Kur nga horizontet e reja fryn pesimizëm

Që nga koha e piramidave e deri më sot gjithçka ndryshoi përveçse karakteri i njeriut mohues jo. Karakter i poshtër. Shpiri i njeriut vdiq mu atë ditë kur mohoi Zotin. E, moral pa Zot nuk ka. Njeriu sot është kafshë, e sofistikuar por e pamoralshme. Përndryshe, si mund të shpjegohet ajo që sot “njeriu” po bën gjatë konfliktit me “njeriun” tjetër. Egërsirë!
Sot i pasuri vjedh të varfrin, fajtori gjykon të dëmtuarin, nipi i fisnikut është rob i birit të robëreshës. E pse jo! Burrëria tani matet me para e jo me ndershmëri kurse bujaria e trimëria jo në forcën e muskujve por me aftësinë e mashtrimit. Prandaj, ai që ka duhet të ketë edhe më shumë e ai që s’ka le të vdesë. Ky është evolucioni i Darvinit, egërsira më e fortë do të mbijetojë. Patën thënë që njeriu është kafshë inteligjente por s’besoj se kafshët do të lejonin që njeriu të mbajë këtë epitet. Ato janë të pastra nga degjenerimi i njeriut modern.
Demokracitë po prodhojnë pushtetarë që në emër të sajë po shkatërrojnë gjithçka që ju del përpara për të arritur qëllimin e tyre. E pse jo, kur në demokraci nuk fiton e drejta por shumica, shumica e mashtruar, e dezinformuar, e çorientuar dhe e çoroditur dhe shpesh injorante, por e gatshme të aprovojë dhe mbështesë atë që të zgjedhurit e tyre e bëjnë në emër të demokracisë dhe me bekimin e tyre.
Millosheviqi nuk pat ra nga qielli por demokracia ja dhe pushtetin së bashku me gjithë makinerinë shkatërruese të njerëzimit. Edhe Hitlerin e pat zgjedh dhe mbështet një popull. Demokracia hodhi bombën atomike në Hiroshimë. Ajo e luftoi me vite të tëra Vietnamin. Në emër të sajë ende vazhdon lufta në Irak. Demokracia i pruri në pushtet Zionistet dhe Ariel Sharonin sikurse edhe Hamasin. Demokracitë moderne po duan të zhdukin nga harta Kashmirin dhe Çeçeninë. Dhe, ato më tradicionalet sollën në pushtet ata që çmojnë më shumë naftën se sa gjakun. Prandaj, lot dhe gjak në të gjithë anët e planetit Tokë.
Bukë dhe bomba në të njëjtën pako, duket qesharake dhe absurde por aq është edhe e vërtetë, në fakt, është kulmi i humanizmit bashkëkohorë. Është e pamoralshme që njeriu të vritet i uritur. Së pari atë duhet ngopur, të paktën syrin e tij, para se të ekzekutohet. Shpesh, gjatë luftës në Afganistan, vendasit gabimisht gëzoheshin kur nga qielli binin pakot me bomba dhe gabimisht frikësoheshin kur po nga i njëjti qiell binin pakot me bukë.
Një ditë takova një djalë të ri nga Perëndimi, i shkathtë dhe entuziast, synonte të punojë ne të ardhmen e afërt në departamentin e shtetit (në qeveri). Me zell po më bindte se vendi i tij po e ndihmon Libanin me ushqime (gjatë luftës së fundit Izrael Liban) por as nuk tentoi të mohoj faktin që po ai vend vazhdimisht po e pajis Izraelin me armë.
Dhe në fund do i sjellin paqeruajtësit. Të vendosin lirinë dhe demokracinë. Të sigurojnë të drejtat dhe ligjin. Mizorët që e derdhën gjakun tani duan ta lajnë nga rrugët. Ata që i mbushën varrezat tani duan të vejnë lule në to. Duan që të bëjmë sikur nuk ndodhi gjë! Na mësojnë sikur tani ujqërit dhe qengjat mund të flejn bashkë në një kope, të quajtur demokraci. Paqeruajtësit gjakatarë! A thua historia mund të lejoj që Srebernica të harrohet, kur paqeruajtësit ja dorëzuan agresorit të gjykoj mbi të. Mbase edhe po! Historinë e shkruan njeriu, e radhë herë ai është i drejtë.
Dikur flitej se do vinë alienët (jashtëtokësorët) të shkatërrojnë botën. Sot është e qartë se njeriu është ai që do e shkatërrojë. E pse jo, kur e keqja sundon. Kur njeriu mohoi Zotin ai shpirtin ja shiti djallit. Prandaj duhet shndërruar Tokën në Ferr! Në zjarr! Në lot dhe gjak! Tani, njëherë e përgjithmonë thyhet miti që djalli ka brirë. Jo. Ai ka fytyrën e njeriut modern.
Në një çast gjithçka duket e kotë.
Historia vazhdon, vijnë kohëra të reja, popujt ndryshojnë dhe ideologjitë bien, e vetëm Zoti dhe besimi në Të ngelin përgjithmonë që të ja japin kuptimin jetës në këtë botë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme