Në thelb: Elitat që s’i kemi

Dhe, mbase kanë mundur ta kuptojnë edhe arsyen e këtij ligji natyror (hyjnor): nëse një dru rritet më shumë se drunjtë e tjerë, e fryn era dhe e rrëzon, ndërsa nëse mbetet më poshtë, nuk e prekin rrezet e diellit, andaj së shpejti vyshket dhe “vdes”. Nëse këtë fenomen natyror e shpjegojmë me fjalor shoqëror, kjo i bie kështu: drunjtë janë të detyruar t’i ndjekin standardet e lartësisë, të cilat diktohen prej drurëve më të lartë. Nga ky inercion elitat e drurëve kanë krijuar standarde të rritjes, të cilat në ndonjë nga pyjet tona arrijnë deri në njëzet metra, ndërsa në disa pyje të huaja arrijnë edhe deri në dyzet e kusur metra. Ky fenomen kaq interesant në natyrë, në një mënyrë është i prirë të zhvillohet edhe në shoqëri: në secilën shoqëri patjetër duhet të ekzistojë një shtresë që i dikton standardet. Ndërkaq, nëse ajo shtresë mungon, atëherë krijohet një tip amullie si kjo në të cilën jemi ne sot, ku nuk dihet kush është ai që i dikton standardet dhe si pasojë e kësaj paraqiten njerëz që shpejt bëhen “elitë” dhe po aq shpejt bien poshtë, sa nga erërat që mund t’i fryjnë atje lart, po aq edhe nga ngritja false që nuk mund t’i mbajë gjatë.


Elitat e munguara politike


Kur këtë që e thamë më sipër e ilustrojmë me shembull në jetën politike, kjo duket kështu: politikan bëhen jo ata që kanë lexuar ndonjë literaturë politike, jo ata që i njohin rrethanat politike globale dhe lokale, jo ata që e kanë lexuar Fukujamën, Kisinxherin, Hantigntonin ose Çomskin, por ata që me vendim të “liderit” hyjnë nëpër listat e deputetëve, nëpër listat e ministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve e të tjerëve. E pasi të bëhen “elitë”, atëherë i mbarojnë fakultetet, disa bëhen magjistra (kanë kohë edhe për shkencë), e bile edhe doktorë shkencash. Mirëpo fatkeqësisht kur pastaj duhet të funksionojnë si elitë, bëhen jashtë mase qesharakë, herë-herë palaço cirku, e jo rrallë edhe gaz i botës. Pastaj mund të dëgjojmë margaritarë të ndryshëm si “Leka i Madh ka folur shqip” (veç sa nuk u tha në cilin dialekt e të folme) ose edhe më keq, deri dje je partia më e djathtë se e djathta, më nacionaliste se nacionalizmi, më atdhetare se atdhetaria, parti që sa nuk e ka marrë shiritin në dorë për t’i ndarë kufijtë, po ajo parti kur vjen në pushtet bëhet krejt diçka tjetër: disa bëhen integristë, disa të tillë që dinë të bashkëpunojë me institucionet e sistemit, disa që assesi nuk duan të dëgjojnë për shtet etnik, thua se nuk ishin ata të djeshmit. Kjo edhe pse merret vesh se sa është serioze, megjithatë e keqja më e madhe e saj është se kështu përfundimisht varroset mundësia për të krijuar elita politike. Kështu përfundimisht pamundësohet krijimi i një shtrese që di t’i gjykojë drejt proceset politike, shtresë që politikën nuk e ka vetëm hobi të pasdarkes ose vend të parë të punës, por
diçka që duhet të jetë kurorëzim i përpjekjeve profesionale në fusha të tjera shoqërore, që pastaj të rezultojë edhe me menaxhimin e gjërave drejtpërdrejt në politikë. Nuk di shembull më të keq për këtë se fakti që ministri i tashëm i Transportit dhe “Lidhjeve”, që tani është në vendin e dytë të punës, pra si ministër, se vend të parë të punës e ka pasur drejtorllëkun në një ndërmarrje jo edhe të vogël publike. Kjo i bie njësoj sikur një student sa të diplomojë për profesor, ta bësh drejtor të shkollës. Ose, kryeministri që merr guxim ta udhëheqë shtetin, akoma ka nevojë të mësojë nga dikush që di më mirë se ai, por që nuk ka arritur të dalë në skenë si ai. Prandaj te ne nuk ka debat politik, por vetëm zënka partiake, prandaj te ne një palë jenë krejt zi, ndërsa tjetra krejt bardh, prandaj te ne vetëm “ata” i kanë fajet, ndërsa “këta” çdoherë kanë të drejtë. Siç mund të vërehet fare lehtë, te ne nuk ka kontinuitet në zhvillimin e personaliteteve politike, “drunjtë” mbesin ose më të shkurtër e kurrë nuk i kap dielli ose rriten shumë artificialisht që pastaj i fryn era e harrohen.




Elitat e munguara shkencore





Një gjendje afërsisht e njëjtë e mungesës së elitave ose e vrasjes së tyre mbretëron edhe në jetën shkencore. A nuk caktohen te ne vite më radhë profesorët, dekanët dhe rektorët e universiteteve tona nga politika?! A nuk e dimë ne se konkurset nëpër universitete nuk vendosen nga komisionet profesionale recensuese, por nga politika?! Andaj nuk ke çka pret shkencë këtu. Këtu gjithçka është e qartë: madje edhe shumë nga ato libra që i rendisin nëpër rafte këta “shkencëtarë” ose janë plagjiatura të autorëve të Shqipërisë a të Kosovës ose janë marri të vërteta që merren vesh që nga titulli që shkruhet me gabim. Si shembulli i një libri që flet për çështje të shqipes standarde, ndërsa në titull e ka një fjalë që nuk është në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndërsa është në fjalorët e gjuhëve sllave. Ne kemi kallaballëk “shkencëtarësh”, por nuk kemi shkencë. Cilit autor tonit ia kanë botuar librat jashtë kufijve tanë?! Cilit autor tonit ia kanë përkthyer librin në gjuhë të huaj?! Ndonëse përgjigja mbetet në numra që nuk janë më shumë se gishtat e një dore, edhe ato emra mbeten si ata drunjtë që për shkak se mund t’i fryjë era, e ulin kokën poshtë, e shpesh bëhen poltronë e konformistë, sepse ndryshe nuk mund të mbijetojnë. Në këtë kontekst, edhe pse mungesa e elitave politike është e dhimbshme, aq më e dhimbshme është mungesa e elitave shkencore e kulturore, sepse kjo po na kushton gjenerata të tëra që kanë vdekur e s’e kanë marrë vesh se kush ishte elita shkencore. Ose edhe më keq, kanë vdekur duke menduar se ata janë elitë, e s’e kanë ditur se kanë qenë vetëm sherr e ndërkëmbëz e shkencës dhe e kulturës. A nuk kemi ndeshur gjatë shkollimit arsimtarë a profesorë që kanë qenë shumë të zëshëm për fajet e të tjerëve, por që nuk i kanë ditur as punët më elementare të lëndës së tyre?! Kjo gjendje ka bërë të kemi plot kravata narcisoide, zgjedhje e rizgjedhje formale nëpër fakultete, libra e revista, promovime e komplimente, por që aq shpejt janë harruar si ata drunjtë e pyjeve që nuk i zë pranvera e dytë. E kishim në shkollë një profesor që kurrë nuk ka ditur të shpjegojë mësim, por që çdoherë i ka kritikuar kolegët e vet se nuk dinë. Si puna e një gjuhëtari në kohët tona që çirret për ndërhyrje në gjuhën standarde, ndërsa nuk e di se në të folmet e gegërishtes qendrore ka më shumë se shtatë fonema zanore. Mjerim. Elitat e munguara teologjike Në fund të këtij teksti do të ndalem vetëm edhe në elitat e munguara teologjike. Jo se në fusha të tjera nuk kemi këso devijimi, porse këto sfera janë me shembuj që çdo ditë na i vrasin sytë. Fundja le të mbetet pak punë edhe për dikë tjetër. Edhe një qëndrim sado i shkurtër në qarqet teologjike te ne, të bën të kuptosh shumë lehtë se te ne sa hoxhallarë ka, po aq ka shpjegime të fesë. Secili hoxhë e ka një shpjegim të tij të fesë. Kur u hap debati për vehabizmin në faqet e kësaj gazete, mos të ishin shkrimet e disa autorëve të huaj, do të dilte se vërtet te teologët e Maqedonisë nuk ka askush që di të mendojë si duhet. Në mesin e teologëve tanë ka mungesë të kuptimit të gjërave edhe më esenciale, si kuptimi i fjalës shkencë dhe kulturë. E themi me keqardhje, por shumë prej hoxhallarëve tanë janë përshëndetur me literaturë qëkur kanë përfunduar me dispensat e studimeve. Andaj pak prej tyre e njohin eposin heroik dhe legjendar shqiptar. Pak prej tyre i njohin ritet e motmotit te shqiptarët, pak prej tyre dinë për baladat e rinjohjes, pak prej tyre e njohin Fishtën, Sulejman Naibin, Lasgushin, Kadarenë, Agollin, Beqir Musliun e Kasëm Trebeshinën, pak prej tyre i kanë lexuar librat e Gjozës, të Kariqit, të Hafizoviqit e të ndonjë tjetri të mjedisit tonë, sepse për Tarik Ramadanin e Hamza Jusufin shumica as që janë në rrjedhë. Edhe pse në faqet e kësaj gazete shpesh botohet ndonjë artikull që jep shpresë se gjërat nuk janë edhe kaq zi, megjithatë konstatimi i përgjithshëm është se te ne nuk ka fare elitë teologjike. Shprehur me fjalor natyre, kjo do të thotë se ndonëse ka disa lisa që janë ngritur lart, ato nuk kanë mundur të qëndrojnë thuaja aspak në këmbë, ngase erërat e forta (të xhahilëve) i kanë marrë nëpër këmbë. Kjo punë i ngjan asaj urtisë popullore se “Mos ta prefshin udhën hoxha xhahil dhe mësuesi i padijshëm”.
E nëse vërtet na vjen keq që nuk kemi elita, për ngushëllim ju rekomandoj ta dëgjoni Elitën 5 me “Merlin Monro të duket ty vetvetja / Merlin Monro je larg nga e vërteta”. Së paku një elitë e kemi.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme