XHAMARIA BIEMI DHE MITI PËR SKËNDERBEUN

Cilido shqiptar, studiues apo lexues i thjeshtë që e ka lexuar, studiuar dhe hulumtuar jetën dhe veprën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, do ta kishte shumë të vështirë të dilte nga miti që është krijuar për figurën e Heroit Kombëtar, pasi ky mit është krijuar ndër vite nga të gjithë shqiptarët për vetë shqiptarët.

Por ky mit është ushqyer edhe nga një lloj literature aventureske, e cila është krijuar në shekujt e kaluar, siç është, p.sh., libri “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh” (Breshia, Giam, Battista Bossino 1742), i një autori italian të shekullit të 18, priftit nga Breshia, Xhamaria Biemi, vepra e të cilit është vlerësuar si “vepra mashtruese e hileqare” dhe vetë autori i saj si jo serioz dhe si një falsifikator profesionist.

* * *

Historianë shqiptarë të shek. të 20, të cilët janë marrë me studimin e figurës së Skënderbeut, në lidhje me Xh. Biemin dhe veprën e tij të sipërpërmendur, janë ndarë në dysh, duke pasur mendime dhe opinione të ndryshme nga njëri-tjetri. Dy prej historianëve më të njohur shqiptarë, që kanë shkruar libra për historinë e Skënderbeut, siç janë Fan S. Noli dhe Kristo Frashëri, e pranojnë Biemin dhe veprën e tij, kurse disa historianë të tjerë (Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi etj.), e kundërshtojnë si Biemin, por edhe veprën e tij.

Noli, në librin “Gj. K. Skënderbeu. 1405-1968” (Tiranë 1967), shkruan se burimet që janë nxjerrë nga libri i Biemit janë shumë të besueshme. Kjo, sipas tij, pasi Biemi paska shfrytëzuar librin e një biografi të vjetër shqiptar, që është quajtur Anonimi i Tivarit dhe se “Biemi është i pari dhe i vetmi historian që e përdori librin e Tivarasit, i cili duket se ka humbur përfundimisht” (Noli, faqe 158). Të njëjtin qëndrim me Nolin, për Xh. Biemin dhe veprën e tij, mban edhe historiani i mirënjohur Kristo Frashëri në librin “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, (Tiranë 2002).

Kundërshtarët e Biemit hedhin dyshime në të dhënat autentike që jep ky autor në veprën e tij për Skënderbeun. Dh. S. Shuteriqi, në shkrimet kushtuar aranitëve, shpeshherë e ka përmendur edhe Biemin si biograf të Skënderbeut, por ai shkruan për abatin breshian se “Biemi… ka fantazuar shumë”. Kurse historiani i shquar shqiptar, Aleks Buda, në parathënien e librit të F.S. Nolit, “Gj. K. Skënderbeu 1405-1968”, shkruan se “Një e metë që mbështetet akoma në punimin e ri të Nolit është fakti se ai vazhdon të përdorë si burim të dorës së parë disa burime tregimtare shumë të dyshimta. E kemi fjalën për historinë e të ashtuquajturit “Tivaras”, për të cilin historianë me autoritet kanë shprehur mendimin e argumentuar se kemi të bëjmë me një falsifikim të një falsifikatori profesionist të shek. XVIII, Xhamaria Biemi” (Buda, “Fan S. Noli, historian i Skënderbeut”, Parathënie e librit: “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967, faqe 8). Buda e vijon më tej kritikën ndaj Nolit, kur thotë se “për shkak të këtij burimi kaq të dyshimtë, Noli lë qëllimisht pas dore një burim si biografinë e hartuar nga shqiptari Marin Barleti, të cilin kërkimet e reja po e vërtetojnë gjithnjë e më tepër si një burim në kuptim të plotë autentik e të dorës së parë (Buda, po aty, faqe 8).

Përse një historian me përmasa si Fan Noli “gabon” në përdorimin e burimeve historike për Skënderbeun nga një autor i dyshimtë, si është Xh. Biemi?! Kjo ka ndodhur, sipas mendimit tim, sepse Fan Noli ishte i mbrujtur me idealet e rilindësve shqiptarë, të cilët, për qëllimet e tyre atdhetare, e kishin glorifikuar dhe mitizuar figurën e Skënderbeut që ai t’i “udhëhiqte” drejt idealit të tyre madhor, çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi i gjatë turk.

* * *

Kundërshtari më i “rreptë” i Xh. Biemit dhe i veprës së tij ka qenë një historian jo shqiptar, Frans Babinger (1891-1967), profesor i njohur gjerman i historisë në Universitetin e Mynihut (Gjermani). F. Babinger është autor i disa librave për historinë e otomanëve. Ai ka shkruar disa artikuj e libra edhe për historinë e Shqipërisë. Veprat e tij më të njohura janë librat: “Mehmet Pushtuesi”, “Elbasani” dhe “Fundi i arianitëve”.

Ne në këtë shkrim do të fokusohemi te libri “Fundi i arianitëve”, botim i Akademisë së Shkencave të Bavarisë dhe i Shtëpisë Botuese të Akademisë së Shkencave të Bavarisë (Mynih 1960). Në vitin 2004 libri u përkthye edhe në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Plejad”, në kolanën: “Plejada e Mendimit Botëror, Histori”. Libri i kushtohet Kostandin Aranitit, djalit të dytë të Gjergj Aranitit, i cili ishte një personalitet i madh dhe një prej emrave më të lakuar në oborrin papnor, të mbretërve të Francës dhe të Gjermanisë, në fund të shek. XV dhe deri në fillim të shek. XVI. Veprimtaria e tij diplomatike në shërbim të mbretit Maksimilian I të Gjermanisë dhe të Kurisë Romane të Vatikanit, ishte tepër e rëndësishme dhe vendimtare. Falë lëvizjeve të tij të zgjuar dhe nuhatjes së mprehtë prej diplomati, Kostandini fitoi pushtet, prona dhe u bë personaliteti më i preferuar i Papa Julianit II. Pak kohë para se Juliani II të vdiste, e caktoi Kostandin Aranitin Kapiten i Përgjithshëm i trupave të Këshillit të Gjithëmbarshëm të Lateranit.

Që në faqet e para të librit, në parathënien e tij, lexuesi ndeshet me një qëndrim kritik të Babingerit ndaj historianëve shqiptarë dhe i bën fajtorë ata për vlerësimin jo të denjë që i kanë bërë figurës së Gjergj Arianitit, atit të Kostandinit, si dhe për errësimin e nënvlerësimin në dobi të dhëndrit të tij, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Babinger shkruan: “Për sa ka të bëjë, së fundi, me historinë e Shqipërisë, para sundimit përfundimtar osman, mbi këtë popull aq të dhënë pas lirisë, nga faqet e hyrjes së këtij shkrimi ka të ngjarë të shihet qartë se, ndofta, roli i Gjergj Arianitit është errësuar në mënyrë të dyshimtë në të mirë të dhëndrit të tij, të mbiquajtur së fundi “capitano generale dei Signori d’Albania” (Gj. Muzaka) Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej” (Babinger, faqe 9). Babinger shpreh një konsideratë të veçantë për Gj. Arianitin, duke e cilësuar atë si një gjeneral dhe mbrojtës të vendit të tij. Gjergj Arianiti, shkruan Babingeri: “del në dritë jo vetëm të historisë së Shqipërisë, por dhe të historisë së Perëndimit, si dhe lavdinë e të cilit, si gjeneral dhe mbrojtës të vendit të arnautëve nga turqit që i binin në qafë e që vetëm mbas vdekjes së tij qe lënë në hije dhe, së fund qe errësuar krejtësisht nga ajo e dhëndrit të tij, Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe”, (Babinger, faqe 21-22). Duke krahasuar sukseset e Arianitit me ato të dhëndrit të tij, Babinger ka shprehur mendimin se: “sukseset ushtarake të Gjergj Arianitit, para së gjithash ushtria e tij në luftën e vogël, vështirë se mund të mbeten pas atyre të burrit të vajzës së tij” (Babinger, faqe 22). Por, “pas vitit 1455”, shkruan Babinger, çuditërisht “zhduket emri i tij nga vjetarët e Historisë së Shqipërisë, që këtej e tutje lavdëronin vetëm emrin e burrit të vajzës së tij, Gjergj Kastriotit”, (Babinger, faqe 25).

Le t’i rikthehemi çështjes sonë, atë të kritikës që i ka bërë F. Babinger priftit italian Xhamaria Biemi dhe libri të tij të titulluar “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh” (Breshia, Giam, Battista Bossino 1742). Babinger është tepër i ashpër në qëndrimin e tij ndaj Biemit dhe e etiketon priftin breshian si “mashtruesi i pacipë” dhe librin e tij si “vepra mashtruese e hileqare e abatit breshian” (Babinger, faqe 9). Ai i këshillon historianët shqiptarë që “studimet historike shqiptare (duhet) të çlirohen nga vepra mashtruese e hileqare letrare e Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh e Gianmaria Biemit” (Babinger, faqe 9). Babinger ka vërtetuar se nuk ka qenë botuar asnjë libër i shkruar nga një Anonim i Tivarit. Ky libër është një sajesë e Xh. Biemit. Qysh në vitin 1933 Babinger e kishte nxitur mikun e tij, Kurt Ohly, një specialist i inkunabulave,) që të gjente një libër të të ashtuquajturit “Anonimi Tivaras”, i cili pretendohej se ishte botuar që në vitin 1480 dhe mbi të cilin abati breshian kishte sajuar historinë e tij për Skënderbeun. Babinger shkruan se “Kurt Ohly, me nxitjen time, e demaskoi mashtrimin e paciptë të abatit breshian te Vjetari i Gutenbergut 1933, te faqe 53-61, nuk do të përdorej në mënyrë të vazhdueshme si një burim i besueshëm dhe kështu do t’i bëhej shkencës një shërbim me të vërtetë i mirë” (Babinger, faqe 10). Këtë e pohon edhe vetë Noli në librin e tij të historisë së Skënderbeut, se Kurt Ohly “nuk ka mundur të gjejë asnjë provë që një libër si i Tivarasit të ketë qenë botuar ndonjëherë në Venedik, prej Radolit të Augusburgut” (Noli, “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967, faqe 160).

Fan S. Noli, si një përkrahës i veprës së Biemit, pati debatuar me Babingerin, duke e akuzuar studiuesin gjerman se ai ka nxjerrë “përfundime të nxituara” nga Biemit dhe veprës së tij dhe se Babingeri “ka shumë të ngjarë ta ketë lexuar tek-tuk librin e Biemit” (Noli, faqe 160). Këtyre akuzave të Nolit profesori i historisë u është përgjigjur, se “po qe se peshkopi shqiptar Fan Stilian Noli (Boston) në librin e tij George Castrioti Skanderbeg (1405-1468) (New York, 1947), në faqen 41 ankohet për këtë... e gjitha kjo e nderon pak dashurinë për të afërmin, të këtij titullari të kishës dhe aq më pak i shërben ai, në këtë mënyrë, studimit të ndërgjegjshëm historik” (Babinger, faqe 10).

* * *

Historianët dhe gjithë krijuesit shqiptarë e mitizuan figurën e Skënderbeut. Ai përshkruhej si nëpër legjenda, me kalin që kapërcente malet dhe me shpatën që nuk e mbanin dot as dhjetë burra etj., etj. Mitizimi i figurës së tij mori përmasa të jashtëzakonshme në shek. e 19, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Rilindësit shqiptarë kërkonin të zgjonin te shqiptarët ndjenjat e kombëtarëve, për t’i mobilizuar të ngriheshin në luftë për çlirimin e vendit të tyre nga pushtimi i gjatë 5 shekullor otoman. Ata kërkonin një figurë heroi që t’ua paraqisnin shqiptarëve, që ta kishin si shembull. Figura më e përshtatshme ishte e Skënderbeut, një figurë historike e shek. të 15, që u kishte bërë qëndresë të jashtëzakonshme ushtrive turke për 25 vjet rresht dhe kishte përballuar ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në botë. Krijuesit e parë që u morën me figurën e Skënderbeut dhe për “Motin e Madh” ishin shkrimtarët arbëreshë të Italisë, si De Rada, Gavril Dara, Zef Serempe, B. Bilota etj. Poeti kombëtar i shqiptarëve, Naim Frashëri, shkroi “Istori e Skënderbeut”, që e pati marrë frymëzimin nga vepra e M. Barletit. Poema pati një jehonë të madhe në Shqipëri, por edhe te krijuesit e tjerë shqiptarë, të cilët pothuajse të gjithë shkruan dhe patën në tematikën e krijimeve të tyre figurën e Skënderbeut.

Për fat të keq mitizimi i Skënderbeut dhe mbivlerësimi i figurës së tij u bë gati nga të gjithë historianët shqiptarë të shek. të 20. Skënderbeu u përshkrua si “një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shek. XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial që korri vazhdimisht fitore ushtarake kundër sulltanëve turq, si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar, si një burrë shteti, i cili me luftën e tij një çerekshekullore konsolidoi identitetin kombëtar të shqiptarëve, si një personalitet i historisë mesjetare, i cili në të njëjtën kohë mbrojti edhe qytetërimin e Europës humaniste”. (Prof. Kristo Frashëri, “Skënderbeu i shpërfytyruar”, Dudaj, 2009).

Para disa viteve shpërtheu një polemikë e ashpër kundër botimit të një biografie të re të Skënderbeut nga historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, profesor në Universitetin e Vjenës. Schmitt-i pati “guxuar” që të “zbresë” nga froni i mitologjisë, ku e kishin vendosur historianët shqiptarë heroin e tyre, dhe të tregonte se ai ishte një kryengritës i zakonshëm kundër sulltanit. Por, a mund të konceptojë gjykime të tilla lexuesi shqiptar, që është i mbrujtur qysh në bankat e shkollës me heroizmat legjendare të Heroit të tyre Kombëtar?!

Përshkrimet mitologjike që e mbivlerësuan Skënderbeun, e patën dëmtuar jo vetëm figurën e heroit, por ato errësuan qëllimisht dhe në dëm të bashkëluftëtarëve të tij. Në një bisedë që kam pasur me të ndjerin prof. Dh. Shuteriqi, ai më pati thënë se mbivlerësimi i figurës së Skënderbeut pati “errësuar” (eklipsuar) bashkëluftëtarët e tij, si Gjergj Arianitin, Moisi Golemin, Tanush Topinë, Muzakën e Angjelinës, Lekë Dukagjinin, Kont Uranin etj., të cilët ishin gjeneralë të shquar dhe po aq të zotë sa edhe vetë Skënderbeu.

Kohët e fundit është folur për rishkrimin e historisë. Për fat të keq kjo thirrje ka ardhur nga politika. Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve do të rishkruhet drejt kur ajo të mos jetë më e ndikuar nga koniunkturat politike dhe të pastrohet nga burimet e atyre veprave të autorëve që janë cilësuar si “falsifikatorë dhe mashtrues hileqarë”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme