Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:


Captcha
Shkruaj kodin:
Index -> Shkrime Aktuale ->

MOT I MĖRZITSHĖM NĖ BALLKAN




Gjithandej kishim vetëm përsëritje dhe tash së fundi prapë si në çdo fundviti na injektojnë shpresa se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se ky, se vitin e ardhshëm do të zgjidhet çështja e Kosovës në të mirë të shqiptarëve, ndërsa te ne në Maqedoni punët do të marrin të mbarën, se Ballkani po shkon drejt Evropës e kështu me shpresa, pritje e pallavra të tjera. Mjerë ai që s’ka çka të bëjë pos që të presë!
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Ndonëse shumëkush ka vërejtje në përkufizimin e vitit të ri, sa për shkaqe kulturore a religjioze, dikush ka vërejtje për festën, dikush për datën, por ngado që ta marrësh viti i ri, pra përfundimi dhjetorit, së paku për neve popujve evropianë, pra edhe ballkanikë, paraqet fund të vitit, ngase ne bilancet dhe planet i bëjmë sipas kësaj llogaritje. Qoftë kjo edhe e gabuar.

Një llogaritje të tillë, një farë hesapi a barazimi, i vë secili të arriturave dhe dështimeve që i ka kaluar gjatë vitit që po e lëmë pas. Mbase nga ky inercion edhe unë në një mënyrë jam i detyruar që në këtë tekst të fundit për këtë vit, si duket në numrin e fundit të kësaj gazete për këtë vit, ta bëj një farë hesapi të asaj që na ka ndodhur neve gjatë këtij moti, gjithnjë duke synuar një qasje paksa tjetërfare nga ato të zakonshmet kur një palë del shumë e suksesshme, ndërsa pala tjetër krejt e pasuksesshme.


Debati Qosje-Kadare

Besoj se të gjithë do të pajtohemi se në planin e gjithmbarshëm kombëtar punët kanë lëvizur ndonëse jo me ndonjë ritëm të dëshiruar. Shembull për këtë ishte debati Qosje-Kadare që i nxiti të mendojnë shumë njerëz se megjithatë historia jonë e folklorizuar ka nevojë ndonjëherë të shkundet. Vetëm pasi u bë ky debat u pa se edhe përkundër rrahjegjokseve të shumë intelektualëve tanë se identiteti shqiptar është çështje e tejkaluar dhe demode, megjithatë doli në shesh se ne, duke aktruar për shkaqe të ndryshme, shumë gjëra i kemi heshtur dhe kështu kemi krijuar tabu, të cilat kur i hapën Qosja e Kadareja, disa filluan të sillen edhe me egërsi, disa madje pa nevojë e ulën debatin aq poshtë, si ai shkrimi i Maks Velos, e ca shkrime të tjera që merri si t’i marrësh, fundja dëshmuan se ne shqiptarët nuk jemi përjashtim nga bota e qytetëruar e cila këto debate i ka normale dhe çështje që shumë shpesh mund t’i sillen nëpër media. Ndonëse pati shkrime edhe krejt kot e kot, shkrime në stilin “vetëm ky e ka mirë”, megjithatë jam i mendimit se e mira e atyre shkrimeve ishte se u pa se herët a vonë edhe te ne duhet të hapen disa çështje që ne gjithmonë për shkaqe politike i heshtim. Qoftë këto të jenë çështje të historisë, si puna e Skënderbeut, Haxhi Qamilit a Enver Hoxhës, qoftë të jenë këto çështje të letërsisë si puna e bejtexhinjve, qoftë këto të jenë punë të imazhit tonë kombëtar si puna e vehabizmit, kristianizmit, Nënë Terezës e të tjera. Në këtë debat sigurisht të gjithë pajtohen se deklarata e Kadaresë në Prishtinë ishte më e tepërta, por megjithatë edhe si të tilla, mirë është që këto gjëra ndodhin. Më mirë të ndodhin kështu sesa të mashtrohemi e lavdërohemi gjithnjë e pastaj pas gjysmë shekulli të hedhim gurë e dru mbi njëri-tjetrin. Debati mes Konicës e Frashërve ka qenë edhe më i rreptë, por ne si komb i çmojmë të gjithë ata si viganë. Ata i kanë meritat e tyre, ndonëse kanë pasur çështje për të cilat ata aq shumë nuk janë pajtuar. Megjithatë pas asaj që e tha Kadareja në Kosovë e më pas në Klan, pas Janullës në Top Chanel e pas rishfaqjes së Qosjes në media, edhe këtij debati i doli lezeti. Niveli i tij i rrahjes së çështjeve shkencore ra krejt. Prandaj edhe këtë debat kaq thelbësor e të rëndësishëm e varrosëm me dështim. Pas gjithë asaj që ndodhi në fund, u penduan edhe Qosja e Kadareja që ia filluan kësaj pune. U bë shumë bajat dhe i mërzitshëm.


Kosova

Edhe pse të gjithë shpresonin se 2006-ta do të jetë kapaku i pavarësisë së Kosovës, madje këtë shumë herë e kishin pohuar edhe mjaft ndërkombëtarë, ishte fatkeqësi ajo që në prag të këtij vendimi u vendos që kjo çështje t’i lihet vitit të ardhshëm. E rëndë u bë kjo gjendja e pritjes. Sidomos për dikë që ka pritur gjatë. Kur njeriu i merr me mend vitet e pritjes në Kosovë dhe të gjitha sakrificat që i ka kaluar ky popull për atë ditë, nuk ke si mos kujtohesh në atë rrëfimin e priftit për Jozef K-në në Procesin e Kafkës për dikë që ka pritur para një dere të një rojtari të rreptë deri në fund të jetës dhe në fund e ka marrë vesh se pas asaj dere kishin qenë edhe dy dyer të tjera më dy rojtarë edhe më të rreptë se i pari. Kjo pritje mbase i arsyeton edhe domatet dhe vezët e Vetëvendosjes në dritaret e UNMIK-ut. Kjo shtyrje nesër mund të arsyetojë edhe gjëra të tjera më të mëdha. Kush mund të premtojë se deri në pranverë nuk u plas filmi njerëzve nga kjo pritje dhe se situata nuk del nga kontrolli? Të mos flasim sa dëm i sjellin Kosovës sjelljet joserioze të lidershipit të saj, si ajo puna e zgjedhjeve të dhunshme në LDK e shembuj të tjerë të tillë të përditshmërisë kosovare që alternativë e kanë vetëm Ilir Shaqirin me marset. Vërtet u bë shumë me këtë pritje të mërzitshme.


Maqedonia 2006

Maqedonia çdoherë në shkrimet e këtilla mbetet një rrëfim më vete, të cilit vështirë ia lidh kryet. Sivjet te ne kishim zgjedhje parlamentare, ku dihej se VMRO-ja kësaj radhe fitonte. Dhe kjo jo si meritë e saj, sa si dobësim i LSDM-së. Kështu Gruevski e shfrytëzoi rastin që të bëhet kryeministër. Edhe pse ky ndryshim pati trandjet e veta, shkundja më e madhe u bë në taborin shqiptar. Aty shqiptarët që i fituan zgjedhjet në taborin shqiptar nuk u përfshinë në ekzekutiv. Kjo jo vetëm që shkaktoi inate politike që s’kanë të mbaruar, por nxori në skenë edhe një moment tjetër - politikanët shqiptarë të Maqedonisë nuk janë aspak vizionarë se çka mund të bëjë dikush me votën e tyre. Vetëm tani Ali Ahmetit iu kujtua që edhe formimin e Qeverisë ta sanksionojë me shumicën e Badenterit. Por, vonë më. Marrëveshja e Ohrit është bërë në vitin 2001.
Në anën tjetër i kishim premtimet e lidershipit të PDSH-së se për 100 ditë do të bëjë shumë gjëra, mes tjerash edhe barazimin e luftëtarëve të UÇK-së me “branitelat”. Pritja dhe mërzia po vazhdon. E dikush del të kërkojë prej administratorëve shqiptarë përqindje. Por mirë deri kur do të mashtrojmë kështu? Pse duhet atëherë shqiptarët të kenë përfaqësues politikë. Ky popull po del se duhet veç me i mbajt me bukë “branitelat" e veç UÇK-në. E vetë me jetu me ndihma të vonuara sociale.
Po këtu te ne dhe po sipas shembullit të pas 2002-shit kur nëpër gjykata endeshin Vojo Mihajllovski me Llamben e kompanitë e tyre, tash këtë rol e marrin palë të tjera, bile edhe ca çobanë shqiptarë që nëpër gjykata aktrojnë patriotizëm duke “huazuar” nga ky popull qindra mijë euro, shumicën e këtyre të hollave për miqtë maqedonas. Hajde bjeri në fije. Kriminaliteti, thonë, nuk njeh kufij etnikë e religjiozë. E merrni me mend si është kur një shteti me dy milionë e kusur banorë dhe me një buxhet qesharak t’ia vjedhësh çdo vjet nga disa milionë euro. Kjo është mozotmëkeq. T’ia vjedhësh Amerikës 5 milionë dollarë në vjet nuk është tragjedi, sepse buxheti i saj është në miliarda, por t’ia vjedhësh Maqedonisë 5 milionë e kusur, kjo është vrasje për popullatën e këtij vendi. Dhe pa fije turpi prapë politikanët tanë ankohen pse nuk i marrin në NATO dhe BE. Bile edhe presin e bëhen hazër se vërtet po i pranon kush atje. Mërzi e pritje të kota.
Nëse bëjmë një hesap më të shkurtër të gjithë asaj që ka ndodhur në Maqedoni gjatë 2006-tës, kjo i bie kështu: edhe këtë vit kishim shumë vrasje misterioze, si ajo masakra në Jahja Pashë e shumë të tjera gjithandej, edhe sivjet kishim korrupsion me qindra mijë euro në çdo dy-tre ditë, edhe sivjet kishim ngjarje kulturore me motive politike, edhe sivjet kishim artistë të pakënaqur nga politika, edhe sivjet kishim panaire librash për inate e hesape politike, edhe sivjet kishim plot manipulime, dëshpërime, keqpërdorime e demolime. As sivjet nuk u rregullua puna me BFI-në, sepse reisi dhe myftiu u zgjodhën po si më parë nga partia, edhe sivjet u rrahën hoxhallarët e besimtarët, edhe sivjet na u përsëritën skenat e njëjta me aktorë të tjerë, herë në politikë, herë në shkencë, herë në fe, herë në kulturë e herë në sport. Gjithandej kishim vetëm përsëritje dhe tash së fundi prapë si në çdo fundviti na injektojnë shpresa se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se ky, se vitin e ardhshëm do të zgjidhet çështja e Kosovës në të mirë të shqiptarëve, ndërsa te ne në Maqedoni se punët do të marrin të mbarën, se Ballkani po shkon drejt Evropës e kështu me shpresa, pritje e pallavra të tjera. Mjerë ai që s’ka çka të bëjë pos që të presë, si e thonë me dëshpërim në një humor “Kemi prit çe 100 vjet, hajt po presim edhe sivjet”. Prit e mërzitu se s’ke çka bën!
Për fund vetëm edhe diçka: javën e fundit ndër ne u shtrua çështja kur po i bie Bajrami. Paramendoni! Dhe, kur njerëzit po bisedonin se kë ta pyesim, myftiun ose drejt Molla Sulën, një mik i imi tha: “Pyeteni drejt Menduhin, pse i bini punës përqark?!”.
E kurdo që të jetë Bajrami, e gëzofshi të gjithë. Edhe Vitin e Ri e të gjitha festat që vijnë pas. Ku ka më mirë se të festosh!


E Hėnė, 17 Gusht 2009; 01:07


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats