
Feja pa moral do të mbetej pa vlerën e vet reale dhe do të paraqiste vetëm një varfërim, një aplikim mekanik i ritualeve fetare, pa lidhje me jetën praktike, derisa morali pa fe do ta humbiste sanksionin e nevojshëm për jetën, sanksionin absolut. Morali dhe feja plotësohen në rrugëtimin e tyre deri te individi dhe shoqëria në përgjithësi. Feja i ofron jetës permanencë, njëmendësi dhe stabilitet të duhur, kurse morali i ofron jetës lëvizshmëri dhe dinamikë të duhur. Feja mbjell në shpirt njëfarë droje, respekti, kurse morali relativizon frikën dhe i jep liri të nevojshme. Feja çon drejt synimit më të lartë – daljen para gjyqit absolut, kurse morali ofron mënyrat si të arrihet ky synim: perceptimi moral → ndjenjat morale → veprimi moral.[1] Muhammedi a. s. lidhur me këtë temë ka pohuar: “Nuk ka besim pa moral dhe nuk ka moral pa fe.” [2]
Problemi i moralit pa Zot do të mbetet vetëm problem teorik, pa mundësi të verifikimit praktik, sepse historia njerëzore nuk ka shënuar asnjë bashkësi absolutisht joreligjioze.[3] Madje edhe ateistët më të mëdhenj nuk mund të lavdërohen me ateizëm të pastër, sepse nga ndërgjegjja e tyre bartin një dozë religjioni nga e kaluara, nëpërmjet traditave të lindjes, martesës, vdekjes, këngës, kulturës së ushqimit, stilit të veshjes, arkitekturës, mënyrës së banimit, raporteve individuale, farefisnore, shoqërore, kulturës religjioze, trashëgimisë gojore dhe të shkruar dhe aspekteve tjera të jetës.[4] Edhe po të synohet të formohet një brez thjesht ateist, duke krijuar kushtet e izolimit të plotë psikologjik, që individi të mos ketë kontakt me Kur’anin, Biblën, veprat artistike, veprat muzikore, dramat nga Sofokliu deri te Beketi, veprat arkitektonike, letrare e të tjera, kjo nuk do të arrihej.[5]
F. Niçe pohon se “njeriu pa Zot, dashur pa dashur, hir e pa hir, nuk dëshiroi, nuk mund të bëhet i mirë. Për fat të keq, në Perëndim, Zoti është i vdekur.”[6] Kurse Max Weber thekson se “shkenca kurrë nuk i ka dhënë vlera, virtyte, përmbajtje, kuptim dhe synim jetës. Këtë e bën vetëm religjioni, kurse shkenca është vetëm një mjet i jetës”. [7] Ftesën për moral dijetarët e konsiderojnë kusht, shtyllë të parë për ndërtimin e çdo shoqërie të shëndoshë, apo, si e tha këtë Shatobriani: “Etika është baza e çdo shoqërie.”[8]
[1] Zhvillimi i prirjes materialiste është mospërputhja e klimës shpirtërore dhe morale tek njeriu me mendimet e lidhura me të besuarit në Zot e të adhuruarit e Tij. Sipas: Murteza Mutahhari, Shkaqet e Animit nga Materializmi, Tiranë, 2003, fq. 183.
[2] Me gjithë orvatjet që të gjejmë burimin e këtij hadithi, nuk e gjetëm, ndaj po e theksojmë si të tillë.
[3] John Locke (Llok), pararendës i utilitarizmit, mendon se e mira dhe e keqja janë të indentifikueshme me kënaqësinë dhe dhembjen, vetëm se këto të fundit nuk i konsideron synime morale, por mjete. Kënaqësia dhe dhembja përcaktohen si shpërblim dhe ndëshkim që pasojnë nga harmonia dhe aharmonia e veprimeve me ligjet morale. Risto Tubić (përgatitës), Britanska filozofija morala – Etičke teorije od XVII do konca XIX vijeka, Sarajevë, 1978, fq. 143-173.
[4] Volterit i atribuohet thënia “Edhe sikur Zoti edhe të mos ekzistonte, ne do të duhej ta krijonim atë.” Sipas: Yusuf Al-Qaradawy, Introduction to Know Islam, Kairo, 1997, fq. 14. Krhs.: Alija Izetbegović, Islam izmedju Istoka i Zapada, Beograd, 1989, fq.140-147. Krahaso: Vuko Pavicevic, Bazat e etikës, Prishtinë, 1981, fq. 136-139; Murteza Mutahhari, Shkaqet op. cit., fq. 184.
[5] Shih: Alija Izetbegović, Moral i religija, Etika u islamu në: Zbornik radova III Simpozija Zagrebačke Džamije 1410/1990, Zagreb, 1991, fq. 46.
[6] T. Mastnak pohon se në Perëndim “Zoti është i vrarë.” Shih: Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 1421/2000.
[7] Cituar sipas: Mustafa Spahić, Učenje Islama, Zenica, 2002, fq. 65. Sejjid Kutub, Dirasatun islamijjeh, botimi VI, Bejrut,1403 h./1983, Bejrut, fq. 48.
[8] Cituar sipas: Afif Abdulfettah Tabbareh, Ruhu’d-din’il-islamijj, botimi IX, Bejrut, 1392 h./ 1972, fq. 199.