Mister Xhefri, Shqipërinë po e shkatërrojnë politika dhe diplomacia

Letër brenda Shqipërisë

I nderuar zotëri ambasador,

Si qytetar i vendit ku ju jeni akredituar për të kryer një mision diplomatik në emër të hiperfuqisë së sotme botërore, SHBA, i ndjek me vemendjen më të madhe të gjitha veprimet e deklaratat tuaja që kanë të bëjën me këtë vend, pra atdheun tim të vogël. Kam edhe arsye më specifike që të bëj një gjë të tillë sepse edhe profesioni im kryesor është i njëjtë me tuajin, diplomacia. Kam pasur edhe rastin e lumtur të jetëoj disa vite (1977-82) në vendin tuaj, në Nju Jork, pasi shteti im më kishte nderuar me detyrën e përfaqësuesit të përhershmë dhe fuqiplot të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
I ndjek qëndrimet e diplomacisë amerikane në Shqipëri dhe politikën amerikane në botë edhe për asrye të angazhimevet të mia në fushën e politikës e të mendimit politik në Shqipëri. Në këtë veprimtari orientimi im parësor është, siç kuptohet, vëzhgimi i marrëdhenieve ndërkombëtare, analiza e ngjarjeve në apsketin juridiko-ndërkombëtar. Por, e gjitha kjo për të shërbyer kryesisht në trajtimin e problemeve të shumta me të cila përballen shteti dhe kombi shqiptar sot.
Në po kët gazetë kur po botoj këtë letër publike kam shkruar në vitet e mëparshme edhe shkrime të tjera lidhur me veprimtarinë e parardhësve tuaj në postin që mbani. Deri në vitin 1993, kur isha deputet në parlamentin shqiptar kam pasur raste të shprehem sniqerisht edhe në biseda me funksionarë të ambasadës që ju drejtonin tani. Kam pasur kënaqësinë që mendimet e mia, t’i bëj të ditura edhe në Departmanetin e Shtetit në qershor të vitit 1991. Në mënyrë të veçantë në atë takim të rëndësishëm për mua, kur merrinin pjesë edhe personalitete të rëndësishme të politikës e kulturës shqiptare nga Shqipëria, Kosova e lobi shqiptar në SHBA, me vetëdije i kam lejuar vetes “pakujdesinë” të theksoja se “ çështja e Kosovës nuk ishte çështje e të drejtave të njeiut, por një çështje kombëtare e pazgjidhur dhe një çështje shkolonizimi”. Gjithashtu me vetëdije të plotë për rreziqet e humbjes së vemendies nga diplamoacia që ju përfaqësoni i kam lejuar vetes edhe “pakujdesinë” që në ambasadën e SHBA, këtu në Tiranë, të parashtroja shqetësimet e mia për rreziqet që do t’i vinin Shqipërisë nga një përparim galopant dhe i ndikimit grek në Shqipëri, për shkak të një tolerance fajtore të e pushtetit të Berishës e të Meksit.
Po kështu, i vetëdishëm për rrezikun se do të bëhesha i padëshiruar në shumë mjedise të diplomacisë perëndimore, i kam lejuar vetes “pakujdesinë”, që në cilësinë e kryetarit të një delegacioni shqiptar në NATO, në vitin 1992 të paralajmëroja se pa ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare në Bosnie dhe sidomos në Kosovë nuk frenohej agresioni serb dhe se pa e futur çështjen shqiptare në rrugën e zgjidhjes së saj të plotë me etapa , duke pasur si etapë të zgjidhjes përfundimtare bashkimin e kombit shqiptar, nuk mund të krijohej stabiliteti i vërtetë në Ballkan.
Tani e ndiej veten shumë të lehtësuar para ndërgjegjes sime që kam vepruar kështu dhe nuk jam kujdesur, si shumë të tjerë, që të mendoja, shprehesha e sillesha në atë mënyrë që mund të më kishte siguruar me tepër “begenisje” e “aktivizim” nga ndërkombëtarët në politikën shqiptare. Mendoj se zhvillimet e një 10 vjeçari i kanë përligjur më së miri motivet nga të cila jam nisur unë dhe shpërblimi moral që marr nga zhvillimet fatlume për shqiptarët në Kosovë dhe nga ndodhitë fatkeqe për shqiptarët në marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk me nxjerrin as të gabuar, as të dështuar në mendimin e qëndrimin tim politik. I paraqita këto episode shkurtimisht jo për ndonjë vetmburrje se me kohë kam qenë i vetëdishëm që mendimet “heretike” për diplomacinë ndërkombëtare të vëne në radhët e të papranueshmëve të saj. I paraqita vetëm për të theksuar se edhe tani kur përpiloj përmbajtjen kësaj “letre” synoj një ripohim të shqetësimeve që ndiej si shqiptar kur problemet e mprehta të vendit tim ende trajtohen nga diplomacia ndërkombëtare në kënvështrim të paqartë. Dikush duhet ta bëjë këtë. Në këtë vazhdë po shpreh disa mendime që nuk përkojnë plotësisht me pikëpamjen dhe porosinë tuaj të para pak ditëve se : “Shqipërinë poe shkatërrojnë kriminelët”.
Pothuajse të gjitha të përditshmet e Tiranës më datën 13 shkurt 2003, pra në vigjilje të ditës së hareshme të Shën Valentinit, kishin një titull të madh sensacional të përbashkët “ Ambasadori amerikan Xhefri : Kriminelët po shkatërrojnë Shqipërinë”. Gazeta qeveritare “ZP” me shkronja më të mëdha se gjithë gazetat tjera kishte mbushur gati tërë faqen e parë me fjalët “Ambasadori i SHBA prokurorëve: Kriminelët po shkatërrojnë vendin tuaj”. Dukej qartë se qeveria nëpërmjet “ZP’ donte të lante duart si Pons Pilati dhe përgjegjëisnë për kriminalitetin në Shqipëri ta linte vetëm të kurriz të prokurorëvet. Ky titull ishte nxjerrë nga fjala Juaj në një seminar të organizmave shqiptare të ngarkuara me luftën kundër krimit. Ky seminar drejtohej nga ekspertë europianë dhe amerikanë. Pra, fatmirëisht ky seminar nuk ishte një mbledhje punë krejtëisht shqiptare që unë, si tepër i ndjeshëm për veprimet diplomatike që nuk përputhen me funsionet e diplomatëve të huaj të akredituar nnë Shqipëri, të bezdisesha që direktivat shumë të rëndësishme i dhatë Ju, një përfqësues diplomatik, që si funksion ka kryeisht të vëzhgojë në vendin ku është akredituar dhe të informojë vendin që e ka akredituar. Madje tashmë unë mund të pohoj se si gjithë shqiptarët tjerë jo vetëm jam mësuar, po edhe gëzohem që përfaqësuesit diplomatikë të SHBA janë më shumë se vëzhgues në politikën e brendshme të Shqipërisë, janë edhe protagonistë të zhvillimeve të brendshme politike krahas diplomacisë “sui generis” të mekanizmave europiane dhe euro-atlantike.
Në këtë vështrim më duken të mirëseardhura e shumë miqësore edhe vlerësimet Tuaja se “Shqipërinë po e shkatërrojnë kriminelët”, edhe porositë Tuaja se “prokurorët duhet të jenë më agresivë në goditjen krimit në Shqipëri, gjykatësit duhet të jenë më të rreptë, policët më të fuqishëm ( jo më të ashpër se pastaj bëhen pjesë e krimit AB) dhe të gjithë sëbashku duhet të jenë m ëprofesionistë”.
Në fjalën Tuaj ( sipas njoftimeve në shtyp) Ju, zotëri ambasador, paskeni përmendur ndihmën që jep bashkësia ndërkombëtare në luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri dhe me ton qortues u jeni drejtuar zbateusve shqiptarë të ligjit: “ Ne presim që ju të përgjigjeni në të njëtën mënyrë dhe në një fjalë: dënime”. Mbresën më ta madhe mua, si qytetar dhe si jurist, ma bëri përcaktimi i tri hallkave të mekanizmit të luftës kundër kriminaletetit, duke filluar me qeverinë e dhe policinë. Fjalët Tuaja duhet të mirëpriten me mirënjohje nga të gjithë shqiptarët, por jo me atë servilizmin politik siç vumë re menjëherë në vlerësimet që bënë nga ana e PD-së, Sali Berisha, apo Besnik Mustafaj. Kënaqësinë e Berishës për deklaratën Tuja gazeta “Panorama” e ka njoftuar me një titull që të krijon shije të keqe“”Berisha :ambasadori i SHBA ka të njëjtin mendim me mua”. Pra, lideri i PD-së po kërkonte një medalje për vete pas një konstatimit Tuaj për gjendjen e rëndë në Shqipëri.
Por fjala Juaj, zotëri ambasador, kur kërkoni “dënime më të rënda, agresivitet në luftën kundër krimit” shumë shqiptarëve mund t’u krijojë dhe një gjendje të rënduar shpirtërore. Mendimtari i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri, thoshte “Çthurja morale e një kombi kuptohet nga sa janë dënimet e caktuara në ligjet e tij. Sepse janë fajet e rënda që nevojitin dënime të rënda”. Pra, krminaliteti në Shqipëri nuk mund të merret si shkak, por si pasojë e disa shkaqeve të tjera dhe si pasqyrë e një çuthrjeje morale. Unë nuk do të pajtohesha me formulimin “Kriminaliteti po shkatërron Shqipërinë” dhe do të më dukej më e saktë të thuhej se “kriminaliteti zbulon shëmtueshëm shkatërrimin e Shqipërisë”.
Ky shkatërrim para se të jetë kriminal është moral dhe para se të jetë moral është politik, sipas mendimit tim. Prandaj e quaj me rëndësi faktin që Ju theksoni se luftën kundër kriminalitetit, domethënë kundër shfaqjes më të shëmtuar të shkatërrimit moral e politik, duhet ta kërkojmë fillimisht nga qeveria, policia, pastaj nga prokuroria dhe gjykatat. Kështu që më duket më e arsyeshme dhe më dobiprurëse që shkaqet e shkatërrimit të Shqipërisë t’i kërkojmë në radhë të parë tek politika, e sidmos tek politika qeverisëse, sepse edhe qeveritarët e dinë madje e thonë vet me krenari se të bësh politikë do të thotë të qeverisësh dhe anasjelltas. Shqipërinë po e shkatërron politika. Asnjë vend, asnjë shtet, madje as një shoqëri nuk është shkatërruar nga krminaliteti. Shkatërrimet kanë ardhur nga politika, se ajo ia hap ose ia shtron rrugën kriminalitetit masiv, shkatërrues, jashtë përmasave të një kriminlaiteti të pashmangshëm që ekziston në çdo shoqëri..
Gjatë kohës që kam jetuar në SHBA si të gjithë të tjerët kam mundur të marr vesh diçka edhe për kriminalitetin mjaft të lart në vendin Tuaj, zotëri ambasador. Për mua atëherë ishte një dukuri e llahtarshme e papërfytyrueshme ajo e “serial killer-it” ( autor shuëm vrasjesh) të mbiquajtur “Son of Sam” ( biri i Semit) më të cilin merrej për javë të tëra gazeta “Nju Jork Tajms”. Ky vrasës i shumë vajzave ishte bërë tmerri i të gjita biondineve të Nju Jorkut, aq sa flokëverdhat duhej të ngjyrosnin leshrat që të ruheshin prej tij. Dhe kur vrasësi u kap ai me qetësi shpjegoi se një person i vdekur ia jepte urdhërin për të vrarë dhe këto urdhëra jepeshin nëpërmjet qenit të komshiut. Tani edhe në Shqipëri flitet për “serial kille-ra”, madje për dukurinë shumë ngjerthëse “të vrasësve me pagesë” që ëxhtë diçka shumë më tmerrëshme se “vrasjet për psikopati”. Për mua ka qenë gjithashtu rërnqethëse kur lexoja historitë e vetrvasjes masive të 1000 fanatikëve fetarë nga SHBA, të dërguar nga shefi i sektit të tyre në pyjet e Guajanës. Tani disa sekte të çuditshme po përpiqen të përhapin praktika të rrezikshme në Shqipëri.
Në pranverën e vitit 1981 nga qeveritarët e atëhershëm të Tiranës Misionit të Shqipërisë në OKB iu dha detyra mjaft absurde për të bërë disa studime për kriminlaitetin në SHBA. Për të kryer këtë detyrë u detyruam të lexonin materialet që mundëm. Më ka mbetur në mendje nga ajo kohë se ekspertët amerikanë për të çarmatosur Nju Jorkun, ku mbaheshin sasi të mëdha armësh pa leje, kishin propozuar blerjen e armëve nga policia nëpërmjet agjentësh të fshehtë të saj. Dhe po ekspertët amerikanë theksonin se duheshin 2000 vite për ta bërë këtë çarmatim, me kusht që të mos shtoheshin armët në qarkullim. Por shpejt u kuptua se me këtë metodë inkurajohej tregtia ilegale e armëve dhe policia bëhej bashkëfajtore.
Nuk ma merrte mendja atëherë se në Shqipëri do të reklamoheshin një ditë nga mekanizmat e e OKB -së, projekte të ngjashme për të blerë armët nga ata që i rrëmbyen në vitin 1997. U bë zhurmë ca kohë dhe është harruar kjo punë tani. Armë ka sa të duash në duart e shqiptarëve. Duket ajo blerja e armëve u sajua vetëm sa për të harxhuar disa fonde ndërkombëtare dhe për të shpërblyer disa që kishin kontribuar në grabitjen e depove ushtarake gjatë vitit 1997. Nëpërmjet këtyre mendimeve desha vetëm të them se po të ishte që një vend e shkatërron shkalla e lart elriminalitetit dhe armatosja e popullsisë civile, atëherë edhe SHBA mund të ishin shkatëruar, sepse mbajtaj e armës madje edhe dhuna me armë është pjesë e kulturës amerikane dhe e propagandës amerikane. Por, SHBA janë shumë të fuqishme. Kjo për mendimin tim ndodh se në SHBA është bërë politikë për ta fuqizuar vendin dhe jo për ta shkatërruar atë. Kurse në Shqipëris për fat të keq tani që Ju tmerroheni nga shkalla e lart e kriminalitetit bëhet politikë për të shkatërruar vendin. Kjo politikë, zotëri ambasador, bëhet në të gjitha nivelet e të gjitha mjediset, në qeverisje e në opozitë, në shtyp e në mjedise intelektuale, në partira politike dhe organizata jo qeveritare.
Kriminalitetin në një shoqëri të qytetëruar mund ta frenojnë ( jo ta zhdukin se kjo është utopi) morali dhe ligji i mirë të zbatuar mirë e rreptëisht. Prishja e moralit do të zbehte fuqinë e dobinë e ligjit të mirë e të zbatuar me drejtësi. Ligji i keq ose ligji i zbatuar keq do të dobësonte ndikimin e dobishëm të moralit të mirë. Kur kalbëzimi prek ligjin e moralin atëherë pasojat janë shmë më të rënda. Që të mos ndodhin këto e të mos krijohet shtrat i ngohtë dhe llum i thellë për kriminlaitetin duhet të ngrihet në larëtsinë e duhur veprimtaria e organizuar drejtuese në shqëri që përfshihet në atë që do ta quanim politikë në kuptimin e gjërë të fjalës. Po kur kalbëzohet kjo veprimtari atëherë vendi , shteti, shoqëria shkojnë drejt prishjes dhe kriminaliteti fuqsozohet edhe si shafqje e mjerimit edhe si faktor i mjerimit të mëtejshëm.
Kriminlaiteti i rritur tej mase që ne vërejmë sot në Shqipëri është shenja më alarmante e mjerimit tonë dhe po e shton përditë mjerimin tonë. Veçse rënjët e të keqes duhet kërkuar në radhë të parë tek politika. Në kohën e diktaturës komuniste, për të cilën shprehin nostalgji shumë shqiptarë tani të paktën në aspketin e luftës kundër kriminalitetit, Shqipëria kishte shtet që luftën kundër krimit e bënte me më shumë efektivitet se sot. Por, Shqipëria atëherë nuk kishte shoqëri në kuptimin e shoqërisë civile, kishte shoqërinë kazermës. Pas vitit 1990 Shqipëria filloi t’i gëzohet krijimit të ngadalshëm e të dhimbshëm të shoqërisë civile, por njëkohëisht pa shkërmoqjen e shtetit,aq sa në vitin 1997 kaloi në “shoqërinë e rrëmujës pa shtet”. Kriminaliteti kupotohet hyri në “periudhën e tij të artë”.
Nëse do të kërkonim shkaqet e brendshme të përhapjes së kriminalitetit në Shqipëri në radhë të parë do të duhej të mbanim parasysh vështirësitë dhe gabimet fatale në ndërtimin e shtetit, krahas shoqërisë në vitet e qeverisjes nga PD-ja dhe sidmos rrëmujën në shoqëri dhe zhdukjen shtetit që solli rebelimi i revanshizmit komunist në vitin 1997. Të dyja këto të këqja madhore janë rrjedhoja të tmerreshme të gabimeve dhe të fajeve të politikës shqiptare. Janë politikanët shqiptarë që lejuan e krijuan këtë gjendje për paaftësinë e tyre, ose për qëllimet e tyre të mbrapshta. Prandaj, para se të themi se Shqipërinë po e shkatërron kriminaliteti, duhet të themi se atë po e shkatërron politika. Para se të themi se Shqipërinë po e shkatërrojnë kriminelët, duhet të themi se atë po e rrënojnë politikanët. Sado që kriimi dhe politika tashmë janë ndërthurur shumë dhe vendi mund të quhet se kontrollohet nga një bandokraci, përsëri është politika që komandon dhe kriminalitetin.
Këtë na e dëshmojnë sidomos zhvillimet nga viti 1997. Shtetin e shkatërruan bandat, por shkatërrimin e planifikoi politika. Pushtetin e rrëmbyen bandat, por atyre ua rrëmbyen politikanët. Ishin bandat që vranë dhe politikanët që nxitën. Pataj ishin bandat që u vranë midis tyre dhe politiknanët që zunë kolltuqet dhe ndanë pushtetin. Ishin përsëri politikanët që shpërblyen bandat e pastaj ndëshkuan disa prej tyre. Ishin politikanët që futën njerëzit e inkriminuar në pushtet e administratë për shpërblim dhe për t’i përdorur në aparatin e shtetit. Ishin politikanët që bënë ligje dhe veprime që u lanë shesh të lirë forcave të krimit deri tani, që ia hapën rrugën korrupsionit. Me politikë të korruptuar dhe të inkriminuar nuk bëhet as pushtet gjyqësor i saktë, as luftë e saktë kundër kriminalitetit. Thirrjet për luftë të ashpër kundër kriminlaitetit në këto kushte ose do të jehojnë si zëra në shkretëtirë, ose do të detyrojnë politikën e prishur deri në palcë të bëhet edhe më rrufjane se deri tani. Kriminaliteti në çdo rast do ta ketë të bollshëm shtratin që i duhet.
Po pse vallë politika të jetë e tillë në Shqipëri? Sepse janë politika dhe diplomacia ndërkombëtare që kanë dashur të krijojnë këtë gjendje në këtë vend. Tani dëgjojmë se nga diplomacia ndërkombëtare sulmohen ballkanasit me akuza për kriminalitet, korrupsion të lart, për mungesë stabiliteti, për rreziqe shpërthimesh të reja në rajon. Mbi të gjitha dëgjojmë se akuzohemi shumë ne shqiptarët për këto të këqija, madje akuza shkon deri atje sa të cilësohemi porta nga ku krimi e korrupsioni po vërshojnë e rrezikojnëtë të përmbysin Perëndimin. “Lumi i prostitucionit” që vërshon drejt Europës Perëndimore dihet se fillon të rrjedhë shumë larg Shqipërisë, qysh nga fushat e ngrira të Rusisë. Karvanët për transportin e drogës nisen qysh nga mezi ose degëzimet e “Rrugës së mëndafshit” që ishte e famshme para shumë shekujsh për lidhjet në Euroazi. Rreshtat eklandestivëve formohen qysh nga Lindja e Largme. Të gjitha këto i kërkon, i thith, i ka të domosdoshme si ujin e ajrin “shoqëria e konssumit” në Perëndim Ne shqiptarët kemi vetëm fatkeqësinë që të jetojmë në “deltën e derdhjes së këtyre lumenjve” të prostitucionit, drogës, klandestinëve në ujrart perëndimore dhe të durojmë llumin që sjellim e lënë në brigjet tona këta lumenj, uji i të cilëve pasuron “detin e Perëndimit konsumues”.
Shqipëria, i nderuar ambasador, është bërë ”Delta e lumenjëve ndërkombëtarë të krimit”, jo se u pëlqeu gjithë shqiptarëve, jo se shqiptarët ishin të përgatitur për këtë, por sepse kështu u pëlqeu dhe u pëlqen atyre që zënë sasitë më të mëdha të “peshkut kriminal” nëprmjet kësaj “delte të lumenjëve të krimit”ndërkombëtar. Shqiptarët janë peshkatarët e vegjël me barka llastiku. Nuk po u ndahet llastiku shqiptarëve. Para pak dekadash shqiptarët e quanin përparim të madh, “europianizim” se zëvendësuan opingat e tyre prej lëkure të tharë lope dhe sandallet prej druri të quajtura “nallone” me opinga prej kamerdareje ose kopertoni të gomave të automobilave të dala jashtë përdorimit. Tani gëzohen dhe mburren se bën dhe një hap drejt europianizimit se po bëjnë edhe ata “kontrabandë mishi të bardhë”, “ substancash dehëse” , “tregti skleverësih klandestinë” me ca varka llastiku që i përdredh vala e detit si goglat në pellg dhe me kamiona e vetura që policia në vendet pritëse i kap kur do dhe i lejon kur ka qejf e interes.
Kriminalitei në Shqipëri, zotëri ambasador, është më shumë mall importi se prodhim vendi, është më shumë “kopil që të tjerët ua lënë në derë shqiptarëve” se dobiç i marrëdhënive jashtligjore të shqiptarëve. Mirëpo për të gjithë ata që tërheqin fijet e kriminalitetit në Ballkan e në Europë, për të gjithatë ata që marrin pjesën e luanit nga fitimet e kriminalitetit, për të gjithëta që duan “mish të bardhë” në restorantet perëndimore të kurvërisë, pluhur të bardhë e gjethe të thara që që të humbasin mendjen nga dëshpërimi i rënies morale, që duan dhe shërbëtorë me pak para të kujdesen për pleqërinë e Peërndimit është komode të fajësojnë shqiptarët. Shqiptarët nuk janë sigurisht pa faj kur hyjnë në rrugën krimit. Por shumë hyjnë në këtë rrugë nga joshja me të mirat që u premtojnë “kriminelët me jaka të bardha” në Perëndim, si rrugë për të dakë nga mjerimi.
Diplomacia dhe politika ndërkombëtare duhen fajësuar se kanë punuar me shumë cinizëm që shqiptarët e Shqipërinë t’i lërë në këtë gjendje : kosh plehrash për mafiet ndërkombëtare, nevojtore e Europës. Nëse politikanët dhe diplomacitë e huaja do të kishin dashur me të vërtetë të luftonin si duhet kriminalitetin në Shqipëri, të mos lejonin që Shqiupëria nga “deltë e lumenjëve ndërkombëtare të krimit” të kthehej edhe memoçalishte të krimit në dyert e Perëndimit, atëherë duhet të kishin ndihmuar në tharjen e batakut politik në Shqipëri që ka 10 vite tashmë që vetëm shtrihet e qelbet në sytë e kujdeatares Europë.

Por Europa do edhe bataqe të tilla që të gjuaaj “pata korrupsioni”, “rosa të veprimtarive mafioze”, e gjithfarë shpezësh të intrigës politike. Kryezyrtari i Bashkimit Europian, Romano Prodi, pranoi një dekoratë para disa ditësh nga ai pushtet shqiptar, pra nga ajo politikë, që në vitin 1997 shkatërroi shtetin shqiptar që të hapte autostradën për kriminalitetin e korrupsionin e sotëm. Ajo që ndodhi në vitin 1997 mban vulën e intevencionit politik, agjenturor, ushtarak grek, serb të ndërhyrjes mafioze italiane dhe të politikave të tjera që për një arsye ose një tjetër kurdisën ose lejuan atë ekpseriment makabër në Shqipëri. Edhe sjelljet e diplomacisë e të shëbimeve amerikane atëherë janë vënë shumë në dyshim. Unë as tani nuk mund të besoj se këto dyshime kanë qënë pa bazë, ndonëse Spartak Ngjela e ktheu tërë hetimin për ato ngjarje në manovër për të sajuar alibinë për qëndrimin amerikan.

Kriminaliteti i ssotëm në Ballkan është rrjedhojë e gjithë faktorëve që filluan të vepronin pas shembjes së komun zmit në Europë. Por më shumë është rrjedhojë e luftrave që kurdisi Serbia pëe 10 vite, e veprimtarive terroriste në Greqi për një çerek shekulli. Në Shqipëri ka ndikuar shumë tragjedia e vitit 1997. Shqipërinë, pra, po e shkatërrojnë politika dhe politikanët, diplomacia dhe diplomatët. Me Shqipërinë e me shqiptarët janë bërë e po bëhen të gjitha llojet e eksperimenteve. Qeverisja, politika në tërsi, veprinmtaria defektoze e prokurosrisë, policisë, gjykatave në luftën kundër kriminalitet mbajnë gjurmët e këtyre dy të këqijave të mëdha. Përsa kohë që politikat e diplomacitë e atyre vendeve që duan të mos vazhdojë më gjendja shqetësuese që ekziston në Shqipërisë gjithçka do ta bëjën nëpmjet politikave e politikanëve të dështuar shqiptarë nuk do të arrijnë ansjë reziultat në materializimin e këshillave të mira që japin.
Çdo gjë rrezikon të mbetet në kuadrin e shprehjes së famshme : “ Fjalë imzot, fjalë”. Dhe shqiptarëve pak nga pak do t’u ngulitet ideja se “ në botë na duan kështu siç jemi, pavarësisht se hiqen sikur duan të na shohin ndryshe”. Shqiptarët kanë faj vetë nëse edhe më tutje do të gëzohen e kënaqen me aq përpjekje sa do të bëjë Europa për modernizimin e nevojtores së saj në Ballkan.
Më ndjeni, zotëri ambasador, për sinqeritetin e tepruar. Por unë jam gjithnjë i prirur të besoj se të huajt që kanë të bëjnë me Shqipërinë më shumë se për gjithçka kanë nevojë të dëgjojë zëra shqiptarë që të përcjellin tingëllimën reale të ashpërsisë së jetës shqiptare, në vend të zërave të shtirur të kanarinave që i gëzohen rehatisë së kafazeve politiko-diplomatike të huaja. Shqipëria para se të ndihmohet sinqerisht e realisht duhet kuptuar realisht e sinqerisht. Duhet kuptuar në një mënyrë që ndoshta sot as shumë shqiptarë nuk e kuptojnë dot, ose nuk duan ta kuptojnë për pak interesa meskine. Ndër ata që nuk duan të kuptojnë realisht Shqipërinë dhe të ardhmen e saj për fat të keq janë shumica e politikanëve, intelektualëve dhe proigandistëve shqiptarë me të cilët merr e jep politka dhe diplomacia ndërkombëtare.
Kuptohet, zotëri ambasador, se qëllimi i kësaj letre të hapur është për të biseduar më shumë me bashkëombasit e mi për një variant të të kuptuarit të problemeve që keni shtruar Ju me shumë shqetësim daahamir për Shqipërinë e shqiptarët. Ne duhet t’Ju jemi shumë mirënjohës kur na ndihmoni të kuptojmë sa keq i kemi punët.
Pranoni, Ju lutem, sigurimet e një konsideratë të veçantë me lutjen për mirëkuptimin e motiveve që kanë nxitur këto arsyetime.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme