Liria Turke në Greqi

E di mjaft mirë që është e vështirë… Po ta kisha në xhep Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte pak më e thjeshtë t’ju mbushja mendjen se kjo teza ime është e vetmja dhe e duhura për të shmangur shpërbërjen e Europës së Bashkuar, zgjidhjen e krizës financiare, jetëgjatësinë e NATO-s dhe fundin e konflikteve në Lindjen e Mesme.

E di mjaft mirë që është e vështirë për ju… Të besoni, në këtë kaos, se vetëm Greqia mund t’ia dalë të ndërtojë një rend të ri botëror… Një rend të ri, i cili do të ishte fillimi i fshirjes së njollave të zeza nga gjithë historia e shkruar e njerëzimit me gjithsej vetëm 230 vite paqe në të.

Pra, çelësi është Greqia dhe dera e parë për t’u hapur është Turqia. Dhe nuk është utopi … Nëse Greqia nis projektin e monedhës së përbashkët me Turqinë dhe më pas me të gjitha vendet e Lindjes, gjithkund ku përdorej në paqe Dhrahmija apo Dirhem siç njihet ndryshe…

Ekonomistët e sotëm ndoshta nuk e dinë, por Dhrahmija ishte monedha e “bekuar e Zotit”, me përdorimin më të gjatë, si asnjë tjetër, për gati 2000 vite, pa asnjë ndërprerje. Më e hershme se vetë Perandoria Bizantine, më e suksesshme se çdo monedhë tjetër edhe pas ardhjes së Islamit. E përdorur në vendet arabe, në Iran, Izrael, Armeni, madje e përdorur deri në ditët e fundit të Perandorisë Otomane, dhe më e çuditshmja është se asnjë popull që e përdori nuk u zhduk nga harta.

Ky përdorim dhe bindje ndaj Dhrahmisë, në gjithë këto vende ishte reflektim i drejtpërdrejtë i mësimeve të globalistit të parë jo profet, Aleksandërit të Madh dhe më pas të Jezu Krishtit, i cili e ndaloi rreptësisht konvertimin e një monedhe në një tjetër.

Greqia në vitin 2000 mori vendim të heqë dorë nga Dhrahmija dhe ‘të vërë dorë’ mbi Euro-n. Ajo ish dita e mallkimit të Zotit, jo vetëm mbi Greqinë, por mbi të gjithë ne: ish prelud i këtij realiteti gllabërues që na ka ngërthyer sot. Fill pas këtij vendimi, ndodhën sulmet e 11 Shtatorit… Luftërat, trazirat, kriza e ushqimeve madje edhe fatkeqësi natyrore të paimagjinuara. Dhe e gjithë kjo, nuk ishte rastësi… E pra, as shkenca, as politika, bile as ekonomia nuk po i shpjegon dot. Në fakt, ishte një mallkim, ashtu sikundër nuk ka tjetër shpjegim, veçse Zoti ia shpërbleu Armenisë sapo kaloi nga rubla në drama pasi ia pushoi luftën me Azerbajxhanin; Emirateve të Bashkuara u dha një zhvillim të pakrahasueshëm dhe pranvera arabe nuk ‘e flladiti’ aspak Marokun që përdor ende Dirhem-in.

E pra, çfarë duhet të bëjnë greket e sotëm? Po shteti i tyre…?

Ata trashëgojnë një pasuri të vyer ndaj duhet të mbajnë përgjegjësi historike ndaj Dirhem-it, ndaj asaj monedhe që ish shtrirë në tre kontinente, që i paqtoi e i mbrothësoi ato vise ndër shekuj, që europianistët, sot e 30 vjet, po përpiqen ta ringjallin shëmbëlltyrën e saj tek Euro. E pra: tregjet greke duhet të njihen me Lirën turke dhe ta përdorin atë bashkë me Euron, për një periudhë 10-vjeçare, të paktën derisa të dalin me të njëjtën monedhë. Kështu, vetiu së bashku, do të hedhin hapat e munguar ndër dekada. Një hap i tillë, e shpëton shpërbërjen e Bashkimit Europian, pasi Brukseli do ndërgjegjësohej kësisoj mbi rrezikshmërinë e kapitalit të vet nacionalist, shkak ky i të dy luftërave botërore.

Të menduarit konkret për Dhrahminë apo thënë ndryshe Dirhem-in, do të ngjallte entuziazmin e munguar të tregjeve europiane dhe Greqia do të bëhej pikë takimi i dikurshëm i lakmisë së Perëndimit për tregjet e Lindjes dhe i besimit të Lindjes e Veriut të Afrikës te kjo tokë e premtuar e demokracisë. Kështu, të gjithë do e ndjenim me pranë ‘pranverën’ e dikurshme të demokracisë Greke…

Diskutimi për monedhën e përbashkët greko-turke, do të çarmatoste të dy brigjet e Egjeut, madje së bashku mund ta nisnin andej nga e kanë blerë armatimin, duke paguar kështu një pjesë të borxhit që kanë akumuluar. Ky diskutim i gjerë e mbarë rajonal do të shuajë konfliktet në Lindjen e Mesme, do të rivendosë harmoninë. Nëse të gjitha vendet arabe, Irani, Turqia, Izraeli, Greqia e Palestina do të kenë një monedhë të përbashkët, do të binden më lehtë se edhe Zoti është i përbashkët.

E kështu do të jetë, sepse themelet e monedhës së përbashkët, Dhrahmisë apo ndryshe Dirhem-it, janë në historinë e largët dhe afër. Ato sot thjesht janë zënë nën rrënojat e injorimit dhe mospërfilljes së fakteve, thjesht kërkojnë nga ne mençurinë e rigjetjes së shtigjeve të dikurshme të begatisë e të paqes.

Drejtuesit e vendit grek, bëjnë mirë ta shohin shpëtimin e vendit duke parë edhe nga Lindja, qoftë edhe me një sy. Një shikim i drejtë, do t’ia drejtonte kurrizin edhe z.Erdogan dhe t’i tregonte se nuk luftohen mushkonjat e moçalishtes së Asadit tek për tek, por duke e tharë atë me monedhën e përbashkët…

Pas luftës turko-greke, komandanti i ushtrisë, Venizelos, propozoi emrin e Ataturkut, për Çmimin Nobel të paqes… Por,  nuk ia dhanë…

… Po sikur Venizelosi i tanishëm, pas kësaj teze që po parashtroj, të propozojë emrin tim për këtë çmim…! Mendoni: me një faqe të marrësh Nobelin…! Me një faqe të fillojmë të fshijmë njollat e turpit të historisë aspak njerëzore, që vetëm për 230 vite njohu paqen… Me një faqe të shpëtuar nga zjarri i luftërave, të shpëtojmë nga luftërat!  Një ëndërr e bukur gjithsesi…

*Qytetar turk me origjinë shqiptare. Shkrimtar, aktivist për të drejtat e fëmijëve.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme