Kitab’ul-vasijjeh[1]

(Dijeni) shokë dhe vëllezër se medhhebi (drejtimi) i ehli-sunnetit dhe xhema’atit ka katërmbëdhjetë[2] veçori (hisal) dhe kush iu përmbahet të gjitha këtyre nuk do të jetë risimtar (mubtedian), as zotërues i epsheve. Mbi ju është, shokë dhe vëllezër, që t’ju përmbaheni këtyre veçorive, në mënyrë që ta fitoni shefa’atin (ndërmjetësimin) e Pejgamberit tonë, Muhamedit (s.a.v.s.) në Ditën e Gjykimit.

 

 

 

Veçoria e parë

 

 

Pohojmë se imani (besimi) është shprehja me gjuhë dhe besimi me zemër dhe njohja me zemër. Dëshmia vetëm me gjuhë nuk e përbën imanin, sepse sikur të ishte ashtu, atëherë të gjithë hipokritët (munafikët) do të ishin besimtarë. Gjithashtu, as njohja me zemër nuk është iman, sepse sikur të ishte ashtu, atëherë të gjithë ehlu’l-kitabët (pasuesit e librave të shpallura) do të ishin besimtarë. Për hipokritët Allahu xh.sh. thotë:

“Allahu dëshmon se munafikët janë gënjeshtarë” (El-Munafik: 1), ndërsa për ehlu’l-kitabët thotë:

“Atyre të cilëve iu dhamë Libër e njohin Atë, sikur që i njohin fëmijët e tyre”. (El-Bekare: 146)

 

 

 

Veçoria e dytë

 

 

Pohojmë se imani nuk mund të shtohet as pakësohet, sepse nuk mund t’ia prezantojmë vetes shtimin e tij përveç me pakësimin e kufrit, e as që është e mundur t’i prezantojmë shtimin e tij përveç me pakësimin e tij përveç me rritjen e kufrit. A është e mundur që një individ në një gjendje, njëkohësisht, të jetë besimtar dhe jobesimtar? Besimtari mund të jetë vetëm besimtar, kurse jobesimtari vetëm jobesimtar. Në iman nuk ka dyshim sikurse që edhe në kufër nuk ka dyshim.

Allahu (xh. sh.) lidhur me këtë thotë:

“Ata janë besimtarë të vërtetë” (El-Enfal: 4) dhe

“Ata janë jobesimtarë të vërtetë”. (En-Nisa: 151).

Mëkatarët në ummetit e Muhamedit (s.a.v.s.) janë prej pjesëtarëve të tewhidit (njësisë së Zotit) dhe të gjithë janë besimtarë të vërtetë (mu’minun), por jo edhe jobesimtarë (kafirun).

 

 

 

Veçoria e tretë

 

 

Pohojmë se vepra nuk është imani dhe as imani nuk është vepra. Dëshmi për pohimin tonë janë gjendjet e ndryshme në të cilat mund të pohohet se besimtari lirohet nga vepra por besimtari kurrë nuk lirohet nga imani. Femrës së rritur gjatë kohës së menstruacionit dhe pas pastrimit nga lindja lejohet t’i thuhet se lirohen nga falja e namazit, por femrës nuk i lejohet të braktisë imanin; pra e ka urdhëruar me braktisjen e punës, por jo me braktisjen e imanit. Femrës i është thënë me sheri’at (ligj): Lëshoje agjërimin, e pastaj plotësoje atë. Nuk është e lejuar të thuhet braktise imanin e pastaj përtërije atë.

Është e lejuar të thuhet: Muslimani i varfër nuk është i obliguar në dhënien e zekatit, por nuk është e lejuar të thuhet: i varfëri nuk duhet të besojë.

Caktimi i çdo të mire dhe të keqe është prej Zotit sepse sikurse ndonjë njeri të pohojë se të mirën dhe të keqen e cakton dikush tjetër, e jo Allahu (xh.sh.), do të bëhej jobesimtar dhe do të shkatërronte besimin në njësinë e Allahut, nëse e kanë besuar Atë.

 

 

 

Veçoria e katërt

 

 

Pohojmë se veprat janë tre llojesh: Ato të cilat janë fard (të obliguara të punohen), ato të cilat janë fadl (mirë të punohen) dhe ato të cilat janë ma’sije (mëkat të punohen).

Veprat të cilat janë obligime të domosdoshme të punohen (fard) janë ato të cilat Allahu veçanërisht i urdhëron, kurse të cilat janë në dëshirën, dashurinë, kënaqësinë, urdhrin, caktimin, krijimin, fuqinë, dijen, drejtimin dhe në të shkruarit e tij në Lehvi-Mahfudh.

Veprat të cilat janë mirë të punohen (fadl) nuk janë të caktuara me urdhrin e Allahut, por janë me dëshirën, dashurinë, kënaqësinë, caktimin, rregullimin, dijen, drejtimin, krijimin dhe shkrimin e Tij në Levhi-mahfudh (Pllakën e Ruajtur Mirë).

Veprat të cilat janë mëkat të punohen janë ato të cilat Allahu nuk ka urdhëruar të punohen, por ndodhin me lejen e tij, pa dashurinë e Tij, me përcaktimin (kadanë) e Tij, pa kënaqësinë e Tij, me krijimin e Tij, pa drejtimin e Tij (la bi tewfikihi), me lënien e Tij në të (we bi hidhlanihi[3]), me dijen e Tij dhe shkrimin e tyre në Lehvi-mahfudh.

 

 

 

Veçoria e pestë

 

 

 Pohojmë se Allahu sundon në Arsh, pa pasur nevojë për të dhe qëndrim në të. Allahu është i lartë prej tij dhe Ai është ruajtës i Arshit (hafidh’ul-arsh) dhe i çdo gjëje tjetër, i pavarur prej çdo nevoje; sepse, sikur të ishte i nevojshëm për diçka nuk do të mund ta krijojë gjithësinë dhe ta drejtojë atë, por do të ishte sikurse krijesat. Sikur Allahu të kishte nevojë për ulje dhe qëndrim atëherë ku ishte Allahu para krijimit të Arshit?! Allahu është i Lartësuar prej çdo mangësie.

 

 

 

Veçoria e gjashtë

 

 

Pohojmë se Kur’ani është fjalë e Allahut, e pakrijuar, sepse Shpallja e Tij është zbritja, atributi i Tij nuk është Ai e as diç përveç Tij; ai është atribut i vërtetë i Tij. Kur’ani është i shkruar në mus’haf, është lexuar me gjuhë, është ruajtur në zemra pa gjendjen e tij në çka do qoftë.

Ngjyra, letra dhe shkrimi janë të krijuara, sepse ato janë vepra njerëzore. Të folurit e Allahut nuk është i krijuar, sepse të shkruarit, tonet, fjalët dhe të gjitha ajetet janë mjete të Kur’anit të nevojshme për njerëzit ndaj tyre. Të folurit e Allahut ekziston me Të vetvetiu, ndërsa domethënia e tij është e kuptueshme me këto gjëra (të theksuara). Ai i cili thotë se të folurit e Allahut është i krijuar, i tilli është mohues i Allahut (xh.sh.). Ai është ai i cili përjetshëm e meriton adhurimin. Fjala e Tij shprehet, shkruhet, mësohet përmendësh, dhe nuk mund të merret me mend e ndarë nga esenca e Tij.

 

 

 

Veçoria e shtatë

 

 

Pohojmë se njerëzit më të mirë të ummetit (bashkësisë muslimane) pas Muhammedit s.a.v.s. janë: Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliu r.a., sepse Allahu xh.sh. thotë: “Ata që kanë prirë (në besim), do të prijnë (edhe në xhenet. Ata janë të afërt. Në kopshtet e xhennetit e të kënaqësisë. (E këta janë) shumë prej të parëve”. (El-Vakiah 10-13).

Kushdo që dallohet është më i mirë tek Allahu xh. sh. Ata i do çdo besimtar të devotshëm (takva), ndërsa i urren çdo hipokrit dhe jobesimtar fatkeq.

 

 

 

Veçoria e tetë

 

 

Pohojmë se njeriu me veprat, dëshmimin dhe njohjen e tij është i krijuar. Pasi që vepruesi i veprës është i krijuar, edhe veprat e tij janë të krijuara, si thotë Allahu xh.sh.:

“Allahu ju ka krijuar juve dhe atë çka ju punoni”. (Es-Saffat, 96).

 

 

 

Veçoria e nëntë

 

 

Pohojmë se Allahu i ka krijuar të gjitha krijesat ndërsa ato janë të pafuqishme, sepse të gjitha ato janë të dobëta. Allahu është krijues dhe furnizues i tyre, siç thotë Allahu i lartësuar në Kur’an:

“Allahu është ai i cili ju krijoi, pastaj furnizim ju dha, pastaj ju vdes dhe përsëri ju ringjallë.” (Er-Rrum: 40).

Të arriturit e fitimit me anë të punës është i lejuar. Të arriturit e pasurisë me anë të punës së lejuar është i lejuar, ndërsa është e ndaluar arritja e pasurisë në veprat e ndaluara.

Njerëzit ndahen në tri grupe:

-         Besimtari, i sinqertë në besimin e tyre;

-         Jobesimtari, këmbëngulës në mosbesimin e tij, dhe;

-         Hipokriti, dyfytyrësh në hipokrizinë e tij.

Allahu xh. sh. e ka obliguar punën për besimtarin, imanin për jobesimtarin dhe sinqeritetin për hipokritin, sikur që Allahu thotë:

“O ju njerëz, frikësojuni Krijuesit tuaj, i cili ju krijoi” (En-Nisa, 1), që do të thotë: O besimtarë, nënshtrojuni Allahut; o jobesimtarë pranojeni besimin; o hipokritë bëhuni të sinqertë në besim.

 

 

 

Veçoria e dhjetë

 

 

Pohojmë se mundësia (el-istita’atu)[4] krijohet bashke me punën, as para as prapa. Sikur njeriu ta posedojë atë mundësi para punës atëherë do të ishte i varur prej Allahut xh.sh., që do të ishte në kundërshtim me tekstin kur’anor. Lidhur me këtë i Madhërishmi thotë:

“Allahu është i pasur, ndërsa ju jeni të varfër”. (Muhamed, 38).

Sikur mundësia (dhe fuqia) të krijohej pas punës, ajo do të ishte e pamundur sepse puna do të kryhej vetvetiu dhe pa mundësinë (dhe fuqinë) e njeriut.

 

 

 

Veçoria e njëmbëdhjetë

 

 

Pohojmë se mes’hi (fërkimi me dorë të lagët) në meste është vaxhib për rezidentin (vendasin në shtëpi) një ditë e një natë, ndërsa për udhëtarin tri ditë e tri net, sepse kështu është përcjellë në hadithin e Muhamedit (s.a.v.s.). Kush e mohon këtë frikësohemi për të që të mos bëhet jobesimtar, sepse hadithet për mes’hin janë afër shkallës së mutevaturit.

Shkurtimi (i namazit) dhe ngrënia (gjatë ramazanit) në udhëtim është lehtësim i lejuar (ruhsa) për besimtarin në udhëtim, që është vërtetuar me tekst kur’anor, ku i Madhëruari thotë:

“Kur të udhëtoni, nuk keni mëkat që ta shkurtoni namazin” (En-Nisa, 101), ndërsa për ngrënien e ramazanit Allahu i madhëruar thotë:

“Kush prej jush është i sëmurë ose në udhëtim, le ta plotësojë (agjërimin) me ditë të tjera”. (El-Bekare, 185).

 

 

 

Veçoria e dymbëdhjetë

 

 

Pohojmë se kur Allahu xh. sh. e urdhëroi Penën (lapsin) të shkruajë, pena pyeti: “Ç’të shkruaj o Krijuesi im?, kurse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë deri në ditën e gjykimit” [5], sikurse që i Madhëruari në Kur’an thotë:

“Dhe çdo send që punuan ata është shkruar në shënime. Dhe çdo (punë) e vogël ose e madhe është e regjistruar”. (El-Kamer, 52).

 

 

 

Veçoria e trembëdhjetë

 

 

Pohojmë se ndëshkimi në varreza (kabr) është i vërtetë dhe se do të jetë për të gjithë jobesimtarët dhe për disa mëkatarë muslimanë. Të marrit në pyetje prej Munkirit dhe Nekirit është e vërtetë, siç na vërtetojnë hadithet e Muhamedit s.a.v.s.. Xhenneti dhe xhehennemi janë të vërtetë, janë të krijuar dhe nuk do të shkatërrohen, sikurse edhe banorët e tyre, sepse Allahu i madhëruar thotë për të drejtat e besimtarit:

“Xhenneti është përgatitur për muttekitë (të devotshmit).” (Ali Imran, 133) dhe

“Xhehennemi është përgatitur për kafirët”. (El-Bekare, 24). Allahu i ka krijuar për shpërblim dhe ndëshkim.

Mizani (peshoja e drejtë) është i vërtetë sikur që thotë Allahu xh.sh.:

“Dhe do të vendosim peshojat e sakta në ditën e gjykimit” . (El-Enbija, 47).

Leximi i librave të veprave të njerëzve në ditën e gjykimit është i vërtetë sipas fjalëve të Allahut xh.sh.:

“Lexoje librin tënd. Mjafton llogaritja sot me vetveten tënde”. (El-Isra, 14).

 

 

 

Veçoria e katërmbëdhjetë

 

 

Pohojmë se Allahu do t’i ringjallë këta njerëz pas vdekjes dhe se do t’i ringjallë në ditën, gjatësia e së cilës do të jetë pesëdhjetëmijë vjet, për dhurata, shpërblime, dhe ndarjen e së drejtës sepse Allahu i madhëruar thotë:

“Allahu do t’i ringjallë të gjithë që janë në varreza”. (El-Haxhxh, 7).

Takimi i Allahut me banorët e xhenetit është i vërtetë pa modalitet (pa pyetjen ‘si’), pa ngjashmëri dhe pa anë.

I Madhëruari thotë:

“Atëherë fytyrat do të jenë të gëzuara duke shikuar Krijuesin e vet.” (El-Kajjime, 22-23).

Shefa’ati (ndërmjetësimi) i Muhamedit s.a.v.s. është i vërtetë për çdo banorë të xhennetit, qoftë edhe pronar i mëkateve të mëdha.

Aishja r.a. pas Hatixhes el-Kubra r.a. është femra më autoritative në botë. Ajo është nëna e besimtarëve. Është e pastër prej amoralitetit dhe e pafajshme prej asaj që flasin rafiditët[6]. Kush pohon se ajo ka bërë amoralitet, ai është fëmijë i amoralit.

Banorët e xhennetit do të jenë gjithnjë në xhennet dhe banorët e xhehennemit në xhehennem. Allahu xh.sh. për besimtarët thotë:

“Ata janë banues të xhennetit dhe në të përjetshëm do të qëndrojnë”. (El-Bekare, 82).

Ndërsa për jobesimtarët thotë:

“Ata janë banues të xhehennemit dhe në të përjetshëm do të qëndrojnë”. (El-Bekare, 81).

 

 

Përktheu dhe shënimet i bëri:

Nexhat Ibrahimi



[1] Përkthimi është bërë sipas një versioni pa vend botimi (mbase në Turqi ?), me datë 20 safer 1289 hixhrij, prej tetë faqesh, kurse është botuar në revistën Edukata islame, nr. 37-38/ 1983, Prishtinë, fq. 51-56. Me këtë rast libërthi (risaleh) botohet i rishikuar, me ca redaktime gjuhësore. Shpjegimet në kllapa janë të përkthyesit.

[2] Në origjinal thuhet dymbëdhjetë, por meqë teksti përfshin katërmbëdhjetë veçori, mendojmë se kemi të bëjmë me gabim shtypi.

[3] Imam Ebu Hanifeh në El-Fikh’ul-Ekber pohon se el-hidhlan tregon se njeriu nuk është i udhëzuar në atë çka Allahu e çmon, e kjo është drejtësia e Tij.

[4] Mundësia për një njeri për ta kryer një punë.

[5] Këtë hadith e transmeton Ebu Davudi, në Es-Sunen, 16, Et-Tirmidhi, El-Kader, 17, Ibn Hanbel, Musned, V/217, 218, 219.

[6] Një nënsekt shi’it.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme