se një mesele.

 

 

 

Tomas Akuinasi (1225-1274) këshillonte sërishmi se polemika nuk mund të mbahej mbi premisa të copëtuara. Nikolasi i Kuzës (1400-1464), ndonëse metoda e tij e polemizimit nuk përbën ndonjë përparim të njëmendtë, duket se kërkon sinqerisht pajtim në të tijën De pace fidei. Shkallë-shkallë përsosja e metodave shkencore nxori jashtë loje lajthitjet më të liga. Specialisti më i madh i Kuranit në shekullin e shtatëmbëdhjetë, Ludoviko Maraçi (1612-1700), qe ndershmërisht i saktë, por ngurtësisht kritik në linjat tradicionale; gjurmëshkelësi i tij anglez, Xhorxh Sale (1697-1736) qe më dashamirës, megjithëse sot ai rreshtohet nga myslimanët si anti-islamik. Me Rilindjen, drejtimet e vjetra të polemikës vetëm sa u riorientuan për nga kritika e përgjithshme e fesë (p.sh. Fjalori i Bejlit, 1696-1697, Mahomet, Vie de Mahomed e Boulanviliers, 1730; Gibon, Voltaire).

 

 

 

PERIUDHA MODERNE.

 

 

 

Polemika u ngjall prapë në shekullin e nëntëmbëdhjetë por qe përshtatur rrënjësisht në të dy krahët me përvojën kolonialiste. Orientalistët dhe soj misionarësh e mbanin veten me të madh përmasën intelektuale dhe shoqërore ndaj kombeve të sunduara nga Evropianët. Metodat e përmirësuara historike treguan një përpikëri të re pa pasur nevojë për të ndryshuar paragjykimet e vjetra. Misionet protestante, të polemistit Karl Pfander (1803-1865), me kulmimin në Konferencën Botërore të Misionarëve, mbajtur në Edinburg në 1910, nuk i shpëtuan dot intelektualisht polemikës mesjetare, por vetëm sa shtuan edhe disa kritika sociale bashkëkohore, veçanërisht statusin e gruas në Islam. Në krahun katolik ne mund të marrim si shembull kardinalin Lavigerie (1825-1892), kryepeshkop i Algjerit dhe aleancën e tij me mission civilatrice në Francë. Nënshtrimi politik i detyroi myslimanët të marrin pozita mbrojtëse.

 

 

 

Një aggiornamento i shekullit të nëntëmbëdhjetë i nxjerrë nga Sejid Ahmed Khan (1817-1898), Xhemalud-Din el-Afgani (1838-1897) and Muhamed Abduhu (1849-1905) u ndoq nga një varg apologjetësh më shumë se sa polemistë, modernistë të ndikuar në shkallë të ndryshme nga të krishterët e perëndimit, dhe qëndrime post-kristiane; mes tyre qenë Muhamed Ikbali (1889-1938), Taha Husejn (1889-1977), Salahud-Din Khuba Bakhsh (1877-1931) dhe Kemal Husejn 91901-1977). Përdorimi i teknikave historike të ditës për të hedhur poshtë Orientalizmin Perëndimor nga Abas Mahmud el-Akadi (1889-1964) pati shumë ndikim; ai e respektonte Krishtin si profet, gjë që nuk e bënte Tavik Sidkiu (1881-1920), në një kundërvënie të përdhunë ndaj misionarëve. I lexuar gjerësisht nga një publik anglisht-folës, Amir Aliu (1849-1928) zmbrapsi me aftësi sulmin sociohistorik të të krishterëve mbi Islamin, sidomos në veprën e tij Shpirti i Islamit (1891) dhe Histori e Shkurtër e Saraçenëve (1899)

 

 

 

Shpjegimet në anglisht, në botimet e Kuranit, nga Mevlana Muhamed Ali (versioni Ahmedi, 1917) dhe nga Abdullah Jusuf Ali (versioni synit, 1946) çuan përpara argumente të panjohur për lexuesit perëndimorë; në një udhë të përgjithshme, myslimanët ndjenë se kritika biblike bashkëkohore mbështeste akuzën e tahrifit, sadoqë Sejid Ahmed Khan e kishte zvogëluar atë. Vëllezërit Myslimanë e panë veten si mbrojtës të civilizimit Islam. I papranuar nga pjesa më e madhe e opinionit mysliman të kohës, Abdul-Aziz Xheuishi (1876-1929) sulmoi krishtërimin kopt si kolonialist, në gazetën e tij El-Liva, ndërkaq myslimanët militantë të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, u angazhuan në luftën kundër të moderuarve, kështu që kishte mjaft punë për t’u bërë ndaj neokolonialistëvë post-kristianë; mbase pritej që të merrnin një mbështetje shoqërore të gjerë. Xhematet (grupet fundamentaliste) i’u kthyen sërish Ibn Tejmijes. Në krahun kristian, disa fanatikë qëndruan, por prirja mes të krishterëve të perëndimit (P.sh. Luis Masignon, 1883-1962, Keneth Krag, 1913) ishte çlirimi nga paragjykimet e trashëguara.

 

 

 

Përktheu: Vehap Kola

 

BIBLIOGRAFIA

 

 

 

Për një konspekt më të gjerë të kësaj fushe, “Polémique, apologie et dialogue islamo-chrétiens,” Euntes Docete 22 (1969): 380–392, e Xhorxh C. Anavatit është e paçmuar, por ajo është e shkurtër dhe nuk e ngërthen të gjithë fushën. Për polemikën mesjetare islamike shih Erdmann Fritsch’s Islam und Christentum im Mittelalter (Islami dhe Krishtërimi në Mesjetë) (Breslau, 1930). Një vlerësim i shkurtër dhe i përshtatshëm i polemikës bizantine është Le miroir de l’Islam: Musulmans et chrétiens d’Orient au Moyen Age, septième-onzième siècles (Paris, 1971) e Alain Ducellier. Për polemikën arabisht, shkrimet e Armand Abelit janë kyçe: L’apologie d’al-Kindi et sa place dans la polémique islamochrétienne “L’oriente christiano nella storia della civiltà,” no. 62 (Rome, 1964), dhe shumë monografe të tjera. Për polemikën mesjetare kristiane, shih Western Views of Islam in the Middle Ages (Cambridge, Mass., 1962) and my own Islam and the West: The Making of an Image, 2d ed. (Edinburgh, 1980) të Riçard W. Sadhërn. Për polemikën e krishterë moderne, Recherches sur la pensée chrétienne de l’Islam: Dans les temps modernes et à l’époque contemporaine (Beirut, 1977) e Juakim Mubarak përfaqëson një vështrim të gjerë. Për prirjet akademike, shih Zhak Vardenburg, L’Islam dans le miroir de l’Occident, 3d ed. (Paris, 1962), që studion pesë dijetarë të mëdhenj. Ndonëse nuk ka një vrojtim të përgjithshëm të polemikës moderne myslimane ndaj Krishtërimit, por për Indinë, shih Islamic Modernisation in India and Pakistan, (Modernizmi Islamik në Indi dhe Pakistan), 1857–1964 (London, 1967), të Aziz Ahmed.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme