Imam Ebu Hanifja dhe njohuria e tij mbi hadithet

Pretendimi i gabuar se Imam Ebu Hanfija nuk ka pasur qasje në shumë hadithe ose ka qenë i dobët në shkencën e hadithit bazohet në paragjykim dhe injorancë. E vërteta është ajo se madje edhe dijetarë johanefinj dhe dijetarë hadithi e kanë dëshmuar akumenin dhe ekspertizën e tij në këtë fushë. Ky trajtim i vogël në këtë libër nuk e lejon mundësinë e elaborimit, por një numër i zgjedhur citimesh nga disa dijetarë hadithi do të mjaftojë:

“Imam Ibn Xhurejxhi ishte një dijetar i mirënjohur i hadithit. Në fakt, shkolla juridike shafi’ite rrjedh kryesisht nga koleksionet e tij. Ibn Haxheri ka treguar se kur Ibn Xhurejxhi dëgjoi për vdekjen e Imam Ebu Hanifes, tha me një zë plotë dhimbje: Çfarë diturie paska ikur!” [1]

Mekki ibn Ibrahimi, mësuesi i Imam Buhariut dhe hadithet që Imam Buhariu i ka transmetuar, në zinxhirin e të cilave gjenden vetëm tre transmetues, kryesisht i ka transmetuar përmes këtij dijetari. Mekki ibn Ibrahimi, që ishte nxënës i Imam Ebu Hanifes, ka thënë:

“Imam Ebu Hanifja ishte njeriu më i ditur i kohës së vet.” [2]

Duhet të kihet parasysh fakti se fjala ‘dituri’ (ilm) në gjuhën e dijetarëve të hershëm i referohej vetëm shkencës së hadithit.

Shu’be ibn Haxhxhaxh, që njihej si ‘Prijësi i besimtarëve’ në shkencën e hadithit dhe që ishte i pari dijetar që specializoi në vlerësimin e transmetuesve (xherh ve ta’dil), për Imam Ebu Hanifen ka thënë:

“V’Allahi, ai ishte një person me të kuptuar të mirë dhe mbamendje të shkëlqyeshme.”

Dhe kur Shu’be dëgjoi mbi vdekjen e Imam Ebu Hanifes tha:

“Drita e diturisë qenka shuar në Kuffe. Ata (populli i Kuffes) mund të mos shohin më kurrë të ngjashëm me të.” [3]

Ebu Davudi ka thënë se Imam Ebu Hanifja ishte një Imam. [4]

Jahja ibn Mu’ini që ishte ekspert në xherh ve ta’dil ka thënë:

“Imam Ebu Hanifja ishte jashtëzakonisht i besueshëm në hadith, meqë ai kurrë nuk transmetoi ndonjë hadith, të cilin nuk e kishte memorizuar.”

Edhe Jahja ibn Mu’ini edhe Ibn Seid ibn Kattani kanë deklaruar se kanë përdorur shumë mendime të tij. [5]

Njëherë dikush e pyeti Jahja ibn Mu’inin nëse Imam Ebu Hanifja ishte i besueshëm në hadith, kurse ai ia ktheu:

“Po, shumë i besueshëm, shumë i besueshëm.” [6]

Këto citime janë thjesht për sqarim, andaj ndoshta do të ishte e tepërt të themi se Imam Ebu Hanifja e kishte shkruar librin e tij Kitabul-Athar në kohën kur madje as më të hershmet e librave të autorizuara të tilla si Muvetta-i i Imam Malikut, Musannefi i Abdurr-Rrezakut dhe i Ibn Ebu Shejbes ende nuk kishin qenë të përpiluara. Imam Zerenxheri ka konfirmuar se Imam Ebu Hanifja e shkroi librin e tij në fjalë (në bazë të citimeve të sahabëve r.a.) nga një grumbullim i 40000 transmetimeve. [7] Ekzistojnë shumë dijetarë të hadithit, të cilët i kanë përpiluar 70 libra në bazë të transmetimeve të Imam Ebu Hanifes (të njohura si Musned-e) e që janë jo më pak voluminoze se përpilimet e Imam Shafi’iut. Ibn ‘Adiu, një kritik hadithi dhe fillimisht një antagonist i madh i Imam Ebu Hanifes, e kuptoi lapsusin e tij dhe me vonë, në shenjë pendimi, përpiloi një Musned nga transmetimet e Imam Ebu Hanifes. [8] Eksperti i madh i hadithit Nevvab Siddik Hasan Han ka shkruar:

“Imam Ebu Hanifja ishte një dijetar i mirë, një rob i devotshëm dhe praktikues i fesë. Ai ishte shumë i sinqertë në adhurimin dhe përulësinë e tij ndaj Allahut të Madhërishëm.” 

Ai vazhdoi duke cituar shumë vlera dhe arritje të Imam Ebu Hanifes dhe më pas shkroi:

“Vlerat e tij janë të shumta. Hatib Bagdadi ka përmendur mjaft nga to në Tarihin (historinë) e tij. Mirëpo, Hatibi i ka pasuar ato me një shënim, i cili ishte krejtësisht i pavend. Imami nuk vihej në dyshim për devotshmërinë apo aftësitë e tij akademike. Por, ngandonjëherë ai akuzohej për mangësi në gjuhën arabe.” [9]

Duhet të kihet parasysh fakti që edhe pse Nevvab Siddiki e ka cituar komentin në lidhje me akumenin e Imam Ebu Hanifes mbi gjuhën arabe, vërejtjet në lidhje me dobësinë në hadith nuk janë konsideruar të vlefshme për përmendje. Në hyrjen e Et-Taxh’ul-Mukel-lel, Nevvab Siddiki ka konstatuar se ai do t’i shqyrtojë dijetarët e hadithit duke e vërtetuar pozitën e Imam Ebu Hanifes në hadith. Sa i përket ekspertizës së Imam Ebu Hanifes në gjuhën arabe, duket se Nevvab Siddik Kani e ka transmetuar atë nga Kadi ibn Halikani, meqë ky i fundit ka përdorur pikërisht të njëjtat fjalë. Megjithatë, Nevvabi nuk e ka transmetuar deklaratën e Kadiut që e ka pasuar komentin, e cila do të kishte larguar çdo dyshim rreth aftësisë së Imam Ebu Hanifes mbi gjuhën arabe.

Ky koment është i bazuar në një ngjarje të njohur. Gramatikani i mirënjohur Ebu Amr ibn ‘Ala shkoi tek Imam Ebu Hanifja dhe e pyeti rreth një mbytje, e cila ngjante me një vrasje. Imam Ebu Hanifja i tha se nuk kishte asnjë bazë për shpagim ligjor (Kisas). Ebu Amri e pyeti se a qëndronte puna kështu, nëse ai (vrasësi) e kishte vrarë atë (viktimën) me një katapultë. Imami iu përgjigj:

” ولو ضربه بأبا قبيس ” - “Edhe sikur ta kishte goditur me Ebu Kabisin (ky është një mal në vendet arabe – shën i përkth.).” 

Më vonë njerëzit e kundërshtuan përgjigjen e Imam Ebu Hanifes (kuptohet në kontekstin gramatikor – shën. i përkth.) dhe pohuan se përgjigjja korrekte duhej të kishte qenë:

” ولو ضربه بأبي قبيس ” - (pra me ja-un pas ba-unit, e jo me elif, d.m.th., duhej në gjinore).

E vërteta është ajo se në dialekte të caktuara, fraza thuhej në mënyra të ndryshme. Kadi ibn Halikkan ka transmetuar se dialekti i Imam Ebu Hanifes ishte ai i Kuffes, të cilin kufjanët e pranuan pa hezitimin ma të vogël. Prandaj, komenti mbi akumenin ose mangësinë e Imam Ebu Hanifes në gjuhën arabe është i pabazë.

 


Përktheu: Daim Abazi

 

________________________________________

[1] Tehdhibut-Tehdhib, vol. 10, f. 540.

[2] E transmetuar nga Hafiz Muzzi në fusnota të Tehdhibut-Tehdhib, f. 451.

[3] El-Hajratul-Hisan nga Ibn Haxheri nga Mekka, f. 32 dhe 71, gjithashtu nga Inxhaul-Vatan, f. 8 dhe 17.

[4] Tedhkiretul-huffaz nga Dhehebiu, vol. 1, f. 160.

[5] Ibid, vol. 10, f. 450.

[6] Virtytet e Imamul-A’dhamit (Ebu Hanifes) nga Muveffiku, vol. 1, f. 192 (e shtypur në Hajderabad më 1321 h.)

[7] Ibid, vol. 1, f. 95/96.

[8] Çështja e Imam Ebu Hanifes dhe haditheve është shqyrtuar nga Meulana Muhammed Ali nga Kandehla në librin e tij: Imamul-A’dhami dhe Shkenca e Hadithit, si dhe në arabisht nga Meulana Zafer Ahmed Uthmani në librin e tij: Inxhaul-Vatan.

[9] Et-Taxh’ul-Mukel-lel nga Nevvab Siddiki, f. 136-138 nga faqja 119 e përkthimit të shtypshkronjës Bombai, e shtypur më 1383 h.)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme