Mëkati dhe pasojat e tij

الاثم  ما  حاك  في  نفسك  و كرهت  أن  يطلع  عليه  ا لناس- مسلم

El-Ithmu ma hake fi nefsike we kerihte en jettalia alejhi’n-nase).

Muhammedi a.s. ka thënë: “Mëkati është ai që të djeg në shpirtin tënd, e të cilën ti do të dëshiroje mos të kuptojnë njerëzit.” (Muslimi)

 

 

Si ta kuptojmë mëkatin?

           

Mëkati është i vjetër sa edhe njeriu. Ai ka qenë ndër dukuritë që ka preokupuar mendjet më të mëdha të njerëzisë. Edhe interpretimet e mëkatit janë nga më të ndryshmet. Besimtarët e kuptojnë si thyerje, shkelje të urdhrave të Allahut xh. sh. Kundërshtarët e besimit e kuptojnë si fiksim të besimtarëve, sepse mëkat nuk ka, por ai është pjellë e klerit fetar.

Sipas mësimeve fetare mëkatet ndërmjet veti dallojnë sipas dëmit të tyre, përkatësisht sipas pasojave që shkaktojnë dhe janë kryesisht dy llojesh: Moskryerja e të urdhëruarës dhe veprimi i të ndaluarës.

Kjo qartë ilustrohet me rastin e krijimit të njeriut dhe urdhrin e Allahut ndaj krijesave të tjera që t’i përulen krijesës së re. Të gjithë e zbatuan urdhrin e Krijuesit, pos Iblisit, i cili e refuzoi përuljen dhe manifestoi mendjemadhësi kundrejt Krijuesit. Ky veprim i tij shkaktoi që Iblisi të përjashtohet përfundimisht nga mëshira e Krijuesit.

Nga ana tjetër, krijimi i Ademit solli situatë të re, mënyrë të re jetese. Ai, njeriu, ishte qenie racionale, me aftësi kreative, njëkohësisht me liri relative dhe mundësi të të bërit mirë dhe keq. Kjo mundësi do të vijë në shprehje kur njeriu u sprovua me urdhrin për mosngrënien e ‘pemës së ndaluar’. Ademi dhe Havaja (qenia njerëzore) e thyen urdhërin dhe e hëngrën pemën, që i solli në situatë tjetërfare, me përjashtim nga xheneti. Por, për dallim nga Iblisi, i cili e refuzoi pranimin e gabimit të tij, njeriu e pranoi fajin, kërkoi falje nga Krijuesi dhe e mori faljen.

Mëkatet gjithashtu ndahen në të dukshme (mëkate transparente, ato që bëhen nëpërmjet organeve) dhe në ato të padukshme, që bëhen me zemër. Disa i ndajnë në mëkate të rënda (çfarë është mosbesimi, rivaliteti Zotit, sihri, vrasja, shfrytëzimi i tjetrit (riba`), ikja nga fushëbeteja dhe shpifja, që ka bazë në hadithet e Muhammedit a.s.[1], kurse disa në mëkate të mëdha (dëshmia e rrejshme, alkooli, prostitucioni, vjedhja etj.) dhe në mëkate të vogla,  në pajtim me ajetin kur’anor:

إِن تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلًا كَرِيمًا.

“Në qoftë se ju i shmangeni gabimeve të mëdha, që u janë ndaluar juve, Ne do t’i mbulojmë gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpijmë në (një) vend të mrekullueshëm (në xhenet).” (En-Nisa, 31).

Mëkati mund të ndahet edhe ndryshe, duke e marrë parasysh se njeriu është i përbërë nga një vistër i tërë cilësish, e disa nga të cilat janë të natyrës engjëllore, të natyrës shtazarake, shejtaneske etj. Në gërshetim të rrethanave të ndryshme këto cilësi manifestohen herë-herë të pavarura, e herë-herë të ndërvarura me faktorët e tjerë. Cilësitë shtazarake janë ato që shpijnë në epsh, pasion, neps e paturpësi, e si pasojë e të cilave manifestohet prostitucioni, vjedhja, ngrënia e pasurisë së jetimëve, koprracia, vetjakia. Cilësitë e vrazhdësisë janë: agresiviteti, derdhja e gjakut të tjetrit, armiqësia, dëmtimi i të dobëtëve, dhuna. Cilësitë shejtaneske janë: mendjemadhësia, mashtrimi, premtimi i rrejshëm, ngatërrimi etj.

Të gjitha këto mund dhe duhet t’i kontrollojë arsyeja, e përcjellë dhe e fisnikëruar me Shpalljen hyjnore. Por, nuk ndodh gjithnjë të ecë puna si duhet. Disa cilësi dëshirojnë që në mënyrë të fuqishme të imponohen. Disa cilësi të tjera në mënyrë të heshtur dominojnë mbi njeriun, e që njeriu vetëm pas një kohe bëhet i vetëdijshëm se vepron i dirigjuar, duke bërë disa gjera që nuk do të duhej dhe duke mos i bërë disa që do të duhej. Çdo njeri në vete ka disa cilësi negative, siç janë lakmia, mendjemadhësia, pasioni, smira, urrejtja, xhelozia, ashpërsia etj., dhe zhvillimi i ndonjë prej këtyre cilësive, do ta shpie njeriun në veprime të këqija.[2]

 

 

Pasojat e mëkateve edhe në këtë botë

 

Është bindje e rrënjosur te njerëzit se me kryerjen e urdhrave të Allahut, me përkushtimin ndaj Tij, arrihet vetëm lumturia e botës përtej. Gjithashtu, shkelja e dispozitave islame çon në fatkeqësi dhe dënim në botën përtej. Të tillët humbin edhe atë botë por edhe këtë botë, sepse nuk kanë harmonizuar këtë dhe atë botë. 

Kur’ani thotë:

“Dhe Allahu sjell shembull një qytet, i cili është i sigurtë dhe i qetë, të cilit i arrinte furnizimi i bollshëm nga të gjitha anët, e që pastaj, ata mohuan dhuntitë e Allahut, për atë që punuan ata, u dha që ta shijojnë urinë dhe frikën.” (En-Nahl, 112)

Është evidente se raportet e çrregulluara në familje, fqinjësi, mashtrimet në shitblerje, padrejtësitë e ndryshme, perversiteti, pijet dehëse, dhuna ndaj njerëzve e të tjera pas vetes lënë pasoja të rënda kurse jetën e bëjnë të ngushtë, duke sjell nostalgjinë për atë “që ka qenë më herët”.

Për këtë arsye, feja islame shkon në drejtim të harmonizimit të sjelljeve dhe aktiviteve tona me ato të natyrës dhe ligjeve në të.[3] Çdo abstenim nga jeta e harmonishme e njerëzisë çon në konfrontim me rendin kozmik në natyrë. Në këtë jep shenjë edhe Kur’ani në shumë raste, sikurse:

“E qiellin e ka ngritur dhe ka vënë masë (drejtësinë), për të mos kaluar (kufirin) në matje.” (Er-Rahmān, 7-8).

“U shfaq ngatërresa në tokë dhe në det për atë që punuan duart e njerëzve, që t’u japë të shijojnë pjesë nga ajo që kanë punuar, për t’u kthyer ata në përmirësim! (Er-Rūm, 41).

Mësimet kur’anore mësojnë se rrëmuja e theksuar dhe çrregullimet, sipas ajetit, kanë ndodhur vetëm pas shfaqjes së njeriut në Tokë. Deri atëherë, çdo gjë shkonte sipas një rendi natyror, të pandikuar, sepse vetëm njeriu e ka mundësinë e mirësisë dhe ligësisë, vlerave dhe veseve.

Për këtë arsye, mëkati duhet dëbuar, luftuar, që mos të vijë deri tek ai. Për ata që gabojnë, Allahu ka përcaktuar sanksione:

”... Mos t’ju kaplojë juve ndaj tyre kurrfarë mëshire (në kryerjen) e dispozitave fetare, nëse besoni Allahun le të prezantojnë në dënimin e tyre një grup besimtarësh.” (En-Nūr, 2).

Sanksionet në parim nuk kanë natyrë ndëshkuese edhe pse në shikim të parë duken të tilla. Me sanksione tentohet të parandalohet bërja e mëkatit në mënyrë masovike dhe të izolohet si i tillë në individë. E kundërta, mosrezistimi ndaj mëkatit trimëron bërjen e mëkateve botërisht dhe masovikisht, siç ngjanë me epidemitë apo pandemitë në mjekësi.

Mëkati e verbëron vetëdijen shpirtërore. Prandaj, mëkatari të vërtetën nuk e sheh në natyrën e mirëfilltë. Kjo ndodhë edhe me lakminë e njeriut kur shejtani ia paraqet gjerat në mënyrë mashtruese, kurse ai i pranon si të tilla, duke mos menduar më thellë për pasojat e shumta. Njerëzit mëkatarë fillojnë të jepen pas vetes, të vijnë në kundërshtim me ligjet natyrore dhe të krijojnë rrëmujë në natyrë por edhe në jetat njerëzore: ndotja e ajrit, ujit dhe tokës, infektimet dhe sëmundjet, vrasjet, frika nga tjetri, shkëputja e lidhjeve familjare, farefisnore dhe fqinjësore. Këtë Allahu i madhërishëm e ka theksuar:

“Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq, dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” (El-Enfāl, 25).

Edhe Muhammedi a.s. ka paralajmëruar për këtë gjendje:

“Kur te një popull të shfaqet e keqja, në atë mënyrë që të fillojnë ta veprojnë të keqen publikisht, ky popull do të përballet me infektime dhe sëmundje që nuk kanë ekzistuar te të parët e tyre. Kur një popull të fillojë të vjedhë në peshore, ai do të përballet me thatësi, mospasje dhe sundim tiranik, kurse kur të pushojnë ta ndajnë zekatin nga pasuria e tyre, iu pakësohet uji nga qielli dhe sikur mos të kishte kafshë, nuk do t’ju binte kurrë shi...!” (Hadithi nga Ibn Māxhe).

Pasojë tjetër është ajo që pohon Muhammedi a.s.:

“Pa dyshim njeriut do t’i zvogëlohet edhe furnizimi për shkak të mëkatit që e bënë.” (Hadithi nga Ahmedi në Musned).

Disa mëkate Allahu mund të prolongojë e disa mund t’i realizojhë qysh gjatë kësaj bote. Muhammedi a.s. thotë: “Sanksionin për të gjitha mëkatet Allahu, nëse do, mund t’i prolongojë deri Ditrën e Gjykimit, përveç mosëgfjimit ndaj prindërve. Mëkatarët e tillë Allahu i ndëshkon qysh gjatë jetës së tij në këtë botë.” (Hadithi nga El-Hakimi në El-Mustedrek me sened sahih).

Ibn Kethiri shpjegon: “Kur njerëzit të fillojnë masovikisht të bëjnë mëkate, si pasojë është humbja e bereqetit edhe nga qielli edhe nga toka. ...”.[4]

Për këtë arsye, njeriu nuk duhet kërkuar fajtorin gjetkë, siç është bërë zakon kohëve të fundit, por në vetvete. Fajësimi i tjetrit është mëkat në vete dhe nuk e riparon të ligën.

Muhammedi a.s. kur kishte ndonjë problem, ndonjë vështirësi, nuk klithte e bërtiste, por e shtonte ibadetin, pendohej më shpesh dhe e luste Allahun për falje. Në këtë mënyrë pak a shumë silleshin edhe as’habët. Ata e dinin ndikimin e mëkatit në jetën reale. Mirëpo, me kalimin e kohës, brezat e mëvonshëm dhe ky yni disi janë mishëruar me mëkatet, janë familjarizuar me të keqen dhe si pasojë janë dëmet e paimagjinueshme në rrafshin fetar, moral, politikë, ekonomikë, kulturor etj.

Ekzistojnë tri rrugë të kundërvënies ndaj të keqes. Muhammedi a.s. në mënyrë të shkëlqyeshme e ka përkufizuar këtë metodë:

“Kush nga ju sheh një të keqe le ta ndryshojë me dorën ew tij, e nëse nuk mundet ta bëjë, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet ta bëjë këtë, - atëherë me zemrën e tijm, porse ky është imani më i dobët.” [5]

 

 

Ndikimi i mëkatit në zemër

 

Pasojat e mëkatit nuk janë vetëm në këtë botë apo vetëm në botën përtej, por pasojat janë edhe për zemrën shpirtërore të njeriut. Siç e helmon helmi trupin ashtu e helmon mëkati zemrën, përkatësisht shpirtin njerëzor. Muhammedi a.s. në mënyrë metaforike e përshkruan këtë çështje:

“Kur njeriu gabon, në zemrën e tij shfaqet një njollë e zezë, dhe nëse pendohet, e braktisë dhe i drejtohet Allahut për falje, ai fshihet, e nëse rritet bërja e mëkatit, rritet edhe njolla e zezë. Kështu ndodhë deri sa nuk e mbulon zemrën e tij.”

 

 

Njeriu rob i mëkatit

 

Islami njeriun e ngre në nivel të mëkëmbësit të Zotit në Tokë. Kjo pozitë i mundëson atij të menaxhojë me tërë atë që gjendet në Tokë, qiej dhe atë që gjendet mes tyre. Njeriu nuk mund t’i robërohet dikujt tjetër pos Tij dhe të bëhet i varur ndaj dikujt tjetër pos Allahut. Nëse do ta ndjek rrugën e Allahut njeriu do ta ruajë pavarësinë dhe sovranitetin e tij njerëzor. Si i lirë, njeriu duhet të lexojë librin e Allahut, ta lexojë natyrën përreth tij dhe mësimet e nxjerra nga meditimi i shëdnoshë t’i implementojë për të mirën vetjake dhe atë të përgjithshme. Allahu premton shpërblime për një jetë të plotë islame:

“Kush punon vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, e është besimtar, Ne do t’i japim atij që të kalojë jetë të bukur. Dhe, me të vërtetë, për veprat që kanë punuar, do t’i shpërblejmë ata me shpërblimin më të mirë se sa që e kanë merituar.” (En-Nahl, 97), deri sa për të tjerët ka premtuar jetë të keqe:

“(Allahu) tha: “Zbritni prej xhennetit të gjithë! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Me të vërtetë, do t’ju arrijë juve udhëzim nga ana Ime, e kush pason udhëzimin Tim, nuk do të humbë (në këtë botë), as që do të jetë fatkeq (në botën tjetër).” (Tā Hā, 123).

Lidhja e hershme ndërmjet njeriut dhe Krijuesit duhet të mbahet dhe ruhet me kujdes. Arsyeja dhe pasionet duhet të jenë në shërbim të ruajtjes së lidhjeve ndërmjet njeriut dhe Krijuesit, dhe jo në prishjen e harmonisë së kësaj lidhjeje të shenjtë. Sepse, po të prishej kjo lidhje, njeriu nuk do të mund ta zbatonte detyrën e tij prej mëkëmbësi (halifi) në Tokë dhe me gjerë.

 

 

Mëkatet e zvogëlojnë jetën

 

Edhe pse në aspektin filozofikë e teologjikë çështja meriton kujdes të veçantë dhe të stërholluar, në rrafshin etikë tema kuptohet ashtu si e thotë këtë Muhammedi a.s.:

“Kush dëshiron që t’i jepet furnizim i bollshëm e(dhe) t’i zgjatet jeta, le t’i ruajë marrëdhëniet ndërfisnore.” (Hadithin e transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Hadithi nga dijetarët interpretohet llojllojshëm, dhe të gjitha ato interpretime kanë arsyen e vetë të fuqishme, por shpjegimi se mëkati shkakton që njeriu mos ta kuptojë jetën shpirtërore dhe t’i kapërcejnë gjerat pa i vërejtur, më duket më i arsyeshmi. Kjo ka mbështetje në ajetin kur’anor, ku jobesimtarët i krahason me të vdekurit:

“Me të vërtetë ti (o Muhammed!) nuk mund të bësh që i vdekuri, dhe as i shurdhëti të dëgjojnë thirrjen kur ata ta kthejnë shpinën ty duke u larguar, dhe ti nuk mund ta udhëzosh të verbërin nga humbja e tij. Ti mund të bësh që të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në ajetet Tona. Dhe, ata janë muslimanë të vërtetë.” (Er-Rūm, 52-53)

“Këtë (që e ka sjellë) është vetëm këshillë dhe Kur’ani i qartë, për ta paralajmëruar atë që është i gjallë (i mençur), dhe për t’u realizuar fjala (dënimi) ndaj mohuesve.” (Jā Sīn, 69-70).

Njeriu nga jeta e tij ka interes vetëm nga ajo pjesë që ia ka përkushtuar Krijuesit. Nga ibadetet e tij vetem aq sa ka qenë i pranishëm shpirtërisht në to. E kundërta, nëse ibadetin nuk e ka përcjellë qëllimi që ta arrijë kënaqësinë e Zotit, atëherë çdo gjë do të jetë e padobishme, e vdekur dhe nga aspekti fetar e pavlefshme.



[1] Kemi një varg hadithesh me tematikë të tillë, sikurse te Buhariu, Ebu Davudi etj., të cilët këto vepra i quajnë “mëkate shkatërruese” (el-mūbikāt).

[2] El-Hixhr, 43 dhe 44.

[3] Shih gjerësisht: Sejjid Kutb, Mealim fi’t-tarik.

[4] Tefsiri i Ibn Kethirit, ajeti 43 i sures Er-Rrūm.

[5] Muslimi; Rijadus-Salihin përkthimi shqip, nr. i hadithit 189.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme