Tregtia me profesione ose historia nen thiken e nje mjeku

Në Kosovën e pasluftës doli një dritë një trend i përçudshëm i paparë diku në botë në përmasa të tilla: tregtia me profesione. Një kushëriri im i cili tërë jetën e vet kishte mbjellë qepë një fshat të thellë malor papritmas u bë këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë. Denbabaden ekonomia e Kosovës ka nevojë për specialistë qepësh. Fqinji im i cili ishte muzikant dhe kishte kryer shkollë për muzikë u bë mësues i edukatës fizike, sikur nxënësit të kishin nevojë ta trajnonin edhe zërin e tyre duke bërë ushtrimet gjimnastikore. Shoqja e një shoqes sime, e cila përndryshe ishte duke specializuar për gjuhë dhe letërsi shqipe na u bë këshilltare në një Departament që merret me çështje të minoriteteve, (a thua për ti mësuar pakicat shqip?!). E të mos flasim për rastet ku ekonomistët na u bënë ministra të kulturës dhe historianët ministra për mirëqenie sociale. Ku i dihet, mbase kultura më tepër se për një specialist arti kishte nevojë për dikë që dinte të menaxhonte paratë e shumta të cilat buxheti i Kosovës ia dedikon kulturës (sic!), apo mbase edhe ministria e mirëqenies sociale kishte nevojë për një specialist i cili do ta bënte të ditur historinë e qytetarëve të mjerë të cilët kanë nevojë për asistencat sociale të kësaj ministrie.
Dhe kur jemi tek historia, në vend që, bie fjala, historiani i mësipërm të dilte dhe të na fliste për historinë e Prishtinës, në Parlamentin e Kosovës (këtë të fundit po duam ta bëjmë shtet) na zbret nga qielli një laik dhe na mban ders për të kaluarën e Prishtinës dhe objektet fetare të saj. Ky i fundit duke debatuar rreth fatit të Hotelit Union i cili gjendet përballë godinës së Parlamentit dhe duke lobuar rreth dhënies në pronësi të këtij Hoteli artistëve të Galerisë së Arteve, deklaroi se në afërsi të Hotelit dikur na paskësh qenë një sinagogë dhe një kishë. Nëse akoma jeni duke u munduar ta qëlloni se çfarë profesioni ka i nderuari në fjalë për të mos ju munduar shumë le të themi se është mjeku deputet Alush Gashi.
Nuk jemi në dijeni të ekzistimit në afërsi absolute të Hotel Unionit të ndonjë sinagoge e edhe informatat për një kishe të dikurshme aty afër për herë të parë po i dëgjoj, mirëpo atë të cilën e din çdo prishtinali është fakti se vetëm katër pesë metra karshi Hotel Unionit, aty ku tash gjendet Teatri Kombëtar jo fort moti ka ekzistuar Xhamia e Jusuf Efendisë apo Xhamia e Llokaçit siç e njihnin më të vjetrit, e ndërtuar larg në vitin 1551 dhe e rrënuar nga etërit komunistë të Kosovës pak vite pas triumfit të komunizmit. A nuk e dinte këtë mjeku ynë i nderuar deputet? Ose nuk dëshironte ta dinte.
Po e zëmë se kanë ekzistuar njëmend aty afër dikur një kishë katolike dhe një sinagogë mirëpo cila është rëndësia e përmendjes së tyre kur cinikisht lihet në harresë ekzistenca e një xhamia mu në oborr të Hotel Unionit dhe të cilën e kujtojnë akoma prishtinasit më të vjetër. A nuk ka hecur ndonjëherë Alush Gashi rrugëve të Prishtinës, sepse vetëm disa metra larg Hotel Unionit dhe Parlamentit të Kosovës, Zeqa i mjerë (për të cilin nuk mërziten deputetet mjekë) shet fotografi të Prishtinës së vjetër për të fituar ndonjë lekë në skamjen e tij. Dhe në fotografitë e tij shihet mjaft mirë Xhamia e Jusuf Efendisë. Heh. Dhe këtyre deputetë iu thënçin, në jetën e të cilëve ekziston vetëm objekti i rindërtuar i Parlamentit të Kosovës ku e rikomponojnë historinë e Kosovës. Na rrofsh Alush Gashi! Me dijen tënde të ndritur prej një mjeku do të na e bësh copë e grimë historinë e Prishtinës.
Neve të mjerëve, qytetarëve të thjeshtë të Kosovës na mbetet të shpresojmë vetëm një gjë. Që nga viti 2004 dhe deri në vazhdimësi nga rrogat tona të vockla duhet të ndajmë një shumë të caktuar për të ndërtuar Kisha Ortodokse anekënd Kosovës sepse dikujt iu tek para dy vitesh ti rrënojë dhe pasojat duhet ti qëndisim ne. Lus Zotin të mos e ketë dëgjuar këtë deklarim të Alush Gashit, fort i lumturuari ynë Don Lush Gjergji. Vitin e kaluar në Kuqishtë të Pejës dhe në Krevaseri të Malishevës, dy fshatra me 99.99 % myslimanë na u ndërtuan dy kisha katolike me pretekstin se dikur moti aty kanë ekzistuar si të tilla. Sikur ta ketë dëgjuar Lush Gjergji deklarimin e Alush Gashit se në afërsi të Hotel Unionit ka ekzistuar një kishë katolike, e pat puna e aktrimit në Kosovë. Aktorë të mjerë, edhe ata pak shikues që i keni do ti humbni dhe do ta keni peshqesh pas katedrales edhe një kishë tjetër mu në vendin ku ka ekzistuar Xhamia e Jusuf Efendisë, dhe ku tash është Teatri Kombëtar.
Dhe kështu ndodhë në realitetin tonë të hidhur të konvertimit të profesioneve. Lajmi më i ri në këtë aspekt është se njeriu i cili tërë jetën ka punuar në arsim dhe për arsimin do të kandidohet për ministër të Drejtësisë. Nëse kjo është bërë me qëllim që ministri i ri ti arsimojë gjykatësit tonë analfabetë, hallall, mirëpo kush na siguron se është kështu.
Çfarë ka mbetur tjetër pa u eksperimentuar në aferën e tregtisë me profesione në Kosovë? Akoma nuk kemi dëgjuar për ndonjë politikan kosovar të jetë bërë yll i filmave pornografikë mirëpo duke e ditur si po ecin gjërat në Kosovën tonë heroike, nuk është fort larg mendsh se nuk do të ndodhë edhe një gjë e tillë!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme