Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Shkrime tė bashkėpunėtorėve ->

Psikiatria dhe feja


Dr. Ferid Agani

Shumë psikiatër dhe psikoterapeutë, në vend dhe në botë janë të hutuar, sillen në mënyrë indiferente, kur në praktikën e tyre ballafaqohen me dukuri fetare në përmbajtjen psikopatologjike të pacientëve të tyre, ose me pyetje të drejtpërdrejta ose indirekte të natyrës fetare, që ata u bëjnë?
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Si psikiatria ashtu edhe feja janë të mbështetura fuqishëm në traditat e pasura të mendimit dhe praktikës njerëzore. Mënyrat në të cilat njerëzit tentojnë që të kuptojnë dhe ndërveprojnë me botën e tyre dhe t’ua japin kuptimin jetëve të tyre kanë preokupuar filozofët, udhëheqësit fetar, dhe shkencëtarët gjatë shekujve.

Feja paraqet kodifikim kulturor të metaforave të rëndësishme shpirtërore dhe themel për fokusimin adekuat të marrëdhënieve sociale të njeriut.

Në kontekstin e hyrjes në temën e këtij punimi është e domosdoshme që të elaborohet edhe fakti se përmbajtjet fetare janë shpesh të inkorporuara në idetë deluzive dhe në përmbajtjet psikotike të individëve me çrregullime bipolare, skizofreni, depresion psikotik, ose çrregullime të tjera serioze psikiatrike. Madje, individët me çrregullime të personalitetit mund të kenë preokupime jo të zakonshme me fenë ose mund ta keqpërdorin atë. Për shembull individët me çrregullim të vartësisë mundohen që nëpërmjet “pritjes nga Perëndia” të arsyetojnë mosaktivitetin e tyre.

Ata të cilët kanë çrregullim obsesiv-kompulziv mund të angazhohen në lutje kompulzive ose të angazhohen në mënyrë të tepruar në rituale fetare të cilat, për fat të keq mund të inkurajohen, me qëllim të keqpërdorimit, nga grupe të caktuara të personave “fetar” si kinse shenja të posaçme të spiritualitetit. Personat me çrregullim anti-social mund ta keqpërdorin fenë, si mënyrë për t’i e të interesave personale.

Individët me çrregullim kufitar mund të drejtojnë mlleshfrytëzuar të tjerët në aspektin financiar ose të manipulojnë me çështjet fetare për qëllimin dhe urrejtjen kah ata që kanë bindje dhe besime të ndryshme nga të tyre. Personat me çrregullim narcisoid mund ta prezantojnë veten si udhëheqës fetar ose si prijatar shpirtëror me qëllim që të tërheqin vëmendjen në veten dhe “fuqitë” e tyre.

Këto janë vetëm disa shembuj se si feja mund të keqpërdoret duke u vënë në shërbim të psikopatologjisë. Është qartë se në këto raste problemi nuk qëndron tek feja, mirëpo ajo shfrytëzohet si medium për shprehjen e nevojave psikopatologjike.

Besimet fetare dhe filozofike që pacientët tonë i sjellin në mjedisin terapeutik, ose të cilat ata i përvetësojnë në përpjekjen për të arritur një shkallë të rehatisë ose për t’i dhënë kuptim vuajtjes së tyre, kanë anët e tyre të forta dhe dobësitë. Pacientët ose terapeutët ndonjëherë nënçmojnë qasjet e vlefshme terapeutike që dalin nga traditat fetare ose filozofike, të cilat dallojnë prej të tyre. Edhe me evolucionin dhe përparimin e metodës shkencore, është pak e mundshme të pritet, që gjenetika dhe neuroshkenca ndonjëherë do të arrijnë të jenë të afta që plotësisht të shpjegojnë çrregullimet e mendimeve, veprimeve, dhe qëllimeve të mendjes njerëzore.

Vetëdija fetare dhe realiteti psikik – botëra të ndara?

Konsiderohet se rrënjët e fesë qëndrojnë në gjendjen emocionale e cila njëkohësisht paraqet ide dhe funksion të un-it. Vetëm të menduarit dhe dija mbi fenë nuk nënkupton të qenit fetar. Sipas disa psikologëve të fesë përjetimi fetar është përjetim kreativ, që nuk është vetëm pjesë e procesit të imagjinatës, por ndryshim kreativ i unit të njeriut, dhe ndonjëherë rilindje – ndryshim i plotë i brendshëm i tij; duke qenë se ndikon në të gjitha funksionet e tjera psikike (të menduarit, ndjenjat, vullnetin) dhe ka ndikim në jetën e ndërdijshme të njeriut, si dhe në ndërtimin dhe ndryshimin gradual të gjithë qenies njerëzore.

Të kuptuarit e shtuar të domethënies dhe të rëndësisë së besimit fetar për pacientët psikiatrik do të influencojë në përpilimin e programeve të trajtimit për ta duke i shtyrë psikiatrat që të shqyrtojnë faktorët kulturor dhe sistemet e besimeve, të cilët mund të ndikojnë në pranimin dhe në zbatimin e këtyre programeve.

Por duhet theksuar se sistemet fetare të shërimit, shumë herë nuk është lehtë që të jenë komplementarë me trajtimin psikiatrik. Për shembull, pacienti mund të përjetojë situatë konfliktuoze kur duhet që të vendosë, t’i nënshtrohet tërësisht vullnetit të Zotit duke e lutur atë për shërim apo t’i nënshtrohet metodave të ndryshme të shërimit psikiatrik. Këto ndjenja konfliktuoze mund të shoqërohen me ndjenjën e rëndë të fajit se ata janë duke bërë diç që është në kundërshtim me bindjet e tyre fetare. Në rast se këto çështje nuk diskutohen nga ana e terapeutit kjo mund të rezulton me mospërmbushjen e procedurave terapeutike dhe me rezultate të dobëta të shërimit.

Ekzistojnë disa lëvizje në krishterizmin fundamentalist të cilat në mënyrë absolute e ndalojnë shërimin psikiatrik dhe në veçanti aplikimin e psikoterapisë si metodë e trajtimit të vështirësive mendore sepse paraqet rivalitet me sistemin e tyre religjioz të shërimit (Bobgan dhe Bobgan, 1989). Nga ana tjetër, sjellja dhe shprehitë specifike të cilat inkurajohen gjatë procesit psikoterapeutik (veçanërisht në rastin e psikoterapisë bihejviorale – kognitive) mund të binë në kundërshtim me mësimet e disa grupeve të tjera fetare. Për shembull, vënia e theksit gjatë psikoterapisë sekulare në plotësimin e nevojave individuale dhe në arritjen e vet-realizimit mund të kuptohet si konflikt me mësimet fetare, se duhet sakrifikuar për të tjerët ose se duhet shërbyer të tjerëve.

Përdorimi i barnave psikotrope, mundet po ashtu të krijon situata konfliktuoze me sistemin e besimit të grupeve të caktuara fetare. Për shembull, disa barna mund të lehtësojnë, në mos ta eliminojnë, tërësisht ankthin. Ky reduktim i ankthit mund të rezulton me dëshirë të zvogëluar të pacientit për ndryshim dhe për rritje që është në kundërshtim me konceptet fetare por edhe psikoterapeutike. Në rast se terapeuti nuk i shqyrton këto aspekte, rrezikohet realizimi i planit terapeutik pa marrë parasysh kualitetin e tij të lartë.

Në rast se dëshirohet arritja e rezultateve optimale në procesin terapeutik duhet që të zhvillohet proces i njëkohshëm në të dy drejtimet: profesionistët e shëndetit mendor duhet të arsimojnë profesionistët fetar lidhur me shenjat, simptomat dhe mundësitë e trajtimit të çrregullimeve psikiatrike në mënyrë që ata të jenë në gjendje që t’i njohin këto çrregullime në mjediset ku veprojnë dhe në anën tjetër profesionistët fetar duhet që t’i arsimojnë profesionistët e shëndetit mendor lidhur me bindjet fetare, shprehitë, sjelljet dhe përvojat të cilat drejtpërdrejtë influencojnë në jetën e njerëzve dhe në vendimet lidhur me procesin e shërimit.

Ndarje strikte apo bashkëpunim? Çka thonë hulumtimet?

Psikiatria është unike në mesin e shkencave mjekësore, sepse në përpjekjet e saja për të shpjeguar spektrin e gjerë të sjelljes njerëzore, shpesh shtrihet në filozofi, përtej realitetit të shkencave natyrore.

Sipas rezultateve të hulumtimeve të shumta, besimet fetare kanë rëndësi substanciale për mirëqenien e shëndetit mendor të njerëzve. Lukoff dhe bashkëpunëtorët (1992) konstatuan se “dimensionet fetare dhe shpirtërore të kulturës janë ndër faktorët më të rëndësishëm që strukturojnë përvojën njerëzore, bindjet, vlerat, sjelljen, madje edhe veçoritë e sëmundjeve”. Si ilustrim, Bearon (1990) dhe Sheehan (1990) vërtetuan se bindjet fetare të pacientit mund të ndikojnë në qëndrimin e tij ndaj çrregullimit prej të cilit lëngon. Krolli (1991) konstatoi se shumë pacientë psikiatrik besojnë se sëmundja e tyre është dënim nga Zoti ose rezultat i mëkateve të bëra, ndërsa studimi kombëtarë i psikologëve të Amerikës në vitin 1990 tregoi se afër dy të tretat e pacientëve përdorin gjuhën fetare kur përshkruajnë problemet dhe konfliktet e tyre. Disa hulumtues si Hadaway dhe Roof (1978) gjetën se njerëzit e devotshëm janë më të kënaqur me jetën, ose siç konstatuan Mayo dhe bashkëpunëtorët (1969), manifestojnë shkallë më të ulët të depresionit krahasuar me grupet e individëve jo-religjioz. Williams dhe bashkëp. (1990) identifikuan besimin në Zot si amortizator të rëndësishëm në situatat stresogjene dhe traumatike, dhe parandalues të çrregullimeve serioze psikologjike dhe psikiatrike, pas tyre.

Studimet kanë treguar se numri i rasteve dhe serioziteti i çrregullimeve psikiatrike të personave të vizituar nga profesionistët fetar, personat që merren me trajtime shpirtërore dhe profesionistët e shëndetit mendor është përafërsisht i njëjtë (Larson dhe bashkëp. 1988). Jam i bindur se ky konstatim vlen në masë të plotë edhe për Kosovë duke qenë se, është mirë i njohur fakti se afiniteti i popullatës shqiptare ndaj vizitave te profesionistët fetar dhe personat e tjerë paramedicinal është i lartë. Sipas Rossit (1993), studimi i Gallupit gjeti se 66% e popullatës së përgjithshme në SHBA preferonte ndihmën nga ana e këshilltarit profesional i cili është besimtarë fetar. Rezultate të ngjashme tregoi edhe studimi i bërë me qytetarët e shtetit Konektikat në SHBA prej të cilëve, kur u pyetën se cilin këshilltarë për shëndet mendor do të preferonin, 37 u përgjigjën psikologun, 32 psikiatrin, 22 profesionistin fetar dhe 21 punëtorin social (Murstain dhe Fontain 1993).

Gartner dhe bashkëp. (1991) kryen meta-analizë të hulumtimeve të bëra mbi korelacionin ndërmjet shkallës së vetëvrasjeve dhe devotshmërisë fetare, që tregoi se përkushtimi fetar ishte i shoqëruar me shkallë të ulët të vetëvrasjeve, në gati çdo studim. Disa hulumtime, si ai i Blacconierit (1991), identifikuan devotshmërinë fetare si variabël e cila në mënyrë konstante ishte e shoqëruar me shkallë më të ulëta të konsumimit të duhanit, të alkoolit dhe të drogës.

Ndonëse shumica e hulumtimeve përkitazi me fenë dhe marrëdhëniet e saj me shëndetin mendor janë përqendruar në aspektet e parandalimit të çrregullimeve të ndryshme psikiatrike, kohën e fundit janë më të shpeshta hulumtimet që udhëzojnë se devotshmëria fetare shoqërohet me përmirësim të rëndësishëm klinik edhe pas paraqitjes së sëmundjes, si rezultat i përmirësimit të funksionimit emocional.

Sfida e bashkëpunimit

Çfarë kuptimi ka jeta dhe a ka kuptim fare? Marrja e qëndrimit ndaj kësaj dhe shumë pyetjeve të ngjashme me cilësi ekzistenciale imponon nevojën që psikiatri, fillimisht ta qartëson pozitën e tij ndaj fesë; si dhe ta njehë mirë: fenë e tij, psikopatologjinë fetare si dhe psikologjinë dhe filozofinë e fesë.

Megjithatë, përkundër këtyre kualiteteve, psikiatri ka vështirësi se si të mos e manifestojë, të mos e bartë, ose të mos ndikojë në pacientin me qëndrimin e tij ateist, agnostik ose teist. A është kjo e mundur dhe së fundi a është kjo e nevojshme? Përgjigja me siguri, është e kushtëzuar me orientimin teorik dhe në çdo rast është individuale; mirëpo, kur ky lloj i qëndrimit të terapeutit bartet në pacientin atëherë paraqitet ndikimi i pashmangshëm manipulativ, që nuk është larg prej ideologjisë.

Bashkëpunimi ndërmjet personave fetar dhe psikiatërve, që në kushtet tona është ende i pamundur, në SHBA dhe në shumicën e shteteve evropiane, është frytdhënës qëmoti. Në klinikat e mëdha psikiatrike në perëndim është praktikë e zakonshme që në to të punojnë teolog të shkolluar prej të cilëve disa kanë vijuar edhe trajnime të veçanta psikoterapeutike.

Nga ana tjetër teologët ose personat që merren me trajtimin paramedicinal – shpirtëror, të vështirësive psikike gjejnë në psikiatrat ndihmë të pazëvendësueshme në trajtimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme psikiatrike. Personat fetar ose të tjerë që merren me trajtime paramedicinale, bëjnë gabim të madh kur trajtojnë pacientin e rëndë psikiatrik pa qenë të përgatitur për këtë ose kur e pengojnë dërgimin e tyre deri tek psikiatri.

Problemet etike

Ashtu siç është e domosdoshme që profesionisti fetar të jetë i njohur me historinë paraprake psikiatrike të klientit të tij, ashtu edhe psikiatri duhet ta ketë të njohur historinë fetare të pacientit duke nënkuptuar me këtë rast përvojat pozitive dhe negative të cilat ai i ka patur me fenë.

Bazuar në këtë, mendoj se në të ardhmen terapeuti duhet t’i përdorë bindjet fetare të klientit të tij në procesin terapeutik me qëllim të arritjes së rezultateve më të shpejta dhe më të mira.

Për shkak të përkushtimit të madh me të cilin janë të investuara bindjet fetare, terapeuti duhet të jetë i kujdesshëm që të mos tentojë t’ia imponojë bindjet dhe perspektivat e tij fetare pacientit i cili është i turbulluar dhe tejet i ndjeshëm.

Veçanërisht diskutabile janë intervenimet e psikiatrit në kuptim të përdorimit të lutjeve ose të citateve nga librat e shenjtë, me qëllim të riorientimit të sjelljes dhe të shprehive të pacientit. Çështja e lutjeve të përbashkëta me pacientin është tejet delikate në psikiatri, sepse psikiatri ka të bëjë me individë të hutuar tek të cilët kufijt e un – it janë fluid dhe të cilët në intervenimet e natyrës fetare mund të reagojnë në mënyrë të paparashikueshme. Megjithatë, lutjet mund të jenë tejet të dobishme në situata të zgjedhura mirë (p.sh., në kohën e stresit akut të precipituar me ngjarje të rëndë, reale, jetësore atëherë kur profesionistët fetar nuk janë afër), ose në rastet kur kemi të bëjmë me pacientë religjioz tek të cilët un-i, ka funksionim të ruajtur dhe të cilët i japin terapeutit përkrahje të plotë për këtë lloj të intervenimeve (Koenig dhe bashkëp., 1996).

Ndikimi i intervenimeve të ndryshme fetare – spirituele të ndërmarra nga ana e profesionistëve fetar ose/dhe personave të ndryshëm me “aftësi” të mbinatyrshme, në procesin e shërimit duhet të jetë temë për diskutim urgjent, fillimisht në mesin e asociacioneve relevante fetare dhe në stadin e dytë ndërmjet tyre dhe asociacioneve profesionale psikiatrike. Dukuria e reklamimit në gazetat ditore, të shërimit të plotë të sëmundjeve më serioze me metoda paramjekësore, ose psh., keqpërdorimi i pacientit skizofren i cili, ende në gjendje të sëmurë, pas “realizimit të konvertimit” nga njëra fe në tjetrën, shfrytëzohet për të shpërndarë literaturë fetare në ambientet e reparteve psikiatrike, paraqesin vetëm dy prej shumë keqpërdorimeve në këtë lëmi.

Këto dukuri paraqesin goditje të rëndë në radhë të parë për bashkësinë fetare të cilës ai “profesionist” ose ai “misionar” i takon, por poashtu edhe për profesionistët e shëndetit mendor të cilëve u vështirësohet angazhimi i mirëfilltë profesional dhe shkencor nëpërmjet krijimit të mosbesimit në masën e gjerë të popullit për shkak të “pa-aftësisë së tyre”.

Siç thash, aktiviteti në këtë drejtim deri më tani plotësisht ka munguar dhe kjo ka rezultuar me anarki të plotë në këtë lëmi. Pasojat e kësaj situate dita më ditë janë duke i përjetuar njerëzit e përvuajtur me vështirësi mendore dhe familjet e tyre të hutuara dhe të lodhura.

Përfundim

Marrëveshja e deritanishme e heshtur në shtetet dikur socialiste, mbi kufirin e pakalueshëm ndërmjet fesë dhe psikiatrisë nuk është treguar e suksesshme dhe në dobi të njerëzve me vështirësi psikike. Ky qëndrim, po paraqitet gjithnjë e më shumë arteficial dhe anakronik.

Është e njohur thënia e Ajnshtajnit se “të pyesësh për kuptimin e jetës do të thotë të jesh religjioz”; vet fakti mbi rritjen e interesimit në botë për çdo gjë fetare dhe shpirtërore, është arsye e mjaftueshme që psikiatri të jetë i informuar me rezultatet e sociologjisë dhe psikologjisë së religjionit, në mënyrë që duke e marr parasysh edhe anën shpirtërore të personalitetit të njeriut, pa të cilin tërësia e njeriut është e paparamendueshme, shërimi i tij të jetë më i suksesshëm,.

Shpresoj se në të ardhmen do të shohim bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet profesionistëve psikiatrik, teologëve dhe personave të tjerë fetar. Duke kuptuar më mirë rolin e fesë në kulturën tonë, psikiatrat kosovar, në të ardhmen duhet të shtojnë ndjeshmërinë ndaj besimit dhe manifestimeve fetare të pacientëve të tyre.

Në vend që të bëjnë gara se kush do të ofrojë më shumë shërbime për njerëzit me çrregullime të shëndetit mendor, profesionistët fetar dhe ata psikiatrik duhet të gjejnë mënyra se si të bashkëpunojnë në mes veti. Për shembull, psikiatrat kanë përvojë dhe dije të nevojshme për t’i diagnostikuar sëmundjet psikiatrike dhe posedojnë aftësi specifike terapeutike për trajtimin e tyre.

Nga ana tjetër shumë nga depresionet e lehta, format mesatare të depresioneve të mëdha, gjendjet e lehta ose mesatarisht të rënda anksioze, gjendjet pas përvojave traumatike si dhe vështirësitë më të lehta të adaptimit dhe të përballimit të situatave stresogjene dhe traumatike jetësore (që përndryshe prekin pjesën më të madhe të popullatës), mund dhe trajtohen mjaft mirë nga ana e profesionistëve fetar në ambientet e tyre të punës.




E Enjte, 22 Mars 2012; 02:57


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats