Kompleksi i mosdijes si pengesë e zhvillimit intelektual të individit

Edhe shoqëria kosovare, krahas zhvillimeve evolutive që ka pësuar, normalisht si çdo shoqëri tjetër vuan nga komplekset, apo thënë më mirë vuan nga shumëllojshmëria e komplekseve. Sipas sondazheve psikologjike dhe sociologjike, zakonisht popujt e vegjël, apo edhe popujt e hermetizuar vuajnë nga komplekset e shumta, gjë që ka ndodhur edhe tek populli ynë. E kur jemi tek shumëllojshmëria e komplekseve, medoemos duhet nënvizuar kompleksin e mosdijes që është një pengesë e zhvillimit të mëtutjeshëm intelektual të vet individit, por edhe shoqërisë. Individi dhe shoqëria kanë raporte korrelative, sepse individi nuk mund të ekzistoj pa shoqërinë dhe se reciprociteti është i dy anshëm. Andaj, në diskurset filozofike dhe shkencore, në tribunat tona, madje edhe në media, shpeshherë të ftuarit kompleksohen, e kjo si rezultat i shumë faktorëve që më poshtë do t’i shtjellojmë. Jemi dëshmitar të asaj që shpeshherë të ftuarit në debate, diskurse shkencore, por edhe diskurse tjera qofshin ato politike, sociale, mediale, religjioze, etj, kompleksohen ku variojnë në forma dhe mënyra të ndryshme. Komplekset sigurisht që u referohen personalitetit të vet individit. Personaliteti logjikisht definohet si tërësi e tipareve emocionale dhe sjelljeve që karakterizojnë një person në jetën e përditshme. Padyshim, se njohuria dhe dituria janë dy nga cilësitë sublime që personaliteti i njeriut mund t’i zotërojë. Tiparet e personalitetit shumë lehtë mund të shndërrohen në çrregullime të personalitetit, prandaj ato mund të marrin formën e tipareve patologjike të personalitetit theksojnë kriminologët. Është e ditur se disa njerëz mund të ndjehen të kompleksuar apo inferior ndaj të tjerëve për shkak të mungesës së intelektit të tyre,  e që thuhet të jenë rastet kur atyre u mungon dituria apo të nxënit, por të cilët e kuptojnë paditurinë e tyre. Për këtë, ndjenja e pasigurisë në të shprehur apo në artikulim të mendimeve, është rezultat i gjendjes shpirtërore të tyre apo personalitetit, e që fatkeqësisht mund të marrë përmasat e një stresi postramuatik.  Mirëpo, ekziston një kategori tjetër individësh, të cilët jo vetëm që nuk e kuptojnë paditurinë e tyre, por e konsiderojnë veten e tyre si të ditur. Si shembull mund të marrim njerëzit në pushtet, kur shpesh gjatë debateve ose gjatë fushatave zgjedhore, injoranca e tyre shndërrohet lehtë në një sjellje arrogante apo të frustruar. Megjithatë, ka edhe persona të cilët pavarësisht njohurive të tyre në fushat përkatëse, dijeninë e tyre ngurrojnë ta prezantojnë para të tjerëve, e sidomos në rastet e një audience të gjerë. Pavarësisht inteligjencës së tyre, ata ndjehen kompleksiv si rezultat i mosbindjes së tyre. Kësaj sigurisht që ndryshe nuk mund t’i themi përveç se një “kompleks i mosdijes”. Kështu që, nga kompleksi i mosdijes, apo kompleksi i inferioritetit edhe debati/diskursi merr një kahe tjetër, që ndërlidhet më pastaj edhe me vet retorikën e diskursit në fjalë. Në këto raste, humbet edhe racionaliteti, dilet nga profesionaliteti, dhe të ftuarit shpeshherë audiencës apo publikut iu ofrojnë një debat apo diskurs “anomik”, “a – empatik”, “jo racional”, e të tjera.

 

Faktorët që çojnë në komplekset

 

Shumica e studiuesve të shkencave sociale, sociologëve, psikologëve, e të tjerëve janë të mendimit se ekzistojnë një numër faktorësh që çojnë drejt komplekseve. Andaj, disa nga faktorët mund të jenë: Së pari, vlerësimi i tepërt i vetës, shpeshherë individ të ndryshëm mundohet që apriori të vlerësojnë më tepër vetën sesa që duhet, e kjo shkakton edhe moskonformizëm social, por edhe merr konotacion negativ në debate të ndryshme. Së dyti, egocentrizmi, si element psikologjik ka rëndësi të madhe sepse në jetën e përditshme individët e ndryshëm duke përdorur si instrumente psikologjike shumë mekanizma mundohen që të jenë në qendër të vëmendjes, madje kjo mund të ndodhë edhe duke përdorur terma shkencor që ndoshta as vetë nuk i kuptojnë, apo duke përdorur mekanizma tjerë psikologjik vetëm për të krijuar një lloj tendence superioriteti në raport me të tjerët. Së treti, moskonformizmi social, është njëra nga format e ndikimit social, në momentin kur njerëzit mundohen që përmes formave të ndryshme psikologjike të ndikojnë tek të tjerët, të përshtaten, etj. Moskonformizmi social ka tendenca të mos përshtatjes me grupin, me rrethin, e kjo formë ndikimi ka të bëjë me kompleksin e vetës. Së katërti, mosdija, është faktor kyç që ndikon në diskurse, e kjo vie nga mos leximi, mos shfletimi i veprave, i literaturës lidhur me një temë të caktuar. Shpeshherë në jetën e përditshme kemi parë raste, kur njerëzit apo panelistët kanë dalur nga tema si rezultat i mos njohjes së temës, apo thënë mirë mos vjeljes së informacioneve, kur kihet parasysh se informata sot konsiderohet si armë tepër e madhe, një burim i pashtershëm pasi që i përket natyrës jo materiale. Andaj, vjelja e informatave, thithja e tyre, është një “hartë kognitive” e cila të orienton në rrugëtimet tjera, sidomos ato të dijes, shkencës, artit, moralit, religjionit, kulturës, etj. Pra, mund të themi se këto faktorë që kemi përmendur, por edhe faktorë tjerë që padyshim janë të shumtë, ndikojnë që personat në fjalë të kompleksohen në debate, diskurse filozofike, por edhe në jetën e përditshme.

 

Tipat kompleksiv

 

Duke u nisur nga premisa shkencore dhe dioptria analitike, mund të themi se krahas shumë tipave kompleksiv, mund t’i elaborojmë disa të tillë që janë jo vetëm në diskurse të ndryshme, por edhe në përgjithësi në jetën shoqërore, si:

 

a)      Tipi emocional – karakteristikë e këtij tipi është se gjatë debateve, diskurseve ky tip emocionohet shumë, humb kontrollin dhe shpeshherë del edhe nga tematika e temës, gjë që edhe diskursi merr kahe tjetër. Ky tip madje ka një gjendje emocionale momentale, por në disa raste kjo gjendje mund të ndikojë edhe në metabolizmin e tij;

b)      Tipi euforik – ky lloj tipi shpeshherë mundohet që me euforizëm t’i merr gjërat, shpeshherë mundohet që gjatë debatit të krijon përshtypje se ka njohuri të thella, ka diapazon të gjerë, mirëpo në realitet është e kundërta;

c)      Tipi temperament – karakteristikë e këtij tipi është se në shumicën e rasteve ky lloj tipi aktron kinse nuk po lëshon pe, kinse stoikisht mbron qëndrimet e tij, ndërsa në realitet është tepër kompleksiv;

d)     Tipi inferior – ky tip është inferior në raport me të tjerët, ky vuan nga kompleksi i mosdijes, mos integrimit, apo komplekseve tjera, mundohet çdo herë të gjen forma tjera integrimi, por prapë se prapë ndihet inferior. Ky inferioritet bënë që edhe të ketë probleme tjera qofshin ato të aspektit emocional, fizik, psikik, etj.

e)      Tipi egocentrik – ky tip është kompleks në vete, prandaj dëshiron që të jetë në qendër të vëmendjes, t’i kushtohet rëndësi, të ketë më shumë afinitet, famë, prestigj shoqëror;

f)       Tipi narcizoid – tipi i tillë, ka një vetëvlerësim të madh në vete, mundohet t’i instrumentalizon gjërat në terren, është i gjindshëm në shumë raste, por i dashuruar në vetën e tij, vuan nga kompleksi i asaj që të tjerët ecën para, dhe nuk mund të ketë konformizëm me të tjerët, thjeshtë nuk mund të akcepton faktin se dikush ka arritur në një lartë, është bërë një peny...!

 

Kompleksi i mosdijes si faktor viktimogjen i individit

 

Sipas postmodernistit të njohur Fransua Liotar (Lexo: Dija në Gjendjen Postmoderne), dija në postmodernizëm konsiderohet fuqi. Ndërsa, mosdija konsiderohet si diçka normale kur njeriu, individi e pranon atë. Në këtë kontekst, shpeshherë kemi raste kur njerëzit kompleksohen nga mosdija, e kjo vie për shkak të vetëvlerësimeve që bënë njeriu, si rezultat i euforizmit, egos, egocentrizmit, si dhe faktorëve që potencuam më lartë. Në këso raste, njerëzit nga ky kompleks, kanë probleme me frymëmarrje, kanë një gjendje psikologjike të rëndë, humbin lehtë kontrollin, dalin nga tema, etj. Ky fenomen shoqëror, ndikon edhe në pengimin e zhvillimit intelektual, pengon në vjeljen e informacioneve, rrit stresin dhe bënë njerëzit më inferior. Prandaj, shikuar në përgjithësi mund të themi se kompleksi i mosdijes është edhe gjendje psikologjike e cila shfaqet tek njerëzit shpeshherë dhe mos pranimi i realitetit lidhur me këtë element hermetizon edhe më tepër njerëzit. Zakonisht këto komplekse vërehen gjatë debateve, gjatë diskurseve në shumë media, në shumë panele, gjë që edhe këtyre debateve apo diskurseve iu jepet konotacion negativ. Mirëpo, një element tjetër i rëndësishëm i personalitetit të njeriut është edhe mungesa e besimit në vete, e që vie si rezultat i mosbindjes për vetveten e tij, si rezultat i mos njohjes së “Unit” të tij, apo i mosnjohjes së introspeksionit të tij. Përkitazi me këtë, ana subjektive e njeriut shpeshherë mund të jetë faktor viktimogjen dhe kriminogjen, e që mund të ketë për pasojë kontaktin fizik - të paktën këto janë disa nga leksionet e kriminologëve. Njeriu si qenie sociale - biologjike mund të mos dijë shumë për aftësitë fizike të tij, e në disa raste mund të tejkaloj kufijtë e forcës reale dhe të shkaktoj veprime të kundërligjshme. Madje, studimet kanë treguar se të tjerët janë ata që vlerësojnë. Në bazë të perceptimit të të tjerëve njeriu mund të ndryshoj, të jetë agresiv, pasiv, aktiv, emocional, racional, etj. Prandaj, kompleksi se ai person nuk është i fuqishëm sa duhet (çoftë në aspektin fizik, intelektual, apo sentimental), në raste konflikti mund të ketë pasoja edhe më të rënda. Kështu, personi nga kompleksi i paaftësive fizike të tij, mund të tejkaloj përdorimin e forcës dhe për pasojë të shkaktoj vdekjen e dikujt tjetër. Në këtë rast, përveç që ka shkaktuar një viktimë,  ai njëkohësisht bie viktimë e komplekseve të tij, pasi që do të kryej veprën penale. Prandaj, është humane dhe reale, që njeriu të mos kompleksohet nga të qenit e inferioritetit nga mosdija apo nga paaftësia fizike e tij, por të socializohet dhe ri-socializohet me dijen, të shfletoj më shumë dhe të zgjeroj më tepër diapazonin e diturisë dhe të mundohen të gjen një kompromis në raportet individ – shoqëri.

 

Shkruajnë:  

MA. sci. Ferdi Kamberi - Sociolog 

Diellor Gashi  - Kandidat për mbrojtje të titullit master në UP – drejtimi Penal  

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme