Intervistë ekskluzive me analistin e njohur Abdi Baleta

Baleta: Eshtë një situatë e ndërlikuar, e mjegullt dhe në shumë drejtime e papërcaktuar. Problemet shqiptare nuk po e bëjnë si duhet rrugën drejt zgjidhjeve të tyre, por po sillen rrotull në një rreth vicioz. Shqiptarët në përgjithësi kanë ndjesinë se po ecin përpara, në një kohë që më shumë i lodhin këmbët duke i lëvizur në vend. Shumë shqiptarë lundrojnë në njëfarë kënaqësie se janë bërë përparime në fushën e demokracisë në Shqipëri; se është bërë një përmbysje e madhe në të mirë të shqiptarëve në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999; se kanë fituar një sërë të drejtash kombëtare në Maqedoni dhe se ata tashmë janë vënë ë rrugën e integrimit europian. Këto ndryshime në jetën e shqiptarëve kanë ndodhur vërtetë. Në Shqipëri nuk ka më regjim të diktaturës komuniste, nuk ka më ekonomi të centralizuar tregu që vetëm i varfëronte. Në Kosovë ka një pushtet ndërkombëtar që i ka bërë shqiptarët të ndjehen të lirë. Në Maqedoni nuk ekziston më ajo shtypje si deri në vitin 2001, apo si atëherë kur ua rrafshonin muret avllive me buldozer ose u caktonin sa fëmijë duhej të lindnin, apo edhe burgosnin kryetarin shqiptar të bashkisë pse ishte ngritur flamuri shqiptar në Gostivar etj.

Por ndryshimet pozitive në jetën kombëtare të shqiptarëve janë ende shumë mbrapa nga niveli e kufiri ku duhej të kishin arritur në fillim të shekullit XXI, në Europën që pretendon të bëhet e bashkuar. Shqiptarët vazhdojnë të përfaqësojnë një rast të veçantë, të jenë një komb me status “sui generis” në Europë dhe jo komb me jetë normale politike e shtetërore, sikurse gjithë kombet tjerë që do të përbëjnë Europën e Bashkuar. Pikërisht këtu qëndron ndryshimi i madh në jetën e shqiptarëve si bashkësi kombëtare dhe si pjesëtarë të një bashkësie të caktuar kombëtare.

Problemi thmelor për shqiptarët edhe pas ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në trojet etnike shqiptare në Ballkan, mbetet pikërisht e ardhmja e tyre e pasigurtë, e papërcaktuar; mbetet statusi i tyre i ndryshëm nga të tjerët, trajtimi i tyre i ndryshëm nga Europa e bota, si komb e vend për të cilin zbatohen kritere e standarte të veçanta, jo ato të përgjithëshmet si për kombet e vendet e tjera europiane.

Ndërsa Europa për vete e vë theksin tek prirja drejt bashkimit, shqiptarëve u rekomandon dhe u imponon të kundërtën, pranimin dhe pajtimin me copëtimin e tyre të mëtejshëm kombëtar. Në kulmin e përpjekjeve për ndërtimin e Europës së Bashkuar u thellua, u përshpejtua dhe u mirëprit procesi i krijimit të një numri të madh shtetesh kombëtare nga kombe që bënin pjesë në shtete shumëkombëshe. Vetëm shqiptarëve u thuhet dhe u imponohet një proces i kundërt, procesi i copëtimit e dizintegrimit politik e shtetëror midis tyre më shumë se kurrë ndonjëherë gjatë historisë. Pra, në sytë e botës shqiptarët nuk janë komb si gjithë të tjerët. Edhe tek shumë shqiptarë po zë vend ideja fatkeqe se shqiptarët nuk kanë më nevojë të jenë e të bëhen komb si gjithë të tjerët, se shqiptarëve u mjafton shkrirja ballkanike dhe europiane për të qenë qytetarë dhe individë të kënaqur e të lumtur.

Shqiptarët kanë rënë në dilemën e tyre më të madhe historike: të synojnë e të kërkojnë që të plotësojnë e përfundojnë edhe ata më vonë se gjithë të tjerët procesin e vetëpërsosjes kombëtare, duke krijuar një shtet të tyrin unitar kombëtar, apo të “tejmodernizohen” më parë se gjithë të tjerët dhe ta lënë pas krahëve këtë aspiratë e këtë kërkesë e të kthehen në “komb eksperimental”, që për hir të integrimeve ballkanike dhe europiane heq dorë nga ky zhvillim i natyrshëm dhe nga kjo e drejtë natyrore. Këtë dilemë shqiptarët nuk e kanë lehtë ta zgjidhin. Shumica e strukturave politike, partiake e pushtetore shqiptare, pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë dhe segmente të tëra të opinionit të gjërë publik shqiptar shfaqin haptaz dëshirë e prirje për ta zgjidhur dilemën duke u hequr si më modernistët në Ballkan, duke pranuar përparësinë e integrimeve ballkanike dhe europiane mbi domosdoshmërinë e integrimit paraprak brenda kombëtar shqiptar. Kjo u duket si zgjidhja më e lehtë e dilemës. Por nuk ka asnjë garanci se është zgjidhja më e mirë, se një zgjidhje e tillë do të funksionojë në afat të afërt e të largët historik dhe se kjo zgjidhje nuk do të sjellë më shumë ngatërresa e telashe sesa rehati e dobi.

Në takimin që patën këto ditë në Tiranë dy partiakë e pushtetarë të lartë shqiptarë, kryetari i PS dhe kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano dhe kryetari i BDI e partneri kryesor politik i pushtetarëve sllavomaqedonas, Ali Ahmeti, e shpallën si aspiratë kryesore e parësore të shqiptarëve jo integrimin brendashqiptar, por integrimin ballkanik, jo shuarjene kufijve brenda shqiptarë që i ndajnë shqiptarët në 6 njësi të ndryshme politiko-shtetërore në Ballkan, por shuarjen e kufijve midis gjithë shteteve të Ballkanit, sipas formulës së njohur të përdorur qysh para shumë vitesh nga Fatos Nano “ një Ballkan pa kufij e pa mure ndarëse”. Tani dëgjuam se këtë formulë të Nanos e paska njësoj për zemër edhe Ali Ahmeti. Madje në deklarimet e Ahmetit dalluam një nuancë dhe më të fortë, se Ballkani duhet të integrohet në Europë si Ballkan pa kufij. Kështu Ahmeti në Tiranë u tregua integrims më fondamentalist dhe më i thekur se vetë baballarët e idesë së integrimit europian.

Formula e Europës, siç u vulos në takimin e nivelit të lartë në Nisë, Francë para disa vitesh, është “Europë e bashkuar e kombeve”, jo “Europë e bashkuar e qytetarëve”. Kurse nga ato që dëgjuam e lexuam në mediat dhe në shtypin e Tiranës më 22 dhe 23 shkurt 2005 del që Ali Ahmerti dhe BDI kanë përqafuar variantin e “Europës së qytetarëve”, përderisa integrimin e shqiptarëve në Europë nuk e vështrojnë më si integrim të kombi shqiptar, por si integrim ballkanasish të bashkuar, pra si integrim qytetarësh ballkanas. Ka një ndryshim thelbësor kur përzgjedh njërën ose tjetrën formulë sipas së cilës kërkon t’i integrosh shqiptarët në Europë, si pjesëtarë të kombit shqiptar, apo thjesht si banorë të një nënrajoni europian, Ballkanik.

Pra, janë politikanët e sotëm shqiptarë që kanë rolet kryesore në skenën politike në Shqipëri e në Maqedoni që paraqesin idera ( fantastike dhe iluzive) për bashkime ballkanike shumë më të ngushta se ato që kanë dështuar gjatë 200 viteve të fundit për federata e konfederata shtete e kombesh në Ballkan, që dështuan vajtueshëm edhe në rastin e që kujtohej më i suksesshmi, në rastin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila për më tepër mburret se kishte rregulluar në mënyrë të përkryer marrëdhëniet ndërnacionale e ndëretnike sipas politikës e filozofisë së “bashkim vllaznimit” e rregullimeve shtetërore avnojiste-titiste.

Kështu, në kohën e dizintegrimeve të mëdha ballkanike dhe europiane , krijimit të një numri shumë të madh shtetesh të reja në një kohë shumë të shkurtër dhe të ndërtimit të një Europe të bashkuar mbi baza shtetesh kombëtarë shqiptarëve u propozohet dhe u imponohet nga politikat e huaja dhe politikanët e tyre një kthim në modele mesjetare të përfshirjes në struktura mbinacionale të ndarë në shumë principata, u imponohet një copëzim i arealit gjeopolitik dhe i mdjedisit njerëzor shqiptar në feude e principata të veçanta.

Ky feudizim apo principatëzim që politikanët shqiptarë po e shohin si më të lehtin për t’u bërë dhe më të këndshmin për ambiciet e tyre politike karrieriste, ky bajraktarizëm modern mendoj se shkakton turbullirën më të madhe në mendimin politik dhe në sjelljet politike të shqiptarëve, i shmang shqiptarët nga rruga kryesore në të cilën duhet të ecin deri në çastin kur të jenë bërë të barabartë e të ngjashëm me të tjerët , deri në zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare që ka mbetur pezull, as në qiell as në tokë.

Fatkeqësisht shqiparët po bombardohen nga një propagandë e egër për t’i bërë të urrejnë pikërisht atë që duhet të duan më shumë, atë për të cilën kanë nevojë më shumë , nacionalizmin, si mendim, si veprim e organizim politik që shpreh, mbron e realizon më mirë të drejtat dhe aspiratat e tyre. Nga Ali Ahmeti dëgjuam në ekranet televizive të Tiranës më 23 shkurt 2005 se ai dhe kolegu e konkurenti i tij partiak shqiptar në Maqedoni, Arbër Xhaferri, pakan rënë në ujdi midis tyre që në veprimtaritë politike të rregullojnë të folmen, të mos përdorin gjuhë nacionaliste. Të bëjnë ujdira të tilla midis tyre partiakët serbë, grekë, apo maqedonas të cilët kanë krijuar vazhdimisht shqetësime të mëdha me veprimet dhe me retorikat e tyre ultranacionaliste mund të kishte kuptim dhe të pritej si shenjë mençurimi politik në pajtim me frymën e re në Europë. Por kur ujdira të tilla i bëjnë politikanë e partiakë shqiptarë që ende nuk kanë bërë as minimumin për të mësuar e përdorur një gjuhë të qartë nacionaliste, pa kurrfarë dëmi për të tjerët, është pa vend dhe turbulluese në mendimin e veprimin politik të shqiptarëve.

Në Shqipëri çoroditja e mendimit politik e intelektual kombëtar ka prodhuar tashmë rrjedhoja shumë të dëmshme në të gjitha fushat e jetës. Ekonomikisht Shqipëria është një shtojcë e ekonomive të vendeve të tjera, sidomos asaj greke. Deri ekonomia e mjerë e një shteti si Maqedonia gjen mundësira për të bërë njëfarë thithje ekonomike në Shqipëri. Sistemi politik në Shqipëri gjatë periudhës së quajtur “tranzicion” nga diktatura komuniste në demokraci që po vazhdon si shumë gjatë, 15 vite, ka degraduar nga viti në vit. Arsyeja kryesore është se mjediset e forcat politike shqiptare largimin nga komunizmi e interpretuan si përligjie të një rrumpalle integrimesh me fjalë, jo si ndërtim dhe përforcim i kujdesshëm i një ndërtese shtetërore komëbtare shqiptare. Politika që bëhet tani në Shqipëri nuk ngjall kurrfarë entuziazmi tek shqiptarët. Ajo pezmaton ata që duan vendin e kombin dhe u jep shkas të mallkojnë e përdhosin atyre që nuk çajnë fort kokën për komb e shtet kombëtar. Forcat politike dhe politikanët që veprojnë në Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit janë tejkonsumuar dhe nuk ngjallin më as besim, as shpresë se diçka mund ta bëjnë ndryshe. Më shumë simptomat e kësaj sëmundje të rëndë po shfaqen tani që fillon fushata e farsës së zgjedhjeve për parlamentin e qeverinë e katër viteve të ardhëshme. Duke qenë të paaftë për të konceptuar problemet shqiptare në një frymë thellësisht shqiptare, për t’u ballafaquar me hallet e vërteta të shqiptarëve dhe për ta bërë Shqipërinë një partnere modeste e jo një shegerte të përbuzur si deri tani të politikave të huaja, politikanët e intelektualët shqiptarë në përgjithësi kanë zgjedhur rrugën e gabuar të theksimit të proceseve integruese të Shqipërisë e të shqiptarëve në Ballkan dhe në Europë.

Prandaj, mua më duket se situata e përgjithëshme në Shqipëri e në trojet shqiptare paraqitet mjaft e zymtë, e ngarkuar me re që mund të na sjellin edhe më shi e breshër të padëshiruar. E di që pesimizmi nuk është i mirë, sidomos për publikun e gjërë që kërkon fjalë shprese e mobilizimi. Por edhe ta perceptosh realitetin vetëm sipas dëshirave nuk fiton gjë, madje mund të humbasësh më shumë se kur të zë trishtimi.



Lëvizja: Siç dihet ju jeni një analist i njohur i trevave shqiptare dhe shkruani rregullisht për revistën “Bota Sot”. Si e shihni zgjidhjen problemit kosovar, siç dihet shumë flitet për pavarësinë e Kosovës. A mendoni se do të realizohet sivjet pavarësia e Kosovës?



Baleta:Me situatën që është krijuar në Kosovë pas vitit 1999 krijohet përshtypja sikur ky problem është bërë i lehtë për t’u zgjidhur, madje sikur në fakt ai është zgjidhur, sepse nuk mund të ketë më kthim mbrapa dhe mbetet vetëm që bota të pranojë e të njohë realitetin. Po të ishte fjala për një rajon tjetër të botës, për një komb tjetër në botë, mbase mund të thonim se është punë e lehtë. Por në rastin e shqiptarëve dhe për një problem të pazgjidhur në Ballkan nuk duhet menduar se zgjidhja është kaq e lehtë dhe e afërt, edhe pse NATO ka bërë atë që nuk e ka bërë kurrë në historinë e saj, ka bërë një luftë për të shpëtuar popullin shqiptar në Kosovë nga genocidi dhe spastrimi etnik të ndërmarrë nga Serbia.

Ajo që u bë para pak kohësh me njohjen ndërkombëtare të pavarësimit të Timorit Lindor nga Indonezia, po del që është më e vështirë për bashkësinë ndërkombëtare ta bëjë në Kosovë. Sëpari duhet pasur parasysh se fjala është për zonën e Ballkanit, që gjatë gjithë historisë ka qenë syri i ciklonit të përleshjeve të mëdha ndërkombëtare dhe i tillë mbetet ende ky rajon. Eshtë fjala për një pjesë të kombit shqiptar ndaj të cilit politikat europiane e diplomacitë e vendeve që kanë diktuar e trazuar zhvillimet në Ballkan ende nuk janë të gatëshme të ndreqin si duhet padrejtësitë e mëdha që kanë shkaktuar në këtë rajon paraardhësit e tyre dhe ato vetë tani vonë. Serbia vazhdon të tregojë një kryeneçësi të skajshme për ta bërë sa më të vështirë zgjidhjen e problemit të Kosovës. Miqtë e Serbisë , sidomos blloku ruso-franko-grek do të bëjnë deri në fund maksimumin e përpjekjeve për të siguruar maksimumin e mundëshëm të pranisë serbe në Kosovë dhe të varësisë së Kosovës nga Serbia.

Ata që tregojnë njëfarë prirje për të gjetur sa më parë zgjidhjen e drejtë e të qëndrueshme, ende nuk e perceptojnë problemin e Kosovës në gjithë përmasën e drejtësisë dhe nuk kanë ende vendosmërinë për të kërkuar zgjidhjen përfundimtare. Edhe ata që po flasin më hapur e më shpesh kohët e fundit se Kosova duhet të shkojë drejt pavarësisë nuk kanë konceptim të njëjtë për pavarësinë e Kosovës, përsëri kanë në mendje një pavarësi “sui generis”, e veçantë vetëm për rastin e Kosovës që herë e emërtojnë “ pavarësi e kushtëzuar”, herë “pavarësi europiane”. Në përgjithësi të gjithë ata që flasin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për një status përfundimtar të saj nuk kanë modele të qarta në kokë, ose fshehin projektet e tyre që nuk çojnë në një pavarësim të vërtetë të Kosovës. Në rastin e Kosovës po luhet më shumë se në çdo rast tjetër të zgjidhjes së një çështje nacionale me terminologjinë e mjegulluar, formulat amorfe, projektet e papërcaktuar, skemat e ndërlikuara.

Shqiptarët natyrisht kanë mjaft arsye të jenë shumë të entuziazmuar nga ndryshimet në Kosovë. Shqiptarët kanë detyrimin njerëzor të jenë tejet mirënjohës ndaj atyre ndërkombëtarëve, në radhë të parë ndaj amerikanëve, që i mundësuan këto ndryshime. Por nuk duhet kurrsesi të humbasin as sensin e realizmit, as ndjenjën e përgjegjësisë për të vazhduar qëndresën e luftën e tyre për të çuar zhvillimet deri në fundin e tyre logjik. Kur vjen puna tek zgjidhja e vërtetë e problemit nuk duhet të mbeten në gjysmë të rrugës, nuk duhet të lëkunden në parashtrimin e realizimine kërkesave të tyre. Problemi i parë më duket se është të qartësojmë për vete se çfarë kuptojmë me pavarësi të Kosovës dhe t’i themi botës se kur mund të bindemi se Kosova u bë e pavarur.

Duhet të shqetësohemi shumë për atë që kemi dëgjuar të flitet, për “pavarësinë e kushtëzuar” ( ose “europiane”) të Kosvës. Kushtëzimet mund të jenë të tilla që pavarësia të rezultojë fiktive dhe të jetë shumë denigruese. Pavarësia ose është ose nuk është pavarësi.

Europa në përgjithësi nuk është treguar e gatëshme të mirëkuptojë dhe të mbështesë kërkesën e shqiptarëve për pavarësi reale. Madje deri tani shumë shtete europiane dhe diplomacia e BE janë treguar të etëshme të marrin në dorë çështjen e Kosovës për të mënjanuar rolin vendimtar të SHBA-së në vendimarrjen përfundimtare. Edhe tani që koha po mbaron e një vendim duhet marrë Europa nuk tregon gatishmëri të veprojë me arsye. Në mbledhjen e fundit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian u përdor formula “nuk ka më kuptim që Kosova të kthehet në gjendjen e vitit 1999”.

Entuziastët shqiptarë për çdo formulë që përdor Europa mund të kërcejnë nga gëzimi se ja dhe Europa që e kemi menduar si më të anuarën nga Serbia po kupton se nuk mund të bëhet kthim mbrapa. Pikërisht kjo formulë duhet të na shqetësojë. Në vitin 1999 në Kosovë kishte luftë, genocid serb, spastrim etnik serb. BE kurrsesi nuk duhet të marrë këtë gjendje si sistem referimi. Pse nuk thotë BE-ja se nuk mund të ketë më kthim mbrapa në gjendjen e vitit 1974, as në ato tekstet e marrëveshjes së Rambujesë?. Sepse diplomacia europiane ende nuk ka braktisur planet që shqiptarëve në Kosovë t’u imponojë një status si ai i vitit 1974 në Jugosllavi, ose tekstet e Rambujesë, apo madje dhe “autonominë” që u imponoi Milosheviçi.

Shqiptarët shpresojnë shumë në mbështetjen e SHBA për të parë të realizuar pavarësinë e Kosovës. Por SHBA ka shumë nevojë tani të marrë me të mirë Europën e Rusinë për shkak se politika amerikane është zhytur thellë në batakun që ka krijuar vetë në Lindjen e Mesme.

Jam më shumë i prirur të mos besoj se viti 2005 do të jetë viti i realizimit të pavarësisë së vërtetë të Kosovës. Mund të ndodhë që drejtuesit e politikës shqiptare të pranojnë nën emrin e “pavarësisë së kushtëzuar” një zgjidhje hibride që gjithë palët ta interpretojnë sipas qejfit të tyre si fitore. Por kjo nuk do të jetë pavarësia e vërtetë për Kosovën. E keqja është se problemi i Kosovës tani është ndërkombëtarizuar shumë më tepër sesa na duhej. Pak dekada më parë ëndrra e shqiptarëve ishte që bota të fillonte të merrte vesh se kishte një problem të Kosovës (një problem të shqiptarëve në Jugosllavi, jo të Kosovës së ngushtë administrative), se kishte një popull që lëngonte nën pushtim, nën robëri. Demonstratat e Prishtinës në vitin 1981 e bënë një të çarë edhe në diplomacisnë ndërkombëtare e në opinionin botëror. Qysh kur u shpërbë Jugosllavia problemi themelor i politikës së Kosovës (tashmë në kuptim të ngushte administrativ) ka qenë si të ndërkombëtarizohet ky problem. Në Konferencën e Londrës për “likuidimin e Jugosllavisë së falimentuar” megjithatë problemi i Kosovës u la anash, as nuk u përmend. Po kështu ndodhi në Dejton në vitin 1995. Më në fund problemi i Kosovës u ndërkombëtarizua. Kontributin më të madh për këtë ndërkombëtarizim e dha UÇK-ja me luftën e vet. Por menjëherë ky ndërkombëtarizim u bë me tepri në rrafshin politik e diplomatik. Me Kosovën filluan të merren të gjithë, ata që u takonte të merreshin dhe ata që nuk kishin punë fare, ata që mund të ndihmonin për të zgjidhur problemin dhe ata që veç pengesa mund të krijonin. Filluan të merren gjithë mekanizmat europiane, shumë shtete të Europës, Amerika, Grupi i Kontaktit për ish Jugosllavinë, NATO pastaj OKB e Këshilli i Sigurimit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe organizma e institucione politiko-diplomatike e jo qeveritare ndërkombëtare etj. Sikur të mos mjaftonin këto palë bëhen vazhdimisht propozime për mekanizma të reja , si”Konferenca e vendeve kufitare”, “Konferenca e vendeve të Europës Jug-lindore e Qendrore”. Në këto propozimet e fundit këmbëngulin sidomos diplomacitë ruse, greke , serbe e austriake. Greqia kërkon më me këmbëngulje se Shqipëria të drejtën për të luajtur një rol ndikues në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ky lloj ndërkombëtarizimi tani vepron në të kundërt me rrymën dhe me përpjekjet e domosdoshme ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Janë shtuar shumë arsyet e mosarsyet e vendeve të ndryshme për të futur hundët në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kosova tani po shihet deri në rajonet më të largëta të botës si një eksperiment ndërkombëtar që nuk është bërë ndonjëherë, si rajon ku të gjitha mekanizmat që duhet të ketë një shtet krijohen me përfaqësues të të gjitha racave, kulturave, qytetërimeve, sistemeve , regjimeve. Të gjithë po hapin sytë si do të shkojë ky eksperiment, si mund të kapërcehet faza e zhvillimit shtetëror në jetën e një kombi për ta kthyer këtë komb në “shoqëri multietnike” dhe për ta zhytur në një çorbë të re në kazanin e madh të Europës së bashkuar.

Të gjithë po hapin sytë të shohin sesa do të funksionojë eksperimenti që një komb të zvetënohet në këtë mënyrë dhe të bëhet “shoqëri multietnike”, që një vend ku jeton një komb i caktuar e disa minoritete të tjera të përfundojë në një “shtet qytetarësh”, pa jetuar kurrë në shtetine e vet kombëtar. Pra, në Kosovë duan të bëjnë eksperimentin se si bashkësia kombëtare e formuar historikisht detyrohet nën trysninë e ndërhyrjen ndërkombëtare të marrë një fizionomi të re të “bashkësisë së individëve” që janë vetëm qytetarë, jo më edhe kombas. Këtë eksperiment duan ta shtrijnë në gjithë hapësirën gjeo-etnike e njerëzore në Ballkan. Prandaj synohet dhe prishja e asaj kompaktësie shqiptare që ka ekzistuar në kohën e ish-Jugosllavisë, duke veçuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, të Sanxhakut e sidomos duke prishur lidhjen midis Kosovës e Pollogut dhe krahinave të tjera etnikisht shqiptare në Maqedoni. Prandaj synohet që edhe në Shqipërinë londineze (administrative) të prishet kompaktësia që ka ekzistuar duke propozuar lloj-lloj kantonizimesh mbi baza dialektore, krahinore e deri fetare ( katolike). Ditët e fundit dëgjuam dhe një suedez të zgjuar që kishte ardhur në Tiranë të na sugjeronte “kantonizim mbi baza sociale”, duke krijuar një njësi më vete me të varfrit e Shqipërisë Veriore. Puna është që shqiptarët të mos shkojnë drejt bashkimit kombëtar, të mos aspirojnë për bashkim kombëtar, të nxjerrin nga kujtesa se kanë qenë komb dhe të pranojnë tjetërsime për të kaluar në ballkanas e europianë. Këtë eksperiment ua imponojnë vetëm shqiptarëve, jo popujve e vendeve të tjera të Ballkanit.

Prandaj edhe sikur Kosova të fitojë njëfarë statusi që shqiptarët për pragmatizëm do ta pranojnë si pavarësi kjo nuk mund të quhet zgjidhje përfundimtare e çështjes së Kosovës. Zgjidhja e kësaj çështje bëhet vetëm në kuadër të bashkimit kombëtar shqiptar. Natyrisht kjo është gjuhë nacionaliste dhe nuk e pranojnë politikanët që politikën e bëjnë duke folur “shqipe ballkanase”, ose “shqipe europiane”, sikurse u mburr dikur Fatos Nano se kishte folur me Milosheviçin gjatë takimit kokë më kokë në Kretë në fund të vitit 1997. Prandaj, mbetem shumë skeptik lidhur me entuziazmin që shprehet se këtë vit 2005 do të bëhet pavarësia e Kosoëvs.



Lëvizja: “Si i komentoni këto akuza që vinë nga Haga në lidhje me burgosjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ku faktikisht barazohet viktima me agresorin, në kohën e fundit flitet edhe për akt-akuzë kundër z. Ramush Haradinajt?



Baleta: Pyetja juaj e ka përgjigjen e saktë brenda : barazohet viktima me agresorin. Do të thotë barazohet viktima me kriminelin, i vrari me vrasësin kriminel. Kjo është padrejtësia më cinike që mund të bëhet, sidomos kur bëhet në emër të dhënies së drejtësisë dhe për më tepër kur bëhet në emër të dhënies së drejtësisë në nivel ndërkombëtar.

Është një turp për drejtësinë ndërkombëtare që pranë xhelatëve serbë, pranë atyre që bënë për 10 vite luftra agresive në Ballkan, që dogjën e poqën në Kosovë për të bërë genocid, të ulen dhe disa përfaqësues të luftëtarëve shqiptarë për liri. Me këtë veprim Gjykata e Hagës fshin kufirin midis krimit dhe vetëmbrojtjes, midis agresionit dhe mbrojtjes kolektive ose individuale nga agresioni, midis genocidit dhe përpjekjeve për të shpëtuar nga genocidi. Eshtë e pakonceptueshme se si mund të fshihen kufij të tillë, si mund të mos mbahet parasyshë dallimi midis një lufte të drejtë dhe të padrejtë. Një luftë çlirimtare nuk mund të barazohet kurrë me një luftë agresive, pushtuese, grabitqare.

Duke ulur në bangon e të akuzuarve luftëtarë shqitarë Gjykata e Hagës praktikisht po ndëshkon UÇK-në, po ndëshkon popullin e Kosoëvs pse u ngrit në luftë për vetëmbrojtje dhe për liri. Është një lloj hakmarrje që u bën qejfin agresorëve serbë, që u jep atyre rast të përligjin krimet e tyre. Eshtë një paralajmërim për të gjithë ata që guxojnë të marrin armët për liri se do të akuzohen për krime lufte njësoj si agresorët e robëruesit e tyre.

Në këtë aspekt vetëm drejtësi nuk mund të ketë në veprimin e Gjykatës së Hagës. Me këtë qëndrim kjo Gjykatë është larguar nga qëllimet fisnike juridike e politike për të cilat u krijua dhe funksionoi. Roli i saj po degradon. Por në të njëjtën kohë po degradon funksioni i drejtësisë ndërkombëtare. Nëse ecet në këtë rrugë arsyetimi e veprimi, siç po bëhet në Hagë me luftëtarët e UÇK-së, atëherë bashkë me nazistët në gjyqin e Nurenbergut duhej të gjykoheshin edhe gjeneralë rusë, amerikanë, anglezë, sepse kishin urdhëruar bombardimet mbi Drezden e Berlin, kishin vrarë ushtarë gjermanë, kishin vrarë edhe dezertorë rusë, amerikanë, edhe spiunë e të tjerë. Atëherë duhen gjykuar edhe pilotët e NATO-s që bombarduan “gabimisht” një karvan qerresh të refugjatëve shqiptarë. Duhen gjykuar edhe ushtarakët amerikanë për bombardimin e Faluxhas e për veprime të tjera në Irak etj, etj.

Në këto rrethana shqiptarët duhet të qëndrojnë pa ngurrim e pa përjashtim përkrah atyre luftëtarëve të UÇK-së që janë dërguar në Hagë. Kam mendimin se Jakup Krasniqi që ishte dëshmitar i thirrur me detyrim para Gjykatës kishte të drejtë në ato shpjegime që dha dhe shpjegoi qartë si ka qenë e si është puna. Është i pamoralshëm qëndrimi i atyre politikanëve , gazetarëve shqiptarë që mundohen të gjejnë bishtra për të justifikuar thirrjen si të pandehur në Hagë të luftëtarëve të UÇK-së, ose për ta kapërcyer këtë gjë në heshtje gjoja për të mos u ndeshur me bamirësit ndërkombëtarë. Nëse në UÇK ka pasur luftëtarë që kanë kryer veprime që nuk duhej t’i kryenin midis shqiptarëve këto janë gjëra që duhet t’i gjykojnë sipas ligjit e traditës e t’i venë në vend si është më mirë shqiptarët, jo të kthehen në “krime ndërkombëtare”.

Përsa i përket rastit të zotëri Haradinajt, që tani është kryeministër i Kosovës, parimisht mund të them se ishte një gjest fyes për luftën e shqiptarëve dhe një absurditet. Kur të mos kishte mbetur më ushtarak, polic e paramilitar serb pa kaluar në Gjykatën e Hagës atëherë duhej të kujtohej prokuroria e kësaj Gjykate të fliste për “rastin Haradinaj”. Mendoj se përfolja e z. Haradinaj si i akuzuar i mundëshëm para Gjykatës së Hagës ka pasur më shumë prapaskenë politike, për të cilën e kam vështirë të hamendësoj publikisht pa ditur fakte. Ka qenë presion. A ishte ky presion që Haradinaj të mos pranonte postin , apo ishte presion që të mbante sjellje të caktuar pasi të pranonte postin nuk e them dot.


Lëvizja: Meqenëse ju njiheni edhe si një intelektual që ka respket për Islamin, lexuesve u intereson cili është mendimi juaj për Islamin.



Baleta:Dua ta nis shpjegimin tim në këtë pikë nga një thënie të Nënë Terezës që unë e kam pas lexuar shumë vite përpara në një reviste të përjavëshme ruse “Za Rubjezhom” që thotë “ I respketoj të gjitha fetë, por jam e dashuruar me fenë time”. Njeriu kështu duhet të veprojë nëse ka dëshirë të jetë besimtar i mirë, edhe në qoftë se nuk është praktikues i riteve apo gjithë detyrimeve fetare. Unë vetë nuk jam praktikues i fesë, por besimtar. Besimin fetar njeriu e trashëgon nga prindërit, por edhe mund ta ndërrojë. Unë besimin fetar e kam trashëguar nga prindërit dhe i jam përkushtuar aq sa mund t’i përkushtohet njeriu që rritet dhe edukohet në kushtet e një ateizmi të imponuar me egërsi nga politika shtetërore.

E respektoj Islamin jo vetëm sepse është feja prindërore e trashëguar, jo vetëm se është feja më e pranueshme për ndjesitë e gjykimet e mia, por edhe sepse mendoj që është feja e cila i ka sjellë të mirat më të mëdha kombit shqiptar. Për këtë arsyen e tretë më është dashur të bëj polemika e replika të shumta gjatë 15 viteve të fundit në gazeta, ekrane televizive, tubime publike. Mund të kujtoj se më konkretisht këtë veprimtari e kam nisur me një intervistë që u botua nga “Hëna e re “ në Shkup në shkurt të vitit 1992. Qysh prej asa kohe kam qenë i detyruar të bëj shkrime të shumta polemizuese, sidomos me një numër klerikësh, intelektualësh dhe gazetarësh katolikocentristë në Shqipëri e Kosovë dhe pasues të priftit grek Janullatos që ka uzurpuar kryesinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Për të sqaruar më mirë lexuesit tuaj më duhet të përmend se ka 15 vite që sulmohem ashpër në shtypine Shqipërisë si “fondamentalist islamik”, “ si “mik i Bin Ladenit qysh nga viti 1982”, si “agjent i Ajatollahëve të Iranit” dhe si “përfaqësues i talibanëve të Afganistanit” në Shqipëri. Është botuar në Tiranë në vitin 2001 një libër i tërë me qindra shpifje, fyerje e falsifikime me titullin “Nacional-islamizmi shqiptar. Baleta e Feraj”. Ky ballfaqim ndodh për shkak se në shkrimet e mia jam përpjekur të mbroj politikisht Islamin, kam theksuar se islamizimi për shqiptarët ka qenë shpëtimtar për ruajtjen e kombësisë së tyre. Pra, angazhimi im në debatet për mirësinë e rëndësinë e Islamit për njerëzimin e sidomos për shqiptarët është tërësisht në fushën e trajtimit politik të problemit, duke qenë i bindur se islami në Shqipëri dhe midis shqiptarëve në përgjithësi duhet mbrojtur në radhë të parë në frontin e luftës politike, sepse edhe sulmet më të dendura e më të rrepta i bëhen në rrugë politike, me mjete politike dhe për qëllime politike.

Bindja ime është se Islami si fe e përparuar, si më e reja nga fetë e mëdha monoteiste, është më i përshtatshmi për shqiptarët. Bashkohem me mendimet e shumë dijetarëve, duke përfshirë edhe arvanitasin e Greqisë, Aristidh Kolia, se Islami është feja më e përshtatshme për karakterin e natyrën e shqiptarit. Kam bindjen, të cilën e mbroj fort në polemika, se përveç arsyeve të tjera, shqiptarët e pranuan dhe e përqafuan masivisht Islamin në një kohë të caktuar edhe për t’u dalluar sa më shumë nga kombet fqinj ortodoksë që donin t’i asimilonin nëpërmjet fesë, sidomos në zonat periferike të trojeve etnike shqiptare. Kam bindjen se islamizmi shpëtoi kombin shqiptar, se islamizmi është tipar thelbësor, gur themeli i krijimitdhe i ruajtjes së fizionomisë kombëtare të shqiptarëve, nuk është thjesht besim individual, punë lutjesh, por edhe kapital politik. Kam bindjen se në ndryshim nga dy besimet tjera, katolicizmi e ortodoksia që janë përplasur midis tyre në trojet shqiptare dhe kanë ndikuar edhe një krijim ferkimesh, Islami ka luajtur rol të përbashkuesit fetar të shqiptarëve. Mendoj se ky funksion e ky rol i fesë islame në trojet etnike shqiptare është i dobishëm dhe i domosdoshëm edhe sot. Islami ka ndihmuar shumë në trojet etnike shqiptare që mbetën nën sllavët për të ruajtur identitetin e tyre, për të penguar përpjekjen për asimilim të pushtuesve. Më e dukshme për mendimin tim kjo dukuri është në Maqedoni.

Sot po bëhet një luftë e ashpër për ta shpërfytyruar e dobësuar Islamin në trojet shqiptare. Trumbetohet shumë parrulla se shqiptarët duhet të lajnë mëkatin historik të kthimit në myslimanizëm dhe ky kthim i largoi nga Europa, nga Perëndimi, i la të prapambetur, të paditur, i bëri të përbuzur për europianët që u hakmorën duke i copëtuar shqiptarët pas shembjes së Perandorisë Osmane. Këtë tezë e ka hedhur qysh herët Ismail Kadareja. Por na ka rënë në sy se edhe intelektualë e politikanë të zëshëm në Maqedoni si Arbër Xhaferri janë shumë të vendosut të përhapin midis shqiptarëve teza si të Kadaresë, të bëjnë propagandë frikësuese se nuk shkohet në Europë duke respektuar traditat shqiptare të ndikuar nga besimi islam. Na është dashur të polemizojmë edhe me shkrime politiko-filozofike në frymë antimyslimane të botuara nga Arbër Xhaferri në shtypin e Tiranës.

Kërkohet një kthim masiv, deri me metoda administrative, të myslimanëve shqiptarë në katolikë e ortodoksë me arsyetimin frikësues se përndryshe Europa e Amerika nuk do t’i duan e t’i durojnë shqiptarët si komb me fe myslimane në Ballkan. Në Shqipëri bëhet një veprimtari shumë agresive e dinake prozelitiste. Kohët e fundit Vatikani njoftoi se tashmë numri i katolikëve paska arritur në 550 000 dhe 38% e tyre janë myslimanë të konvertuar rishtas në katolikë. Pra, e drejta e individit të ndërrojë fenë është keqpërdorur për fushata masive konvertimi. Në Shqipëri dalin gazeta e botime që bëjnë haptazi thirrje për “rikonkuistë katolike” si në Spanjën e para 5 shekujve.

Nuk është e lehtë të demaskohen këto fushata, sepse ata që i bëjnë kanë mjete të fuqishme financiare e politike, mbështeten nga mekanizma të shumat e me përvojë fetare e agjenturore nga jashtë. Kurse ne që u kundërvihemi kemi mundësi shumë të kufizuara, bëjmë përpjekje individuale dhe pengohemi e bojkotohemi nga mjetet e propagandës.



Lëvizja: A lexon Abdi Baleta literaturë islame, cilët libra, nga cilët autorë.

Baleta:Unë lexoj kryesisht literaturë për Islamin, jo literaturë islame, sepse nuk kam përgatitje të mëhershme teologjike, nuk kam as kohë për t’i kushtuar kësaj literature, sepse jam i përfshirë në një veprimtari të dendur publicistike me natyrë politike e diplomatike, sipas profesionit tim. Kam studiuar për diplomaci e drejtësi. Kam punuar në fushën e diplomacisë e të jurisprudencës. Jam marrë dhe merrem me politikë e publicistikë politike për problemet aktuale. Deri në fillim të viteve 1990 literatura islame, si literatura fetare në përgjithësi, ka qenë e ndaluar në Shqipëri. Natyrisht përpiqem të lexoj diçka nga literatura islame, por në mënyrë sporadike. Me që doni të dini diçka konkrete po përmend se kam lexuar libra e broshura të ndryshme që janë botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri si”Historia e filozofisë islame” nga Anri Korben, “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” nga Alija Izetbegoviç, “Muhamedi pishtar ndriçues” nga Bashkim Aliu, libra nga Jusuf Kardavi, nga Ali Sheriati etj. Më kanë shërbyer shumë shkrimet e historianit Muhamet Pirraku, të Nexhat Ibrahimit, Mexhit Yvejsit e të tjerëve nga Kosova; të Ismail Bardhit nga Maqedonia; shkrime të mëhershme nga Hafiz Ali Korça e klerikë të tjerë në Shqipëri. Më ka tërhequr shumë vëmendjen një punim me titull “Shtatzania e një mashtrimi” nga Avdi Berisha në Kosovë. Ka plot libra për të përmendur.

Por unë nuk mund të them se kam arritur të futem në studim të një literature të mirëfilltë teologjike islame. Më tepër kam plotësuar disi boshllëqet nga e kaluara për të mundur të bëj polemikat politike në mbrojtje të rolit e të rëndësisë së Islamit politik nga këndvështrimi i ballafaqimeve politike që ndodhin sot në botë dhe në Shqipëri. Përpiqem të lexoj sa më shumë literaturë politike, historike, filozofike kryesisht perëndimore në gjuhët angleze e frënge, ose dhe atë literaturë të pakët në shqip. Kam lexuar “Islami në Ballkan” nga britaniku H.T. Norris 1993, “Feja dhe politika e identitetit në Kosovë” nga hollandezi Ger Diujzings 2000, artikuj të francezes Natali Klejer që bashkë me burrin e saj serb A. Popoviç studiojnë në kahje tendencioze Islamin ndër shqiptarët etj.

Më janë dukur mjaft të dobishme veprat e historianëve të feve dhe të qytetërimit islam si Karen Armstrong, ish- murgeshë katolike ( “Në fillim. Një lexim, i Librit të Ghenezës”, “Beteja për Perëndinë” , viti 2000, “Histori e shkurtër e Islamit”, 2001) dhe të hebreut amerikan Bernar Luis ( “Zbulimi i Europës nga myslimanët” 1982, “Kriza e Islamit” 2003). Kam gjetur të dhëna e vlerësime shumë interesante në librat “Historia e botës në perspektivë të re” shkruar nga profesori britanik Kliv Ponting në vitin 2000, në librin “Të pafetë. Konfliktet midis Krishterimit dhe Islamit 638-2002”, shkruar nga Endrju Uitkroft në vitin 2003, “Kryqi dhe gjysmëhëna” nga Riçard Fleçer, 2003, “Talibanët” shkruar nga Rashid Ahmed 2000 dhe në disa libra mbi historinë e Perandorisë Osmane.

Në bibliotekën time herë pas here kanë hyrë libra të tillë si “Ballë për ballë me Islamin politik”(nga francezi Fransua Byrga), 1996, “Të modernizojmë Islamin” (nga Xhon J.Espozito dhe Fransua Byrga) 2003, “Përkitje myslimane. Islami sot në Europën e zgjeruar”( nga grup autorësh europianë) 2001, “Islami ekstrem. Propaganda antiamerikane e fondamentalizmit islamik” (përmbledhje tekstesh nga Adam Parfrei) 2001, “Islami dhe miti i ballafaqimit” (nga Fred Hollidei) 1996, “Islami dhe Perëndimi” (nga Robert Van de Uejer) 2000, “Përplasja e fondamentalizmave. Kryqzatat, Xhihadi dhe koha moderne” ( nga Tarik Ali) 2002, “Islami dhe Perëndimi. Përballje apo bashkëpunim” (nga Amin Saikal) 2003, “Lufta e shenjtë. Brenda botës sekrete të Bin Ladenit” (nga Piter L. Bergen) 2001,“Bin Laden, Islami dh lufta e re e Amerikës kundër terrorizmit” ( ngar Asad Abukhalil) 2003, “Islami luftarak arrin në Amerikë” (nga Daniel Pajps) 2002, “Islami dhe pakënaqësia e tij ( nga Abdelvahab Medeb) 2002, “Luftë pa shenjtëri” (nga Xhon J.Espozito) 2002, “Luftëra pa shenjtëri” (nga Xhon Kuli) 1999, “Hija e shpatave” (ngar M.J. Akbar) 2002.

Tani nuk më mungojnë as veprat e intelektualit Eduard Said “Orientalizmi” 1978, “paraqitja e Islamit ( në media)” 1997, “Pushteti politika dhe kultura” 2004. Veprat më të reja që kam mundësinë të lexoj e të përdor janë “Ngatërresat brenda Islamit” (ngar Irshad Manzhi) 2004, “Oksidentalizmi” (nga Jan Buruma dhe Avishai Margalit) 2004, “Profeti Muhamed” (nga Barnabi Roxherson) 2003, ‘’Duke kërkuar me dëshpërim Parajsën. Udhëtimet e një myslimani skeptik” (ngar Ziaudin Sardar) 2004, apo edhe “Kush jemi ne?Debat i madh në Amerikë” (ng Samuel P. Hantington, autori i “Përplasja e qytetërimeve”) 2004. Kam lexuar e përdorur në punën time edhe shumë libra të tjerë mbi luftën kundër terrorizmit ku trajtohen probleme të fondamentalizmit islamik e të Islamit politik, apo libra historikë që shpjegojnë parhapjen e fesë islame tek shqiptarët.

Nuk do të ishte punë me mend e me dobi sikur në leximet e mia të mbetesha i njëanshëm. Kam lexuar libra e shkrime që trajtojnë edhe probleme të feve të tjera dhe rolin e tyre në shoqëritë shqiptare, ballkanike dhe europiane. Eshtë mjaft interesant libri “Përse rrëzohen engjëjt”, shkruar nga gazetarja britanike Viktoria Klark në vitin 2000 që trajton historinë e fesë ortodokse në Ballkan dhe gjendjen e saj sot. Për historinë e katolicizmit mund t’i referohem librit të vonshëm të Hans Kung “Kisha katolike”, botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2001. Për problemet e politizimit të fesë bën fjalë libri “Lufta pa shenjtëri. Roli i Vatikanit në ngjitjen e antisemitizmit modern”, shkruar nga Deivid I. Kërcer, 2002, “Tradhtia.Kriza në kishën katolike”, intervista të personelit të gazetës “Boston Globe”, 2002.

Është e kuptueshme që kam ndjekur edhe librat e shkrimet e klerikëve dhe të intelektualëve që shkruajnë në frymë të theksuar katolike në Kosovë, Shqipëri e diasporë. Edhe më e natyrshme është që të interesohem të lexoj sa më shumë botime që i kushtohen Nënë Terezës . Përveç biografisë së saj të autorizuar, shkruar nga Ketrin Spink dhe librave që janë në gjuhën shqipe për nder e lavdi të saj, kam lexuar edhe libra në frymë kritike të tillë si “Pozita e Misionares. Nëna Terezë në teori e në praktikë”, shkruar nga intelektuali amerikan Kristofer Hitçens dhe botuar në SHBA në vitin 1995, apo „Nënë Tereza, verdikti përfundimtar“, shkruar nga një mjek indian prej Kalkute, Arup Çaterxhi dhe botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2003.

Besoj se rreshtimi i këtyre titujve plotëson qëllimin e pyetjes suaj për të sqaruar lexuesin se shkrimet e mia janë krejt jashtë sferës së teologjisë dhe të librave me frymë thjesht fetare, i përkasin sferës së publicistikës politike dhe të debatit politik që bëhet për vendin e rolin e fesë në përgjithësi dhe të Islamit në veçanti në jetën ndërkombëtare dhe në jetën kombëtare të shqiptarëve. E theksoj këtë sepse në Shqipëri nga mjedise kishtare e laike që unë i cilësoj si “katolikocentriste” për t’i dalluar nga besimtarët katolikë shpesh bëhen përpjekje për të më paraqitur si njeri që publicistikën nuk e bëj në funksion të politikës e të diplomacisë, por punë të një “teologu të maskuar”. Këtë e bëjnë jo aq për të më vënë ndonjë bisht mua, sepse edhe ata e kuptojnë se të jeshë teolog është gjë e mirë dhe jo e keqe, por sepse duan që mbrojtjen e Islamit në Shqipëri ta kufizojnë e ta ngushtojnë vetëm në debate teologjike dhe askush të mos bëjë trajtim mbrojtës politik të Islamit.



Lëvizja: I kthehemi situatës në Maqedoni, si e komentoni gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, kur dihet se rreth 40% e popullatës së përgjithëshme janë shqiptarë, kurse mbi 50% janë myslimanë, a mendoni se shqiptarët apo dhe feja islame është e barabartë në Maqedoni?.

Baleta:Më keni bërë një pyetje që normalisht unë, apo cilido nga Shqipëria Administrative(londineze), duhet t’ua drejtojë politikanëve, intelektualëve, apo qytetarëve shqiptarë të Shqipërisë Lindore( Maqedoni). Megjithatë kjo nuk do të thotë se unë apo shumë shqiptarë të Shqipërisë Administrative nuk kemi mendim edhe për këto çështje. Pozita ime në këtë rast nuk është e lehtë se po të flas krejt hapur do të zemërohen mjaft njerëz. Po të mos flas hapur mund të spekulohet e të qortohem “ku e ke atë sinqeritetin e nacionalistit”.

Në mënyrë figurative unë mund të them se pozita e shqiptarëve në Maqedoni i ngjan gjendjes së atij udhëtari të lodhur e hallemadh kur dikush e pyeti në rrugë : “Ku ke qenë kështu , or mixhë, e prej kah vjen”. Dhe mixha që mezi merrte frymë tha vetëm pak fjalë “kurrkund s’kam qenë, prej kurrkund nuk po vi”. Pyetja tjetër ishte : “Po ku po shkon kështu”. Përgjigja “kurrkund, as vetë nuk e di, veç po eci, po luej kambët”. Se në cilën nahi shqiptare ka ndodhur kjo unë nuk e di. Por më duket se në pozitën e mixhës së lodhur janë të gjithë shqiptarët. Një pjesë duan të ulen e të pushojnë. Prandaj nuk e kanë zor shumë politikanë dhe intelektualë t’u thonë se tashti janë në rrugë të mbarë, se po shkojnë drejt atij vendit të rehatimit që është Ballkani pa kufi dhe Europa pa Shqipni (Etnike).

Shqiptarëve në Maqedoni po u thuhet nga të huajt e nga të vetët se kanë bërë përparime të mëdha në afirmimin e respektimin e të drejtave të tyre. Veçse të mos harrojmë se jo më larg se në vitin 2001 shqiptarët u detyruan të merrnin armët e të hynin në luftë, sepse ata dhe udhëheqësit e tyre ishin të bindur se shqiptarët po nëpërkëmbeshin. A thua të ketë ndryshuar gjendja e shqiptarëve në Maqedoni aq shumë sa tani pas 3 vitesh të propagandohet midis shqiptarëve se ajo luftë paska qenë vetëm që të integrohet më shumë Maqedonia, të bëhej pajtimi i madh etnik, që sipas vetë udhëheqësve të asaj lufte tashmë qenka realizuar?! Kjo do të ishte një mrekulli shumë e madhe për t’u besuar se mund të bëhet brenda 3 vitesh në saje të marrëveshjeve të Ohrit, të cilat sipas shumë shqiptarëve nuk po zbatohen. Pra na duket si puna e mixhës që as nuk dinte nga po vinte, as se ku po shkonte.

Nganjëherë na duket se lufta e shqiptarëve në Maqedoni nga një luftë për të drejta kombëtare përfundoi në një luftë për protagonizëm politik midis vetë shqiptarëve, (politikanëve e partiakëve).

Në pyetjen tuaj thuhet se 40% e banorëve të Maqedonisë qenkan shqiptarë. Kështu kemi thënë vazhdimisht edhe ne në Tiranë. Por sipas regjistrimit të fundit përqindja e shqiptarëve përsëri ka dalë sa kanë pas thënë gjithnjë maqedonasit, u rrit fare pak nga 23% në 25%. E nëse shqiptarëve ua vjedhin, apo ua fshehin 15% të popullisë tyre, atëherë këta shqiptarë ende nuk dinë nga vinë e ku po shkojnë. Me një popullsi shqiptare prej 40% që jeton në masa kompakte në shumë raste dhe është autoktone, që dallohet qartë etnikisht nga sllavomaqedonasit dhe me një popullsi 50% të besimit islam, që përsëri shënon një dallim të qartë e të fortë nga sllavomaqedonasit, fizionomia shtetërore e pushtetore e Maqedonisë duhej të ishte krejt ndryshe.

Kur theksi vihet kryesisht tek fjala “integrim” ne duhet të kuptojmë se pozitat e shqiptarëve e të myslimanëve nuk bëjnë përpara por mbrapa, sepse edhe në të kaluarën është folur për integrim në shoqërinë jugosllave, deri për asimilim në kombin e një niveli më të lartë, kombin socialist jugosllav. Politikanët le të gëzohen sa të duan për “zbatimin”e marrëveshjes “magjike” të Ohrit, por realitetet nuk ndryshojnë aq lehtë, duke i goditur me shkopin magjik të demagogjisë panballkaniste dhe paneuropianiste. Sesa e barabartë është feja islame në Maqedoni e dini ju më mirë. Unë mund të përmend vetëm një shembull të vogël. Andej nga viti 1996 me ftesë të Meshihatit Islamik vizitova Shkupin. Isha bashkë me një kolegun tim partiak, i fesë ortodokse. Kur vizituam disa lokale nëpër korridore pamë që gjithë të shkruarat ishin me cirilike. Kolegu im pyeti njërin nga shoqëruesit ”pse nuk i hiqni, t’i vini shqip”, madje i propozoi t’i sillte ndonjë shkallë apo karrige sa t’i arrinte e t’i hiqte ai. Natyrisht unë e dija se ishte punë që nuk mund të bëhej ajo. Ndoshta tani gjendja në ato korridore të institucionit fetar islamik shqiptar ka ndryshuar. Por përsëri ndryshimet ende duken të pjesëshme, të pasigurta dhe të brishta. Madje në pikëpamje fetare duket sikur Islami edhe në Maqedoni po pëson një trysni që nuk e kishte provuar deri tani si në Shqipëri e në Kosovë, trysninë e partiakëve dhe të intelektualëve shqiptarë që shpallin Islamin të prapambetur, pengesë për integrim në Europë dhe po u kërkojnë myslimanëve shqiptarë në Maqedoni të “reformohen” dhe ata, të bëhen “myslimanë europianë”. Të paktën këtë përshtypje kam krijuar duke lexuar disa shkrime të Arbër Xhaferrit e të ndonjë tjetri nga Maqedonia në shtypin e Tiranës.



Lëvizja: “Cili intelektual apo politikan në Maqedoni është më meritor, apo është më i aftë të përfaqësojë interesat e shqiptarëve dhe a njiheni apo keni pasur takime me Rufi Osmanin, apo Ali Ahmetin, Arbër Xhaferrin?”.

Baleta: Këtu më duhet të jem në maksimum i përmbajtur edhe pse e çmoj shumë të drejtën e intervistuesit të pyesë për çfarë të dojë dhe e di detyrimin e atij që ka pranuar të intervistohet që të jetë në maksimum i sinqertë. Ka raste kur bën keq e jo mirë edhe pse po përpiqesh të thuash të vërtetën.

Vlerësim të tillë se cili politikan shqiptar është më meritor në Maqedoni mund ta bëjë personi vetëm kur ka për të hedhur votën e tij të fshehtë. Pastaj edhe në votime të ndryshme votuesi mund të bëjë vlerësime të ndryshme. Kështu që edhe unë mendoj se nga politikanët shqiptarë në Maqedoni, për aq sa kam mundur t’i njoh nga larg, asnjëri nuk duhet të shpallet më meritori për gjithë kohën e në të gjitha rastet. Secili prej tyre ka pasur një meritë më të madhe në një pikë të caktuar të zhvillimit të ngjarjeve, pastaj është kapërcyer nga një tjetër. Kjo është jeta e lufta politike.

Në fillimet e viteve 1990 edhe unë, si shumë të tjerë në Tiranë, kishim arsye të mendonim se më meritor në politikën shqiptare në Maqedoni po tregohej Nevzat Halili. U pezmatuam kur filluan sherret në Partinë e parë shqiptare në Maqedoni dhe nuk na ngjanin fort meritorë ata që po merrnin drejtimin e fraksioneve. Pastaj u gëzuam kur mbledhja e Gostivarit nxorri ekipin e politikanëve më “radikalë” me Xhaferrin e Thaçin në drejtim. Pastaj sikur na u ftoh dhe ky entuziazëm, por nuk krijuam ndonjë bindje më të mirë për pjesën partiake që e kryesonte Abdurrahman Haliti. Pastaj pjesëmarrja e Partisë së Xhaferrit në koalicionin qeverisës me partitë nacionaliste maqedonase na ftohu dhe më tepër entuziazmin, sepse ndjemë që politika shqiptare po shkiste në një tradicionalizëm që mendonim se nuk u kishte dhënë gjë shqiptarëve më parë.

Megjithatë mospajtimet në shtyp, sidomos në “Bota Sot”, i kemi shprehur fillimisht me “ndrojtje” të vetëimponuar, deri kur “Bota Sot “ u bë tabelë qitjeje nga politika shqiptare në Maqedoni. Më pas nëpër

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme