
Arsyeja e parë: Pjetër Bogdani ka qenë klerik katolik. Andaj është e papranueshme që ne që vazhdimisht trumbetojmë për shoqëri shekullare, instituteve tona t’u lëmë emra klerikësh. Ne e dimë sa janë alergjikë këta njerëz si puna e Arbër Xhaferit nga emrat e Ibrahim Dalliut, Vehbi Dibrës, Hoxhë Tahsinit, Rexhep Vokës dhe madje kemi filluar ta kuptojmë dhe ta pranojmë, bile edhe ta arsyetojmë këtë kompleks të tyre, por nuk dimë si ta kuptojmë që në anën tjetër të propozohet që një institut kulturor e shkencor të emërtohet pikërisht me emër kleriku. Të thuash që një shoqatë humanitare katolike, një kishë, një katedrale a një objekt tjetër religjioz të emërtohet me emrin e një kleriku si shembulli i Pjetër Bogdanit, kjo është krejt normale dhe as që do të duhej të paraqesë problem, ama kurrsesi nuk mund ta kuptoj se çfarë lidhje ka Pjetër Bogdani me një institut të kulturës shqiptare në Maqedoni.
Arsyeja e dytë: Pjetër Bogdani ka qenë një luftëtar i paepur kundër islamit dhe myslimanëve, madje edhe ndaj myslimanëve shqiptarë (siç i quan ai te Çeta “arnautë”). E dimë mirë nga historia se ai kishte tubuar mijëra shqiptarë katolikë në luftë kundër shqiptarëve myslimanë dhe osmanëve në vitin 1689. E dimë pastaj edhe përfundimin e Shkupit në atë vit dhe përfundimin e tij bashkë me Pikolominin. Se a ka qenë e drejtë ajo luftë a jo, kjo është çështje e qasjes dhe e historisë, porse të madhërohet nga myslimanët një klerik antimysliman dhe njëherit antishqiptaro-mysliman, kjo nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë.
Arsyeja e tretë: Nëse dikush pretendon se Pjetër Bogdani ka qenë shkencëtar dhe për këtë shkak ky institut meriton ta mbajë emrin e tij, gabohet thellë, nga shkaku se ashtu del se ai nuk ka njohuri elementare mbi shkencën dhe mbi “arritjet” shkencore të Pjetër Bogdanit. Së pari shkenca e tij ka qenë teologjia, pra diçka që si e thamë në fillim është njësoj sikur “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” e Hafiz Ali Korçës, për emrin e të cilit menjëherë vrenjten fytyrat e propozuesve të emrit të Insitutit. Nëse ne në shoqërinë tonë e kemi ndarë fenë nga jeta publike, kjo do të thotë se ia kemi një vijë të kuqe edhe teologjisë. Atë sipas kësaj logjike e kemi mbyllur në faltore dhe ajo nuk ka punë në jetën shkencore e kulturore. Se a kemi bërë mirë a jo, edhe për këtë mund të bisedojmë, por të bëjmë përjashtime në këtë pikë në favor të kristianizmit, këtë nuk guxojmë ta lejojmë. Pjetër Bogdani si shkencëtar është njësoj si një teolog shqiptar mysliman, të cilin le që nuk kemi guxim ta afirmojmë aq, por bile as që e njohim. Në këtë frymë, edhe sikur ta pranojmë se Bogdani me Çetën e profetëve ka bërë një vepër meritore shkencore (edhe pse titulli e mohon këtë), ai është aq tendencioz ndaj myslimanëve, sa më shumë të jep përshtypjen e një fjalamani arrogant se të një shkencëtari. Sa për ilustrim po i japim nja dy fragmente (për më shumë referojuni veprës së Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve”, Rilindja, Prishtinë, 1990 ose veprës së autorit Avdi Berisha “Shtatzënia e një mashtrimi”) të veprës së “Çeta e profetëve”, ku ai si tërbuar e fyen Islamin dhe Profetin Muhamed:
“Prej fillimit e deri në mbarim duhet ditur se, ndonëse Muhamedi tha disa herë të vërtetën, posikur foli për zonjën Shën Mëri, nuk duhet mbajtur për të shenjtë as për profet, por për rrenacak të vërtetë, sepse mirësia vjen kur njeriu në tërësi është i mirë, e i thonë i keq edhe kur vetëm një punë nuk e flet mirë e drejt” (“Çeta e profetëve”, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 271) "Andaj turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur gjurmët e Ismaelit e të Ezaut, nuk i zënë besë Jezu Krishtit, të vërtetit Mesi, por ndoqën idhujt: Muhametin, Surrullahin e Tallmudin. Duhet ditur se këta krerë të të gjitha të këqijave, Muhameti, Surrullahi e Tallmudi, posikur që shtinë themel një ligji të lirë, pa udhë e pa arsye, plot me fëlliqësi, ashtu i kanë marrë prapa njerëzit e paudhë e pa ndonjë nder në vete, që janë arabët, tatarët e turqit, që janë dhënë pas lakmive të kësaj jete, fëlliqësive e shtazërive, e posi është Muhameti, bari i deleve e i pelave, duke u ngjitur me gjithë to. Nuk është pra çudi që njerëzve të kësaj dore të mos u pëlqej feja e vërtetë e Krshtit, e as pastërtia e madhe e saj." (“Çeta e profetëve”, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 299) (Këtu me turq nënkuptohen gjithë myslimanët – A.A.).
Ky është Pjetër Bogdani. Siç shihet, edhe vetëm ky tekst flet mjaft se sa është meritor ai të jetë emër i institutit të kulturës shqiptare në Maqedoni, ndonëse analizat më të holla për këtë figurë, si dhe për ardhmërinë e këtij instituti, për qasjen e tij ndaj kulturës shqiptare islame te ne, për periudhën e sundimit osman dhe kontaktet e kulturës shqiptare me atë osmane, vetëm mund të paramendohen se në çfarë inkuizicioni mund të jenë. Sepse, dita e mirë, thonë, shihet që në mëngjes. E ne nuk po e shohim këtë ditë. Ju lutem hiqni perdet!
(Autori është imam në f. Llërcë – Tetovë)