Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime tė bashkėpunėtorėve ->

Dimenzionet edukative dhe arsimore tė Mevludit


Dr. Avzi Mustafa

Në çdo kohë dhe te gjithë popujt edukata ka të bëjë në radhë të parë me brezin e ri. Shoqëria mund të shkojë përpara në qoftë se brezi i rritur ndihmon në përgatitjen e pasardhësve të vet, në qoftë se i transmeton brezit të ri përvojën në kulturë, traditë, normat e sjelljes etj. Por, kjo nuk do të thotë se edukata ka të bëjë vetëm me brezin e ri, por gjatë gjithë jetës të gjithë njerëzit fitojnë njohuri, përvojë, e pasurojnë dhe e përsosin përvojën e tyre. Me fjalë të tjera, të gjithë njerëzit edukohen pavarësisht nga shkalla e kësaj edukate dhe mënyra se si fitohet ajo.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Siç është e njohur dhe dëshmuar në historinë e njerëzimit, nuk ka dhunë dhe përbindësh që mund t’i zhdukë mendësitë dhe ndjesitë fetare të njerëzve besimtarë. Asnjë dhunë, e as totalirizëm, asnjë diktaturë, asnjë ligj e asnjë kushtetutë, nuk mund ta zhdukë mendimin e njerëzve, ndenjën e tyre. Për këtë psikologu Hamit Beqja shprehet “Me këtë është e kuptueshme ruajtja e mendimeve dhe e ndjesive fetare te besimtarët fetarë. Ato qëndrojnë të struktura, të fshehura”.

Është e njohur se edukimi fetar është menduar si një edukim mendor ose edukim moral, si diçka që mund të realizohet vetvetiu, gjatë rrugës, nëpërmjet formave të ndryshme. Një prej formave që më tepër ka lënë gjurmë në vetëdijen fetare mund të llogaritet edhe mevludi.

Nuk është me rëndësi se a do të pajtohet dikush me këtë mendim, por ky qëndrim mund të përforcohet me shumë argumente: mevludi është më i përhapuri, më i përkthyeri, më i qëlluari, ai shpreh besimin në mbretërinë e shpirtit, ai që synon më fuqishëm në zgjedhjen e qëllimit të lartë, në ecjen drejt përsosmërisë shpirtërore që është vetedukimi, duke kërkuar dhe zbatuar rregullat, sjelljen, fjalët dhe veprat, sinqeritetin ndaj vetes, pastaj atë shpeshherë e kemi shembull në jetë, veprim dhe sjellje, organizim tubimesh, vijon pastaj kalimi i mevludit në rit e në festë shtëpiake, “më i larmishmi në domethënie, në dhënien e njohurive të domosdoshme fetare fillestare për besimtarët, ka vlerë si ai i ditës së xhumasë, është një lloji poezie specifike që ka karakter didaktik dhe estetik” (Luli & Dizdari, 2002)

Për mevludet, siç thonë dy pedagogët më në zë që e kanë studiuar historinë e mevludeve në gjuhën shqipe, ka përkufizime të ndryshme bazuar në fjalorë e në studime nga autorë të ndryshëm. Sido qoftë unë nuk do të ndalem në shpjegimin e përkufizimeve ose në mospajtimin e mendimeve të autorëve të ndryshëm, por do të ndalem në një moment tjetër, që mendoj se në këtë çast është më interesant.

Mevludi në kohën e Mbretërisë shqiptare ishte ndër festat më të preferueshme, që organizohej me rastin e ditëlindjes së Muhamedit (a.s.). Këtë ne e shohim në mevludin e Hafiz Ibrahim Dalliut mevludin, i cili kështu e përfundonte mevludin e tij:

“Lutju pra fortë Perëndisë

Si fëmija s’amës për sisë.

Për Mbretin e gjith Shqipnisë,

N’ dores…”

Kjo festë mbahej çdo vit më 8 prill. Në këtë datë organizohej ceremoni në të gjitha xhamitë e Shqipërisë, por gjatë viteve 1940-1944 edhe në Kosovë e Maqedoni. Ashtu siç shkruan revista “Kultura islame”, kjo ditë më 8 prill i kushtohet Aniversarit të Pejgamerit t’onë të Madh. Ja si shprehet kryetari i komunitetit mysliman në Tiranë dr. Shapati. “Kjo ditë asht gëzim për tanë Muslimanët e botës, pse kjo asht festa ma e shejtë. Sot Muslimanët, pa dallim klase race grumbullohen në faltore të ndryshme për të përkujtue lindjen e Atij të Madhit të njerëzisë, që i mësoi botës se si t’adhurojnë Zot të vetëm. Ai rrëfeu asaj rrugën e lumtënis shpirtërore e landore. Motto-ja e tij ishte “aktivitetet e sjellje Korrektë. Parimet e tij mbështjellin krejt njerëzimin nën flamurin e drejtësisë, barazisë, e lirisë. Ai na la për mbrapa Librin e veprimit… Parimet e fesë së tij nuk pranojnë fatalitet, por punë me djersën e ballit. Ai në vetvete zotëronte virtyte e morale të nalta e shembullore…. Ai dëshironte harmoni e paqë”. Pas fjalim të kryeimamit, fillonte këndimi i mevludit prej hafëzësh që kishin zë të mrekullueshëm. E çdo pjesë e tij përcillej me salavate. (Kultura Islame, nr. 20-21, maj-prill, 1941).

Mevludi në Maqedoni dhe në Kosovë dhe në periudhën e socializmit totalitar dhe shoqërisë ateiste ishte e vetmja festë apo ritual fetar në të shumtën e rasteve. Nëpërmjet të këtij mevludi këndohej shëmbëlltyra e Pejgamerit duke na dhënë episode të një shembulli të jetës me pasione të forta e me ideale të larta dhe me një vullnet të pathyer si me një durim të zakonshëm. Në mjaft drejtime ata ishin në një kohë shembull i brezave të ardhshëm. Në mevlud atë që së pari që Zoti ia mësoi Muhamedit ishte Surja Ikre:

“Me ditunin e tij mendjen ia ndriçoi,

Surja e Parë “Ikra”porsa u mbarua,

Rrezja e diellit iku, nata u afrua”

(Idriz Lamaj. Mevludi, New York, 1982, Biblioteka myslimane shqiptare, nr. 3. Botim i parë)

Feja jonë ka një rol të veçantë në ndërtimin e bashkësisë njerëzore. Është një forcë e veçantë e cila i bashkon njerëzit, jo vetëm duke ua treguar atyre dinjitetin e vërtetë dhe thirrjen e përbashkët, por edhe duke i përgatitur ato drejt kërkimit të vlerave të vërteta dhe me një ndjenjë përgjegjshmëri për të mirën e përbashkët. Me të drejtë Jonathan Sacks pohon se “besimet fetare janë strukturat e jetës sonë të përbashkët. Në simbolet e ceremonitë e tyre, çdo njeri gjen bashkimin me të tjerët duke ndarë të kaluarën, të ardhmen dhe impenjimin midis tyre.” (George Frendo, 10 shtator, 2008 shkruar në gazetën Agon)

Procesi i zhvillimit të njeriut vazhdon gjatë gjithë jetës së tij, ndonëse më i vrullshëm është në fëmijëri. Të moshuarit çdo herë janë më të lidhur me të kaluarën, sidomos kur kemi të bëjmë me shqiptarët e Maqedonisë e të Kosovës kur atyre gjatë historisë u mungonte arsimi në gjuhën amtare, kurse sistemi socialist kërkonte të edukojë qytetarë të bindshëm të sistemit, secili me dozat e veta individuale. Në atë kohë sidomos popullata fshatare nuk i kishte ndërprerë ritet fetare. E riti që kishte më shumë përdorim dhe më shumë që ushtronte ndikim te masat fshatare ishte pikërisht këndimi i mevludit në rastet e ndryshme si: gjatë muajit të ramazanit, në martesa, në synetime, në përurime të shtëpive te reja, në lindje në foshnjave, në përkujtimin e të vdekurve e raste të ndryshme. Mevludi jepte një ndikim shumë të madh në ndryshimet psikike që kanë të bëjnë para se gjithash, me zhvillimin mendor, moral dhe estetik në formimin e të gjitha veçorive psikike të personalitetit dhe në fitimin e cilësive shoqërore të nevojshme për jetën. Pra formimi i njeriut është rezultat i një ndërveprimi të një tërësie faktorësh me karakter objektiv dhe subjektiv, spontan dhe të organizuar.

Zhvillimi i njeriut si qenie shoqërore mund të bëhet edhe vetëm nën ndikimin e ambientit social edhe të praktikës shoqërore. Ky ndikim nuk mund të jetë vetëm spontan, por edhe i vetëdijshëm. Njeriu edukohet duke komunikuar me njerëz, duke mësuar nga përvoja e tyre, nga përvoja personale, duke lexuar e dëgjuar.

Mevludi me kalimin e kohës si një misionar i vërtetë në spikamë ka vënë çdoherë atë që Profeti jonë e ka dëshiruar – që nëpërmjet fesë islame t’i zhvillojë ato cilësi të larta të karakterit e të botëkuptimit si: dinjiteti i personit njerëzor, e vërteta, drejtësia, paqja, dashuria, solidariteti dhe liria. Te ditëlindja e Profetit (a.s.), pra në ato familje ku festohet e këndohet mevludi, përmes fakteve konkrete biografike paraqitet një hallkë e rëndësishme për edukimin e gjeneratave. Ja se si lartësohet morali dhe shpirti i Muhamedit:

“Të lartë moralin, shpirtin si borë,

S’pat kend ma t’ ndershëm, as madhor.

E adhuroj Meqja, t’ gjith e njohën mirë

E për Të thanë se asht zemërdëlirë,

Mprojti t’ vobektit që heshtin, treten

Gjithnji u –përpoq me nxjerrë t’ vërteten.

………………………..

Zemra e tij e pastër, avull në kemtore

Mbjellte virtyte të nalta njerëzore”.

Me kushtrimin e fjalëve dhe ritmit që del nga leximi i mevludit studiuesi Ali Musa Basha kështu shprehet: “Duke dëgjuar mevlud njerëzve u kujtohen disa vlerësime e mësime të fesë islame dhe me këtë rast pjesëmarrësi mediton emocionalisht për fenë dhe ky lloj meditimi apo reflektimi zë vend në mendjet e masës së njerëzve të thjeshtë, herë e herë me shumë se një predikim apo reflektim për një temë të zakonshme (sipas Luli & Dizdari, 2002, fq. 26)

Muhamedi (a.s), pas mësimit, detyrën e parë që kërkonte ishte puna. Punën e shikonte si adhurim të çdo myslimani. E lartësonte punëtorin, kurse dembelizmit ia ndërpriste rrugën.

Siç dihet kënga, muzika në unitet me fjalët, ushtron një ndikim të madh e të thellë në formimin etik. Në këtë drejtim këndimi i mevludit ku pasqyrohet jeta dhe puna Pejgamerit (a.s) provon ndenja të thella fetare, dashuri, krenari, urrejtje ndaj të këqinjve, ushtron ndikim në edukimin estetik te brezat të ri. Kështu rriten ndjenjat dhe shijet estetike e në mënyrë të veçantë aftësitë për krijimin e të bukurës dhe përdorimi e saj në jetën e përditshme; të dijë të dallojë të mirën nga e keqja dhe të vendos drejtpeshim në mes trupit dhe zemrës.

Besimtari, duke kënduar për Muhamedin, fiton bindje të sakta mbi sjelljet dhe veprimet morale si dhe orientimin në situata të caktuara për të dalluar të mirën nga e keqja. Kështu nga përfytyrimet e dala nga mevludi duke përshkruar sjelljet dhe veprimet e tij formohen parimet edhe vetitë morale.

Njeriun me të gjitha tiparet në mevludet e ndryshme e gjejmë njeriun e ndërgjegjes ashtu siç shëmbëllente Muhamedi (a.s.) njerëzoren nuk duhet kërkuar në pamjen fizike, por në shpirtin e tij. E çka është më e rëndësishmja se nëpërmjet këndimit të mevludit mësojmë edhe këtë që është shumë e rëndësime për të gjitha kohërat, e ajo është se si ta njohim vetveten, ashtu që ata që s’dinë se çka janë, ata nuk mund të krijojnë lidhje me Krijuesin e Lartë dhe jeta e tyre kalon në pesimizëm. Ai i cili e njeh veten, bëhet i afërt edhe për Zotin, për njerëzit.

“Me lidhë besimin me përjetësin,

Me përqafue Islamizmin, t’ vërtetën fe,

Që çmon shkencë, njerëzi, ujë e dhe.

Të gjitha i nalton tue i spejgue

Se fuqia e Zotit vetë i ka krijue.”(Mevludi i Idriz Lamajt)

Tashmë e dimë se një mendimi është një dhunti, kurse formësimi i tij është aftësi. Unë madje nuk di a ka ndikim ndonjë vepër si mevludi që garanton lumturinë dhe lartëson vlerat njerëzore. E vlerat njerëzore të një njeriu siç ishte i Madhi Muhamed që shquhet në këtë tekst, edhe këtu dalin në pah nga ajo që mësohet vet, duke mësuar dhe i ndriçuar edhe të tjerët. Një dimension edukativ e arsimor në lidhje me mevludin edhe më tej mbetet për t’u studiuar, sepse mevludi mbetet një manual i vërtetë i parimeve i prirë për ta gjetur kthjelltësinë shpirtërore.




E Martė, 8 Nėntor 2011; 04:49

http://breziiri.com/2010/04/11/dimenzionet-edukative-dhe-arsimore-te-mevludit/

Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats