Shqipëria 1984:Nëna Tereze, nëm flokët po deshe sheshet!

Vëllai i Madh i “1984” sinonim i udhëheqësit të kësaj aparature dorëhekurt, thënë në termet e sotme, e kthen racën njerëzore në një sistem operativ kompjuterik softuerin e të cilit e ka skalitur vetë me tekat dhe kaprriciet e veta pa asnjë themel në ndërgjegjen apo logjikën humane e cila e ka udhëhequr njerëzimin përpara gjatë shekujve. Masat nën sundimin e tij ose duhet të veprojnë siç thotë ligji i tij ose nuk duhet ta konsiderojnë veten të denjë fare për të ekzistuar. Rasti i vajzës durrsake me shami dhe studentit me mjekër nga po i njëjti qytet tregoi se sa e lehtë është që nën petkun e mbrojtjes së laicizmit, shqiptarët myslimanë të shtypen nga thundra e paragjykimeve dhe miopërisë nga vetë shteti i tyre sa herë që dikush ndjehet i disponuar për të dhënë një furi të tillë. Sikur kjo të ishte një fushatë konstante dhe e gjithanshme karshi secilit religjion dhe besim nuk do të kishte shumë arsye për alarmim të njëanshëm mirëpo kur e sheh se përherë dhe kurdoherë janë vetëm myslimanët ata të cilët duhet të marrin peshqeshin e fobive sa herë që kjo i vjen ndër mend ndokujt, atëherë çështja bëhet e pështirë dhe e vrazhdë në sytë e shqiptarit të rëndomtë mysliman. Lista e rasteve të tilla gjithandej trojeve shqiptare është bërë kaherë dy tri shifrore dhe rritja e numrit të tyre si duket bëhet me qëllim që opinionit ti krijohet bindja e normalitetit në mënyrë që më mos t’ia vrasë sytë as veshët askujt edhe thellimi i dhunimit të myslimanëve shqiptarë në fusha të tjera. Filozofia e vëllait të madh ka lëshuar rrënjë të thella në mentalitetin e shumë shqiptarëve me pozitë në institucione të ndryshme dhe është shkapërderdhur virusi i saj në një dyzinë kokash duke u rritur e dalë në pah sidomos kur është fjala për shqiptarë myslimanë. E tërë fushata kundër myslimanëve shqiptarë në rastin më të thjeshtë mund të konsiderohet si keqkuptimi më banal i laicitetit të shtetit mirëpo duke qenë se atakimi është orientuar vetëm karshi Islamit (pa çka se në një mori shkollash shtetërore mësojnë pa problem një numër i konsiderueshëm i murgeshave kristiane) atëherë kjo e kthen tërë luftën në një sekularizëm vandal të klasit më primitiv. Përderisa kushtetuta garanton lirinë e mosbesimit sikur edhe atë të besimit, askush nuk mund ta marrë krye në veti bajraktarin e komentimit të këtyre të drejtave në mënyrë individuale dhe fëmijërore duke e inkuadruar akëcilën urrejtje të tij personale në tërë këtë muhabet. Sipas këtij komentimi banal na del se tek pragu i institucioneve të shtetit robi duhet ta zhveshë personin e tij tërësisht nga vetvetja morale dhe të prezantojë, në amfiteatrot e universitetit bie fjala, me një lakuriqësi tabula rasa. Them lakuriqësi tekstualisht edhe sa i përket veshjes. Nëse duam ta qojmë deri në fund parimin e laicitetit të tillë lakuriqësia totale është opsioni i vetëm për tu konsideruar seriozisht. Secili lloj i veshjes dëshmon për diçka dhe nuk është e thënë që medoemos kjo diçka të jetë religjioze (lexo Islame) për ta cenuar laicitetin. Meqenëse kushtetuta nuk pohon në asnjë nen apo paragraf se veshja modeste fetare është dhunim i laicitetit dhe rregullave të shkollimit atëherë në linjën e komenteve banale të laicitetit edhe veshja e Kukelit do konsiderohet puq kundër kushtetutës. Kravata dhe petku i rektorit rrëfen për një stil të veçantë jetese që prapë është një religjion në vete. Studentëve mund të mos ju interesojë lifestyli apo statusi ekonomik i rektorit i rrëfyer nëpërmjet kravatës së tij dhe rrobave të tij. Dikush mund të jetë mjaft i varfër dhe ta konsiderojë për ofendim propagandimin e këtij stili të veshjes. Me një fjalë studentëve mund të ju teket që ta shohin në sallat e universitetit lakuriq rektorin e tyre në mënyrë që paanshmëria e laicitetit të jetë e respektuar sa duhet. Sikur e tërë kjo fushatë të mos ishte medoemos e orientuar kah Islami dhe myslimanët shqiptarë hapat e ardhshëm të saj që do ti prisnim do të ishim të frikshëm. Pikë së pari ushtarët e tillë të laicitetit nëpër institucionet shtetërore do të duhej të fillonin t’ia zbulonin flokët Gonxhe Bojaxhiut e cila qëndron në vende publike në një mori qytetesh shqiptare. O flokët o sheshet! Përse do të duhej rasti i Gonxhe Bojaxhiut të konsiderohej i ndryshëm nga rasti i Behije Hoxhës? Që të dyja kanë mbulesë në kohë për çështje fetare dhe që të dyja duan prezencë në vende publike. Duke e pasur parasysh se veshja e përzier alla turka dhe mjekra nuk janë të përshtatshme për shkollat laike shtetërore, paramendojeni një libër historie ku Ismail Qemali për hir të laicitetit alla “Shqipëria 1984” i zhveshur nudo do ta shpallë ngritjen e flamurit në Vlorë në vitin e largët 1912. Ose një projekt – libër letërsie ku Sami Frashëri, vëllai i tij Naimi, Gjerasim Qiriazi, Konstantin Kristoforidhi dhe një mori figurash të shquara ose do ta rruajnë xham mjekrën e tyre ose nuk do të zënë vend në letrat e shtetit laik shqiptar. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten kështu një vend dhe një popull nudo të zhveshur nga letërsia, muzika, piktura, arti, historia dhe qenia që i bën të quhen ashtu si i quajnë të tjerët e si e thërrasin vetveten! Çfarë patetizmi degjenerues! Laicizmi në vend të dhunës kundër qenies së dikujt nënkupton ruajtjen e lirisë së individit nga dhuna e fetarizmit apo jofetarizmit së dikujt tjetër. Neutraliteti nuk nënkupton zhveshje dhe përderisa stili i veçantë i të të veshurit është brenda suazave të normalitetit të cilin e dimë dhe respektojmë në jetën e përditshme të gjithë ai nuk duhet të luftohet me prapambeturi fashiste. Universitetet shqiptare më mirë bëjnë që të luftojnë propagandën e qartë nëpërmjet seminareve, klubeve apo ligjëratave të ndryshme që organizohen në lokalet e tyre nga organizata të pastra propaganduese evangjeliste, baha’i apo të kultit të Unifikimit se sa të merren me veshjen apo dukjen e studentëve që nuk i pengon askujt tjetër përveç egos prapanike të ndonjë individi që e konsideron shtetin dhe institucionin pashallëk privat. Në një sondazh të kryer nga kompania Amazon lidhur me romanin “1984” pyetjes se sa është reale që në një te ardhme suaza të caktuara të njerëzimit të krijojnë njëmend aparatura të tipit 1984, rreth 60 % të të anketuarve i janë përgjigjur pozitivisht. Shqiptarët me barrën e tyre të historisë me mbi 99 % do të jenë shumë të sigurt se Shqipëria 1984 nuk është aspak larg mendsh. Një përqindëshi i mbetur përbëhet nga Kukelër & Co që mendojnë se po e shpëtojnë popullin e tyre duke ua imponuar mendësinë e tyre cinike.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme