Sa janë islame shtetet islamike?

Në gjuhën shkencore dhe gazetareske, si zakonisht, janë përdorur shprehjet “vendet muslimanë” apo “shtetet islamike”. Janë ndërmarrë edhe tentativa që këto shprehje edhe të definohen. Kështu që, sipas disa autorëve, “shtetet islamike” do të ishin ato shtete të cilat sistemin e tyre juridiko-politik e kanë në harmoni të plotë me mësimet islame, ndërsa “shtetet muslimane” do të ishin ato ku muslimanët përbëjnë shumicën e popullësisë.

Disa autorë të tjerë përdorin një kriterium të pastër formal: Nëse një vend në kushtetutën e tij deklaron Islamin si fe zyrtare apo Sheriatin si burim të legjislacionit, atëherë ai vend është islamik. Mirëpo për disa autorë me rëndësi është anëtarësimi në Konferencën e Bashkëpunimit Islamik (OBI). Për të gjitha këto definime dhe klasifikime me rëndësi ka qenë vetëidentifikimi i disa shteteve. Me fjalë të tjera, një shtet është islamik nëse këtë e dëshmon ai vetë.

Sheherzade S, Rahman dhe Hossein Askari, dy shkencëtarë nga universiteti “George Washington”, me punimin e tyre “How Islamic are Islamic Countries”, sollën në diskutim çështjen në fjalë. Artikulli është botuar në Global Ekonomy Journalu (vol. 10, no. 2, 2010). Këta autorë kanë shkuar nga ajo se çfarë thotë Islami për njeriun, botën, qeverisjen, drejtësinë, ekonominë, ambienti etj. Elementet e këtij studimi i kanë objektivizuar dhe kanë bërë indekse të përshtatshme, ndërsa pastaj, përmes indekseve të tilla, kanë vlerësuar “islamijetin” (islamicitetin) e vendeve të botës.

Këta autorë kanë bërë katër indekse: Indeksi i islamicitetit të ekonomisë, indeksi i islamicitetit të drejtësisë dhe qeverisjes, indeksi i islamicitetit të të drejtave politiko-shoqërore dhe indeksi i islamicitetit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Secili indeks ka përfshirë një numër të madh të variablëve dhe të indikatorëve.

Indeksi i islamicitetit të ekonomisë përshinë variablet: mundësitë e njëjta ekonomike për të gjithë anëtarët e shoqërisë, të drejtat e pronësisë, shenjëtria e kontratave, krijimi i vendeve të punës për të gjithë barabart, një qasje e drejtë në punësim, qasje e drejtë në arsimim, ndalimin dhe pengimin e varfërisë, luftimin e korrupsionit, përkrahje ndaj sistemit finansiarë, largimin e kamatës, etj.

Indeksi i islamicitetit të drejtësisë dhe qeverisjes përfshinë edhe nënkategoritë si qeverisja, integriteti i gjykatave dhe përzierja e ushtrisë në procesin politik. Këto kategori maten me indikatorin e përgjegjësisë, stabilitetit politik, efikasitetin qeverisës, kontrollin e korrupsionit (nënkategoria e parë), pavarësia e gjykatave dhe integriteti i sistemit gjyqësor (nënkategoria e dytë) dhe niveli i ndërhyrjes së ushtrisë në sistemin politik dhe gjyqësor (nënkategoria e tretë).

Indeksi i islamicitetit të të drejtave njerëzore dhe politike përfshin nënkategoritë e të drejtave qytetare (matet indeksi i lirisë), të drejtat politike (gjithashtu indeksi i lirisë), të drejtat e grave (indikator është përfshirja e grave në organe të ndryshme udhëheqëse), të drejtat e tjera (indikator është politika e shërbimit ushtarak), rreziku politik (indikator është rreziku i ndonjë vendi) dhe ndalimi dhe pengimi i gjenocidit (indikator është qëndrimi i Konventës Ndërkombëtare në pengimin dhe dënimin e gjenocidit).

Indeksi i islamicitetit të marrëdhënieve ndërkombëtare përfshin nënkategoritë, siç është: Ambienti (matet nëpërmjet pastërtisë së rrethit, kualitetit të ajrit, ujit, burimeve natyrore, energjisë së qëndrueshme etj), globalizmi (matet nëpërmjet globalizimit ekonomiko-socialo-politik), dhe shpenzimi ushtarak (matet me shpenzimin dhe rrezikun ushtarak).

Vlevshmëria e këtyre indeksve dhe mënyra e matjes së tyre nxirret nga punimet teorike më modern të autorëve muslimanë. Me fjalë të tjera, autorët me gjuhën e metodologjisë kuantitative kanë përkthyer punimet e dijetarëve musliman.

Kur të gjithë këto indekse janë aplikuar në vendet e botës moderne, është paraqitur një listë e përgjithshme e islamijetit (islamicitetit) (Overall Islamicity Index Rank). Dhe ja befasia. Dhjetë vendet e para “më islamike” në botë janë: Zelanda e re, Luksemburgu, Irlanda, Finlanda, Danimarka, Kanada, Britania e Madhe, Australia dhe Holanda. Vendi me shumicë muslimane që është ranguar më lartë është Malajzia, e cila gjendet në vendin e 38.

Dhe për në fund, cili është mesazhi i një studimi të tillë?

Mund të themi se mesazhi i tillë me gjasë mund të shprehet përmes konkluzioneve vijuese: Një shtet nuk është ashtu siç ai e quan veten; kriteret formale nuk përkojnë me realitetin; vetëshpallja dhe thirrja në religjion nuk do të thotë se merren edhe politikat që bazohen në atë religjion dhe, përfundimisht, jetësimi i një ideali të një mësimi mund të haset edhe aty ku më së paku mund të shpresohet.



Përktheu: Arsim Dauti

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme