Shën Mëria dhe Jelen Kapani

Në Ballkanin tonë të bukur që tash e quajnë Europë Juglindore, ka aq shumë ngjarje e fate interesante, që vetëm si të tilla arrijnë ta bëjnë këtë pjesë të botës kaq specifike, e anën tjetër edhe aq të pakuptuar për pjesën tjetër të planetit, veçmas për ato vende që nga perspektiva jonë i quajmë perëndimore. Në këtë udhëkryq të Lindjes me Perëndimin ku janë puqur kultura, ide, pushtete, madje edhe diktatura të ndryshme, që kanë lënë vragë të pashlyeshme në nënqiellin tonë, pa dyshim është edhe ajo që po përpiqem ta sjell në faqet e kësaj gazete përmes këtij teksti.

Duke pritur dikë (ashtu si rëndom ne ballkanasit?!), para disa ditësh po qëndroja para ASHAM (Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë) dhe kur po i vështroja ndërtesat dhe kalimtarët e rastit në atë rrugë, vëmendjen ma tërhoqën kisha e Shën Mërisë që shtrihet në anën e kundërt të Akademisë dhe, në anën time, jo më larg se 50 metra, ndërtesa e re e Gjykatës Themelore 2 të Shkupit. Edhe qielli i kthjellët vjeshtor i mbrëmjeve të hershme në Shkup kishte krijuar po ashtu një pamje interesante: gjysmëhëna e bukur sesi ishte afruar afër kryqit në Vodno që sikur të kishte qenë një fotograf i mirë, do të bënte fotografinë më origjinale nga Shkupi. Sipër tyre qielli i kaltër me një yll të madh, si flamuri i BE-së, ndërsa në të të mbështjellë kryqi dhe hëna. Një pamje idilike për kozmopolitë e artistë. I tillë në ato çaste desha të bëhem edhe unë. “Sikur të kishte pasur fat të tillë Maqedonia”, mendova. “Kryqi e hëna të kishin bashkëjetuar, ndërsa yjet europiane ta stolisnin flamurin tonë”.

Qysh si fëmijë, pak i lazdruar nga kureshtja, dëgjoja të flitet se një ndërtesë në qendër të Shkupit assesi të ndërtohet. I thyhen xhamat thoshin, dëgjohen zhurma, sepse shpirti i xhamisë që e kanë prishur për ta bërë atë ndërtesë nuk lejon që mbi të të ndërtohet diçka e tillë. Kështu në vargun e shumë miteve e përrallave që e mbanin gjallë imagjinatën time, qëndronte edhe ky rrëfim që nuk ishte vetëm i imi: ai e ushqente shpresën e përvuajtur të myslimanëve të Shkupit se megjithatë xhamia e Jelen Kapanit do të vetëmbrohet dhe do të rikthehet aty ku ka qenë. Megjithatë mbi të tashmë ishin hedhur themelet e një ndërtese tjetër që pretendonte ta ndajë drejtësinë.

Ashtu si rritesha unë, rriteshin edhe katet e asaj ndërtese, ndërsa te unë edhe më shtohej interesimi të di më shumë për atë tempull fatkeq. Kështu, duke lexuar për fatin e asaj xhamie, kuptova se në atë pjesë të qytetit, në brigjet e Vardarit, dikur kishte ekzistuar edhe një tempull tjetër me po atë fat, por me frymë të krishterë. Përveç xhamisë, përballë saj, në jo më shumë se njëqind metra, emrin e Zotit e kishte madhëruar edhe kisha e Shën Mërisë, e cila po ashtu duke qenë viktimë e kohës së kuqe dhe e dhëmbit të kohës, po ashtu ishte rrafshuar me tokë. Fat i njëjtë për tempuj thuajse të njëjtë që tash i ndante vetëm bulevardi i gjerë dhe një lumë paragjykimesh. Megjithatë kjo ndarje ndonjëherë edhe mund të jetë me fat – mundëson që së paku diçka të shpëtohet.

Duke u rënë gjurmëve të atyre dy tempujve, kuptova se xhamia e Jelen Kapanit kishte funksionuar deri vonë, madje deri pas tërmetit të madh të ’63-tës, kur pjesërisht ishte prishur, por më vonë, kah viti 1965, pushteti me politikën e bashkim-vëllazërimit e kishte ndaluar përfundimisht jehonën e ezanit të saj. Fat të tillë ose të ngjashëm kishte përjetuar edhe Shën Mëria në anën tjetër të bulevardit. Vardari me vite rridhte vetën, pa ezanin e Jelen Kapanit dhe kambanën e Shën Mërisë. Por, koha kalonte, ndërroheshin gjenerata, ndryshonin ngjyrat, e kuqja u bë e kaltër, erdhën kohë të tjera dhe u krijuan kushte që tempujt e Zotit prapë të ktheheshin aty ku kanë qenë. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Mbi themelet e Jelen Kapanit tashmë ishte ndërtuar ndërtesa e re e Gjykatës Themelore 2, ajo ndërtesa misterioze për të cilën myslimanët shkupjanë besonin se nuk do të mund të ndërtohej. Mbi themelet e një padrejtësie të madhe u ndërtua një objekt që do të synonte të ndante drejtësinë duke qëndruar mbi të padrejtën. Paradoks tipik ballkanik. Duke shkelur mbi të drejtën hyjnore, me dhunë vendosin të drejtën e njerëzve. E pastaj flasim për reforma në gjyqësi, bëjmë ankesa se gjyqësia është e korruptuar, se mungon shteti juridik, ndërsa pas gjithë kësaj pretendojmë të bëhemi pjesë e drejtësisë europiane. Kush do ta ndajë drejtësinë – i padrejti?! Mjerë të pandehurit! Ndoshta pikërisht për këtë mallkim Maqedonia qëndron kah fundi i listës së vendeve më të korruptuara dhe si duket nuk po gjen shpëtim prej saj. Ndoshta është ky dënim prej Zotit sepse kemi shkelur në të drejtën e tij të shenjtë.

Në anën tjetër (të rrugës dhe të qasjes sonë), shteti, institucionet e këtij shteti, duke lozur rolin për dikë nënë për dikë njerkë, mundësuan që ana tjetër e rrugës të rikthehet si ka qenë, prapë jehona e kambanës të jehojë. Kështu para një kohe me lejen e Qytetit të Shkupit, me ndihmën e besimtarëve dhe me bekimin e KOM-it, u rindërtua kisha e Shën Mërisë. Tash ajo është në shërbim të të krishterëve të qytetit. Tash është mundësuar që këta besimtarë të mblidhen po si dikur pranë Vardarit dhe ta madhërojnë emrin e Zotit, mbase me brengë në zemër se kambanat e tyre nuk do t’i shoqërojë edhe ezani i Jelen Kapanit. Para një viti me mall të pashuar ndërroi jetë edhe njëri ndër imamët e fundit të Jelen Kapanit, hfz. Idriz ef. Idrizi, me çka u shua edhe një shpresë se Jelen Kapani do të mund t’i bashkëngjitet Shën Mërisë. Përfundimisht bregu i Vardarit do të mbetet vetëm me Shën Mërinë, normalisht i shoqëruar nga një varg institucionesh “të drejtësisë”, të cilat të mallkuara nga shpirti i Jelen Kapanit kurrë nuk do të arrijnë të jenë të drejta, sepse themelet e tyre janë mbi të padrejtën. Se Jelen Kapani nuk është më dhe gjithçka rreth kësaj xhamie po harrohet.

Unë edhe më po qëndroja ndërmjet atyre dy historive dhe fateve, kur në qiell tashmë ylli dhe gjysmëhëna ishin larguar shumë nga kryqi, ashtu që në qiellin e kthjellët e të ftohtë të asaj mbrëmje vjeshte në Shkup kishte mbetur i vetmuar vetëm kryqi. Dhe në tokë, aty ku isha unë, vetëm kisha e Shën Mërisë dhe Gjykata Themelore 2. Mungonte Jelen Kapani.

Fatkeqësisht!

p.s. Që të mos duket se flas me yjet, po i cek edhe dy gjëra: e para, tash po bëhen më shumë se katër vjet qëkur mihrabi i Urës së Gurit është rrënuar dhe nuk po kthehet në vendin e tij dhe, e dyta, këto ditë Ministria e Kulturës prezantoi projektin e ri për rikthimin e Pallatit të Oficerëve në sheshin e qytetit, pallat ky që aty nuk ka qenë më shumë se 40 vjet, ndërsa ka qenë i ndërtuar mbi themelet e Burmali Xhamisë që aty ka qenë më shumë 400 vjet. Aq kësaj radhe.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme