Çiçolina shqiptarçe (Mediat shqipe në Maqedoni)

Tashmë e dimë te gjithë dhe nuk ka nevojë të thuhet asgjë për rolin që e kanë mediat në një shoqëri, sa për informimin e opinionit, po aq edhe për krijimin e denjë të opinionit publik. Me fjalë tjera, ato janë shenjat që e orientojnë opinionin publik në një shoqëri bashkëkohore. Mjaftojnë të kujtojmë këtu trysninë që mund ta bëjnë mbi pushtetet mediat si CNN ose Al Jezeera, që të bindemi se sot në fakt shoqëritë i kanë në dorë ata që i kanë mediat. Kjo në një mënyrë duhet të nënkuptohet edhe për realitetin tonë, porse këtu mbase për shkak të mungesës së informacioneve, për shkak të mungesës së kulturës mediave, për qëllime komerciale a për shkak të ndonjë djalli tjetër, mediat akoma nuk e kanë marrë vesh qëllimin e tyre, madje nuk e kanë saktësuar as karakterin e tyre si duhet e sa duhet.
Shprehur ndryshe, kjo do të thotë se nëse një medium është informativ, ai vërtet duhet të jetë informativ. Nuk ka mundësi që në CNN të flitet çfarë makijazhi bën Britni Spirsi. Si që nuk ka vend as në Antena deklarata e Gruevskit për bisedimet me BDI-në. Janë gjëra që nuk shkojnë bashkë, sepse nëse i vendosim në një faqe këto dy informacione, kjo del punë tabloidi, ku asnjëri informacion nuk merret seriozisht. Këtë mbase më mirë do të na e shpjegonte ndonjë specialist i mediave, por nga ajo që ne e shohim si konsumatorë të mediave shqipe, sidomos në Maqedoni, kam përshtypjen se kabllot e karakterit të mediave dukshëm janë përzier. Pa shkuar më larg, mund ta marrim shembull të përditshmen Dnevnik dhe ndonjë gazetë të taborit tonë që të shohim se çka është ai karakter informativ i mediumit. Vërtet habitem që disa media shqipe në Maqedoni, për të qenë më joshëse për konsumatorët e tyre, kanë filluar të përkthejnë edhe shkrime nga ish-Erotika që dilte dikur në Jugosllavi, të cilën shqiptarët kurrë nuk e merrnin për ta lexuar, por vetëm për qëllime vizuale. A dëshirojnë me këtë edhe mediat shqipe të blihen për shkaqe vizuale? A nuk është kjo e vërtetë kur rregullisht prej dy deri në gjashtë faqe nëpër mediat tona informative u kushtohen dashuriçkave, marrëdhënieve intime, shkurorëzimeve e bashkimeve të yjeve të filmit, sportit a muzikës. Janë bajate dhe të neveritshme për media informative shkrimet ku flitet për cilësinë e lëngut gjenital, për vendet ku kryhen më mirë marrëdhëniet seksuale, për homoseksualizmin a lezbeizimin e tema të tjera të këtilla të ngjashme, ndërsa aq më tepër janë fare të pavend fotot tërësisht nudo të “bukurosheve” nëpër faqet e gazetave informative. Vërtet joserioze. Është bërë turp njeriu ta blejë gazetën dhe ta çojë në shtëpi, sepse fëmijët shqetësohen çfarë gazete lexon babi ose nëna. Ndoshta këtu edhe qëndron shkaku për shitjen e paktë të gazetave shqipe. Një mik i imi më rrëfen se pasi e lexon një gazetë shqipe këtu te ne, e hedhë në shportë të bërllokut, sepse ka drojë ta dërgojë në shtëpi se fëmijët habiten kur shohin çka lexon babi. Sikur po harrohet se funksioni i mediave, pas informimit, është edhe edukimi. E nuk di se çfarë edukimi u japim fëmijëve nëse u flasim për lejzbeket e paradat e homoseksualëve nëpër Europë. Ka media që i durojnë këto informacione, ama jo çdo gjë mund të shkojë në gazetë informative.
Ndonëse pjesën më të madhe të këtij shkrimi ia kam kushtuam mediave të shkruara, nuk mundem të mos e përmend këtu edhe shembullin e mediave elektronike. Ajo storja e Romeos e Xhulietës së Karshiakës desh ua kaloi rrëfimeve të Shekspirit. Habitem si ka kohë një medium ta ndjekë një muaj atë ngjarje (të tilla në Maqedoni ka çdo ditë dhe në secilën anë), ndërsa sa i varfër është me informacione për kulturën, për botimet e reja, për teatrin, për javën e filmit, për nivelin e përdorimit të gjuhës, për jetën urbane, e çështje të tjera që nuk di si e humbin peshën para këtyre “llafeve të grave”. Nëse vërtet nuk dinë çka të japin, u paraqitem që gratis t’i këshilloj se me çka duhet të merren, vetëm të mos bëhen gaz i botës. Alsati në vend që ta marrë shembull Alsatin amë, po e bën të kundërtën. Personalisht ndjej keqardhje që Alsat M nuk është njësoj si Alsati pa M. Nuk i takon një mediumi aq prestigjioz të merret me aso gjëra. Madje, edhe nëse vërtet ndonjë ngjarje meriton të trajtohet aq gjatë, qasja duhet të jetë në aspekt të shkeljes së ligjeve e jo të parodisë.
Kështu shembuj e kështu gjëra fatkeqësisht e kanë preokupuar nënqiellin tonë medial, janë përzier shapi e sheqeri, morali dhe antimorali, vlera e antivlera, kasapi e shkrimtari, sa një Zot e di ku e kemi fundin.
Për fund do t’i kisha këshilluar gazetarët, redaktorët dhe bashkëpunëtorët e rubrikave Eros, Infrared ose Bulevard (le të më falin miqtë e Faktit) e të ngjashme që nëse jo më tepër, le të dalin në një shëtitje pune nëpër mediat ballkanike dhe të mësojnë se çka është medium informativ, çka është tabloid, çka është mediumi gjurmues e çka është medium argëtues. Le të mësojnë se të gjithë këto nuk shkojnë në një vend. Sepse ashtu krijohet komikja.
E ne mjaft kemi qeshur (me vetveten). Përfundimisht kemi nevojë të jemi më serioz.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme