Një ramazan ndryshe

image

Vjen nga larg për të na vizituar dhe, çdoherë kur vjen, kalon rrugë të gjatë, kalon lumenj, kodra e brigje, kufij dhe oqeane. Dhe, vjen për të na vizituar.

Disa herë e presim me dashuri, e disa herë na befason se sa shpejt na vjen duke qenë të preokupuar me përditshmëritë tona; disa herë edhe brengosemi dhe ngushtohemi, sikur nuk duam të na vijë në këtë kohë, sikur të ishte vonuar pak.

Ai na vjen një herë në vit, i përmalluar për neve, me ne qëndron vetëm një muaj, bile disa herë më pak se një muaj, një ditë më pak, vjen me valixhe të mbushur plot dhurata të çmuara dhe gati nuk ka kohë që ta përshëndesim, kur e shohim se i ka derdhur dhuratat e shtrenjta. E kur shkon, valixhet e tij mbushen me problemet, kokëçarjet dhe kërkesat tona.

Ramazani po troket në dyert tona... mos ia hap derën!

Kësaj here po të them: “Mos ia hap derën!”

Po, kësaj herë kur të vijë ramazani, mos ia hap derën, mbylle atë me dry, fiki dritat, mos t’i bie ziles, lëshoji perdet, mbylli veshët me pambuk, mos ia hap derën!

Më beso se çfarë të them, mos ia hap derën!

Nëse ke vendosur që në këtë ramazan ta bësh atë që e ke bërë edhe në ramazanet e tjera, mos ia hap derën!

Nëse jeta jote do të kalojë siç ka kaluar në vitet e kaluara, mos ia hap derën! Nuk ka nevojë.

Nëse mendon se ky ramazan do të jetë një ramazan i rëndomtë si ramazanet e tjera, që vetëm një muaj qëndron me ne dhe shkon, mos ia hap derën!

Nëse do të jetë vetëm një muaj i urisë dhe etjes, që pastaj ta mbushim barkun plot, qysh tani po të them mos ia hap derën!

Nëse do të jetë një muaj që ti e kushtëzon e jo ai ty, mos ia hap derën!

Të lutem mos u lodh, mos ia hap derën.

ramazani është gati të trokasë në derën tënde, andaj mendo para se t’ia hapësh derën ose mos e hap fare!

Gjithsesi ti je humbës, sepse ai do të depërtojë nëpër vrimat e derës dhe vrimat e dritares, bile edhe nga gypat e ujit, prandaj dëgjoje propozimin tim për ty.

Hape..., por jo patjetër derën. Sepse, sa herë që vinte, ti atë e prisje me dyer të hapura..

Unë po të them se ai nuk dëshiron që ti ta presësh me sixhade të kuqe të shtrira për tokë, e as me drita të ndezura jashtë, se ai gjithsesi që ka për të hyrë nga do vetë. Kësaj here mos e hap derën, por diçka tjetër. Le të jetë kësaj herë një hapje që lajmëron fitoren e madhe (fet’hun mubin).

Njerëzit thuajse çdoherë përgatiten për ta pritur ramazanin dhe të parën gjë që e mendojnë është barku dhe tryeza e tyre, ushqimet e ndryshme dhe darkat solemne. Qysh disa ditë më parë njerëzit janë mësuar të bëjnë pazar (shoping) për t’i blerë gjërat e kuzhinës, ku shënohen edhe ngritjet e çmimeve të produkteve.

Vaizat dhe hatibët e xhamive, që flasin për agjërimin, se nuk është vetëm uri thuajse nxisin habinë dhe çudinë e njerëzve. Njerëzit sot nuk janë duke qëndruar të uritur në ramazan, sepse koha u kalon duke i përgatitur ushqimet e ndryshme që pasta të sulen me fuqi në prag të iftarit.

Që këtej mund të themi se në ramazan nuk ndjejmë uri. Pas ushqimit të iftarit dhe luftës së ashpër për ngrënie, shohim që njerëzit e kanë humbur fuqinë për të lëvizur, barqet e tyre janë mbushur përplot dhe ata duan vetëm gjumë të ëmbël. Unë nuk dua të zbres në këtë shkallë të njerëzve dhe të agjërimit.

Mos ia hapni ramazanit xhepat që ai t’jua harxhojë të hollat që i keni aty,  e as barqet që t’i mbushni me ushqim, e as sytë e veshët për programet televizive dhe seritë e ndryshme që ua marrin vëmendjen. 

Miku im, më dëgjo se tani do të flas për një hapje tjetër për ramazanin.

Vëllai im, në zemrën tënde ka shumë shpella dhe vrima të mëdha, ka shpella të mbyllura, ka tokë të panjohura dhe vende të fshehta.

Në zemrën tënde ka vende që nuk i di askush, as ti bile, po as vetë qenia jote nuk i di.

Në zemrën tënde ka yje, planetë e galaktika, vende që nuk ka shkelur këmba e njeriut, aty ka dhoma sekrete, hyrjet e të cilave nuk i di askush.

Aty ka shkretëtira, male të dendura e të pashkelura, kontinente të pazbuluara, që ndodhen nën thellësitë e oqeaneve, aty ka yje që nuk i ka vëzhguar kurrë teleskopi, pastaj galaktika që çdoherë lindin dhe grumbullohen në gjithësinë tënde që vazhdimisht shtrihet e rritet. 

Aty në zemrën tënde ti je një grusht i vogël i problemeve dhe brengosjeve, frikësimeve dhe ndërlikimeve, kujtimeve e mendimeve. Një e kaluar plot lodhje dhe një e ardhme e dendur me mjegulla...

Aty ka dry pa çelësa...

Aty ka shtëpi merimange dhe strofull zogu. Aty askush nuk ka guxim t’i afrohet drynit.

Prandaj po të them: ramazanit hapja zemrën tënde. Mos ia hap xhepin e barkun, as sytë e veshët, por hapja zemrën.

Edhe pse e di se ti agjëron vite të tëra, imagjino që ky është ramazani yt i parë!

Ka shumë që agjërojnë me vite të tëra, por ramazani ende nuk ka hyrë në zemrat e tyre: ndoshta ka hyrë dhe ua ka zbrazur të hollat, ua ka mbushur barkun dhe gojën me ëmbëlsira dhe ushqime të ndryshme, por zogu dhe merimanga ende vazhdojnë të rrinë pranë drynit të vjetër e të pahapur. 

A athua pas ramazanit do të kthehemi përsëri aty ku ishim, në gjynahe, edhe pse agjëruam?!  

Për fat të keq për shumë që agjërojnë, ky muaj nuk është ramazan, por është diçka tjetër. Mjerë për ata që nga agjërimi kanë vetëm urinë e etjen, mjerë për ata që nuk ndalen nga përgojimi, fjalët e këqija dhe dëshmitë e rrejshme.

Unë të kam pyetur se përse nuk je duke ndryshuar, por ti mu përgjigje shumë thjesht, duke më thënë se djalli është më i fortë se unë! Por, unë nuk bindem me përgjigjen tënde, sepse ti je më i fortë, ti je më i fortë.

Mos lejo që pasi të na kalojë ramazani, të themi: “Ah, kaloi ramazani, nuk bëmë gjë!”.

Kam menduar gjatë për ty dhe të them se në brendinë tënde ti ke një natyrë madhështore. Edhe përkundër të gjitha gjynaheve dhe gabimeve të mëdha që i ke, përsëri të them se natyra jote është e gatshme për ta pranuar udhëzimin. Andaj mos mendo se në brendinë tënde ka një besimtar rebel të padëgjueshëm, që nuk ka nevojë për dikë që do ta trazonte. Kështu ke menduar, apo?!

Përplasjet në kokën tënde veçse më kanë eksploduar për një ramazan ndryshe. Ky pra është ramazani. 

Dyert e xhenetit janë hapur, kurse dyert e xhehenemit janë mbyllur, e djajtë janë prangosur.

Është pra një rast i madh për ta shijuar atë.

Jo, nuk është rast për t’i shijuar ushqimet dhe mishin e fërguar, pijet e ndryshme etj. Është rast i bukur për të shijuar diçka tjetër. Shpërblimi, falja, të mirat, këto janë gjërat më të ëmbla për ty, që vetëm t’i shijosh e vetëm t’i shijosh... Sikur ta dish!

Ai sikur të fut në rrjetin e tij për gjueti, që vetëm ta shijosh për një çast. 

Një muaj për një vit? Bile edhe për tërë jetën? Ramazani është rast i volitshëm për të shijuar. Do ta ndiesh se ramazani i ka ndërruar drynat e tu të vjetër, që kur djalli të kthehet me çelësat e vjetër të mos mund të hyjë te ti. 

Kjo ndodhë sepse ai të do dhe dëshiron që edhe ti ta duash, se ai dëshiron që ti të shkosh tek ai, me këmbët e tua, me vullnet të madh.

Ramazani na bën ta shijojmë më të bukurën e të bukurave, artin e bukurive të jetës, NAMAZIN...

Edhe ata që bëjnë gjynahe dhe gabime, edhe ata do të falen në këtë muaj, ramazani do t’i përfitojë drejt së mirës dhe faljes.

Nuk bën dobi ramazani pa namaz. Nuk bën të lejojmë të shndërrohemi në kafshë të fryra e të mos falemi. Namazi nuk pranon diskutim, polemikë etj.  Ramazani para së gjithash është edhe për hir të namazit.

Çudi! Në ramazan falemi 5 herë në ditë dhe e shtojmë namazin e terapisë dhe këtë e bëjmë plot 30 ditë, d.m.th. do të jem të aftë që më shumë se 500 rekate t’i bëjmë për hir të ramazanit.. 500 reqate! Pra 1.000 sexhde! Jo, doemos duhet të ndalem pak e të mendoj, doemos të ndalem... Do të bie në sexhde 1000 herë, do ta vë kokën në tokë për hir të ramazanit, 1.000 herë do të zbres para tij, 1.000 herë do të përulem, 1.000 herë do ta përmend emrin e Allahut, do ta madhëroj e falënderoj, doemos gjithë kjo të lë gjurmë në zemrën time.

Pas 1.000 herëve fillon ta duash atë, fijet magnetike ta kanë pushtuar zemrën. E sheh?

Sa shije e bukur dhe rast i madh për ta provuar. Është një gjë që duhet të ndodhë.

Njerëzit që jetojnë pranë lumenjve, më saktë pranë brigjeve të lumenjve, mes tyre krijohet një raport i veçantë dhe i llojit të dalluar. Dalëngadalë lumi në jetën e tyre bëhet shoku më i ngushtë i tyre; ata që jetojnë pranë lumenjve e dinë këtë. Lumi është i qetë, paqësor, gati se nuk dëmton askënd, është shok i shtrenjtë, ai di të të ngushëllojë, bile i fshinë lotët kur ti qan me ujin që e ka. Madhështia e Allahut shfaqet më shumë në oqean, por butësia e Tij shfaqet më shumë në lumë. 

Njoh njerëz që po të largohen nga lumi, ata vdesin, nuk e durojnë dot jetën larg lumit, janë bërë krijesa lumi, ndërsa lumi është bërë pjesë e qenies së tyre. Kjo me siguri se të pëlqen, por ti do të pyesësh se çfarë lidhje ka kjo me temën tonë.

Dëgjoje thënien e të Dërguarit s.a.v.s. dhe do të kuptosh se çfarë dua të them: “Pesë kohët e namazit ditën e natën janë si një lum me ujë të ëmbël që rrjedh pranë derës suaj; ai që  pastrohet prej tij pesë herë në ditë, a thua i mbetet ndonjë ndyrësi?”

Kështu ndodh me namazin, ai bëhet lumi i jetës tënde, pjesë e qenies tënde, dashuri e zemrës tënde, pa të nuk ke jetë. Më beso se lidhshmëria me namazin vjen qysh nga dita e parë e ramazanit, shija e ëmbël e tij ndodh qysh ditën e parë dhe në rehatin e parë, qysh në momentin e parë në qenien tënde futen rrymat e namazit dhe dalëngadalë ai të jep shijen më të bukur, që ta duash lumin pranë derës tënde, aty ku ti pastrohesh pesë herë në ditë.

Po pse shumë njerëz e ndërprejnë namazin pas ramazanit? Pse këta nuk vazhdojnë të falen? Pyetje plot mërzi dhe përgjigje e ndërlikuar. A thua çfarë i bën njerëzit ta lënë lumin në të cilin ishin mësuar të pastrohen pesë herë në ditë e të notojnë në të? Çfarë i bën ata ta lënë këtë lumë e të kthehen në shkretëtirë, në tokën pa ujë e pa bimë?

Me siguri se nuk e dinë, se nuk u ka treguar askush për këtë. Askush nuk u ka treguar për shijen e ëmbël, për ramazanin ndryshe seç u është treguar më parë ose dikush u ka treguar, por këta nuk kanë dëgjuar. Apo janë të dobët?!

Nuk e dinë se sa të fuqishëm janë; këtë fuqi e krijon vetëm IMANI e askush tjetër. Po të mendonim mirë, do të vërenim se falja e namazit në xhemat na jep vlerën e 27 shkallëve për dallim prej faljes vetëm. Çdo të thotë 27?

S’ka dyshim se pas namazit me xhemat ndjehemi sikur jemi më të fuqishmit në botë, se pas namazit i them vetes: unë jam më i fuqishmi në botë, se vlej sa 27 vetë në botë, unë jam fuqia e botës. Kur falemi pranë njëri-tjetrit sikur çdokush i jep dikujt energji dhe fuqi, krahët e bashkuar dhe këmbët e ngjitura na japin fuqi marramendëse. Jam njeriu më i fortë në botë!

Ramazani nuk është lojë popullore që jemi mësuar ta shohim çdo vit, zemra jote nuk mund të jetë e zbrazur, ajo nuk lejon që befasisht ta humbasësh zemrën e të mos e gjesh më kurrë.

Pse nuk ktheheni në lumin e qetë e të bukur? Pse vazhdoni të ecni në tokë të thatë? Pse ktheheni në gjynahet dhe gabimet e kaluara? Pse i ndërroni gjërat e shtrenjta me ato të pavlera? A ka kjo kuptim? Si të shkëmbejmë mjaltë për një grusht pluhur?  Ballafaqohu me vetveten!

Nëse ramazani nuk është ai që na nxjerr nga problemet dhe brengat tona, a thua kemi rrugëdalje tjetër?

Ai është PROVA e skenës së fundit. Ne shkojmë përpara dhe nuk duhet të ngecim mbrapa. Nëse heqim dorë nga shija e ëmbël, atëherë gjithsesi se këtë do ta paguajmë shtrenjtë, me nënçmim dhe përvuajtje, me zemërim prej Allahut.

Ramazani të bën të ndjehesh se je i zgjedhur (elitë), se je nga grupi më i lartë dhe më i çmuar. Ai të bën ndryshe nga e gjithë bota moderne materiale, të jep dritë që shkëlqen dhe që ecë me të midis njerëzve, të bën që në errësirë të ndriçosh, ngase je nisur për namazin e sabahut. I njohur bëhesh në lartësitë e qiejve dhe nuk ka kush që nuk të njeh në qiej. Sa bukuri! Ramazani të jep ta kuptosh të vërtetën e takimit të dashurisë së vërtetë, atë të Allahut. Ramazani na zgjon me prekje të butë dhe ledhatim të panjohur, edhe pse nuk e dimë burimin e tij. Përkëdhelje dashurie, që vetëm ti të jesh i kënaqur e i lumtur.

Kurani

Të lutem mos e lexo kuranin siç e lexojnë të tjerët, por bëhu ndryshe. Mos u merakos se nuk ke lexuar sot 10 apo 20 faqe, mos u preokupo me këtë. Kurani le të jetë pranverë e zemrës tënde, llogarite atë se është rrëfim i jetës tënde, burim i jetës tënde, vijë e fillimit dhe mbarimit. Kur të lexosh Kuran, mendo:

- Po, këtu Allahu më vuri në sprovë,

- Këtu më mashtroi djalli, 

- Këtu më nxori nga xheneti,

- Këtu më udhëzoi Allahu,

- Këtu u pendova,

- Këtu do të shpërngulem, këtu do të duroj,

 

Le të jetë Kurani rrëfim i jetës tënde; kështu do ta zbulosh atë që e dëshiron...

Mos harro! Kur ti lexon Kuran, bëje që edhe ai të të lexojë ty.

Në fund ai do të shpërblejë me dritë.

Në fund ai do të japë dritë në varr...

Nëse nuk e lexon atë si rrëfim të jetës tënde, mendoj se nuk ke për të gjetur diçka në jetë.

Le të jetë ky ramazan ndryshe nga të tjerët.

Pas 30 ditëve zgjohesh në ditën më të bukur të jetës, në ditën e bajramit. Është kjo pasqyra e jetës tënde. Shpresa e jetës tënde. A thua ke shpëtuar apo ende je ai që ishe më parë. A ke lindur përsëri apo ke lindur i vdekur?

Të bëhemi prej atyre që lindin përsëri, e jo prej atyre që ende nuk kanë lindur!

Janë vetëm disa ditë të numëruara, hiç më tepër; ato kalojnë sa çel e mbyll sytë.

Dita e parë e ramazanit të duket e rreptë, sikur diçka të ka prangosur. 

Shoku im, ndoshta ditën e parë të prangos, por menjëherë të liron dhe të jep liri të pakufishme, të bën të ndjesh se shumë shpejt kalon, si jeta jote, janë ditë të numëruara, që kur mbarojnë të duket se ishte dje. Kështu është jeta, na kujtohen ngjarje që kanë ndodhur para 10 ose 15 viteve e na duken sikur dje kanë ndodhur. Kështu është ramazani.

Lexoje këtë vit ramazanin ndryshe. Ditë të numëruara, por me shpërblime pa kufi.

Si?

Nuk e di!

Për hajr të qoftë ramazani! Mendoj ramazani i vërtetë!

Përktheu dhe përshtati: Sadush Tahiri

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme