Imam Ebu Hanife r.h. dhe çështja e “irxhá-së”

Hyrje

 

Më ka rastisur të dëgjoj prej disa kolegëve hoxhëllarë, të cilët ndajnë mendimin se Ebu Hanifeja r.h. i ka parimet e drejta në mes’elet e akaidit, porse ai ka gabuar në disa prej tyre, e një ndër ato është edhe mes’eleja e “irxha-së”. Bindja se Ebu Hanife r.h. ka gabuar në këtë mes’ele më ka bërë përshtypje, prandaj dhe vendosa që në lidhje me këtë të bëj këtë çapitje studimore.

 

Konteksti i çështjes

 

Nuk po i shkruaj këto rrshta që t’i dal në mbrojtje parimeve të Ebu Hanifes r.h. dhe medh’hebit hanefij, sepse asnjëri e as tjetri nuk kanë nevojë për një gjë të tillë. Por, jam i prirur të shkruaj për arsye se nocioni el-irxha përdoret në kuptim negativ për Imam Ebu Hanifen r.h., po edhe për arsyen që njerëzit e rënë në tutelën e manipulimeve mos të vazhdojnë me lajthitjeje dhe paragjykime ndaj Ebu Hanifesë r.h. dhe medh’hebit hanefij, e që mbi këtë bazë, ata mbase e kanë humbur respektin për Imamin Adham.

Problematika e çështjes buron tek vetë nocioni “el-irxha” nga i cili rrjedh emri i fraksionit “murxhi”, një fraksion ky, që, megjithatë është akuzuar për disa parime jo të sakta në doktrinën e besimit islam. Kjo ka bërë që grupet konservatore ta gjykojnë Ebu Hanifen për gabim në çështjen e përkufizimit të nocionit “iman”, duke e cilësuar qëndrimin e tij të ngjashëm me qëndrimin e fraksionit të murxhitëve në çështjen e imanit. Këtu vërtetohet një injorancë e thellë e të gjithë atyre që e akuzojnë Ebu Hanifen për qëndrim të njëjtë me atë të murxhitëve, pasiqë dihet shumë qartë se qëndrimi i Imamit absolutisht nuk është i këtillë, siq do ta shohim më poshtë.

 

Domethënia e nocionit “el-irxha”

 

Studiuesi i fraksioneve në Islam, Abdul Kerim Esh-Shehristani në librin e tij “El-Milel ven-nihal” ofron sqarime për domethënien e fjalës “el-irxha”. Ai thotë, nocioni el-irxha vjen në dy kuptime:

1) Në kuptim të vonimit (ألتأخير), siç kjo ka ardhur në ajetin kur’anor: “Ata (krerët) thanë: Ndale atë dhe vëllain e tij…” (El-A’raf, 111), domethënë “vonoje atë”; dhe 2) Në kuptim të dhëniesë së shpresës (إعطاء الرجاء).[1]

Domethënë, sipas kuptimit të parë, nocioni el-irxha konsiston “renditjen e veprës pas imanit” (تأخير المرتبة العمل), dhe sipas kuptimit të dytë irxha konsiston dhënien e shpresës për besimtarët mëkatarë për të qenë pjesë e shefaatit dhe faljes së mëkateve në ditën e Kijametit (إعطاء الرجاء في الشفاعة و المغفرة).[2] Me këtë kuptim, irxha-ja konsiston: “vonimin e gjykimit për mëkatarin e madh deri në ditën e Kijametit, andaj në këtë botë nuk mund të gjykohet për të nëse ai është prej banorëve të xhennetit apo xhehennemit.[3] Në sfondin e këtyre dy kuptimeve reflekton çështja e “irxha-së”.

 

Të kuptuarit e “irxha-së” dhe perceptimi i gabuar

i qëndrimit të Ebu Hanifes r.h.

 

Në të vërtetë, të kuptuarit e esencës së “irxha-së” lidhet me të kuptuarit e dallimeve të dijetarëve islamë në lidhje me përkufizimin e imanit, ngase, ata që e akuzojnë Imam Ebu Hanifen për “irxha”, këtë e bazojnë në qëndrimin e Ebu Hanifes përkitazi me përkufizimin e domethëniesë së imanit. Sipas Ebu Hanifesë dhe dijetarëve të shquar të medh’hebit hanefij, domethënia terminologjike e imanit është besimi me zemër dhe deklarimi me gjuhë. Këto dy komponente konsiderohen pjesë përbërëse (rukn) të imanit, ndërsa kryerja e obligimeve fetare (veprave) konsiderohen diç të mbështetura në iman, më se ai që ka besuar me zemër dhe këtë e ka deklaruar me gjuhë është i obliguar që t’i zbatojë të gjitha detyrimet fetare (veprat) që rrjedhin nga imani, porse ato (veprat) nuk konsiderohen pjesë përbërëse (rukn) të tij.[4] Për këtë arsye, devijimi në perceptimin e drejtë të imanit si akt fundamental besimor, besimtarin e shpie në tutelën e akuzës për dezertim nga Islami, ndërsa devijimi në sferën e veprës nuk e shpie deri aty (ألضلال في التصديق يخرج من الإيمان والضلال في الأعمال لا يخرج من الإيمان).

Për dallim nga qëndrimi i Ebu Hanifes r.a. dhe pasuesve të tij, dijetarët e tjerë islamë nga radhët e tri medh’hebeve të tjera thonë se kryerja e obligimeve fetare (veprat) janë pjesë përbërëse e imanit (rukn), duke i barasvlerësuar njësoj: besimin me zemër, deklarimin me gjuhë dhe zbatimin e detyrimeve fetare.[5] Pikërisht ky dallim në çështjen e definimit të imanit, ka determinuar edhe shumë qëndrime të tjera kontekstuale, sikurse janë: “imani as nuk shtohet e as nuk pakësohet (ألإيمان لا يزيد و لا ينقص)”, “përjashtimi në iman (ألإستثناء في الإيمن)”, “çështja e mëkatarit të madh (مرتكب الكبيرة)”, “akuza për mosbesim (التكفير)”, etj. Në këtë kuptim, ka rrjedhur edhe çështja e “irxha-së”, më se pati të atillë që Ebu Hanifen r.h. për shkak të qëndrimi të tij se “vepra nuk është pjesë përbërëse (rukn) e imanit, respektivisht se vepra merr kuptim besimor vetëm pas përvetësimit të imanit”, e akuzuan për “irxha”,[6] duke e përngjasuar këtë qëndrim të Ebu Hanifesë r.h. me qëndrimin e fraksionit të murxhitëve, të cilët thonë se: “mëkati nuk i bën dëm njeriut gjersa ai është në iman, dhe as vepra e mirë nuk i bën dobi njeriut gjersa ai është në kufër” (لا يضر مع الإيمان ذنب كما لا تنفع مع الكفر حسنة), domethënë Allahu i falë të gjitha mëkatet e besimtarit.[7]

Këtu është esenca e perceptimit të gabuar të qëndrimit të Ebu Hanifesë r.h. dhe përdorimi i gabuar i “irxha-së” në lidhje me të. Ata e akuzuan Ebu Hanifen, ngase sipas bindjes së tyre Ebu Hanifeja r.h. e ka shvlerësuar peshën e mëkatit që mund të pasojë nga lëshimi i ndonjë vepre, me vetë faktin që ka thënë se imani është çështja kryesore e besimtarit, ndërsa vepra vjen pas imanit. Është e vërtetë se Ebu Hanifeja r.h. i ka dhënë peshë të veçantë aktit të besimit në raport me veprën, dhe për këtë ka sjellur argumentet nga Kur’ani dhe Sunneti dhe këtë askush nuk mund ta kontestojë, por absolutisht nuk e ka nënvlerësuar rolin e veprave (adhurimeve), sepse ai vetë ka qenë ndër njerëzit më të devotshëm të këtij ymmeti. Sikur të besonte se vepra s’ka rëndësi pas imanit, ai nuk do të kalonte netë e ditë të tëra në ibadete dhe studime të palodhshme. Po ashtu, Imam Ebu Hanife, përveç rolit të veprës, absolutisht nuk e ka shfajësuar mëkatarin e madh, ta zëmë siç bëri fraksioni i murxhitëve. Dallimi në mes të Ebu Hanifesë r.h. dhe murxhitëve është i qartë, dhe është për t’u çuditur se si njerëzit e kanë akuzuar Ebu Hanifen për murxhizëm, për sa kohë që qëndrimet e Imamit A’dham janë të hapura në traktatet e tij besimore. Madje, distancimin nga qëndrim i fraksionit të murxhitëve përkitazi me këtë çështje, vetë Imami A’dham e ka deklaruar në trajtesën e tij monumental “El-Fikhul Ekber”. Ai thotë:

Ne nuk duhet të themi se veprat tona të mira janë të pranuara, kurse veprat tona të këqia janë të falura, sikur që këtë e pohojnë murxhitët.[8] Ky citat e vërteton qëndrimin origjinal të Ebu Hanifesë r.h. dhe konceptin e tij përkitazi me imanin dhe veprën. Në vazhdim ai thotë: Mirëpo, ne duhet të themi kush e bën një vepër të mirë me të gjitha kushtet që ajo i kërkon (për të qenë e tillë), të pastër nga të metat prishëse (të karakterit të jashtëm) dhe kuptimet zhvlerësusese (të karakterit të brendshëm siç janë mosbesimi, lavdërimi i vetvetës dhe i punës, të vepruarit sa për sy e faqe etj.), dhe nuk e zhvlerëson atë (me ndonjë të metë) deri në vdekje (dhe vdes besimtar me iman), Allahu i Lartësuar nuk do t’ia humbasë atë, porse do t’ia pranojë atë dhe do të shpërblejë për të.[9]

Po ashtu qëndrimi i tij për mëkatarin e madh është i njohur dhe i përsëritur mjaft shpesh në traktatet e tij besimore. Ai thotë: “Nuk themi se besimtarit nuk do t’i bëjnë dëm mëkatet e tij, e as se ai do të hyjë në xhehennem. Dhe as nuk themi se ai do të qëndrojë përgjithmonë në zjarr po qoftë ai edhe mëkatar, vetëm nëse nga kjo botë del (vdes) si besimtar (me iman)”[10] Pastaj në një vend tjetër Imami është edhe më konkret: Sa i përket (bërësit të) veprave të këqia (pra, përfshirë të gjitha mëkatet qofshin të vogla apo të mëdha), përveç shirkut – politeizmit (veçanërisht) dhe kufrit - mosbesimit (përgjithësisht), dhe nëse ai vdes pa u penduar, por duke qenë besimtar me iman, atëherë ai është nën dëshirën e All-llahut të Madhëruar, nëse Ai dëshiron e dënon atë (me drejtësinë e Tij, për të këqiat e tij dhe aq sa është meritor për dënimin e Tij), e nëse dëshiron e falë atë (me mirësinë e Tij) dhe nuk do ta dënojë përgjithmonë në zjarr. [11]

Këto qëndrime të Imamit, në fakt janë qëndrime të ehlus-sunetit vel xhematit dhe janë të bazuara në argumentet e Kur’anit dhe Sunnetit të Pejgamberit a.s. Kjo është rruga e drejtë e fesë Islame dhe në këtë rrugë është pjesa dërrmuese e mulimanëve, andaj me të drejtë imam Ebu Zehre thotë se “nëse dikush i konsideron këto pikëpamje prej murxhitëve, atëherë pjesa dërrmuese e muslimanëve na qenkan murxhi!?” Përkundrazi, Ebu Zehre duke e ngritur lartë personalitetin e Imam Ebu Hanifes r.h., dhe duke e mohuar çdo mundësi të ideve të fraksionit murxhi tek Ebu Hanife r.h., në vazhdim e thotë edhe këtë: Dijetarët e ehlus-sunnetit përkatësinë e “irxha-së” ia kanë atribuar vetëm fraksionit të ibahitëve (الإباحية), ndërsa atë e kanë mohuar kategorikisht për Ebu Hanifen r.a., kur dihet qartë se esenca e irxhasë nënkupton neglizhimin e aspektit të veprës në kontekst të adhurimeve dhe mospërfshirjen e saj në llogari në Ditën e Gjykimit, e Ebu Hanifeja që ishte aq shumë i devotshëm nuk ishte i këtillë.[12]

 

Domethënia e “irxha-së” sipas Ebu Hanifes r.h.

 

Në veprën el-alim ve’l-muteal-lim, Imam Ebu Hanife e sqaron domethënien terminologjike të “irxha-së”. Ai thotë: Kjo fjalë vjen nga përballja e engjëjve, kur Allahu u kërkoi atyre që t’i numërojnë emrat e gjërave, për të cilat i pyeti: “Mi tregoni emrat e tyre.” (El-Bekare, 32). Engjëjt duke u frikësuar se do të gabojnë në përgjigjet e tyre, ngase nuk ishin të sigurtë në diturinë e tyre, nuk u përgjigjën dhe iu drejtuan Allahut me këto fjalë: “I Madhëruar qofsh (o Zot). Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti.” (El-Bekare, 32). Kështu engjëjt duke mos qenë të sigurtë në dijeninë e tyre, heshtën dhe nuk vepruan si njeriu që pyetet për gjërat, e për të cilat nuk ka njohuri, ndërsa flet për to dhe fare nuk mërzitet. Në këtë rast nëse nuk ia qëllon gabon, por edhe nëse ia qëllon nuk konsiderohet vepër e lavdëruar, ngase ia ka qëlluar pa njohuri përkatëse. Në këtë kontekst, Allahu i Lartësuar i ka thënë të Dërguarit të Tij: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El-Isra, 36). Domethënë nëpërmjet këtij ajeti, Allahu nuk e lejoi të Dërguarin e Tij që të flasë, të gjykojë apo ta akuzojë një njeri për shpifje, duke u bazuar në paragjykime dhe pa dije të sigurtë.[13]

Po ashtu, duke e shpjeguar irxha-në, Ebu Hanife thotë: “Prej “irxha-së” është edhe që të shpresojmë për faljen e besimtarëve mëkatarë dhe nuk themi se ata janë prej xhehennemlive apo xhennetlive. Njerëzit sipas nesh janë tre sosh: në grupin e parë janë pejgamberët, të cilët janë prej xhennetlive. Po ashtu prej xhennetlive është edhe ai për të cilin kanë dëshmuar pejgamberët se ai është xhennetli; në grupin e dytë janë politeistët (mushrikët) për të cilët dihet se janë prej xhehennemlive; dhe në grupin e tretë: Janë muveh-hidunët, ata të cilët mjaftohen vetëm me deklarimin e Njëshmërisë së Allahut dhe nuk janë të kujdesshëm në respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, për të tillët përmbahemi dhe nuk dëshmojmë se janë prej xhehennemlive apo xhennetlive, mirëpo shpresojmë (nerxhu) se Allahu do t’i falë, po edhe frikësohemi për të ardhmen e tyre në botën tjetër. Në lidhje me ta e themi atë që e ka thënë Allahu: “Ata përzien vepra të mira, e edhe të tjera të këqia. Atyre do t’u falë Allahu, se Ai i falë atij që pendohet…” (Et-Tevbe, 102). Po ashtu shpresojmë pë ata, ngase Allahu ka thënë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do…” (En-Nisa, 48), po edhe frikësohemi për mëkatet dhe të këqijat e tyre.[14]

Pra, në bazë të kësaj që u tha më sipër, bëhet e qartë se Ebu Hanife r.h. nocionin e “irxha-së” e kupton në kuptim të mos gjykimit për diçka që nuk e dimë saktësisht, dhe e cila është në kompetencë të dëshirës së Allahut të Lartësuar.[15] Domethënë, Imami A’dham me një qasje profesionale dhe të argumentuar, “irxha-në” e percepton si një pozicion i caktuar, ku besimtari nuk ka njohuri të saktë për diçka, siç është rasti i (mos)përgjigjes së melaikëve për numërimin e emrave të gjësendeve, apo (mos)gjykimi për të ardhmen (në ditën e Gjykimit) të mëkatarit të madh, i cili vdes me iman, por pa u penduar për mëkatet e tij. Kështu e kuptoi Ebu Hanife r.h. “irxha-në” dhe kjo është e vërteta. “Në këtë aspekt nuk qëndron ajo se “irxha-ja” tek Imam Ebu Hanife r.h. kinse nënkupton nënvlerësimin e veprës dhe pakësimin e pozitës së saj.”[16] Absolutisht, sepse nëse ka ndonjë dijetar që ka qenë i dhënë aq shumë ndaj ibadetit dhe veprës së mirë, pikërisht ai është Ebu Hanifeja r.h. Çdo tentim për ta akuzuar Ebu Hanifen se ai kinse e ka nënvlerësuar veprën, nuk është tjetër veçse një akuzë e padrejtë.

Këto akuza i ka mohuar vetë Ebu Hanife r.h., në kohën kur ishte gjallë. Kjo ka ndodhur, në një shkëmbim letrash në mes të Imam Ebu Hanifes r.h. dhe një dijetari të njohur nga Basra, Uthman El-Bettij. El-Bettij, në shenjë mirëkuptimi i shkruan Ebu Hanifes r.h. se njerëzit janë duke e akuzuar atë (Ebu Hanifen) për rreshtim në radhët e murxhitëve, dhe për këtë Uthman El-Bettij ndjen keqardhje. Me këtë rast imam Ebu Hanife r.h. i shkruan një letër sqaruese dijetarit nga Basra ku i jep shumë sqarime ineteresante dhe e mohon kategorikisht çdo akuzë për murxhizëm.[17]

 

Përfundim

 

Nga sa u tha më lartë, qëndrimi i Ebu Hanifes r.h. në lidhje me çështjen e mëkatarit të madh dhe çështjen e rëndësisë së veprës, është qëndrim i ehlus-sunetit vel xhematit, dhe nuk ka të bëjë asgjë me qëndrimin e murxhitëve. Akuzimi i Ebu Hanifes r.h. për murxhizëm në këto pika, fatkeqësisht, nuk është tjetër veçse një paragjykim i vërtetë, që është plasuar në opinion nga njerëzit joprofesionalë, dhe i njëjti, përsëri me ndihmën e njerëzve të ligjë është transmetuar ndër shekuj, nga një gjeneratë tek tjetra, për të vazhduar deri në këtë kohë kur po i shkruajmë këto rreshta.

Plasimi i këtyre paragjykimeve ndaj Ebu Hanifes r.h. ka ndodhur për shumë arsye, por dy janë më kryesore:

1) Për arsye të konsumit medh’hebor. Në kohën kur jetoi Ebu Hanife r.h., bota islame ishte përfshirë nga shumë debate akaidore dhe ekzistonin shumë fraksione. Pa dyshim se në mesin e dijetarëve të shquar islam ishte Ebu Hanifeja r.a., i cili konsiderohej autoriteti më i madh i kohës. Kështu që shumë fraksione të ndryshme të asaj kohe, që nuk gëzonin përkrahje respektabile në masë, e cilësonin Ebu Hanifen se është i fraksionit të tyre, në mënyrë që nëpërmjet autoritetit të tij, t’i justifikonin mendimet e tyre të papërfillshme te shtresa e gjerë e myslimanëve. Kështu pati bërë Gas-san El-Murxhi, i cili e cilësoi Ebu Hanifen r.h. prej tyre, pra prej murxhitëve,[18] pavarësisht se Ebu Hanifeja nuk kishte të bënte asgjë me ta; dhe

2) Mosnjohja e Ebu Hanifes r.h., respektivisht mungesa e informacionit të saktë ndaj qëndrimit të Ebu Hanifesë r.a. në lidhje me irxhanë, siç i pati ndodhur Othman El-Bet-tiut, më se Imam Ebu Hanifeja r.h. nëpërmjet një letre qe detyruar moralisht, që ta mohonte akuzën për “irxha”, dhe t’ia qartësonte qëndrimin e vet në lidhje me “irxha-në” dhe çështjen e mëkatarit të madh.

Mendoj se këto dy arsye akoma janë prezente edhe në mjediset tona mbarëkombëtare.

 

 



[1] Abdul Kerim Esh-Shehristani, El-Milelu ve’n-nihal, vërtetimin shkencor e bëri Muhamed Abdil Kadir El- Fadilij, el-mektebetul asrijjetu, Bejrut, 2004, fq. 111.

[2] Ebu Zejd El-Axhemij, El-akidetu’l islamijjetu inde’l fukahai’l erbeati (Ebu Hanife, Malik, Esh-Shafij, Ahmed), botimi i dytë, darus-selam, Kairo, 2008, fq.171

[3] Abdul Kerim Esh-Shehristani, po aty, fq. 111.

[4] Rrjedhimisht Ebu Hanifeja ka thënë se imani (besimi me zemër) dhe islami (zbatimi i veprave) janë të lidhura si shpina me barkun, duke aluduar se veprat kanë rëndësi të veçantë në përmbajtjen e imanit. (Më gjerësisht për këtë çështje, shih në gjuhën shqipe: Orhan Bislimaj, Akaidi Hanefij, Forumi i të Rinjve Muslimanë, Prizren, Kosovë, 2008, fq. 448-470).

[5] Më gjerësisht për këtë çështje, shih në gjuhën shqipe: Orhan Bislimaj, po aty, fq. 388 – 407.

[6] Ebu Zejd El-Axhemij, po aty, fq. 171.

[7] El-Al-lametu Abdul Ganij El-Gunejmij El-Mejdanij El-Hanefij, Sherhu’l-akideti’t-tahavijjeti, botimi i parë, darul bejrutij, pa vend të botimit, 2005, fq. 106. S’ka dyshim se ky qëndrim i murxhitëve është i gabuar, që vjen në kundërshtim me argumentet e Kur’anit dhe Sunnetit, dhe nuk ka të bëjë asgjë me qëndrimin e Ebu Hanifes r.h. në lidhje me çështjen e mëkatarit të madh.

[8] Ebu Hanife, El-Fikhu’l-ekber, sipas: Alij bin Sulltan Muhammed El-Kari, Sherhu’l fikhi’l ekber li ebi hanifete en-nu’man, tahkik Mervan Muhamed Esh-Sha’ar, botimi i pare, ‘daru’n-nefais, Bejrut-Libon, 1417/1997, fq. 166.

[9] Ebu Hanife, po aty, fq.166-168.

[10] Ebu Hanife, po aty, fq. 164.

[11] Ebu Hanife, po aty, fq.168

[12] Muhamed Ebu Zehre, Ebu Hanifete hajatuhu ve asruhu – arauhu ve fikhuhu, daru’l fikri’l arebij, pa vend të botimi, 1976, fq. 176.

[13] Ebu Hanifete, El-Alim ve’l muteal-lim, cituar sipas: Mustafa Öz, Imam-i A’zamın beş eseri, El Alim ve’l muteal-lim; El Fikhu’l Ebsat; El Fikhu’l Ekber; Risaletu Ebi Hanifete; El Vesijjeh, Stamboll, 1992, fq. 30

[14] Ebu Hanifete, El-Alim ve’l muteal-lim, po aty, fq. 30-31.

[15] Ebu Zejd El-Axhemij, po aty, fq.173.

[16] Ebu Zejd El-Axhemij, po aty, fq.173.

[17] Risaletu Ebi Hanifete ila Uthman El-Bettij, sipas: Mustafa Öz, Imam-i A’zamın beş eseri, El Alim ve’l muteal-lim; El Fikhu’l Ebsat; El Fikhu’l Ekber; Risaletu Ebi Hanifete; El Vesijjeh, Stamboll, 1992, fq. 78.

[18] Ebu Zejd El-Axhemij, po aty, fq. 172. Më gjerësisht për Gassan El-Kufij, shih: Abdul Kerim Esh-Shehristani, po aty, fq. 112-113.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme