Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime tė bashkėpunėtorėve ->

Problemet psikologjike; regresi etiko-moral; sfidat e rinisė


Dr. Musa Musai

Në psikologjinë e zhvillimit rinia–adoleshenca trajtohen si fazat më vendimtare në përfitimin e qëndrimeve, shprehive, sjelljeve ose trajtimit shoqëror.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Para se të bëjmë një qasje rreth temës së caktuar, pikë së pari do të kisha dashur që ta përcaktoj termin rini ose adoleshencë. Në psikologjinë e zhvillimit rinia–adoleshenca trajtohen si fazat më vendimtare në përfitimin e qëndrimeve, shprehive, sjelljeve ose trajtimit shoqëror. Rini: do të thotë periudhë në të cilën individi përjeton ndryshimet më totale të jetës së tij në çdo aspekt, duke filluar nga ndryshimet trupore-fizike deri te ndryshimet ose zhvillimet e tij sociale, emocionale, personale, seksuale dhe mendore. Nga këto ndryshime disa psikologë rininë e emërtojnë edhe si “lindje e përsëritshme”.

Rinia është periudhë në të cilën i riu përjeton sfidat më të mëdha si rezultat i ndjenjave seksuale. E gjithë kjo vjen nga vetë faza kohore e cila karakterizohet me ndjenjën për pavarësim, fitimin e një personaliteti dhe një egoje identike të tij. Këtu i riu duke formuar personalitetin e këtillë çdo gjë që i ofrohet nga jashtë ose prindërit e tij, trajtohet si jo e dobishme për të, si rezultat i kësaj është “mendimi kritik” i tij i cili e arrin kulmin e vet në këtë fazë.

Arsyet që një i ri nuk i pranon të ofruarat nga jashtë janë paraqitja e dukurive vijuese: të qenët i lirë, të qenët kritik, zënia e një vendi domethënës në shoqëri, krijimi i një identiteti të shëndoshë dhe veçimi i tij nga të tjerët. Njëkohësisht me paraqitjen e nevojave të këtilla në periudhën rinore me mungesë të edukatës fetare e morale paraqiten probleme psikologjike të atilla ku i riu fillon të mendojë kinse jeta nuk ka kurrfarë domethënie, se jetesa e tij është e palogjikshme; ndaj këtyre në mungesë të edukatës dhe arsimimit të përshtatshëm paraqiten edhe probleme psikologjike me karakter shoqëror, duke e trajtuar veten të padobishëm për shoqërinë ose si individ që nuk mund ta zërë vendin e duhur në rrethin ku jeton.

Automatikisht gjendjet psikike të këtilla tek i riu bëhen shkas i streseve të ndryshme, ankthit, izolimit, konsumimit të mjeteve narkotike ose dhënies pas prostitucionit, alkoolizmit, bile edhe dukurive siç është vetëvrasja etj…

Krejt këto janë rezultat i ideologjive të ndryshme të futura në programet arsimore. Një ndër to është DARVINIZMI me të cilin Ç. Darvini u bë “profet“ i ateizmit e darvinizmi u shpall PAFEJA më e përhapur e shek. XIX dhe XX. Siç duket Darvini me teorinë e tij “për luftën për jetë” na bindi se nuk jemi njerëz, porse kafshë; me të vërtetë ai pohonte si kafshë të përkryera, por prapëseprapë kafshë, por kafshët në qëndrimin ndaj së mirës dhe së keqes, janë të privuara nga ligjet etiko-morale. Teoria e evolucionit në mënyrë të duhur nuk mund të sqarojë as fazën e parë të besimit fetar të njerëzve si dhe as në fazën e qytetërimeve moderne nuk mund ta bëjë dot atë… p.sh. pse sot kur pozita socio-ekonomike e njerëzve është shumë më e mirë, gjendja psikologjike është shumë më e pakënaqshme?! Pse numri i vetëvrasjeve ose sëmundjeve psikike është në rritje proporcionale me rritjen e nivelit të të ardhurave dhe arsimimit?! Ose pse ka humanizëm më tepër në fillim se sa në fund të njerëzimit?!

Krejt këto duhet të jenë fakte të cilat paraqesin nevojën e shembjes së ideologjive siç ishin, ajo e Marksit, Niçes, Frojdit etj. Marksi pohonte se fenë e kanë themeluar të fortit (të pasurit) që të sundojnë me të dobëtit, ose Niçeja pohonte të kundërtën e saj. Në anën tjetër “revolucioni seksual” i viteve 50-60, i cili kryesisht lidhet me teorinë e psikanalizës, themeluesi i së cilës është Frojdi dhe pasuesit e tij (Jungu, Adleri), solli dukuri jashtëzakonisht të rënda për ligjet dhe normat morale. Liritë e këtilla totale me të madhe kapluan perëndimin, por deshëm apo s’deshëm demonizimi i kthetrave të këtilla kaploi edhe nënqiellin tonë. Shkakun e paraqitjeve të fenomeneve të këtilla nuk dimë se kujt t`ia veshim, a thua progresi ekonomik i kalimit prej ekonomisë agrare në atë industriale ishte më meritori, ose atë e bënë migracionet fshat-qytet. A mos vallë rezultati i gjendjes se këtillë ishte “harrimi i Zotit” apo dëshira për një liri totale e cila edhe u vërtetua si e gabuar në thelb.

Cilido nga këta që të jetë shkaku i këtij degjenerimi etiko-moral, prostitucioni arriti edhe në oborret dhe shtëpitë muslimane shqiptare, në atë mënyrë që shkatërroi institucionin familje, i solli të rejat muslimane shqiptare në tavolinat gjinekologjike, solli rininë buzë një gremine të sëmundjeve venerike dhe psikike. U rrëzua perdja e turpit dhe respektit që ishte veçoria më e dalluese e kësaj popullate fisnike dhe bujare. Me siguri që kësisoj ndyrësirash kjo popullatë nuk i ka mirëpritur, mirëpo këto fëlliqësira janë bërë realitet në shoqërinë tonë. Koha në të cilën jetojmë është e atillë që bile edhe një takim spontan i dy të rinjve mund të krijojë marrëdhënie të tilla për të cilat nesër individi që do të vuajë është e reja e jo i riu?! Arsyeja e vetme është edukimi dhe këshillimi i dobët dhe i pamjaftueshëm i breznive të reja.

Se nesër kur të ndodhë, personi që do të shkruajë letra për këshillim do të jetë ajo?! Ai për arsye të një amoraliteti të shkurtër nuk do të jetë në gjendje të kuptojë hidhëtinë e abortit ose vetëvrasjes. Ai nuk do të jetë nga ata që do t’u sjellë prindërve fëmijën pa prind në shtëpi, e as që do të vrapojë nëpër dyer të lloj-lloj organizatave për ndihmë!

Ne me siguri që do të kishim dëshiruar që e gjithë kjo të jetë çështje e vendeve larg nesh, gjithashtu do të kishim dashur që të gjitha këto sëmundje venerike e psikike si rezultat i marrëdhënieve të këtilla amorale të jenë vetëm temë e enciklopedive shëndetësore ose vetëm brengë e mjekëve tanë. Por ky është një realitet i pamohueshëm me të cilin duhet ballafaquar dhe ngjallur inkurajimi ynë në zgjidhjen e problemeve të këtilla mes gjeneratës së re.

Revolucioni seksual (epshor) në bllokun socialist ideologjikisht nxitej në popullatë, ndërsa në perëndim ai ishte rezultat i një shoqërie të zhveshur nga vlerat morale, ku çdo qëndrim është hobi e çdo hobi qëndrim, ose atje ku kërkesat e homoseksualëve dhe femrave lesbike trajtohen të njëjta me kërkesat e aktivistëve fetarë.

Duhet të pohojmë se Islami është fe që pranon ndjenjën seksuale (epshore) të individit e assesi nuk lyp prej tij ta zhdukë këtë ndjenjë, ashtu siç e bën priftërizmi, por edhe nuk lejon atë që bënë ideologjitë ateiste, liri totale pa kurrfarë norme morale dhe etike, ku personi në fillim u jepet epsheve, e pastaj epshi bëhet zot i tij, ashtu siç e quan Kur’ani fisnik ku thotë: “A e ke parë ti (Muhammed) atë duke e ditur, epshin e vet e respekton si zot të vetin” (El-Xhathije:23).

Mu për këtë Islami është përcaktuar për një rrugë të mesme: e pranon epshin dhe ndjenjën për të, por në të njëjtën kohë ofron edhe mundësinë e edukimit dhe kontrollimit të tij. Prej të riut sot nuk kërkohet ta shkatërrojë këtë ndjenjë, por islami dëshiron që me vullnet dhe vetëdije të përkryer ta kontrollojë këtë ndjenjë, ashtu siç bëri i riu, Jusufi a.s. shembulli i vetëm i një bukurie fizike dhe morale për të gjithë të rinjtë dhe të rejat muslimane. Kur`ani Famëlartë për Jusufin a.s. flet kështu: “E ajo në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: 

”Eja!” Ai (Jusufi) tha: “All-llahu më ruajttë, ai zotëria im, më nderoi me vendosje të mirë (si mund t’i bëj hile në familje). S`ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses”.

 

“Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i paraqitej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur”. (Jusuf:23-24)

Nga mendimet e shumicës së psikologëve vijmë në përfundimin se periudha e adoleshencës, ose rinisë së mëvonshme është jashtëzakonisht plot me përplasje të ndryshme të natyrës shpirtërore ose psikike. Një ndër ato anomali psikike është “depresioni rinor” i cili si i tillë bëhet shkas për paraqitjen e një shkatërrimi, pesimizmi dhe mossigurie emocionale; depresioni si i tillë është shqetësim i gjendjes shpirtërore i cili shkakton ngadalësimin konstant në të menduarit dhe sjelljet. 

 

Depresioni në moshën rinore, ndonjëherë është me interval kohor të shkurtër dhe i lidhur me disa gjendje të përcaktuara të jetës së individit. Në depresionet rinore me intervale të shkurtra kohore, i riu është i zymtë, mendon se nuk e kuptojnë të tjerët, por sido qoftë ai vazhdon me jetën e përditshme. Ndërsa në depresionet e vërteta i riu veten e percepton si të pavlefshëm, e fajëson veten, ndjehet i pashpresë, mendon vetëvrasjen dhe paraqiten shenja te hidhërimit dhe inatit. Dhe nëse kjo gjendje vazhdon më tepër se 15 ditë e ndërkohë vjen deri te humbja e oreksit, kaplimi i pagjumësisë, humbja e peshës faktikisht kuptohet se individi është në depresion të vërtetë.

Sa i përket frustracionit, si një ndër shqetësimet psikologjike, ai ndodh kur një person pengohet në arritjen e një qëllimi. Frustracionin e shkaktojnë vonesat, shqetësimet e përditshme, mungesa e burimeve për arritjen e ndonjë qëllimi të caktuar, humbjet e ndryshme dhe dështimet. Ankthi mund të përshkruhet si një ndjenjë e vagët e pakëndshme frike, mërzie dhe shqetësimi për të ardhmen. Përgjithësisht personi nuk ka ide të qartë për shkakun real të ankthit. Shpesh ai tenton t’i shmangë mendimet e tij për frikën përderisa ato duket se e intensifikojnë atë. Ankthi është shpesh një reagim i përgjithshëm emocional ndaj stresit. Ai është një frikë e shkaktuar prej kërkesave që i vihen para njeriut, kur ai nuk e di se çka janë aktualisht këto kërkesa.

Ndërsa si problem i fundit i rinisë, por edhe më i rëndësishmi, konsiderohet konsumimi. Konsumimi është mbarimi i rezervave tona fizike dhe mendore. Ai ndodh kur sasia e energjisë që del prej trupit tonë është më e madhe sesa sasia e energjisë që pranohet në trup.

Simptomat e konsumimit janë:
Rraskapitja: personi ndjehet i lodhur dhe i pamundur. 
Veçimi: personi shpesh përdor veçimin si një mjet mbrojtës
Mërzia: personi fillon të vërë në dyshim vlerat e aktiviteteve dhe miqësive; ai fillon të mërzitet me jetën.
Padurimi: personi bëhet përherë e më i padurueshëm dhe irritohet me njerëzit e tjerë.
Omnipotenca: personi ndjen se asnjë tjetër nuk mund ta bëjë këtë që e bëj unë, është e zakonshme në viktimat e konsumimit.
Pavlefshmëria: personi ndjen se njerëzit e tjerë nuk ia vlerësojnë punën dhe përpjekjet e tij të mëdha.

Është fakt se jetojmë në një kohë në të cilën fillimi i konsumimit të alkoolit dhe narkotikëve të ndryshëm, vazhdimisht zvogëlohet në moshë e në veçanti alkooli troket me të madhe në dyert e shkollave të mesme. I pamohueshëm është fakti se konsumimi i alkoolit dhe narkotikëve është ngushtë i lidhur me ekseset moralo-epshore. Lidhshmëria që është në mes këtyre dy anomalive shoqërore vjen në mënyra të ndryshme p.sh. kemi raste kur vajzat e reja përmes konsumimit të narkotikëve dhe alkoolit detyrohen në marrëdhënie të palejueshme, gjegjësisht prostitucion. Gjithashtu ka edhe raste të kundërta ku për të siguruar drogën vajza të reja detyrohen në prostitucion. Këto janë fakte të gjalla për shëmtinë e konsumimeve të ndryshme.

Përdorimi i herëpashershëm i këtyre narkotikëve individin e çon deri te krimet e ndryshme të cilat paraqiten si rezultat i po atij konsumimi; dhe që dalëngadalë njeriun e bën të varur e më pas e përgatit drejt humnerës së vetëvrasjes ose shkatërrimit shoqëror. Sa u përket shkaqeve psikologjike të varshmërisë ndaj narkotikëve dhe alkoolit, social-psikologët i paraqesin disa nga më të rëndësishmit e tyre: Alkooli shpejt i mund edhe të fuqishmit edhe të pasurit dhe i kthen ata në bisha të tërbuara, që me fytyrat e ndezura dhe me sytë e kërcyer jashtë, hedhin mallkime dhe sharje përreth duke ofenduar armiq imagjinarë. Gjëja më e shëmtuar në krijimin është një pijanec, një qenie e pështirë, pamja e të cilit e bën secilin nga njerëzit ta ndjejë veten keq që i përket të njëjtës qenie të gjallë.

Të varurit prej narkotikëve të ndryshëm, pikë së pari janë individë me vetëbesim të dobët, me personalitet të thyer të cilët gjithmonë ikin nga realitetet e jetës. Individë të tillë gjithmonë shkaqet e dështimit në jetën e tyre i lypin jashtë vetes dhe asnjëherë nuk ballafaqohen me realitetin vetjak. Si faktor i tretë përmendet perceptimi i vetes si të pavlefshëm; dhe se kjo bëhet shkas i afrimit të këtij individi me personalitet të dobët drejt alkoolit ose drogës. Ndër të tjerët janë dhe personat të cilët nuk kanë arriturkënaqësi emocionale prindërore. Keqtrajtimi, injorimi i fëmijës nga ana e prindërve ose mungesa e përjetimit të respektit dhe tolerancës mund të rezultojë në varshmëri ndaj drogës dhe alkoolit. Si faktor i pestë përmendet përpjekja për vetëkënaqësi ku individit i errësohet jeta dhe ndriçimin e saj e gjen në drogë ose alkool. Dhe si shkas i fundit përmendet rrethi i shokëve me shprehi të ndyra.

Dihet mirë se ndikimet mes moshatarëve dhe shokëve janë të pakontestueshme. Dhe mu për këtë është shumë me rëndësi për individin se në çfarë rrethi dhe vendi do ta formojë grupin shoqëror të tij.

Është e qartë që Kur`ani luftën më të madhe e hap mu ndaj këtyre anomalive të ndyra që shkatërrojnë shoqërinë, ku thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”. (El-Maide:90)

Këtu shihet se luftën që u hap Kur’ani anomalive të këtilla është luftë e pamëshirshme dhe me karakter human. Nga vetë arsyeja se: derisa Kur’ani rreptësisht e ndalon çdo lloj konsumimi dehës, sot e tërë bota vjell gjak prej tyre.

Kur`ani parandalon çdo afrim që çon në zina – sot e tërë bota vuan prej prostitucionit, edhe atë më e keqja është se pa dallim gjinish.

Që të gjitha këto rekomandime duhet që ne të gjithëve si popullatë muslimane shqiptare të na nxitë dhe inkurajojë në luftën për parandalimin e këtyre anomalive të cilat, mos dhëntë Allahu, mund të na shkatërrojnë në tërësi. Përpjekja ose hapat që duhen ndërmarrë në këtë aspekt duhet të jenë të tipave: organizatash mbrojtëse, kulturore, sportive që sadopak të ndikojnë në shmangien e tyre në shoqërinë tonë.

Njeriu me fuqinë e egoizmit të vet bashkëkohor nuk prish vetëm rregullin në natyrë por shkatërron edhe ekuilibrin brenda karakterit të tij personal. Nëse dikur njeriu i është frikësuar natyrës, sot natyra i frikësohet njeriut. Nëse deri dje njeriu u gëzohej arritjeve teknologjike, sot ai përparim po e shqetëson. Nëse njeriu dëshiron të privohet nga shprehitë e vjetra etiko-morale, SIDA (AIDS) i tërheq vërejtjen se do ta paguajë shtrenjtë thyerjen dhe mosrespektimin e normave etiko-morale.




E Shtunė, 27 Tetor 2012; 22:44


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats