KËNAQËSIA DHE HIDHËRIMI I ZOTIT

Sipas tyre, kishte qenë shirk të këndohet mevludi, me të cilën i kundërshtojnë dijetarët. Problematikë tjetër është çështja e qëndrimit të Zotit mbi Arsh, me të cilën ata thonë se kush nuk e pranon “Qëndrimin” siç e kuptojnë ato, ka bërë shirk. Ata, ajetet në të cilat thuhet se Zoti është mbi Arsh, i komentojnë shkronjë për shkronje, saqë thuan se Zoti është ulur mbi Arsh, si dhe sipas disave, Arshi ka formë, se Zoti zbret prej saj dhe kërcen në të, I pastër është Zoti nga kjo! Nëse themi se Zoti ka nevojë për Arsh, atëherë ku ishte ulur Zoti kur nuk ishte ende i krijuar Arshi?! Arshi duhet të jetë më i madh se Zoti që Ai të ulet në të, e kjo është cilësi e cila nuk lejohet t`i përshkruhet Zotit. Zotin nuk e përfshin vendi dhe koha, këto janë dy vëllime me të cilët nuk mund të masim Zotin, Zoti ekziston pa vend dhe pa kohë, ashtu ka qenë para se ti krijoj vendin dhe kohën, dhe Ai ende ashtu është edhe pas krijimit të kohës dhe vendit, ende nuk ka as kohë e as vend. Nuk mund ta komentojmë shkronjë për shkronje hadithin i cili thotë se “në pjesën e tretë të natës zbret Zoti në katin e parë të qiellit...”, nëse e komentojmë kështu, atëherë si mund që në Maqedoni kur të jetë pjesa e tretë e natës, Zoti është në katin e parë, por në vendet ku është ditë p.sh. në Amerikë, atje në cilin kat është Zoti?! Pra, nuk komentohet gjërat ashtu siç lexohen. Allahu xh.sh. nuk ka zbritje, Atij nuk i përket ndryshimi, sepse zbritja nga lartë poshtë nënkupton ndryshimin e pozitës, kjo për Allahun është e pa vlefshme, kurse hadithi komentohet duke thënë se zbritja e Allahut të madhëruar në hadith, absolutisht nuk ka të bëj me zbritje çfarë njeriut mund t`i sillet nëpër kokë. Zbritja e Tij është jashtë çdo përngjasimi, e jo se Zoti transferohet prej një vendi në vendin tjetër, pasi vjen në kontradiktë me vetveten, nëse themi se Ai transferohet, ne i përshkruajmë vend e Ai ndryshon gjendje, e kjo është larg Zotit.

Po ashtu, tradicionalistët ekstremist i cekin hadithet muteshabih (të dykuptimta) të cilat edhe vet nuk i kanë kuptuar, siç janë hadithet ku ceket të qeshurit e Zotit me personin i cili i fundit do të hyn në xhenet, mahnitja e Zotit, apo të habitet ku ka hadith ku thotë se Zoti është mahnit (habit) me një sahabij i cili mori te shtëpia e tij një musafir dhe kur filluan të hanë ai i shimi dritat që të ngopet mysafiri, për këtë të nesërmen i Dërguari a.s. i tha se Zoti është mahnit me sjelljen tënde mbrëmë! Këto hadithe nuk kuptohen kështu, është e pamundshme që Zoti të ndjejë dhembje dhe kënaqësi, ngase dhembja nënkupton ndryshimin e gjendjes apo disponimit nga e mira në të keq, ndërsa kënaqësia nënkupton po ashtu ndryshimin e gjendjes apo disponimit nga e keqja në të mirë. Ai që nuk mund të ketë natyrë trupore nuk mund të përjetojë një gjë të tillë. Sikur të ndjente kënaqësi do të duhej të kërkonte diçka me të cilën kënaqet dhe nëse mund të gjente një gjë të tillë, do të ishte i kënaqur përherë e nëse nuk mund të gjente një gjë të tillë, atëherë, përherë do të ishte i pikëlluar nga dhembjet, e kjo është absurde. Raziu thotë: “Kënaqësia dhe dhembja varen nga disponimi dhe një gjë të tillë e përjeton vetëm trupi, ngase është i dobët. Në raste të tilla nuk mohohet shkaku. Nëse kënaqësia është e përhershme do të duhej ta kishte gjetur gjësendin që e ka kënaqur, dhe nxitja për ta gjetur atë ka ekzistuar më parë. Gjetja e gjësendit para krijimit të tij është e pamundshme, e nëse gjësendi është i krijuar, atëherë duhet të jetë pjesë e krijesave”.

Tusi ka thënë: “Kënaqësia dhe dhembja janë fryt i disponimit dhe nuk ka dyshim se nuk mund të aplikohen në Zotin e Madhëruar”. Deklarata e Raziut se nëse kënaqësia është e përhershme, duhet të ketë gjetur gjësendin me të cilin kënaqet, nënkupton se nxitja e kënaqësisë ka ndikuar në gjetjen e gjësendit me të cilin kënaqet dhe kështu ky proces ripërtërihet varësisht nga nxitja e kënaqësisë, ose nxitja e krijimit është e përhershme por nuk ka fuqi krijimi përpos pas ekzistimit të gjësendit me të cilin kënaqet. Nëse vetë nxitësi është krijues, atëherë do të ndodhte e kundërta.

Do të cekim edhe në fjalë të vlefshme të Xhemaludin El Gaznevijut, i cili thotë: “Allahu xh.sh. nuk ka zbritje e as ngritje, nuk ka nevojë, nuk ka epsh, nuk flenë, nuk ka gëzim e as pikëllim, nuk ka kënaqësi e as hidhërim në kuptim të ndryshimit në Qenien e Tij, Ai nuk ka shpresë e as lakmi, nuk ka zili, as han e as pinë, për Të nuk ka qëndrim në këmbë e as ulje apo shtrirje, as ecje as vrapim, nuk qëndron në shpinë e as mbështetur, Ai nuk qesh as nuk buzëqesh, nuk ka të majtë e as të djathtë... sepse të gjitha këto janë prej simptomave të krijesave, ndërsa Ai është i përhershëm, i Pastër nga të gjitha të krijuarat dhe nga të ndryshuarit e Tij prej një gjendje në tjetrën”. Hitabiju thotë: “Të qeshurit i cili përmendet në hadithe është njoftim për kënaqësinë e Tij dhe rezultatin e mirë ndaj robit të Tij, dhe si e tillë është alegori e mirë”. Edhe të qeshurit edhe të hidhëruarit të Zotit nuk janë sikur të qeshurit dhe të hidhëruarit e njeriut. Kur Allahu dëshiron apo hidhërohet, Ai edhe atëherë nuk ndryshon fare gjendjen në Qenien e Tij, sikur që ndryshon njeriu apo krijesat, sepse njeriu është trup dhe materie, e kënaqësia, hidhërimi, qeshja janë veti të materies, e jo të Zotit. Po ashtu edhe hadithi Kudsij ku thotë Allahu, “nëse robi më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke vrapuar”, kuptimi i tij është në kuptim të afërsisë, e jo të kuptohet me vrapimin e njerëzve në gara. Bejhakiu thotë: “Afërsia e Allahut ndaj krijesave është në saje të afërsisë së tyre përmes zbatimit të obligimeve ndaj Tij. Kështu edhe perceptimi i shprehjes vrapim, lajmëron për përshpejtimin e pranimit të veprës e jo vrapimin fizik të Zotit”.

Në ajetet dhe hadithet muteshabih, nuk duhet të lëshohet çdonjëri në komentim, pasi është një fushë e cila është shumë e rëndë si për nga ana e kuptimit, po ashtu edhe nga ana e shpjegimit, prandaj mos u jepet kah ajeteve muteshabih por të lexojmë ajetet konkrete ku Zoti thotë: Asgjë nuk i përngjan Atij”. Për këto ajete, prof. Sejid Kutbi thotë: “Me anë të kësaj metodologjie favorizuese për shfaqjen e domethënies abstrakte përmes binarëve të saj u zhvillua metodika kur`anore, derisa edhe në çështjet më të ndjeshme dhe më delikate të cilat kërkojnë zhveshje dhe pastrim të plotë nga çdo e metë, siç është rasti me ajetet muteshabih, ku rreth këtyre ajeteve u nxit dhe u ngjall një polemikë e rreptë, atëherë kur polemika u shndërrua në mjeshtri kurse fjala në mjet zbukurues...Këto ajete janë metodologji në Kuran për ilustrim, ashtu siç është edhe ilustrimi bazë kryesore në shprehjen Kur`anore”.

Pra, kuptimin e këtyre ajeteve nuk e din askush përpos Allahut, as dijetarët nuk e dinë, e si do ta dinë disa injorantë të cilët nuk mund të dallojnë ajetin prej hadithi, ai ka arritur të komentojë këto tekste!!!

Allahu xh.sh. thotë në Kuran: “Ai është që ta zbriti ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qarta (muteshabih). E ata, që në zemrat etyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos All-llahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: “Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes” (Ali Imran, 7). Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Në qoftë se sheh ata që ndjekin ajetet e paqarta, atëherë njerëz të tillë janë ata që Allahu i ka cilësuar se janë larguar nga e vërteta, kështu që ruhuni prej tyre”. (Sahih Buhari, kitab tefsir, nr.4547). Pra, edhe ne duhet të qëndrojmë larg atyre që i komentojnë këto ajete dhe hadithe, e të cilët i japin cilësi njerëzore Allahut.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme