Burgosja më dukej liri, liria burgosje

Bastisja dhe arrestimi

 

Herët në mëngjes, diku para orës 5, më 14 dhjetor 1992, më doli gjumi. Sikur më erdhi një zë e më tha: Zgjohu! Pikërisht në ato çaste dëgjova disa zhurma rreth shtëpisë. Mendova mos zërat vinin nga rrugaçë kalimtarë, që ktheheshin nga pijetoret apo nga ndonje zefk privat. Por vetëm pas disa sekondash ndërrova mendim. E zgjova bashkëshorten me shpejtësi duke i thënë se policia na kishte rrethuar, ndaj të ngrihej me të shpejtë. Nga dritarja vërejta dhjetëra policë në oborr! Ata kishin kapërcyer murin rrethues. Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua thyerja e derës së shtëpisë. U futën në korridor dhe klithën: “Milicia, milicia, dorëzohu...!” dhe një varg sharjesh, britmash dhe fjalë gjysmë të qarta e të paqarta.. Për një çast mendova të rezistoja, t’ua drejtoja tytën e automatikut, por ndërrova mendim. Vendosa të dorëzohesha. E dija se jo vetëm familja ime, por edhe e tërë lagjja dhe qyteti do të ndëshkohej për çfarëdo rezistence. Ashtu në pizhama nate, e hapa derën e dhomës. U sulën dhjetëra policë. Më kapën dhe më lidhën në pranga. Në dhomë kisha edhe të dy fëmijët e mi: vajzën 30-muajshe dhe djalin 18-muajsh. Për çudi, përkundër gjithë asaj zhurme të policisë, fëmijët nuk u zgjuan nga gjumi. Allahu deshi që fëmijët të kurseheshin nga ato skena trishtuese, të dhembshme, traumatike.

Meqenëse policia serbe kërkonte dokumente dhe armë, u përpoqa t’ua tregoja sa më shpejt dhe ta largoja atë grup të dhunshëm nga shtëpia. Edhe po mos i dorëzoja armët, ata do t’i gjenin vetë, sepse kishin informacion të saktë, kurse dhuna do të ishte më e madhe, familjarët do të përjetonin trauma edhe më trishtuese. Pas dy-tre orë thyerjesh, përplasjesh, montimi provash, bastisja përfundoi. Më arrestuan mua dhe vëllanë e vogël, Naxhiun. Vëllanë e madh, Sabatinin, e lidhën për një shufër metali, e shtrinë për tokë, por nuk e morën me vete. Familjarët e tjerë nuk i keqtrajtuan fizikisht, por pësuan një tronditje shpirtërore.

Një grup prej disa policësh, ndoshta 8-10 prej tyre, me uniformë dhe disa civilë, filluan të kërkonin prova: disa libra arabisht, disa para xhepi nga rroga e fundit dhe një revole personale i vendosen në një vend, njëra mbi tjetrën, për të krijuar përshtypjen e një terroristi, të lidhur me vendet terroriste arabe-islame. Në vërejtjen time se kjo që bënin ata ishte vepër e montuar e jo realitet, një civil me mustaqe, i viteve të 50-ta, më tha: “Po, është montim, e ç’kërkon! (da, pa šta hoćeš!)”. Më vonë, gjatë vuajtjes së dënimit mësova se ky polic me veshje civile, që montonte provat, quhej Qerim Buzhala, shqiptar “i ndershëm” i asaj kohe, bashkëpunëtor dhe besnik i regjimit serb. Policët konfiskuan disa libra, shkrime, një çantë aktesh të shtrenjtë dhe sende të tjera, pastaj thyen, prishën, shqyen libra, vodhën....; edhe sot, pas shumë vitesh, vërej gjëra të vjedhura.

Mua dhe vëllanë e vogël na dërguan në ndërtesën e policisë, kurse familja mbeti në ferrin e pasojave të policisë ... Konfiskuan shumë dorëshkrime shkencore, fetare, kulturore e historike, si dhe letra, fakse, librezën e telefonit, libra, madje edhe pagën mujore; thjesht, familja mbeti pa asnjë dinar, fening, qindarkë...

Mirëpo kjo ishte vetëm një hyrje në tmerrin e vërtetë, i cili do të fillonte pasi arritëm në katin më të lartë, në skajin jugor të ndërtesës së UDBA-s, që ishte edhe Qendra e Sigurimit Shtetëror të Prizrenit.

Grushtimi e shkelmimi, rrahja me shufra gome e druri, me karrige metali, nga maja e kresë e deri në majë të gishtave ishte “fati” im dhe sigurisht edhe i shumë shqiptarëve të tjerë. Me goditje më hidhnin nga njëri skaj i zyrës në tjetrin. M’i shkulnin flokët dhe mjekrën. Thirrja e ezanit të lartësuar nga minaret e xhamive të shumta të Prizrenit, që dëgjohej qartë në dhomat e dhunës, i tmerronte, i tërbonte ujqërit e UDBA-s. Shumë herë më thanë se ezani i pengon ndaj frymëzohen për “përpunim special”. Ata suleshin nga dy-tre, katër, pesë … si bisha të egra! Kur një ekip lodhej, vinte ekipi tjetër i çlodhur nga KAMP-i (Motel) Prizreni, kurse në krye të tyre thuajse gjithnjë ishte Dragan Zariqi nga Beogradi, sipas tij, specialist ndërkombëtar për aferat e armëve, apo siç e quante ai veten “Udbashi më me nam në Jugosllavi” (najje.eniji udbash u Jugoslaviji). Egoist deri në marrëzi, satrap i pashpirt, idiot, skizofren, sadist, nuk zgjidhte mjete për të arritur deri te ‘e vërteta’ e tij. Kërkonte shtrirjen e grupit tim, kush ishte mbi mua dhe nën mua, kërkonte të gjitha kontaktet e mia si sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, si kryetar i Kryesisë së Shoqatës së Ulemave për Kosovë ..., si anëtar Rijaseti të RSFJ-së në Sarajevë, si autor e publicist, kërkonte t’i sqaroja lidhjet që kisha pasur me LDK-në në Prizren, me Alija Izetbegoviqin, kontaktet e mia me dy delegacione nga Irani, nga Turqia, etj. Kush qëndron para dhe pas meje? Kush, si, çka, kur, nga, pse, prej, ç’dëshiron, ç’planifikon; këtu nuk është Arabia, Turqia…, këtu është drzhava Srbija (shteti Serbi), zemra dhe shpirti i Serbisë! Më kërcënonte: “Do të të vrasim sonte, do të të zhdukim, do ta arrestojmë tërë familjen tënde. Madje këtu e ke tërë familjen të arrestuar. Pa e pranuar veprën, nuk i lëshojmë as ata”. Në këtë kohë nga larg u dëgjua një zë fëmije. Ai shfrytëzoi rastin dhe tha: “Po e dëgjon vajin e fëmijëve të tu në skaj të korridorit!?” Meqë nuk mund t’i dalloja të qarat e fëmijës, herë–herë më shkonte mendja se i kishin marrë për të më bërë shantazh. Nuk dhashë shenja dobësimi, por në brendi të shpirtit ndieja se po trembesha nga pisllëqet e tyre.

Gjatë bastisjes te fqinji i parë, Adnan Muhameti, kishin gjetur edhe një regjistër. Përmbante emrat e qindra njerëzve të lagjes e më gjerë, të klasifikuar sipas formacioneve ushtarake. Në ato formacione gjendeshin edhe dy vëllezërit e mi dhe shumë emra të tjerë. Me këtë regjistër më bënin shantazh: “Këtë e kemi arrestuar..., këtë do ta arrestojmë ..., ai tjetri kështu ...” Për fat, nuk bëra ndonjë gabim e që ata nuk e dinin, nuk konfirmova ndonjë emër apo ndonjë veprim. Nga përvoja që ka UDBA, nga dëshmia e ndonjë individi qoftë nga dhuna apo nga ndonjë gabim, inspektorët trillojnë çdo gjë që ngjarja të duket si e vërtetë dhe të duket e kapshme. E kisha pritur se pas një kohe do të bëhej një varg arrestimesh dhe për këtë ia kisha tërhequr vërejtjen vëllait të madh, por për fatin tonë kjo nuk ndodhi. Në shtëpinë tonë ishin mbajtur disa tubime dhe gabimet më të vogla të të arrestuarve do ta rrisnin numrin e të burgosurve të tjerë. E tërë familja ime, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ishte e lidhur me disa aktivitete politike-ushtarake dhe çdo sulm i ardhshëm do të shkaktonte dëme të pandreqshme. Allahu deshi që kjo mos të ndodhte: Ai nuk e ngarkon njeriun mbi fuqinë e tij.

Zyrtarët e UDBA-s më tmerronin edhe me vëllanë, Naxhiun, i cili sipas britmave që i dëgjoja kur e rrihnin, duket të ishte në zyrën përbri zyrës ku më rrihnin mua. Më thoshin se nëse u tregoja të vërtetën, do ta lëshonin vëllanë dhe familjen. Në të kundërtën, ai do të kalbej me mua në burg për shumë vite. Ushtronin dhunë sidomos gjatë natës. Natën e parë pas arrestimit, diku pas mesnate, pas një rrahjeje të gjatë e të egër, nëpërmjet vrimave të derës metalike, në përdhese të ndërtesës, arrita të shihja se si e keqtrajtonin rëndë vëllanë. E godita me forcë derën, bërtita fort vetëm e vetëm që ta tërhiqja vëmendjen e tyre dhe t’i largoja nga ai, së paku disa çaste. Erdhi polici serb dhe pas një rrebeshi fyerjesh më pyeti ç’kërkoja, kurse unë iu përgjigja me tërë mllefin: “Ju jeni qyqarë, dhjetëra njerëz me uniformë sulmoni një njeri. Ju nuk keni as shpirt as njerëzi, ndaj do ta humbni luftën. Ju nuk do ta sundoni Kosovën kurrë”. Qeshi me ironi dhe u shpreh afërsisht kështu: “Të kanë rrahur deri në orën 24, por si duket nuk të paska mjaftuar. Falënderoju faktit që shefi më ka urdhëruar të të ruaj të freskët për nesër, në të kundërtën ulërimën tënde do ta dëgjonte edhe Shqipëria”. E përplasi derën dhe shkoi. E godita derën edhe disa herë, por nuk ia vinte veshin kush! Ashtu në të ftohtë, në një qeli policie pa ngrohje, qëndrova deri në mëngjes. U bënë rreth 20 orë pa ngrënë e pa pirë.

Të nesërmen, udbashët vazhduan tërë kohën duke më paralajmëruar do të kalbesha në burg tërë jetën, më akuzonin se isha terrorist, se isha fundamentalist mysliman; kalonin në provokime të tjera: “Ti e ke bërë këtë aktivitet sepse të ka mashtruar Rugova, Sali Berisha, Reisi i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë Jakup Selimoski. Ti je kundër myftisë së Beogradit, iks-imamit të Prizrenit; ti, ti, ty, …” Të gjitha këto përcilleshin me dhunë brutale. Më rrihnin me orë të tëra që të nënshkruaja versionin që e diktonte kryeinspektori serb Dragan Zariq. E kapte dhunshëm dorën time me dorën e tij dhe me kamxhik në shpinë më detyronte ta nënshkruaja tekstin e caktuar.

Këtë tekst pastaj e dërgonte jashtë zyrës ku qëndroja unë, kurse atë e zëvendësonte inspektori tjetër, që të ushtronte dhunë duke i përsëritur e ripërsëritur deklarimet e fjalët.

Diç më vonë, sigurisht pas diskutimit me shefin e tij dhe pas konstatimit se atë që e kishin në dorë nuk mjaftonte, ndonëse ishte tekst i tyre, hiqnin dorë nga ai version, më rrihnin sërish pse i gënjeva dhe sërish thurnin versione të tjera. Kjo ndodhi disa herë.

Një nga dëshirat e tyre ishte që të ngatërrohej Turqia me këtë veprimtari. Nuk di nga u erdhi ideja, por ndërlikonin një zotëri të ndershëm, personalitet shkencor e politik nga Turqia, me emrin Ahmet Kot. Ndoshta për shkak se emri dhe adresa e tij gjendej në bllokun tim të shënimeve, ndoshta për shkak të disa kontakteve që kisha pasur me të. Ahmet Koti kishte qenë pjesëmarrës në Mbrëmjen strugane të poezisë që mbahej në Strugë dhe kishte kthyer për vizitë në Prizren, në qytetin e poetëve, e Suzit Zerrinit, Sajit, Lutfi Paçarizit. Kishim këmbyer mendime rreth kulturës dhe shkencës.

UDBA ishte e interesuar të konstruktonte tregimin se Asambleja Botërore e Rinisë Myslimane (WAMY) e Arabisë qëndronte pas aktivitetit tim politik-ushtarak. Edhe me këtë rast, rrihesha që ta nënshkruaja tregimin e tyre si të vërtetë. Sërish hiqnin dorë nga tregimi i tyre dhe sërish rrihesha.

Pastaj këmbëngulnin të pranoja se Irani qëndronte pas angazhimit tim dhe të shokëve të mi, sepse sipas tyre, argument për këtë ishte kontakti im me delegacione nga Irani. Iu përgjigja se lidhjet e mia me delegacione nuk kishin pasur karakter ushtarak, por me cilësinë e kryetarit të Kryesisë së Shoqatës së Ulemave për Kosovë, ishin biseda rasti për gjendjen fetare të myslimanëve. “Në fund të fundit, - u përgjigja, - ju ua keni lejuar qëndrimin atyre në Jugosllavi e Kosovë dhe nuk duhet të kem probleme për shkak të bisedave me ta. Jam qytetar i lirë dhe kam të drejtë të bisedoj me ta në çdo kohë dhe në çdo vend”. Informatorët e tyre kishin dhënë shënime me bollëk, por jo edhe për vetë thelbin e bisedës për të cilin UDBA hulumtonte pa pushim.

Ngulmonin që unë ta ndërlidhja Bashkësinë Islame me aktivitetin ushtarak. Për këtë kërkuan mjaft, shpenzuan mjaft kohë dhe biseduan me shumë njerëz. Këtë e vërejta nga emrat që m’i përmendën, nga të dhënat që zotëronin dhe nga këmbëngulja e tyre e gjatë në këtë çështje. Ata nuk i shqetësonte shumë aktiviteti ushtarak i një partie, as i ndonjë militanti partiak, apo i ndonjë profesioni tjetër, sepse, siç thoshin, “ata i njohim si në shuplakë të dorës, sepse ne i kemi shkolluar, ne i kemi edukuar, ne i kemi punësuar”. Ata i brengoste aktiviteti politik dhe ushtarak i teologëve, sepse nga një anë i njihnin më pak, dhe nga ana tjetër, i konsideronin si pjesën më të ndërgjegjshme dhe më të vetëdijshme të popullit. Shefi i tyre me thoshte: “Kur ngrihet në këmbë një fshatar, ne e dënojmë vetëm sa për ta frikësuar; kur ngrihet një gjuhëtar, historian apo kimist ne fillojmë të brengosemi, por kur hoxha ngrihet në këmbë dhe kap armën, kjo për ne do të thotë alarm; ndaj duhet të marrim të gjitha masat politike, policore e të tjera për ta ndrequr gjendjen. Këtë edhe do ta bëjmë”. Ata nuk kënaqeshin me të dhënat që kishin mësuar nga burime të ndryshme, apo me njoftimet që kishin marrë nga informatorët e tyre. Në fund të fundit, ato edhe nuk u interesonin shumë; interesimi kryesor ishte të sajonin një tregim të mirë për veshin e opinionit dhe para shefave të tyre. Komunikimi në disa raste i Dragan Zariqit me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë (edhe pse bashkëbiseduesin e titullonte me “zotëri ministër”, mendoj se ka biseduar me zv.ministrin) e tregon tërë seriozitetin e aksionit të tyre. Këtë e pohuan edhe në janar të vitit 1993, kur sërish më morën në pyetje. Ma thanë troç: “Ne nuk e kuptuam tërë atë që ke bërë, por t’i do të kalbesh nëpër burgjet serbe”. Në largim e sipër më thanë se gjykata do të më jepte dënimin me 10 vjet burg.

Faza më e rëndë e hetimeve ishte nga 14 deri më 17 dhjetor 1992, prej orëve të hershme të mëngjesit e deri kah mesnata. Përdornin shumë dhunë, sharje, provokim në baza fetare dhe nacionale, individuale dhe grupore. Thjesht, inspektorët vinin në veprim tërë arsenalin e tyre të pasur për të nxjerrë të dhëna që do të mund t’i përdornin kundër grupit por edhe në përgjithësi. Edhe pse jam plotësisht i vetëdijshëm se asnjë polici nuk shpërndan çokollata, se asnjë polici nuk e përkëdhel klientin e saj, megjithatë kjo që bënte policia serbe ishte jashtë çdo mase e kriteri. Kur ata synonin të mësonin ndonjë informatë, nuk i zgjidhnin mjetet. Qëllonte shuplaka, grushti, kamxhiku i shkurtër dhe i gjatë prej gome, por edhe karrigia prej metali, zinxhirët. Ata nuk hezitonin t’i shkulnin flokët e mjekrën, t’i thyenin dorën apo këmbën të pandehurit, ta lidhnin për radiator të ngrohjes qendrore për orë të tëra dhe ta godisnin atë sa herë kalonin aty pari. Mua më rrahën katër ditë të plota, pa bukë, këmbëzbathur në beton. Çdo gjë e bënin me të vetmin qëllim: ta thyenin dhe nëpërkëmbnin dinjitetin e njeriut. Pas 70 e ca orë rrahjeje, pas disa alivanosjeve, trupi im, organizmi im (por jo edhe shpirti im), u dorëzua. Filluan problemet në zemër, dhembjet dhe shtangia e trupit. E hetuan edhe ata dhe vetëm atëherë filluan të interesoheshin për mjek.

  Isha në kllapi dhe pak më ndante nga udhëtimi për në botën e amshueshme. Herë-herë mezi i dalloja fjalët. Kishte ardhur mjeku, oficer armate, i cili në vend të mantelit të bardhë e të stetoskopit kishte dy revolverë, njërin në bel e tjetrin në kraharor. Ky mjek ushtarak më shumë i ngjasonte kaubojit të Hollivudit, Klint Istvudit apo Gari Kuperit, sesa mjekut që është betuar në Hipokratin. Pas kontrollimit dhe injeksioneve e barërave që m’i dhanë, mjeku kauboj u tha inspektorëve: “Ndërpriteni, ka përjetuar infarkt të intensitetit të lehtë! Rreziku ka kaluar, por s’është e sigurtë! (Prekinite, dozivio je infarkt lakseg intenziteta! Opasnost je prošla, ali nije sigurno….!!)” Vetëm atëherë  më ofruan një gotë ujë e një kafe dhe ftuan personelin e burgut. I dëgjoja fjalët disi. Por, të tërën e mësova pas ardhjes së personit zyrtar të burgut. Para meje qëndronte një djalosh i ri me uniformë, por nuk e dalloja çfarë uniforme. Më foli shqip diçka, nuk e mbaj mend çka. As nuk e kuptova. Lodhja nga rrahjet, pafuqia pa ngrënë bukë katër ditë, ngarkesa psikike nuk më linin ta kuptoja. Ishte një gardian burgu, me emrin Avdi; emrin ia mësova ca kohë më vonë. Nuk mund të qëndroja në këmbë, i thashë se nuk mund të ecja. Me kujdes më barti në shpinë deri te burgu që kishte qenë ngjitur me Policinë. Më shtrinë në krevat … Të nesërmen u zgjova përgjysmë nga kllapia. Dhembje kisha kudo, buzët më ishin trashur, goja ishte përplot gjak të ngjizur. Mblodha forcë të pija çajin që ma kishin lënë të burgosurit, kuzhinierë të burgut, por më kot. Në dhomë s’kishte njeri tjetër. Mure betoni, dera e hekurt dhe grilat e dyfishta në dritare. Ndriçimi për shkak të dritares së vogël dhe xhamit të ngjyrosur ishte i dobët. Dhoma ishte e ngushtë dhe e papastruar. Krevatët pjesë-pjesë ishin të përgjakur, me batanie të shqyera dhe të vjetra, që kundërmonin rëndë. Nuk kishte çezmë dhe tualet në dhomë. Një tavolinë e vogël dhe gjashtë karrige të thjeshta pa mbështetëse.

Edhe pse i lodhur dhe i dërrmuar nga rrahjet, ndihesha i qetë dhe shpirtërisht i fuqishëm, disi sikur e kisha pritur një gjë të tillë. Qelia e burgut me gjithë terrin, me gjithë kundërmimin, me gjithë ftohtësinë që bartte me vete, disi ishte imja, disi më dukej sikur ky mjedis trishtues ishte pjesë imja. Ndieja sikur këtu e kisha vendin në këtë kohë kur zullumi dominonte, kur Serbia ushtronte dhunë të gjithanshme në Kosovë. Ndieja se lufta duhet të zhvillohej aty, brenda mureve të trasha të burgut, i dorëzuar Krijuesit fuqiplotë dhe vullnetit të Tij. Burgosja më dukej liri, kurse liria burgosje.

 

 

 

Para hetuesit

 

E shtunë, dita e gjashtë, 19 dhjetor 1992; gardianët e burgut, edhe për shkaqe sigurie por edhe të pafuqisë sime, duke më mbajtur për krahë më dërguan te gjyqtari hetues. Për datën dhe ditën e mësova më vonë nga dokumentacioni gjyqësor, sepse isha shkëputur nga bota. Ende isha në gjysmë agoni; nën ethe e dhembje nga rrahjet; as nuk e dija ku isha, as kisha forcë të mendoja për këtë. Hymë në një zyrë të Gjykatës së Qarkut. Aty ishte gjyqtari, mbajtësja e procesit, prokurori publik i Qarkut dhe dy avokatë: Alltaj Surroj dhe Rexhep Hasani. Pasi mori të dhënat identifikuese, gjyqtari filloi të më pyeste rreth veprës. Me kërkesë të mbrojtësit, të cilin e kishte pajtuar familja, që në procesverbal të shënohej se më kishin rrahur dhe isha në gjendje të rëndë, gjyqtari hetues me emrin Jugosllav Skënderi, i nacionalitetit goran, por me bindje më fanatik se vetë jugosllavët, iu kërcënua avokatëve se po të këmbëngulnin që në procesverbal të përshkruheshin mavijosjet dhe dëmtimet në trup, do t’i përjashtonte nga seanca. Përfaqësuesit e mi heshtën, kurse unë nuk e dija procedurën ligjore, të drejtat e mia, por as nuk kisha forcë të rezistoja pas tërë atij tmerri që kisha kaluar. Më kishte lënë edhe kujtesa. Më kujtoheshin vetëm disa çaste nga jeta. Po të më kishin thënë se e ke vrarë mbretin, do ta pranoja: “Po e kam vrarë!, ani pse Kosova kurrë nuk ka pasur mbret as unë kurrë në jetën time nuk kam takuar ndonjë mbret”. Doja t’i jepja fund dhunës së tyre, pa marrë parasysh pasojat. Nuk ishte me rëndësi se ç’do të thosha unë, por ç’synonte UDBA me arrestimin tim. Përmenda se është përdorur dhunë e paparë, shantazhe, montime, përmenda se dhuna është zbatuar edhe ndaj disa të tjerëve. Dhuna e policisë nuk i brengosi as prokurorin, as gjyqtarin hetues. Nuk u interesonin shumë as fjalët e mia. Interesimi i tyre më i madh ishte çfarë kishte servirur ekipi vrastar i UDBA-s serbe.

Ditëve vijuese filluan vizitat e avokatëve. Më njoftonin për gjendjen në familje dhe së bashku po përpiqeshim ta bashkërendonim mbrojtjen. Nuk doja të dënoheshin shokët e veprës, por kjo varej shumë edhe nga fakti se çfarë i kishin deklaruar ata policisë dhe gjykatësit hetues, çfarë kishte zbuluar vetë policia.. Nëpërmjet avokatëve planifikuam si të mbroheshim kolektivisht e jo si individë. Bëra edhe ca lëvizje personalisht. Nëpër vrima dere, nëpërmjet dritares së dhomës, që e kishte shikimin në shëtitore, edhe me ndihmën e tërthortë të gardianëve, u përpoqa t’ua thosha shokëve se si të mbroheshin. Ishte me rëndësi që mos të pranohej forma e veprimit të organizuar dhe në këtë aspekt mendoj se deri diku ia arritëm ta bindnim gjykatën.

 

 

           

Vizita e KSBE në burg

 

Kah gjysma e janarit 1993 gardianët më njoftuan se kisha një vizitë jofamiljare. Më dërguan në zyrën e drejtorit Predrag Radiq, i njohur me nofkën Pegja, ku ishte edhe kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prizren, Nikolla Vazura.

Aty ishin të pranishëm edhe dy përfaqësues të KSBE[1], njëri nga Greqia e tjetri nga Polonia. Ata më shtruan pyetje por Nikolla Vazura, gjyqtari kryesor, nuk lejoi të flitej për veprën, por vetëm për procedurën. Këtij komisioni ia përshkrova shkurtimisht atë që po e përshkruaj edhe këtu në faqet e ndryshme.

Këtij komisioni të KSBE-së ia përshkrova edhe faktin se UBDA përfundimisht më ka dorëzuar në Burgun e Prizrenit më 17 dhjetor 1992. Edhe pse Drejtoria e Burgut është dashur të më pranojë pas kontrollit mjekësor, kjo me mua ka ndodhur vetëm para dy ditësh. Vetëm kur ata janë njoftuar se ju do të vini, më ka kontrolluar për herë të parë mjeku i Burgut. 

Sipas të gjitha gjasave, drejtoria e Burgut ishte njoftuar se në ditën e caktuar do të vinte KSBE për vizitë të burgosurve politikë. Me të mësuar këtë, drejtoria më dërgoi te mjeku. Për vërejtjen time drejtuar mjekut të burgut, pse nuk më kishin vizituar me rastin e pranimit në burg, që të regjistrohej gjendja e mirëfilltë shëndetësore me rastin e dorëzim-pranimit nga Sigurimi Shtetëror Serb, dr. Nijazi Eminoviqi (goran) më tha se ai nuk e dinte, ndërsa infermierja e ambulancës së burgut, e mbiquajtura “Tetka Bisa” serbe, gojëmbël por pelin në zemër, e ngarkuar për këtë punë, tha se i qenë ngatërruar letrat; asgjë me qëllim të keq. Por, është e qartë pse veproi ashtu ajo satrape e tipit të Aushvicit. Arsyeja e vonesës 30 e disa ditësh pa kontroll mjeku ishte për t’i fshehur nga trupi gjurmët e rrahjes, mavijosjet, çarjet, ënjtjet. Jo pse kjo çështje ndihmonte, por sa për të treguar ligjshmërinë e veprimeve të “shtetit juridik” serb. Në burg, gjëja më e mirë dhe begatia më e madhe për të burgosurin është shëndeti i mirë. Dalngadalë shëndeti filloi të përmirësohej, el-hamdu lil-Lah!

 

Euro-Stingeri - serbët ia kishin frikën

 

Një ditë pas bisedës që pata me përfaqësuesit e KSBE-së në lokalet e burgut, sërish erdhi krimineli i UDBA-s, Dragan Zariq. Ai më shtroi shumë pyetje, sidomos se çfarë më kishte pyetur KSBE-ja. I tregova se biseda ishte vetëm sipërfaqësore, në prani të kryetarit të gjykatës dhe drejtorit të burgut, dhe se i kam njoftuar për të gjitha rrahjet që më keni bërë. Ai u përgjigj se nuk çajnë kokën për KSBE-në, as për dikë tjetër. Më bënin presion të vazhdueshëm që ta pranoja se kisha ngritur një formacion paramilitar dhe se kisha vepruar si i tillë. Kjo i frikësonte ata më tepër se kontaktet e mia me individë e organizata publike të njohura në vende të huaja. Ata kishin mësuar për disa kontakte, por nuk e dinin thelbin e bisedës. Madje, në një rast e theksuan se duhet ta gjenin edhe fijen e fundit, sepse, thoshte ai, nga Irani, nga Arabia apo nga Hasenejni unë kisha mundur të siguroja edhe ‘Stinger’. Stingeri i mundi rusët, thanë ata, prandaj të vërtetën do ta zbulonin me të gjitha mjetet që dinte t’i përdorte UDBA serbe.

 

 

Ikja e vëllait nga Kosova

 

Sistemi policor serb nuk i zgjidhte mjetet e detyrimit as ndaj vëllait, Naxhiut. Atë e rrahën shumë herë, edhe gjatë periudhës së mbrojtjes, që të pranonte se kishte pasur aktivitet ushtarak. Nuk i brengoste edhe aq shumë formacioni paraushtarak në letër, sepse për këtë kishin një letër origjinale të hartuar nga tubimi ilegal i lagjes, por i brengoste aktiviteti i grupit. Ata donin të gjykoheshim jo vetëm sipas Ligjit mbi armët dhe municionet (Sluzbeni glasnik nr. 9/1992), i miratuar si ligj special për shqiptarët e Kosovës (pushoi të zbatohej në Serbi pas luftës me Kosovën), apo sipas ligjit për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së RFJ (nenet 114 e tutje), por edhe sipas ligjit për përgatitje të kryengritjes së armatosur. Me këtë do t’i hapnin rrugë dhunës sistematike, spastrimit etnik e fetar në Kosovë dhe ta shfrytëzonin si arsyetim para opinionit të vendit por edhe botëror për dhunën që bënin dhe tmerret që shkaktonin.

Naxhiu, për ta shpëtuar veten, mua dhe familjen, por edhe shokët e tjerë, kundër dëshirës, diku në mes të muajit qershor 1993, u largua nga Kosova aq e dashur për të. Iku nëpër Maqedoni, pastaj në Shqipëri, Itali, Francë, për t’u ndalur në Zvicër. Shumë njerëz e ndihmuan atë që t’i shmangej arrestimit, sidomos shokët në Maqedoni, pastaj të afërmit e gruas sime që jetojnë në Francë. E morën nga Italia, e mbajtën për një kohë në Paris e pastaj e përcollën në Zvicër. Largimin e Naxhiut e kam përjetuar rëndë. Vendosja e tij në Zvicër ishte fillimi i shkapërderdhjes së familjes, sikur edhe i mijëra familjeve në Kosovë. Natën e largimit Naxhiu në qytet e kishte takuar një gardian burgu. Gardiani më tha: “Këto çokollata t’i ka dërguar Naxhiu”. U habita, sepse nuk prisja çokollata, por ndonjë libër apo lajm të ri. Pas disa ditësh erdhi familja në vizitë. Më njoftuan se Naxhiu tash disa ditë ishte larguar, por nga frika se mos po e zinin, e kishin mbajtur të fshehtë. Më thanë se mund të ishte në Maqedoni apo në Shqipëri.

Shqetësimet e familjes nga milicia serbe kanë vazhduar edhe më vonë. Me pretekst se po kërkonin Naxhiun, ata bënë bastisje të reja në shtëpi, kërcënime nëpërmjet telefonit në mesnatë: “Do t’ju zhdukim edhe ju. Posa Nexhati të dalë nga burgu, sërish do ta burgosim; ai ka shumë vepra penale dhe nuk do të dalë nga atje i gjallë, ndaj largohuni nga Kosova sepse do të vdisni urie, nuk do të guxojë askush të flasë me ju, nuk do t’ju ndihmojë askush”. Në një vizitë në burg, në Dubravë, nga gruaja mësova se policia po i shqetësonte shpesh. Mora guximin dhe i shkrova një letër UDBA-s në Prizren, me një ton tejet të ashpër për veprimet e tyre. Me këtë dëshiroja të njoftohej edhe drejtoria e Burgut, meqë çdo letër lexohej nga autoritetet e burgut.

Këto ishin vetëm disa mënyra të presionit sistematik ndaj popullatës shqiptare myslimane për largim nga Kosova. Këto metoda kishin dhënë rezultate nga viti 1912 e këndej, ndaj pse të mos i përdornin edhe më tej. Në këtë mënyrë janë zbrazur tokat shqiptare. Në Turqi dhe vendet e tjera ka më shumë shqiptarë se në vetë Shqipëri e Kosovë. Brengosëse ishin paraqitjet e kreut politik të Kosovës në atë kohë. Në vend të këshillave konkrete, në vend të strategjisë, Rugova e të tjerë bënin parada politike dhe luanin “rolin” e mbretit. Ata më shumë kujdeseshin për pamjen para kamerave sesa për strategjinë e daljes nga makthi që e kishte kapluar Kosovën. Deklaratat shterpe madje edhe të dëmshme të kreut politik ndikuan drejtpërdrejt që rinia shqiptare e Kosovës, në vend të afrimit rreth boshtit për liri, kapte rrugën e ikjes, të boshatisjes së Kosovës. Kjo politikë e gabueshme, e ashtuquajtur gandiste e pacifiste, e cila madje kundërvënien tonë luftës brutale serbe e quajti aktivitet terrorist, ndikoi që fundi i luftës të numëronte vetëm disa mijë luftëtarë shqiptarë, kundrejt Bosnjës ku armata e tyre numëronte rreth 200 mijë luftëtarë.

 

 

Gjykimi dhe qëndrimi në Burgun e Prizrenit

 

Po afrohej një shkurti 1993, kur mbahej gjykimi i grupit tim. Të gjithë në drojë, të gjithë flisnin fjalë premtuese, por ishte e qartë se në vete e mendonin më të rëndën, dënimin me shumë vite burg. Familja dhe miqtë më të ngushtë përpiqeshin të bënin diç nëpërmjet avokatëve. Ishte e qartë se nuk mund të bëhej juridikisht, sepse çdo gjë ishte e kontrolluar nga lart, por megjithatë rrugëdalja e mundshme shihej në korruptimin e instancave më të larta: kryetarit të gjyqit apo dikujt të ngjashëm. Këto i mësova pjesërisht më vonë, pas shkuarjes në Burgun e Dubravës.

Unë e kisha të qartë se vetë shqyrtimi kryesor ishte një farsë. Gjërat ishin vendosur jashtë. Por edhe ne bëmë punën tonë. Në paraburgim ishim marrë vesh me shokët e tjerë për mënyrën e mbrojtjes, për atë se çfarë do të flisnim. Disa herë shfrytëzonim pakujdesinë e gardianëve, kurse disa herë me ndihmën e tyre u morëm vesh që organizimi ynë të dilte në rrafshin e tregtisë, të shitblerjes, sepse kështu dënimet do të ishin të përgjysmuara. Serbisë nuk i interesonte aq shumë shitblerja dhe këtë veprim e radhiste në veprime kriminale ordinere, por atë e brengoste organizimi politik dhe ushtarak. Edhe pse pati disa gabime në mbrojtje, sigurisht nga shantazhi, presioni e frika e disa shokëve të veprës, megjithatë mund ta quaj mbrojtje të mirë. Ajo nuk ishte bombastike, e përshtatshme për tituj gazetash e për të krijuar karrierë politike, por qe e frytshme. Pas shpalljes së gjykimit, dënimet e shokëve mund të quheshin të lehta, dy deri gjashtë muaj burg. Vëllanë tim, Naxhiun, e dënuam me 3 vjet, kurse mua me 8 vjet burg. Për veten e kisha të qartë se nuk mund të shpëtoja. Serbia më 20 dhjetor 1992 kishte zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo ‘aferë’ regjimit millosheviqian dhe aparatit të tij ushtarak i shërbente për të fituar mandatin e dytë dhe për ta forcuar pozitën pak të lëkundur nga pretendimet për kryetar të miliarderit serb në Amerikë, Millan Paniqit. Kjo dukej nga interesimi i vazhduar i UDBA-s për rrjedhën e hetimeve dhe të gjykimit, por edhe nga publiciteti nëpërmjet gazetave dhe televizioneve serbe. Emisioni politik i të enjteve mbrëma ZIP, të cilin e udhëhiqte gazetari fanatik socialist Simo Gajin, për dy muaj disa herë i kishte kushtuar hapësirë grupit tim. Një mëngjes, gardiani Servet më tha: “O hoxhë, nëse gjykata e dëgjon porosinë e ZIP-it që e ka thënë mbrëmë kundër teje, do të dënojnë shumë, por bëhu i fortë. Vetëm gjysma me qenë e vërtetë, mjafton për të të dënuar rëndë. Zoti të ndihmoftë”.

Shtypi serb e përcolli ngjarjen me shkrime të shumta me qëndrim të keq. Kur i nevojitej opinionit serb, ne quheshim kontrabandistë, herë-herë quheshim klero-nacionalistë, herë fundamentalistë, xhihadistë e çka jo tjetër. Sa afrohej koha e gjykimit, shtypi i tyre u bë edhe më i zëshëm. Në pikëpamje juridike ishte paragjykim i çështjes. Ende pa u zhvilluar hetimet, ende pa u gjykuar, për mua dhe grupin tim është shkruar gjithçka, por vetëm e vërteta më së paku.

Disa shkrime gazetash në gjuhën shqipe veprimin e policisë dhe të prokurorisë serbe u përpoqën ta quanin si të montuar. Kjo mënyrë shkrimi është shterpë, sepse paraqitej dhuna serbe, por mohohej se shqiptarët dëshironin lirinë.

Jo, vepra penale që më ngarkohej nga gjykata serbe nuk ishte e montuar. Ajo ekzistonte. Ne e kishim grupin tonë, ne i kishim armët e grupit si njësite ushtarake. Nuk ka ushtri pa armë, nuk ka liri pa luftë. Nuk ka përgjigje ndaj dhunës së armatosur serbe pa armë. Por, e montuar ishte procedura, faktografia dhe shumë njerëz të tjerë, që i kishin implikuar në grupin tim edhe pse as nuk njiheshim, as që kishim bërë ndonjë veprim të përbashkët. (Gazeta Borba e dt. 26-27.12 1992). E montuar ishte vendosja e problemit dhe synimi i organizimit. Ne e donim lirinë, por nuk ishim kriminelë, aktivitetin tonë e kishim bërë në Kosovë e jo në Serbi dhe çdo aktivitet yni kishte për synim caqet politike-ushtarake-policore e jo caqet civile.

 

 

Dalja e grupit nga Burgu i Prizrenit

 

Gjykimi mbaroi. Të gjithë ata që morën dënimin më të ulët se pesë vite, do të mbroheshin në liri. Ishte e rëndë ndarja nga shokët e veprës. Disa i pashë në dalje e sipër, por shumicën jo. Ndieja lehtësi të madhe që ata shpëtuan nga kuçedra serbe. Bëra sa munda që t’i shkarkoja nga përgjegjësia penale, por nuk ishte çdo gjë e mundur. Burgu i Prizrenit u zbraz, ne që mbetëm ndienin një lehtësim, si dhe gardianët po edhe të paraburgosurit. Të paraburgosurit për shkak të uljes së disiplinës.

Edhe shumë familje u gëzuan që të dashurit e tyre u kthyen nëpër shtëpi. Me të drejtë, të shpëtosh nga gjykata serbe, nga policia serbe, ishte një fat. Por familja ime ishte ndërmjet gëzimit dhe hidhërimit. U kthye në shtëpi vëllai, Naxhiu, por unë mbeta brenda hekurave edhe për shumë kohë. Por jeta duhet të vazhdonte.

Në burg filloi një sistemim i ri nëpër biruca. Unë vazhdova edhe për një kohë në dhomën nr. 30. Mbaroi faza e gjykimit dhe filloi maratona e vuajtjes së dënimit prej tetë vitesh. Shkalla e dytë në Beograd mund ta lëvizte këtë dënim, më shumë apo më pak, por nuk pritej ndonjë lehtësim. Vetëm dy muaj i pata kryer. Më duhej të ambientohesha në rrethana të reja.

Numri i të burgosurve në dhomë ndryshonte. Më së shumti kishte gjashtë veta, krevate dykatësh, me ajrosje të vogël, me dritë të pamjaftueshme, pa tualet brenda dhomës. E drejta për vizitë  u caktua çdo dy javë, por trajtimi ishte i njëjtë. Me vizitorët na ndante rrjeta e ngjeshur metalike. Edhe koha e qëndrimit të vizitorëve ishte e njëjtë, 5-10 minuta, si ta donte gardiani apo eprori. Vizitat për të burgosurin kanë rëndësinë e rolit të aortës për zemrën e njeriut. Pas afërsisht gjashtë muaj ma ndërruan birucën, kalova te numri 31. Pata takuar Gëzim Efendinë, gjakovar mbi të dyzetat, i burgosur për aktivitet politik, pastaj Labinotin 15-vjeçar nga Prizreni, i burgosur ordiner, Shabanin, i burgosur politik, Shefkiun, i burgosur ordiner, Sadriun, i burgosur ordiner dhe shumë të tjerë për vrasje, vjedhje, falsifikim.

Qysh gjatë hetimeve po e hetoja pakënaqësinë e të burgosurve politikë. Shumica e tyre ndienin neveri ndaj fesë dhe ndaj besimtarit. Një ditë Gëzimi i kishte thënë Shabanit: “Sikur mos të ishte hoxhë, Nexhati ka bërë punë të mira për Kosovën, por si hoxhë kjo nuk quhet vepër politike”. Këtë e mësova nga Shabani vetëm pas një zënke mes tyre. Më bëri përshtypje ky opinion i tij, sepse aktiviteti politik në dobi të atdheut askund në botë nuk varet prej profesionit: qofsh hoxhë, mësues, bujk apo dikush tjetër, por nga sinqeriteti dhe kontributi i secilit.

 

 

Dëshmitar okular i vrasjes së Arif Krasniqit

 

Një pasdite të 30 gushtit 1993, ishim duke ndenjur si zakonisht në dhomën nr. 31. Shpesh dëgjoheshin zhurma jashtë, ndaj edhe nuk i kushtonim rëndësi shumë, por këtë herë zhurma disi ishte ndryshe. Mbajtëm heshtje dhe vumë veshin për burimin e zhurmës. Vinte nga ndërtesa e policisë. Bashkë me Gëzim Efendinë u ngjitëm sipër krevatit, meqenëse dritarja ishte e lartë dhe nuk mund të mbërrihej. Hodhëm shikimin në drejtim të policisë. Dukeshin në një dritare dy inspektorë që po rrihnin një civil. E godisnin dhe i kërkonin diç të pranonte, kurse ai herë thoshte se e kishte e herë jo. Rrahja vazhdoi ndoshta mbi një orë, në burg nuk kishim as sahat. Sipas asaj që mund ta dallonim, bëhej fjalë për një pistoletë. I arrestuari nuk fliste me ndonjë përqendrim. Fjalët nuk i kontrollonte. Inspektorët vazhdonin ta rrihnin e ai mbrohej si mundej. Pas një kohe, e lidhën pas radiatorit të ngrohjes dhe dolën jashtë. Pushoi rrahja. Pushuam edhe ne, duke menduar se e zgjidhën problemin. Të nesërmen, e pyetëm gardianin Xhemali Zhuri se ç’u bë me atë njeriun që e rrahën dje në polici. I dëshpëruar, ai na tha se kishte vdekur. Ja, shkruan në shtyp. Në gazetë lexuam se i vdekuri ishte Arif Krasniqi, 42-vjeçar, baba i shtatë fëmijëve, nga fshati Atmaxhë. E kishin vrarë Momir Jashoviqi dhe Tihomir Kosoviqi, inspektorë të policisë serbe në Prizren. Në nesërmen u arrestuan dy inspektorët, por ata u vendosën në dhomën më të mirë, vizitat e tyre bëheshin në zyrën e komandantit të burgut në kohëzgjatje prej një ore, kundrejt të tjerëve që vizitat i bënin në kafaze majmunësh, në kohë prej 3-5 minuta, nën kërcënimin e vazhdueshëm të gardianëve të ndryshëm. Pas një muaji inspektorët u liruan në mbrojtje në liri, për të mos e vuajtur kurrë dënimin për vrasjen e njeriut të pafajshëm. (Gjerësisht shih raportin e Helsinki and Human Rights Watch: phttp://books.google.com/books?id=tKUqOl1_hb0C&pg=PA18&lpg=PA18&dq=arif+krasniqi&source=web&ots=DYT99-8Vyq&sig=daoixSs4rECQ8YQbk96E78XUTlA&hl=en&sa=X&oi=book_result&resnum=6&ct=result#PPA19,M1 .)

 

 

 

Në pritje të vendimit të plotfuqishëm

 

Në burg çdo ditë vinin mysafirë të rinj. Fabrika e vetme në Serbi që në vitet e 90-ta prodhonte fitim ishte pikërisht trekëndëshi: policia-prokuroria-gjykata. Kështu kaluan shumë muaj. Në pritje të vizitave të familjarëve dhe të shokëve, në pritje të kalimit të çështjes në shkallën e dytë në Beograd, kohën e kaloja duke lexuar. Lexoja mjaft, mbi dhjetë-dymbëdhjetë orë në ditë. Mirëpo, nuk kisha të drejtë për laps e letër, që të mbaja shënime apo edhe të shkruaja ndonjë përshtypje. Edhe detyrimet fetare i kryeja me rregull, sepse nga xhamitë e shumta ezani dëgjohej shumë mirë, ndryshe prej burgut të Dubravës dhe Zajeçarit, ku namazet duheshin kryer përafërsisht. Të burgosurit nuk kish të drejtë të mbanin orë dhe të holla.

Nga mbrojtësi mora vesh kur do ta shqyrtonte dosjen tonë Gjykata Supreme në Beograd. Prisja diç të lehtësohej, por jo shumë. Politika militante serbe nuk kishte ndryshuar, kështu që nuk mund të pritej ndonjë përmirësim prej gjykatave. Disa politikanë filluan të ofronin shërbimet e tyre me shuma fantastike, me premtime boshe. Nuk kisha mundësi të atilla materiale, por edhe ndërgjegjja nuk më lejonte. Vendosa ta vazhdoj vuajtjen e dënimit pa ‘shërbimet’ e matrapazëve të të gjitha kombeve.

Në fillim të vitit 1994 Gjykata Supreme e Serbisë vendosi që dënimi përfundimtar të ishte shtatë vjet, duke e zbritur për një vit, kurse dënimi i vëllait ishte 18 muaj. Cilësimi i veprës dhe nenet mbetën të njëjta. Ndër shqiptarët në këtë periudhë kohore disavjeçare për një veprim të motivuar politikisht nuk kishte dënim më të rëndë.

Ky edhe ishte fundi i qëndrimit tim rreth 16 muaj në Burgun e Prizrenit. Qe mjaft i rëndë, por afër familjes, në horizontin e jehonës së ezanit muhamedije. Do të vazhdonte rrugëtimi në të panjohurën, të quajtur Dubravë – Alkatrazi kosovar.



[1] KSBE = Këshilli për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, më vonë e quajtur OSBE = Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (The Organization for Security and Co-operation in Europe).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme